Shpresë në mes të dëshpërimit: Asamble në një kamp refugjatësh
Shpresë në mes të dëshpërimit: Asamble në një kamp refugjatësh
KAMPI i Kakumës është një kamp refugjatësh, i cili ndodhet në pjesën veriore të Kenias, pranë kufirit me Sudanin. Aty ka më shumë se 86.000 refugjatë. Zona përreth është e shkretë dhe, gjatë ditës, temperatura arrin deri në 50 gradë celsius. Brenda në kamp ndodhin gjithnjë përleshje të dhunshme mes grupeve të refugjatëve. Prandaj, për shumë veta, kampi është një vend dëshpërimi. Por ka disa të tjerë që kanë shpresë.
Midis refugjatëve janë edhe disa Dëshmitarë të Jehovait, të cilët po shpallin me zell lajmin e mirë të Mbretërisë. Këta Dëshmitarë janë pjesë e kongregacionit të vogël në Loduar, 120 kilometra në jug të kampit. Kongregacioni më i afërt, përveç këtij, është tetë orë larg me makinë.
Meqë refugjatët nuk udhëtojnë dot lirisht jashtë kampit, shumë prej tyre s’kanë mundësi të ndjekin asambletë dhe kongreset që mbajnë Dëshmitarët e Jehovait. Për këtë arsye, u morën masa që të mbahej një asamble speciale njëditore brenda në kamp.
Drejt veriut!
Pesëmbëdhjetë Dëshmitarë nga qyteti i Eldoretit, që është 480 kilometra në jug të kampit, dolën vullnetarë për të mbështetur asamblenë, duke bërë një udhëtim të vështirë drejt zonës së shkretë në veri. Me ta erdhi edhe një student biblik që u siguroi furgonin, bashkë me shoferin. Këta Dëshmitarë dëshironin me gjithë zemër të inkurajonin dhe të forconin vëllezërit.
Udhëtimi filloi një mëngjes të freskët në zonën malore në perëndim të Kenias. Rruga, që ishte gunga-gunga, në fillim ngjitej përpjetë, kalonte nëpër ferma e pyje, e pastaj zbriste në zonat e shkretëtirës. Në këtë tokë djerrë kullotnin kope me dhi e me deve. Përgjatë rrugës shihje banorë të fiseve që jetonin këtu, të veshur me rrobat tradicionale, e shumë prej tyre me shkopinj, harqe dhe shigjeta nëpër duar. Pasi kishin udhëtuar 11 orë, Dëshmitarët mbërritën në qytetin e nxehtë e tërë pluhur të Loduarit, me afro 20.000 banorë. Pas mikpritjes së përzemërt që u dhanë Dëshmitarët e atjeshëm, vizitorët shkuan të pushonin, për të qenë gati për një fundjavë plot aktivitete.
Mëngjesin vijues, vizitorët dolën për të parë disa nga zonat piktoreske të vendit. Liqeni Rudolf, më i madhi në Kenia, duhej parë se s’bën. Ky liqen, i rrethuar për kilometra të tëra nga shkurre të
shkretëtirës, ka popullsinë më të madhe të krokodilëve në botë. Ujërat alkaline janë burim jetese për ata pak banorë që jetojnë në brigjet e tij. Mbrëmja kaloi në mënyrë të këndshme, duke ndjekur Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit, në kongregacionin e Loduarit. Sallën e Mbretërisë e kishin shumë të bukur. Ishte ndërtuar në vitin 2003 me programin e ndërtimit që kanë Dëshmitarët për vendet me të ardhura të pakta.Asambleja speciale njëditore
Dita e diel ishte caktuar për asamblenë speciale njëditore. Kongregacioni i Loduarit dhe 15 vëllezërit e motrat që kishin ardhur, kishin marrë leje për të hyrë në kamp në orën 8 të mëngjesit. Dëshmitarët mezi pritnin sa të shkonin, prandaj u nisën shpejt. Rruga gjarpëruese çante përmes terrenit djerrë drejt kufirit me Sudanin. Përgjatë saj shtriheshin male të thepisura. Pamja u hap afër fshatit Kakumë. Kishte rënë shi dhe rruga që të çonte në kamp, një rrugë e pashtruar, në disa vende ishte mbuluar me ujë. Shumica e shtëpive ishin me tulla balte e me çati të mbuluar me llamarinë ose mushama. Grupet me etiopas, somalezë, sudanezë e të tjerë jetojnë secili më vete. Udhëtarëve iu bë një pritje entuziaste nga refugjatët.
Asambleja u mbajt në një palestër. Vizatimet nëpër mure tregonin tmerret e jetës si refugjat,
por atë ditë, atmosfera që mbizotëronte në sallë ishte e mbushur me shpresë. Çdo fjalim u mbajt në anglisht dhe në suahili. Disa oratorë, që i flitnin rrjedhshëm të dyja gjuhët, e përkthyen vetë fjalimin që po mbanin. Një vëlla refugjat nga Sudani mbajti fjalimin hapës, me temë: «Të shqyrtojmë zemrën figurative.» Pjesët e tjera u mbajtën nga pleqtë që kishin ardhur si vizitorë.Një pikë kulmore e çdo asambleje është pagëzimi. Në përfundim të fjalimit të pagëzimit, të gjithë sytë u fiksuan tek i vetmi kandidat për pagëzim që u ngrit në këmbë. Zhilberi kishte ikur së bashku me të atin nga vendlindja, gjatë gjenocidit të vitit 1994. Në fillim, kishin shpresuar të gjenin siguri në Burundi, por s’kaloi shumë dhe e kuptuan se ishin ende në rrezik. Zhilberi iku në Zaire, pastaj në Tanzani, disa herë duke u fshehur nëpër pyje, e së fundi në Kenia. Në sytë e shumë vetave kishte lot ndërsa oratori i uroi mirëseardhjen Zhilberit si vëlla në kongregacion. Para asamblesë së vogël me 95 veta, Zhilberi iu përgjigj dy pyetjeve të oratorit me zë të qartë e të sigurt «Ndiyo!», që është fjala në suahili për «po». Bashkë me disa vëllezër të tjerë, ai e kishte hapur me dorë gropën e vogël ku do të bëhej pagëzimi dhe i kishte veshur anët me mushamanë që më parë kishte qenë çatia e kasolles së tij në kamp. Duke treguar sa shumë donte që të pagëzohej, po atë mëngjes e kishte mbushur vetë vaskën e improvizuar, duke e marrë ujin me kova!
