Ringjallja—Një mësim që të prek personalisht
Ringjallja—Një mësim që të prek personalisht
«Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.»—VEPRAT 24:15.
1. Si ndodhi që u ngrit çështja e ringjalljes në Sinedër?
NË VITIN 56 të erës sonë, në fund të udhëtimit të tij të tretë misionar, apostulli Pavël ndodhej në Jerusalem. Pasi romakët e arrestuan, e lejuan që të dilte para Sinedrit, gjykatës së lartë judaike. (Veprat 22:29, 30) Ndërsa i hidhte një sy pjesëtarëve të kësaj gjykate, Pavli vuri re se disa prej tyre ishin saducenj, të tjerët farisenj. Këto dy grupe ishin kundër njëri-tjetrit në një pikë të rëndësishme. Saducenjtë thoshin se nuk ka ringjallje, kurse farisenjtë e pranonin ringjalljen. Për të treguar se çfarë besonte ai për këtë çështje, Pavli u tha: «Burra, vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Për shpresën e ringjalljes së të vdekurve po gjykohem.» Me të thënë këto fjalë, në turmën që ishte mbledhur, plasi rrëmuja.—Veprat 23:6-9.
2. Pse Pavli ishte gati ta mbronte besimin e tij te ringjallja?
2 Vite më parë, ndërsa po shkonte në Damask, Pavli pa një vegim dhe dëgjoi zërin e Jezuit. Madje Pavli e pyeti: «Ç’duhet të bëj, Zotëri?» E Jezui iu përgjigj: «Ngrihu, shko në Damask e atje do të të thuhet çdo gjë që është caktuar të bësh.» Kur Pavli mbërriti në Damask, një dishepull i krishterë me emrin Anania, e gjeti, e ndihmoi dhe i shpjegoi: «Perëndia i paraardhësve tanë të ka zgjedhur që të arrish të njohësh vullnetin e tij, të shohësh të Drejtin [Jezuin e ringjallur] dhe të dëgjosh zërin e gojës së tij.» (Veprat 22:6-16) Prandaj, nuk habitemi që Pavli ishte gati ta mbronte besimin e tij te ringjallja.—1 Pjetrit 3:15.
E shpalli publikisht shpresën e ringjalljes
3, 4. Si tregoi Pavli se ishte mbrojtës i flaktë i ringjalljes, e çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij?
3 Më vonë Pavli doli para guvernatorit Feliks. Në atë rast, Tertuli, «një gojëtar» që paraqiti akuzën e judenjve kundër Pavlit, e akuzoi se ishte udhëheqës i një sekti dhe fajtor për nxitje kryengritjeje. Si përgjigje, Pavli tha pa ngurruar: «Të rrëfej këtë: sipas udhës që ata e quajnë ‘sekt’, në këtë mënyrë po i bëj shërbim të shenjtë Perëndisë të paraardhësve të mi.» Pastaj, duke ardhur te çështja kryesore, vazhdoi: «Kam shpresë te Perëndia, shpresë të cilën e mbajnë edhe këta njerëz, se do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.»—Veprat 23:23, 24; 24:1-8, 14, 15.
4 Rreth dy vjet më vonë, Porc Festi, i cili pasoi Feliksin si guvernator, ftoi mbretin Herod Agripa që të merrnin në pyetje të burgosurin Pavël. Festi shpjegoi që akuzuesit nuk ishin dakord me pohimin e Pavlit se «njëfarë Jezui, i cili kishte vdekur . . . ishte gjallë». Në mbrojtjen që bëri, Pavli pyeti: «Përse, vallë, gjykohet e pabesueshme midis jush që Perëndia ngre të vdekurit?» Pastaj tha: «Meqenëse mora Veprat 24:27; 25:13-22; 26:8, 22, 23) Sa mbrojtës i flaktë i ringjalljes që ishte Pavli! Ashtu si ai, edhe ne shpallim me bindje se do të ketë një ringjallje. Por, çfarë reagimi mund të presim? Ka të ngjarë, të njëjtin reagim që hasi Pavli.
ndihmën që vjen nga Perëndia, vazhdoj deri më sot t’u jap dëshmi si të vegjëlve dhe të mëdhenjve, por duke mos thënë asgjë përveç atyre që Profetët si edhe Moisiu deklaruan se do të ndodhnin, se Krishti kishte për të vuajtur dhe, si i pari që kishte për t’u ringjallur nga të vdekurit, ai do t’i shpallte dritën si këtij populli, edhe kombeve.» (5, 6. (a) Çfarë reagimi shkaktoi fakti që apostujt përkrahën ringjalljen? (b) Çfarë na nevojitet medoemos, ndërsa u flasim të tjerëve për shpresën tonë te ringjallja?
