Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse Pavli shkroi këto fjalë për gratë e krishtere: «Ajo do të ruhet nëpërmjet lindjes së fëmijëve.»—1 Timoteut 2:15.
Çfarë na tregon konteksti i këtij vargu në lidhje me atë që kishte ndër mend Pavli? Nën drejtimin e frymës së shenjtë, ai po jepte këshilla për gratë e krishtere lidhur me rolin e tyre në kongregacion. Shkroi: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele gërshetash dhe me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë, domethënë, me anë të veprave të mira.» (1 Timoteut 2:9, 10) Pra, Pavli po i nxiste motrat e tij të krishtere që të ishin modeste, të ekuilibruara në lidhje me zbukurimin dhe ‘të stoliseshin’ me vepra të mira.
Më tej, Pavli shpjegoi rregullin e kryesisë në kongregacion, duke thënë: «Nuk e lejoj gruan të mësojë ose të ushtrojë autoritet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.» (1 Timoteut 2:12; 1 Korintasve 11:3) Ai e shpjegon ku është bazuar ky rregull, duke treguar se nuk u mashtrua Adami nga Satanai, por Eva «u mashtrua plotësisht dhe ra në shkelje». Si mund të mbrohej një grua e krishterë nga mëkati i Evës? Pavli përgjigjet: «Megjithatë, ajo do të ruhet nëpërmjet lindjes së fëmijëve, me kusht që . . . të vazhdojnë në besim, dashuri dhe shenjtëri bashkë me mendje të shëndoshë.» (1 Timoteut 2:14, 15) Çfarë donte të thoshte Pavli me këto fjalë?
Disa përkthyes, siç duket, lënë të kuptohet që një grua do të shpëtojë vetëm po të ketë fëmijë. Për shembull, Përkthimi Diodati i Ri thotë: «Ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë.» Por ky interpretim i fjalëve të Pavlit nuk është i saktë. Ka shumë shkrime që tregojnë se, për të shpëtuar, një njeri duhet të marrë njohuri për Jehovain, të besojë te Jezui dhe ta shfaqë me vepra besimin. (Gjoni 17:3; Veprat 16:30, 31; Romakëve 10:10; Jakovi 2:26) Veç kësaj, Pavli nuk donte të thoshte se gratë besimtare e kishin të garantuar që do të lindnin fëmijë pa probleme. Ka pasur gra që e kanë përballuar pa problem lindjen e fëmijëve, edhe nëse ishin besimtare ose jo. E mjerisht, disa kanë vdekur gjatë lindjes së fëmijës, edhe nëse ishin besimtare ose jo.—Zanafilla 35:16-18.
Po në këtë letër, pak më vonë, Pavli u jep grave një këshillë të mëtejshme që na ndihmon të kuptojmë se ç’donte të thoshte. Ai i qorton disa vejusha të reja që ‘rrinin pa bërë gjë, duke bredhur shtëpi më shtëpi; po, jo vetëm që rrinin pa bërë gjë, por edhe merreshin me thashetheme e futnin hundët në punët e të tjerëve, duke folur për gjëra që nuk duhet’. Çfarë këshille dha Pavli për këto gra? Ai vazhdon: «Prandaj, dëshiroj që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të jenë amvisa, të mos i japin kundërshtarit asnjë shkas për të sharë.»—1 Timoteut 5:13, 14.
Pra, Pavli thekson rolin e dobishëm të grave në familje. Duke u marrë me gjëra të tilla, si ‘të lindte fëmijë dhe të ishte amvisë’, një grua që vazhdonte të kishte ‘besim, dashuri dhe shenjtëri bashkë me mendje të shëndoshë’, nuk do të tërhiqej drejt sjelljes rrënuese. Gjendja e saj frymore do të mbetej e mirë ose ‘do të ruhej’. (1 Timoteut 2:15) Duke vepruar kështu, shumë gra të reja do të mund të shmangin kurthet e Satanait.
Fjalët e Pavlit drejtuar Timoteut na kujtojnë të gjithëve, si grave, edhe burrave, që të jemi të zënë me punë të dobishme. Fjala e Perëndisë i këshillon të gjithë të krishterët: «Vazhdoni të shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit.»—Efesianëve 5:15.