Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A të shtyn besimi të veprosh?

A të shtyn besimi të veprosh?

A të shtyn besimi të veprosh?

OFICERI ishte i bindur se Jezui mund t’ia shëronte skllavin e paralizuar. Por nuk e ftoi në shtëpi Jezuin, mbase ngaqë ndihej i padenjë, ose ngaqë ishte johebre. Ky oficer dërgoi disa pleq judenj që të shkonin te Jezui dhe t’i thoshin: «Imzot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time, por ti veç thuaj një fjalë dhe shërbyesi im do të shërohet.» Kur Jezui e kuptoi se ky oficer besonte që ai mund t’i shëronte njerëzit edhe nga larg, i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them të vërtetën: Tek askush në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.»​—Mateu 8:5-10; Luka 7:1-10.

Ky episod mund të na ndihmojë që ta përqendrojmë vëmendjen te një element thelbësor i besimit. Besimi i vërtetë nuk është pasiv, por tregohet me vepra. Shkrimtari biblik Jakovi shpjegoi: «Besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur në vetvete.» (Jakovi 2:17) Kjo bëhet edhe më e qartë kur shqyrtojmë një shembull real se çfarë mund të ndodhë kur besimi bëhet pasiv.

Në vitin 1513 p.e.s., kombi i Izraelit u lidh me Perëndinë Jehova me anë të besëlidhjes së Ligjit. Si ndërmjetës i kësaj besëlidhjeje, Moisiu u përcolli bijve të Izraelit fjalën e Perëndisë: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim [të Jehovait] dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni . . . një komb i shenjtë.» (Eksodi 19:3-6) Pra, në qoftë se Izraeli donte të ishte i shenjtë, duhej të bindej.

Shumë shekuj më vonë, judenjtë filluan t’i kushtonin më shumë rëndësi studimit të Ligjit, sesa zbatimit të parimeve të tij. Alfred Edërshimi, në librin Jeta dhe epoka e Jezu Mesisë (anglisht), shkroi: «[Rabinët], ‘të mëdhenjtë e botës’, e kishin vulosur me kohë se studimi vinte para veprave.»

Vërtet që izraelitëve të lashtë iu dha urdhri që t’i studionin me zell kërkesat e Perëndisë. Vetë Perëndia tha: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Por, a kishte pasur ndër mend Jehovai që studimi i Ligjit të bëhej më i rëndësishëm se veprat që ishin në harmoni me këtë ligj ose që kërkoheshin nga ky ligj? Le ta shohim.

Studime të thella

Ndoshta për izraelitët mund të ketë qenë e arsyeshme t’i kushtonin tepër rëndësi studimit të Ligjit, pasi, sipas një tradite judaike, vetë Perëndia kalonte tre orë në ditë duke studiuar Ligjin. Ja pra, ndoshta mund ta kuptoni pse disa judenj arsyetonin: ‘Nëse vetë Perëndia e studion rregullisht Ligjin, a nuk duhet që krijesat e tij tokësore të jenë tërësisht të zhytura në këtë studim?’

Por, deri në shekullin e parë të e.s., ky fiksim për shtjellimin dhe interpretimin e Ligjit ua kishte shtrembëruar krejtësisht rabinëve mënyrën e të menduarit. Jezui tha: «Skribët dhe farisenjtë . . . thonë, por nuk kryejnë. Ata lidhin ngarkesa të rënda dhe ua vënë njerëzve mbi supe, por ata vetë nuk kanë dëshirë t’i lëvizin ato as me gishtin e tyre.» (Mateu 23:2-4) Këta udhëheqës fetarë i rëndonin njerëzit e thjeshtë me rregulla e ligje të panumërta, kurse, për vete, dredhonin me hipokrizi për të mos i zbatuar ato ligje. Për më tepër, këta burra që ishin të përqendruar në studimet e thella, ‘shpërfillnin çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë’.​—Mateu 23:16-24.

A nuk është një paradoks që, në përpjekjet për t’u dukur sa më të drejtë, skribët dhe farisenjtë shkelnin po atë Ligj që pretendonin se zbatonin?! Gjithë ata shekuj me debate për fjalë e për hollësi të tjera të Ligjit nuk i afruan më shumë me Perëndinë. Pasoja ishte e ngjashme me devijimin që shkaktonin «fjalët boshe», «kontradiktat» dhe «njohuria» e rremë, siç i quajti apostulli Pavël. (1 Timoteut 6:20, 21) Por, një problem tjetër i rëndë ishte ndikimi që patën këto studime të pafundme tek ata. Nuk prodhuan llojin e besimit që t’i shtynte të vepronin drejt.

Mendja plot njohuri, por zemra pa besim

Sa shumë ndryshonte mënyra e të menduarit e këtyre udhëheqësve fetarë judenj nga ajo e Perëndisë! Pak kohë para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu u tha: «Merrini me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.» (Ligji i përtërirë 32:46) Qartë, pra, shërbëtorët e Perëndisë nuk duhej të ishin vetëm studiues të Ligjit, por zbatues të tij.