5 Të shohim çfarë kishte ndodhur pak më parë, gjatë udhëtimit të dytë misionar të Pavlit (rreth viteve 49-52 të e.s.), kur kishte vizituar Athinën. Atje arsyetoi me njerëz që besonin në shumë hyjni dhe i nxiti të mendonin për qëllimin e Perëndisë për ta gjykuar me drejtësi tokën e banuar, me anë të dikujt që Ai kishte emëruar. Ky s’ishte askush tjetër veçse Jezui. Pavli u shpjegoi se Perëndia kishte dhënë një garanci për këtë, duke e ringjallur Jezuin. Cili qe reagimi i njerëzve? Lexojmë: «E pra, kur dëgjuan për ringjalljen e të vdekurve, disa filluan ta vinin në lojë, ndërsa të tjerë thoshin: ‘Për këtë do të të dëgjojmë edhe një herë tjetër.’»—Veprat 17:29-32.
6 Ky ishte pak a shumë si reagimi që kishin hasur Pjetri dhe Gjoni, pak kohë pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Përsëri, një rol kryesor në këtë debat e luajtën saducenjtë. Te Veprat 4:1-4 thuhet çfarë ndodhi: «Tani, ndërsa të dy po i flitnin popullit, ia behën krerët e priftërinjve, kapiteni i rojave të tempullit dhe saducenjtë, të acaruar sepse po mësonin popullin dhe po deklaronin haptazi ringjalljen nga të vdekurit në rastin e Jezuit.» Mirëpo, të tjerë reaguan mirë. «Shumë nga ata që e kishin dëgjuar fjalën, besuan dhe numri i njerëzve u bë rreth pesë mijë veta.» Pra, është e qartë se mund të presim reagime të ndryshme, kur u flasim të tjerëve për shpresën e ringjalljes. Duke pasur parasysh këtë, është e domosdoshme që të forcojmë besimin tonë për këtë mësim.
Besimi dhe ringjallja
7, 8. (a) Si mund të ndodhë që besimi të jetë i kotë, siç tregohet në një letër drejtuar kongregacionit të Korintit në shekullin e parë? (b) Si i dallon të krishterët e vërtetë kuptueshmëria e saktë për shpresën e ringjalljes?
7 Nga ata që u bënë të krishterë në shekullin e parë të e.s., jo të gjithë e patën të lehtë të pranonin shpresën e ringjalljes. Disa që e kishin të vështirë këtë mësim, ishin në kongregacionin e Korintit. Pavli u shkroi atyre: «Mes gjërave të para, ju transmetova atë që edhe unë mora, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve; se u varros, po, se u ngrit ditën e tretë sipas Shkrimeve.» Pastaj Pavli e përforcoi këtë të vërtetë duke thënë se Krishti i ringjallur u ‘ishte shfaqur njëherësh më shumë se pesëqind vëllezërve’ dhe, siç shtoi ai, pjesa më e madhe prej tyre ishin ende gjallë. (1 Korintasve 15:3-8) Më tej, ai arsyetoi: «Nëse për Krishtin po predikohet se është ngritur nga të vdekurit, si atëherë disa prej jush thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve? Nëse në të vërtetë nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk është ngritur. Por, nëse Krishti nuk është ngritur, predikimi ynë është me siguri i kotë dhe besimi ynë i kotë.»—1 Korintasve 15:12-14.
