Një triumf i veçantë
Një triumf i veçantë
A HASNI kundërshtime për shkak të besimit tuaj, ndoshta në punë, në shkollë, në familje ose për shkak të kufizimeve që ka vënë shteti? Nëse po, të mos ju lëshojë zemra. Shumë Dëshmitarë të Jehovait janë përballur me sprova të tilla, e megjithatë kanë dalë triumfues. Më poshtë mund të lexoni rastin e Erna Ludolfit.
Erna lindi në vitin 1908, në Lybek të Gjermanisë. Ishte e vetmja në familjen e saj që i shërbente Jehovait. Kur erdhi në fuqi regjimi i Hitlerit në vitin 1933, jeta për Dëshmitarët e Jehovait u bë shumë e vështirë. Shokët e punës e denoncuan Ernën, sepse nuk pranonte të përshëndeste si hitlerianët, dhe për këtë nazistët e arrestuan. Kaloi tetë vjet në burgje të ndryshme dhe në kampe përqendrimi, në Hamburg-Fulsbytel, Moringen, Lihtenburg dhe në Ravensbruk. Ajo që ndodhi në Ravensbruk, tregon se Erna doli triumfuese nga kjo sprovë.
Një shërbyese shumë e veçantë
Profesori Fridrih Holc dhe gruaja e tij, Alisa, jetonin në Berlin. Ata nuk ishin anëtarë të partisë naziste dhe nuk e mbështetnin ideologjinë e asaj partie. Megjithatë, ishin të afërm të një zyrtari të lartë SS, i cili kishte në ngarkim disa të burgosur në kampet e përqendrimit. Kështu, në kohën kur profesori dhe gruaja e tij kërkonin një shërbyese, ky zyrtar SS u dha mundësinë të zgjidhnin një nga të burgosurat e kampit. Prandaj, në mars të vitit 1943, Alisa shkoi në Ravensbruk për të zgjedhur një shërbyese. Cilën zgjodhi? Pikërisht Erna Ludolfin. Erna shkoi të jetonte me familjen Holc, të cilët e trajtonin mjaft mirë. Pasi mbaroi lufta, ajo u transferua me këtë familje në qytetin Halle mbi lumin Zale. Edhe këtu Erna hasi kundërshtime, këtë herë nga autoritetet socialiste të Gjermanisë Lindore. Në vitin 1957, familjen Holc e dëbuan në Gjermaninë Perëndimore, dhe Erna shkoi me ta. Më në fund ishte e lirë të jetonte sipas besimit të saj.
Por, në çfarë kuptimi ishte i veçantë triumfi i Ernës? Si rezultat i sjelljes së mrekullueshme të Ernës dhe i predikimit me zotësi të mesazhit të Biblës, Alisa Holci dhe pesë fëmijët e saj u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. Edhe 11 nipër e mbesa të Alisës janë Dëshmitarë. Sot, dy prej tyre shërbejnë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Zelters të Gjermanisë. «Ishte shembulli i Ernës ajo që e nxiti më tepër familjen tonë të pranonte të vërtetën»,—thotë Suzana, një nga vajzat e Alisës. Qëndrueshmëria e Ernës pati shpërblime të mëdha. Ç’të themi për rrethanat tuaja? Qëndrueshmëria juaj besnike edhe në rrethana të vështira, mund të ketë rezultate të ngjashme shpërblyese. Po, sjellja e mirë dhe predikimi me zotësi mund t’ju ndihmojnë që të dilni triumfues edhe ju në një kuptim të veçantë. *
[Shënimi]
^ par. 6 Ndërsa ky artikull përgatitej për t’u botuar, Erna Ludolfi vdiq në moshën 96-vjeçare. Ajo qëndroi besnike deri në fund.
[Figura në faqen 31]
Erna Ludolfi (ulur) me disa pjesëtarë të familjes Holc