Mirëpo, shumë herë me radhë kombi i Izraelit nuk i qëndroi besnik Jehovait. Në vend që të bënin veprat e duhura, bijtë e Izraelit ‘nuk i besuan dhe nuk iu bindën zërit të tij’. (Ligji i përtërirë 9:23; Gjyqtarët 2:15, 16; 2 Kronikave 24:18, 19; Jeremia 25:4-7) Për t’i vënë kapakun, izraelitët kryen aktin më të madh të pabesisë kur hodhën poshtë Jezuin si Mesia. (Gjoni 19:14-16) Si pasojë, Perëndia Jehova e hodhi poshtë Izraelin dhe e ktheu vëmendjen e tij drejt kombeve të tjera.​—Veprat 13:46.

S’ka dyshim se duhet të kemi kujdes që të mos biem në të njëjtin kurth e të mendojmë se mund ta adhurojmë Perëndinë duke e mbushur mendjen me njohuri, por duke mos pasur besim në zemër. Me fjalë të tjera, nuk duhet ta studiojmë Biblën vetëm që të kemi sa më shumë njohuri. Njohuria e saktë duhet të na prekë zemrën dhe të ndikojë për mirë në jetën tonë. A do të kishte kuptim të studionim si mbillen e si rriten perimet, por të mos mbillnim as edhe një farë? Ndoshta do të arrinim njëfarë njohurie se si të mbahet një kopsht me perime, por nuk do të merrnim kurrë asnjë prodhim! Po kështu, njerëzit që i mësojnë kërkesat e Perëndisë duke studiuar Biblën, duhet të lejojnë që farërat e së vërtetës të arrijnë në zemrën e tyre, të mbijnë e t’i shtyjnë të veprojnë.​—Mateu 13:3-9, 19-23.

«Bëhuni zbatues të fjalës»

Apostulli Pavël tha se ‘besimi vjen pas asaj që është dëgjuar’. (Romakëve 10:17) Kjo rrjedhë e natyrshme e gjërave, pra, që nga dëgjimi i Fjalës së Perëndisë e deri te besimi i fortë për Birin e tij, Jezu Krishtin, na jep shpresën për jetën e përhershme. Po, kërkohet diçka më shumë sesa vetëm të themi: ‘Unë besoj te Perëndia dhe te Krishti.’

Jezui i nxiti ithtarët e tij të kishin llojin e besimit që do t’i shtynte të vepronin: «Në këtë merr lavdi Ati tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» (Gjoni 15:8) Më vonë, Jakovi, vëlla i Jezuit, shkroi: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.» (Jakovi 1:22) Por, si ta dimë se çfarë duhet të bëjmë? Me fjalët e me veprat e tij, Jezui tregoi se çfarë duhet të bëjmë për t’i pëlqyer Perëndisë.

Kur ishte në tokë, Jezui punoi pa u lodhur për të çuar përpara interesat e Mbretërisë dhe për t’i dhënë lavdi emrit të Atit të tij. (Gjoni 17:4-8) Si e bëri këtë? Shumë njerëz ndoshta kujtojnë mrekullitë e Jezuit, kur shëroi të sëmurët dhe të gjymtuarit. Por, Ungjilli sipas Mateut tregon qartë cila ishte mënyra kryesore: «Jezui nisi të shkonte përqark nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke mësuar në sinagogat e tyre dhe duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë.» Është për t’u vënë re se Jezui nuk e kufizoi shërbimin e tij vetëm duke u folur nja dy miqve e të njohurve, ose atyre që takonte në zonën e tij. Ai u përpoq fuqimisht, duke përdorur çfarëdo mjeti për të vizituar njerëzit «në mbarë Galilenë».​—Mateu 4:23, 24; 9:35.

Jezui udhëzoi edhe ithtarët e tij që të merrnin pjesë në veprën e bërjes së dishepujve. Madje u la shembullin e përsosur, që ata ta imitonin. (1 Pjetrit 2:21) Jezui u tha dishepujve të tij besnikë: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»​—Mateu 28:19, 20.

Duhet pranuar se pjesëmarrja në veprën e predikimit ka edhe vështirësi. Vetë Jezui tha: «Ja, unë po ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.» (Luka 10:3) Kur hasim kundërshtime, prirja e natyrshme është të tërhiqemi, që t’i kursejmë vetes ankthin ose hidhërimin. Kjo ndodhi edhe natën kur arrestuan Jezuin. Apostujt ikën, sepse i zuri frika. Më vonë, po atë mbrëmje, Pjetri mohoi tri herë se e njihte Jezuin.​—Mateu 26:56, 69-75.

Veç kësaj, ndoshta do të habitesh që edhe apostulli Pavël tha se bënte një luftë të brendshme për të predikuar lajmin e mirë. Ai i shkroi kongregacionit në Selanik: «Morëm guxim me anë të Perëndisë tonë për t’ju thënë lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh.»​—1 Selanikasve 2:1, 2.