8 Po, mësimi i ringjalljes është kaq thelbësor, saqë, po të mos pranohet ringjallja si diçka e vërtetë, besimi i krishterë është i kotë. Pra, kuptueshmëria e saktë për ringjalljen i dallon të krishterët e vërtetë nga ata të rremë. (Zanafilla 3:4; Ezekieli 18:4) Prandaj, Pavli e përfshin mësimin e ringjalljes në «doktrinën fillestare» të krishterimit. Le të jemi të vendosur që «të sulemi drejt pjekurisë»! «Edhe këtë do ta bëjmë,—shprehet Pavli,—në e lejoftë Perëndia.»—Hebrenjve 6:1-3.
Shpresa e ringjalljes
9, 10. Çfarë nënkupton Bibla kur flet për ringjalljen?
9 Që ta forcojmë edhe më tej besimin tonë te ringjallja, le të shqyrtojmë disa pyetje, si: Çfarë nënkupton Bibla kur flet për ringjalljen? Si e thekson dashurinë e Jehovait mësimi për ringjalljen? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na afrojnë edhe më shumë me Perëndinë, e në të njëjtën kohë do të na ndihmojnë të mësojmë të tjerët.—2 Timoteut 2:2; Jakovi 4:8.
10 Termi «ringjallje» është përkthyer nga një fjalë greke, që fjalë për fjalë do të thotë «të ngrihesh përsëri në këmbë». Çfarë përfshin kjo shprehje? Sipas Biblës, shpresa e ringjalljes është bindja se një njeri i vdekur mund të jetojë përsëri. Më tej, Bibla tregon se ky individ do të rikthehet ose me trup njerëzor, ose me trup frymor, në varësi të shpresës që ka, tokësore ose qiellore. Mrekullohemi me dashurinë, mençurinë dhe fuqinë e Jehovait, që bëhen të dukshme në këtë shpresë të mrekullueshme të ringjalljes.
11. Cilën shpresë për ringjallje kanë shërbëtorët e mirosur të Perëndisë?
11 Në ringjallje, Jezui dhe vëllezërit e tij të mirosur marrin trupa frymorë, që të kenë mundësi të shërbejnë në qiell. (1 Korintasve 15:35-38, 42-53) Ata do të shërbejnë së bashku si sundimtarë të Mbretërisë Mesianike, e cila do të sjellë në tokë kushte parajsore. Nën drejtimin e Jezuit si Kryeprift, të mirosurit përbëjnë një priftëri mbretërore. Do t’i përdorin dobitë e flijimit shpërblyes të Krishtit për t’i ndihmuar njerëzit që do të jenë në botën e re të drejtësisë. (Hebrenjve 7:25, 26; 9:24; 1 Pjetrit 2:9; Zbulesa 22:1, 2) Ndërkohë, dëshira e të mirosurve që janë ende gjallë në tokë, është të mbeten të miratuar para Perëndisë. Kur të vdesin, ata do të marrin «pagën» e tyre me anë të ringjalljes në jetën e pavdekshme në qiell. (2 Korintasve 5:1-3, 6-8, 10; 1 Korintasve 15:51, 52; Zbulesa 14:13) «Nëse jemi bashkuar me të në ngjashmërinë e vdekjes së tij,—shkroi Pavli,—sigurisht që do të bashkohemi me të edhe në ngjashmërinë e ringjalljes së tij.» (Romakëve 6:5) Por ç’të themi për ata njerëz, për të cilët ringjallja do të nënkuptojë të jetojnë përsëri në tokë si njerëz? Si mund t’i afrojë më shumë me Perëndinë shpresa e ringjalljes? Shembulli i Abrahamit na mëson shumë gjëra.
Ringjallja dhe miqësia me Jehovain
12, 13. Çfarë baze të fortë kishte Abrahami për të besuar te ringjallja?
12 Abrahami, i quajtur «mik i Jehovait», ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm. (Jakovi 2:23) Në kapitullin e 11-të të letrës drejtuar hebrenjve, kur po rendiste burrat dhe gratë që kishin pasur besim, Pavli e përmendi tri herë besimin e Abrahamit. (Hebrenjve 11:8, 9, 17) Herën e tretë, u përqendrua te besimi që tregoi Abrahami kur, duke iu bindur urdhrit, u bë gati të flijonte të birin, Isakun. Abrahami ishte i bindur se premtimi që nëpërmjet Isakut do të vinte një farë, ishte i garantuar nga Jehovai. Edhe sikur Isaku të duhej të vdiste si flijim, Abrahami «qe i mendimit se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë edhe nga të vdekurit».