Një nga pikat kryesore të sesionit të pasdites ishin përvojat që u treguan lidhur me situatën e veçantë që kishin Dëshmitarët refugjatë. Një vëlla tregoi se si filloi një bisedë me një burrë që po pushonte nën një pemë.
—Dëgjo, dua të të pyes, a është e sigurt të rrish gjithë kohës nën një pemë?
—Po,—u përgjigj burri. Por pastaj, menjëherë, shtoi: «Jo, jo, gjatë natës nuk është e sigurt.»
Atëherë vëllai i lexoi Mikean 4:3, 4: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më.» «Siç thuhet këtu,—i shpjegoi,—në botën e re të Perëndisë, do të jemi të sigurt gjithë kohës.» Burri pranoi një botim ndihmës për studimin e Biblës.
Një motre që erdhi për vizitë në Kakumë, kohët e fundit i kishin vdekur tre familjarë. Ajo tha për vëllezërit në kamp: «Në këtë vend ka kaq shumë vështirësi, e megjithatë ata e kanë mbajtur të fortë besimin. Jetojnë në një vend dëshpërimi, e megjithatë po i shërbejnë të lumtur Jehovait. Janë në paqe me Perëndinë. Shembulli i tyre më nxiti që të ruaj paqen e brendshme dhe t’i shërbej Jehovait. S’kam përse të ankohem.»
Si pa e kuptuar, asamblesë njëditore i erdhi fundi. Në fjalimin e fundit, oratori përmendi se të pranishëm në sallë ishin përfaqësues nga tetë vende. Njëri nga refugjatët Dëshmitarë tha se kjo asamble ishte provë e unitetit dhe e dashurisë që kanë Dëshmitarët e Jehovait në një botë të përçarë. Vëllazëria e tyre është vërtet e krishterë.—Gjoni 13:35.
[Kutia dhe figura në faqen 25]
‘DJEMTË E HUMBUR’ TË SUDANIT
Që kur filloi lufta civile në Sudan, në vitin 1983, pesë milionë banorë janë larguar nga shtëpitë. Mes tyre ishin rreth 26.000 fëmijë (kryesisht djem), të cilët i ndanë nga familjet. Mijëra prej tyre ikën në kampet e refugjatëve në Etiopi, ku qëndruan rreth tre vjet. Kur i detyruan të lëviznin përsëri, udhëtuan për një vit duke u kthyer mbrapsht në Sudan, për të shkuar në veri të Kenias, të torturuar nga ushtarët, banditët, të sfilitur nga sëmundjet dhe kafshët e egra. Vetëm gjysma e fëmijëve mbijetuan nga këto udhëtime të vështira dhe, së fundi, u vendosën në kampin e Kakumës, duke u bërë pjesa kryesore e tij. Për organizatat e ndryshme humanitare, u bënë të njohur si ‘djemtë e humbur’ të Sudanit.
Kampi i Kakumës tani është strehë ndërkombëtare për refugjatë që vijnë nga Sudani, Somalia, Etiopia dhe vende të tjera. Kur mbërrijnë në kamp, refugjatëve u japin ca materiale bazë për të ndërtuar një shtëpi dhe mushama për ta mbuluar shtëpinë. Dy herë në muaj, secilit i jepen rreth 6 kilogramë miell, 1 kilogram bathë, ca vaj e kripë. Shumë refugjatë bëjnë tregti me një pjesë të këtyre furnizimeve, për të marrë gjëra të tjera të domosdoshme.
Disa nga këta ‘djem të humbur’ janë ribashkuar me familjet ose janë vendosur me banim në vende të tjera. Por, sipas Zyrës së Refugjatëve, «mijëra prej tyre kanë mbetur në Kakumë, në këtë kamp refugjatësh tërë pluhur e të pushtuar nga mizat, ku duhet të robtohen për ushqimin e të luftojnë për t’u arsimuar.»
[Burimi]
Me mirësjellje nga Refugees International
[Harta në faqen 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
KENIA
Kampi i Kakumës
Liqeni Rudolf
Loduar
Eldoret
Najrobi
[Figura në faqen 23]
Kushtet e jetesës në kamp janë shumë të vështira
[Figura në faqen 23]
Uji në kampin e Kakumës është me racion
[Figura në faqen 23]
Dëshmitarë nga Kenia bëjnë udhëtimin e vështirë për në veri, që të inkurajojnë vëllezërit
[Figura në faqen 24]
Një misionar përkthen fjalimin që mban një pionier special vendës
[Figura në faqen 24]
Vendi ku u bë pagëzimi
[Burimi i figurës në faqen 23]
Ndarja e ujit me racion dhe kampi i refugjatëve në Kakumë: Me mirësjellje nga Refugees International