Pavli dhe apostujt e tjerë arritën ta kapërcenin frikën e t’u flitnin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Edhe ti mund ta bësh këtë. Si? Hapi më i rëndësishëm është të mbështetesh te Jehovai. Në qoftë se kemi besim të plotë te Jehovai, ky besim do të na shtyjë të veprojmë dhe do të jemi në gjendje të bëjmë vullnetin e tij.​—Veprat 4:17-20; 5:18, 27-29.

Veprat e tua do të shpërblehen

Jehovai i di mirë përpjekjet që bëjmë për t’i shërbyer. Për shembull, ai e di kur jemi të sëmurë ose të lodhur. I di pasiguritë dhe dyshimet që mund të kemi te vetja. Kur jemi të rënduar nga problemet financiare ose kur shëndeti na lë në baltë dhe ndjenjat s’na përgjigjen, Jehovai e ka gjithnjë parasysh situatën tonë.​—2 Kronikave 16:9; 1 Pjetrit 3:12.

Sa i kënaqur duhet të ndihet Jehovai kur besimi na shtyn të veprojmë, me gjithë papërsosmëritë dhe vështirësitë që kemi! Kujdesi i dashur që ka Jehovai për shërbëtorët e tij besnikë nuk është thjesht një ndjenjë kalimtare. Ai e ka mbështetur këtë me një premtim. Nën drejtimin e frymës së shenjtë, apostulli Pavël shkroi: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni.»​—Hebrenjve 6:10.

Mund të kesh besim të plotë te përshkrimi që i bën Bibla Jehovait si «Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë» dhe si «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Ligji i përtërirë 32:4; Hebrenjve 11:6) Për shembull, një grua nga Kalifornia, SHBA, kujton: «Im atë, para se të krijonte familje, shërbeu për dhjetë vjet në shërbimin e plotkohor. Më pëlqenin shumë historitë që më tregonte, se si Jehovai e kishte mbështetur në shërbim. Shumë herë e kishte harxhuar dollarin e fundit për të blerë benzinë për makinën, që të dilte në shërbim. Kur kthehej nga shërbimi, te dera gjente shpesh ushqime, atëherë kur nuk e priste.»

Përveç mbështetjes materiale, «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» na jep edhe mbështetje emocionale e frymore. (2 Korintasve 1:3) Një Dëshmitare që ka duruar shumë sprova gjatë viteve, thotë: «Të mbështetesh te Jehovai është një ndjenjë shumë ngushëlluese. Ke mundësinë ta vësh gjithë besimin tënd te Jehovai dhe ta shohësh se si vepron për të të ndihmuar.» Edhe ti mund t’i afrohesh me përulësi ‘Atij që dëgjon lutjen’, i sigurt se do të të kushtojë vëmendje për shqetësimet që ke.​—Psalmi 65:2, BR.

Bekimet dhe shpërblimet që kanë ata që punojnë në të korrën frymore, janë të shumta. (Mateu 9:37, 38) Pjesëmarrja në predikim ka ndikuar për mirë në shëndetin e shumë vetave, e mund të të sjellë të njëjtat dobi edhe ty. Por, ç’është më e rëndësishmja, kur u japim dëshmi të tjerëve, kjo na ndihmon të forcojmë marrëdhënien e mirë që kemi me Perëndinë.​—Jakovi 2:23.

Vazhdo të bësh të mirën

Do të ishte gabim që një shërbëtor i Perëndisë të nxirrte përfundimin se, ngaqë nuk bën aq shumë në shërbim për shkak të sëmundjeve ose të moshës së shkuar, Jehovai është i zhgënjyer prej tij. E njëjta gjë është e vërtetë për ata që janë të kufizuar nga shëndeti i dobët, nga përgjegjësitë familjare ose nga rrethana të tjera.

Le të sjellim ndër mend se, kur apostulli Pavël u ndie i kufizuar nga një sëmundje ose pengesë, ‘tri herë iu përgjërua Zotërisë që t’ia hiqte’ këtë problem. Por, në vend që ta kuronte Pavlin, i cili pastaj të bënte më shumë në shërbim të tij, Perëndia Jehova i tha: «Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» (2 Korintasve 12:7-10) Prandaj, të jesh i sigurt se, pavarësisht nga rrethanat e vështira që mund të jesh duke duruar, Ati yt qiellor e vlerëson çfarëdo që je në gjendje të bësh, për të çuar përpara interesat e tij.​—Hebrenjve 13:15, 16.

Krijuesi ynë i dashur nuk kërkon prej nesh më shumë nga sa mund të japim. Ai thjesht kërkon që të kemi atë lloj besimi që na shtyn të veprojmë.

[Figura në faqen 26]

A mjaftonte vetëm të studioje Ligjin?

[Figurat në faqen 29]

Besimin duhet ta tregojmë me vepra