13 Siç rrodhën ngjarjet, kur Jehovai pa sa shumë besim kishte Abrahami, i siguroi një kafshë që ta flijonte në vend të Isakut. Gjithsesi, kjo përvojë që kaloi Isaku, shërbeu si ilustrim i ringjalljes, pasi Pavli shpjegoi: «Prej andej [Abrahami] edhe e mori atë [Isakun] në mënyrë ilustruese.» (Hebrenjve 11:19) Por nuk ishte vetëm kjo. Abrahami kishte tashmë një bazë të fortë për të besuar te ringjallja. A nuk ia kishte sjellë prapë në jetë Jehovai aftësinë riprodhuese Abrahamit kur ai dhe e shoqja, Sara, në moshë të thyer kishin lindur një bir, Isakun?—Zanafilla 18:10-14; 21:1-3; Romakëve 4:19-21.
14. (a) Çfarë priste Abrahami, sipas Hebrenjve 11:9, 10? (b) Çfarë duhet të ndodhë me Abrahamin, që të marrë bekimet e Mbretërisë në botën e re? (c) Si mund t’i marrim ne bekimet e Mbretërisë?
14 Pavli e përshkroi Abrahamin si një të ardhur që banonte në tenda, pasi «priste qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia». (Hebrenjve 11:9, 10) Ky nuk ishte një qytet i mirëfilltë si Jerusalemi, ku ndodhej tempulli i Perëndisë. Jo, qyteti që priste Abrahami ishte qytet simbolik. Ishte Mbretëria qiellore e Perëndisë, e përbërë nga Krishti Jezu dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij. Këta 144.000 në lavdinë e tyre qiellore, janë quajtur edhe ‘qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri’, ‘nusja’ e Krishtit. (Zbulesa 21:2) Në vitin 1914, Jehovai e vuri në fron Jezuin si Mbretin Mesianik të Mbretërisë qiellore dhe e urdhëroi të sundojë në mes të armiqve të tij. (Psalmi 110:1, 2; Zbulesa 11:15) Që të marrë bekimet e Mbretërisë, Abrahami, ‘miku i Jehovait’, duhet të vijë prapë në jetë. Po kështu edhe ne, për të marrë bekimet e Mbretërisë, duhet të jemi gjallë në botën e re të Perëndisë, qoftë si pjesëtarë të shumicës së madhe që do të mbijetojë në Harmagedon, qoftë si ata që do të ringjallen. (Zbulesa 7:9, 14) Por, cila është baza e shpresës së ringjalljes?
Dashuria e Perëndisë, baza e shpresës së ringjalljes
15, 16. (a) Si na siguron profecia e parë në Bibël një bazë për shpresën e ringjalljes? (b) Si mund të na afrojë më shumë me Jehovain besimi te ringjallja?
15 Marrëdhënia e ngushtë që kemi me Atin tonë të dashur qiellor, besimi i fortë si besimi i Abrahamit dhe bindja ndaj urdhrave të Perëndisë, na japin mundësi që Jehovai të na shpallë të drejtë dhe të na konsiderojë miq të tij. Kjo na krijon mundësinë të nxjerrim dobi nga gjërat që do të kryejë Mbretëria. Në fakt, profecia e parë e dokumentuar në Fjalën e Perëndisë, te Zanafilla 3:15, siguron bazën për të pasur shpresën e ringjalljes dhe miqësinë me Perëndinë. Aty parathuhet jo vetëm shtypja e kokës së Satanait, por edhe plagosja në thembër e Farës së gruas simbolike të Perëndisë. Vdekja e Jezuit në shtyllën e torturës ishte plagosja figurative në thembër. Ringjallja e tij ditën e tretë e shëroi atë plagë dhe hapi rrugën për të ndërmarrë veprime vendimtare kundër ‘atij që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, domethënë, Djallit’.—Hebrenjve 2:14.
16 Pavli na sjell ndër mend se «Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne». (Romakëve 5:8) Çmueshmëria për këtë dashamirësi të pamerituar na sjell edhe më pranë Jezuit dhe Atit tonë të dashur qiellor.—2 Korintasve 5:14, 15.
