Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A nuk bëri kompromis apostulli Pavël me besimin e tij, kur tha para Sinedrit «unë jam farise»?

Që të kuptojmë këto fjalë të Pavlit, të cilat i lexojmë te Veprat 23:6, duhet të shqyrtojmë kontekstin e tyre.

Kur e sulmoi një turmë judenjsh në Jerusalem, Pavli iu drejtua turmës dhe përmendi se ishte «arsimuar në [Jerusalem] në këmbët e Gamalielit, i mësuar sipas rreptësisë së Ligjit të të parëve». Edhe pse për ca minuta e dëgjoi mbrotjen e Pavlit, turma pastaj u egërsua, kështu që komandanti ushtarak e çoi Pavlin në kazermë. Kur po bëheshin gati ta rrihnin me kamxhik, Pavli tha: «A është e ligjshme për ju të fshikulloni një njeri që është romak dhe i padënuar?»​—Veprat 21:27–22:29.

Një ditë më pas, komandanti e çoi Pavlin para Sinedrit, gjykatës së lartë judaike. Pasi i vështroi me vëmendje, Pavli vuri re se Sinedri ishte i përbërë nga saducenj dhe farisenj. Atëherë tha: «Burra, vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Për shpresën e ringjalljes së të vdekurve po gjykohem.» Si pasojë e këtyre fjalëve, pati një fërkim mes farisenjve dhe saducenjve, «sepse saducenjtë thonë se nuk ka as ringjallje, as engjëll, as frymë, kurse farisenjtë i shpallin të gjitha këto publikisht». Disa nga partia e farisenjve filluan të kundërshtonin me egërsi: «Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri.»​—Veprat 23:6-10.

Pavli njihej si një i krishterë shumë i zellshëm, prandaj s’do ta kishte bindur dot Sinedrin se ishte pjesëtar aktiv i farisenjve. Ata farisenj që ishin të pranishëm nuk do të kishin pranuar dikë që nuk i pranonte gjithë mësimet e tyre. Prandaj, fjalët e Pavlit se ishte farise duhet të kenë pasur domethënie të kufizuar, e farisenjtë e pranishëm duhet t’i kenë kuptuar në këtë kontekst ato fjalë.

Duke thënë se po gjykohej për shpresën e ringjalljes së të vdekurve, Pavli me siguri kishte ndër mend se në këtë pikë ishte si farisenjtë. Nëse do të kishte debate për këtë argument, Pavli do të kishte të njëjtat bindje me farisenjtë, jo me saducenjtë që nuk besonin te ringjallja.

Ajo që besonte Pavli si i krishterë nuk binte në kundërshtim me bindjet e farisenjve për gjëra të tilla, si ringjallja, engjëjt e disa pika të Ligjit. (Filipianëve 3:5) Pra, brenda këtyre kufijve, Pavli mund ta krahasonte veten me farisenjtë, e në këtë kontekst të kufizuar i kuptuan fjalët e tij ata që ishin të pranishëm në Sinedër. Ai thjesht po përdorte prejardhjen e tij për t’u marrë vesh me këtë gjykatë të lartë judaike që kishte paragjykime.

Megjithatë, prova më e madhe se Pavli nuk bëri kompromis me besimin e tij, shihet në faktin se vazhdoi të kishte miratimin e Jehovait. Natën pasi Pavli kishte bërë pohimin për të cilin po flasim, Jezui i tha: «Bëj kurajë, sepse siç ke dhënë dëshmi të plotë në Jerusalem për gjërat lidhur me mua, ashtu duhet të japësh dëshmi edhe në Romë.» Meqë Pavli kishte miratimin e Perëndisë, duhet të nxjerrim si përfundim se nuk bëri kompromis me besimin e tij të krishterë.​—Veprat 23:11.