Një mjet i dobishëm për përkthimin
Një mjet i dobishëm për përkthimin
AUTORI i Biblës, Perëndia Jehova, dëshiron që lajmi i mirë i Mbretërisë së tij t’i shpallet «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbulesa 14:6) Ai dëshiron që Fjala e tij e shkruar të jetë në dispozicion për të gjithë njerëzit. Për këtë qëllim, Bibla është përkthyer në më tepër gjuhë se çdo libër tjetër. Mijëra përkthyes të pakursyer kanë punuar fort për të transmetuar në gjuhë të ndryshme mendimet e Perëndisë.
Por Bibla nuk është vetëm një libër që duhet përkthyer. Shpesh ajo përdoret si mjet ndihmës për të përkthyer tekste të tjera. Shumë përkthyes janë bazuar te përkthimet e fjalëve të ndryshme në Bibël për të gjetur përkthimin e duhur të disa fjalëve të caktuara. Cilësia e Biblës tani ka hyrë në punë edhe në përkthimin me kompjuter.
Në të vërtetë është e vështirë që një kompjuter të përkthejë. Madje disa ekspertë mendojnë se përkthimi është i pamundur për një kompjuter. Përse? Sepse gjuha nuk është thjesht një grup fjalësh. Gjuha përbëhet nga një renditje e caktuar fjalësh, nga rregulla dhe përjashtime të këtyre rregullave, nga shprehjet frazeologjike e nga aluzionet, dhe këto ndryshojnë nga njëra gjuhë në tjetrën. Përpjekjet për t’i mësuar kompjuterit gjithë këto veçori të gjuhës nuk kanë pasur shumë sukses. Shumica e përkthimeve që janë bërë nga kompjuteri mezi kuptohen.
Por, Franc Jozef Oku, një specialist në fushën e përkthimit me kompjuter, shprehet se tani shkencëtarët po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të përkthyer me kompjuter. Për shembull, e zëmë se duam të përkthejmë nga anglishtja në shqip. Në fillim marrim një tekst që tashmë ekziston në të dyja gjuhët. Pastaj i futim në kompjuter. Kompjuteri bën krahasimin e këtyre teksteve. Dhe, nëse në tekstin në anglisht kompjuteri has disa herë fjalën «house» dhe zbulon se në çdo rast në tekstin në shqip i korrespondon fjala «shtëpi», atëherë kompjuteri arrin në përfundimin se ajo fjalë përkthehet «shtëpi». Dhe, ka të ngjarë që fjalët të cilat ndodhen pranë kësaj fjale mund të jenë mbiemra të tillë, si: «e madhe», «e vogël», «e vjetër» ose «e re». Kështu, kompjuteri formon një listë për fjalët
korresponduese dhe për kombinimet e fjalëve. Pasi ka marrë këtë lloj «stërvitjeje», që mund të zgjatë disa ditë ose javë, kompjuteri mund t’i zbatojë ato që ka «mësuar» në tekstin e ri që futet për të përkthyer. Megjithëse përkthimi përfundimtar mund të lërë shumë për të dëshiruar për sa i përket gramatikës dhe stilit, zakonisht kuptohen domethënia e përgjithshme dhe hollësitë kryesore të tekstit.Cilësia e përkthimit varet në një masë të madhe nga sasia dhe cilësia e tekstit që i është dhënë në fillim kompjuterit për ta studiuar. Dhe pikërisht në këtë pikë Bibla ka provuar se është mjaft e dobishme. Kjo, sepse ajo është përkthyer me kujdes në shumë gjuhë, mund të gjendet me lehtësi dhe sepse ka një gjatësi të konsiderueshme. Pra, Bibla ishte zgjedhja e parë e studiuesve për të stërvitur kompjuterin në një gjuhë të re.