17. (a) Çfarë shprese kishte Jobi? (b) Çfarë tregon Jobi 14:15 për Jehovain? Si të bën të ndihesh kjo gjë?
17 Edhe Jobi, një burrë besnik që jetoi në kohët para krishterimit, e priste me padurim ringjalljen. Vuajtjet që i shkaktoi atij Satanai ishin shumë të mëdha. Ndryshe nga shokët e tij të rremë, që nuk e përmendën kurrë ringjalljen, Jobi gjente ngushëllim në këtë shpresë, prandaj pyeti: «Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?» Si përgjigje, vetë Jobi tha: «Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.» Duke iu drejtuar Jehovait, Perëndisë së tij, pranoi: «Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha.» Lidhur me ndjenjat e Krijuesit tonë të dashur, Jobi tha: «Ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:14, 15) Po, Jehovai e pret me dëshirë të madhe kohën kur të gjithë njerëzit besnikë do të kthehen në jetë, me anë të ringjalljes. Sa shumë na afron kjo me të, kur meditojmë për dashurinë dhe për dashamirësinë e pamerituar që na tregon, edhe pse jemi të papërsosur!—Romakëve 5:21; Jakovi 4:8.
18, 19. (a) Çfarë shprese ka për Danielin në lidhje me jetën e tij? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
18 Gjatë gjithë jetës së tij, profeti Daniel, të cilin engjëlli i Perëndisë e quajti «njeri shumë i dashur», i shërbeu me besnikëri Perëndisë. (Danieli 10:11, 19) E mbajti integritetin ndaj Jehovait që nga koha kur e morën rob, në vitin 617 p.e.s., deri kur vdiq, ca kohë pasi kishte marrë një vegim në vitin 536 p.e.s., në vitin e tretë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë. (Danieli 1:1; 10:1) Në njëfarë periudhe gjatë këtij viti të tretë të Kirit, Danieli kishte marrë një vegim për marshimin e fuqive botërore, i cili do të arrijë kulmin në shtrëngimin e madh që do të vijë. (Danieli 11:1–12:13) Meqë nuk e kuptonte plotësisht këtë vegim, Danieli e pyeti lajmëtarin engjëllor që i dha vegimin: «Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?» Në përgjigjen e tij, engjëlli e drejtoi vëmendjen te ‘koha e mbarimit’, gjatë së cilës ‘njerëzit e ditur [me gjykim të thellë, BR] do të kuptojnë’. Po për vetë Danielin, çfarë shprese kishte? Engjëlli i tha: «[Ti] do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve.» (Danieli 12:8-10, 13) Danieli do të kthehet «në ringjalljen e të drejtëve», gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.—Luka 14:14.
19 Ne po jetojmë në pjesën përfundimtare të kohës së mbarimit dhe jemi më pranë fillimit të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, se ç’ishim kur u bëmë besimtarë. Atëherë, duhet të pyesim veten: ‘A do të jem në botën e re, që të kem mundësi të shoqërohem me Abrahamin, Jobin, Danielin dhe me të tjerë burra e gra me besim?’ Në qoftë se qëndrojmë pranë Jehovait dhe u bindemi urdhrave të tij, do të jemi me siguri! Në artikullin vijues, do ta shqyrtojmë më me hollësi shpresën e ringjalljes, që të identifikojmë se cilët do të ringjallen.
A ju kujtohet?
• Çfarë reagimi hasi Pavli kur deklaroi hapur shpresën e tij për ringjalljen?
• Pse shpresa e ringjalljes i dallon të krishterët e vërtetë nga ata të rremë?
• Si e dimë që Abrahami, Jobi dhe Danieli besonin te ringjallja?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 8]
Pavli, kur ishte para guvernatorit Feliks, e shpalli me bindje shpresën e ringjalljes
[Figura në faqen 10]
Pse Abrahami kishte besim te ringjallja?
[Figura në faqen 12]
Jobi gjeti ngushëllim në shpresën e ringjalljes
[Figura në faqen 12]
Danieli do të kthehet në ringjalljen e të drejtëve