Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A duhet t’i japë një i krishterë para ose dhuratë një nëpunësi shtetëror për shërbimin që i bën, apo kjo do të konsiderohej si ryshfet?
Kudo qofshin, të krishterët përpiqen të tregohen të mençur në varësi të rrethanave në të cilat ndodhen, duke mbajtur parasysh se ajo që është e pranueshme dhe e ligjshme në një vend, mund të jetë fare e papranueshme dhe e paligjshme në një vend tjetër. (Fjalët e urta 2:6-9) Patjetër që një i krishterë nuk duhet të harrojë se kush dëshiron «të banojë në çadrën [e Jehovait]» nuk duhet të japë apo të marrë ryshfet.—Psalmi 15:1, 5; Fjalët e urta 17:23.
Çfarë është ryshfeti? Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, është «para ose diçka tjetër që i jepet falas nën dorë një nëpunësi ose punonjësi në detyrë që të bëjë një punë a një shërbim jashtë ligjit». Pra, pavarësisht se ku jetojmë, quhet ryshfet nëse i japim para ose dhuratë një gjykatësi a polici për të shtrembëruar drejtësinë, ose një inspektori për të mbyllur një sy para një gabimi a një shkeljeje të ligjit. Është ryshfet edhe kur jep një dhuratë që të të bëhet një favor i veçantë, si për shembull, për të dalë në krye të një liste pritjeje ose për të hyrë pa radhë. Kjo do të tregonte edhe mungesë dashurie për të tjerët.—Mateu 7:12; 22:39.
Por, a është ryshfet po t’i japësh para apo dhuratë fjala vjen një punonjësi publik, për një shërbim të ligjshëm ose për të shmangur padrejtësitë që mund të na bëhen? Për shembull, në disa vende nëpunësit nuk pranojnë të regjistrojnë fëmijët në shkollë, të shtrojnë njerëzit në spital dhe të vulosin dokumentet e emigrantëve, po të mos u japësh o para, o ndonjë dhuratë. Ose i zvarritin procedurat kur njerëzit shkojnë për të rinovuar licensa apo dokumente të ndryshme.
Zakoni për të dhënë para dhe mentaliteti për këtë gjë, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Nëse në një vend është bërë zakon ose pritet që të jepet një sasi parash, disa të krishterë mund të mendojnë se për aq kohë sa nuk po thyejnë ligjin, nuk po shkelin as parimet e Biblës, prandaj mund t’i japin diçka një nëpunësi që të kryejë detyrën. Në disa vende, njerëzit i shohin këto shpërblime si një dhuratë për të kompensuar nëpunësin, meqë ka një pagë të ulët. Të mos harrojmë se, ndryshe është kur jep diçka për një shërbim të ligjshëm, dhe ndryshe kur ofron ryshfet për një nder të paligjshëm.
Nga ana tjetër, kur bëjnë kërkesa të ligjshme, disa Dëshmitarë të Jehovait nuk kanë pranuar t’u japin diçka inspektorëve, punonjësve të doganës ose nëpunësve të tjerë, edhe atëherë kur për vendin është bërë zakon. Ngaqë Dëshmitarët njihen si njerëz të ndërgjegjshëm dhe të ndershëm, ndonjëherë, nëpunësit u plotësojnë disa kërkesa për të cilat njerëzve të tjerë u duhet të paguajnë që të mbarojnë punë.—Fjalët e urta 10:9; Mateu 5:16.
Pra, çdo shërbëtor i Jehovait duhet të vendosë vetë nëse do të japë apo jo diçka për një shërbim të ligjshëm ose për të shmangur padrejtësitë. Ç’është më e rëndësishmja, ai duhet të bëjë një zgjedhje që nuk ia trazon ndërgjegjen, që nuk i sjell sharje emrit të Jehovait dhe që nuk bëhet shkak pengese për të tjerët.—Mateu 6:9; 1 Korintasve 10:31-33; 2 Korintasve 6:3; 1 Timoteut 1:5.