A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Pse u zgjodh 25 dhjetori si dita për të festuar lindjen e Jezuit?
Në Fjalën e Perëndisë nuk tregohet data se kur lindi Jezui. Enciklopedia spanjolle (spanjisht) vëren: «Data 25 dhjetor, kur kremtohen Krishtlindjet, nuk vjen nga llogaritja e saktë e ditëlindjes së Jezuit. Përkundrazi ajo vjen nga festat e solsticit të dimrit që kremtoheshin në Romë, të cilat u kthyen në festa të krishtere.» Romakët e lashtë e kremtonin lindjen e diellit në dimër duke bërë festa, duke bërë ahengje të shfrenuara dhe duke këmbyer dhurata.—15/12, faqet 4, 5.
• A tregon shkrimi te Veprat 7:59 se Stefani iu lut Jezuit?
Jo. Bibla tregon se lutjet i duhen drejtuar vetëm Perëndisë Jehova. Duke parë në vegim Jezuin, me sa duket Stefani u ndie i lirshëm t’i thërriste atij drejtpërdrejt, duke thënë: «Zotëri Jezu, pranoje frymën time.» Stefani e dinte se Jezuit i ishte dhënë autoriteti për të ringjallur të vdekurit. (Gjoni 5:27-29) Prandaj ai i kërkoi ose i thirri Jezuit që t’ia ruante jetën deri në ditën kur ta ringjallte.—1/1, faqja 31.
• Si e dimë që e ardhmja e njeriut nuk është e paracaktuar?
Perëndia i ka dhënë njeriut lirinë e zgjedhjes, e cila hedh poshtë teorinë e paracaktimit të fatit. Do të ishte e pashpirt dhe e padrejtë nga ana e Jehovait, nëse do të paracaktonte drejtimin e jetës sonë e pastaj do të na quante përgjegjës për atë që bëjmë. (Ligji i përtërirë 32:4; 1 Gjonit 4:8)—15/1, faqet 4, 5.
• Pse nuk do të ishte me vend ideja që mrekullitë janë të pamundura?
Duke e kuptuar që njohuria e tyre për mrekullitë shkencore, që fshihen pas krijimit të Perëndisë, është e kufizuar, disa shkencëtarë e pranojnë se tani askush nuk mund ta thotë me siguri se diçka është e pamundur. Shumë-shumë, e pranojnë se nuk ka gjasa të ndodhë.—15/2, faqet 5, 6.
• Pse gjykatësi Samson u tha prindërve se donte të merrte për grua një vajzë nga populli filistin? (Gjyqtarët 14:2)
Martesa me një adhuruese të rreme ishte në kundërshtim me ligjin e Perëndisë. (Eksodi 34:11-16) Megjithatë Samsoni tha se pikërisht ajo grua filistine ‘bënte për të’. Samsoni «kërkonte një rast kundër Filistejve», dhe për këtë qëllim kjo ishte gruaja e përshtatshme. Perëndia e mbështeti Samsonin me anë të frymës së Tij. (Gjyqtarët 13:25; 14:3, 4, 6)—15/3, faqja 26.
• A duhet t’i japë një i krishterë para ose ndonjë lloj dhurate një nëpunësi shtetëror për shërbimin që i bën?
Është e gabuar t’i japim ryshfet një nëpunësi, t’i japim para ose dhuratë që të bëjë diçka të jashtëligjshme, të shtrembërojë drejtësinë ose të na bëjë një favor të veçantë. Por nuk konsiderohet ryshfet nëse i japim para ose dhuratë një punonjësi publik kur kryen detyrën ose për të na bërë një shërbim të ligjshëm a për të shmangur padrejtësitë që mund të na bëhen.—1/4, faqja 29.