Ringjallja—Një shpresë e mrekullueshme
Ringjallja—Një shpresë e mrekullueshme
BESIMI te ringjallja është mjaft i përhapur. Kurani, libri i shenjtë i islamizmit, i kushton ringjalljes një kapitull të tërë. Në Suren 75 thuhet pjesërisht: «Betohem në ditën e kijametit; . . . A mendon njeriu se nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij? . . . Andaj edhe pyet: ‘Kur është dita e kijametit?’ A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit?»—Surja 75:1-6, 40, (Përkthim me komentim nga H. Sherif Ahmeti).
Enciklopedia e Re Britanike (anglisht) thotë se «feja zoroastriane beson se në fund E Keqja do të mposhtet, njerëzit do të ringjallen, do të bëhet Gjykimi i Fundit dhe do të rivendoset një botë e pastër për të drejtët».
Ndërsa Enciklopedia Judaike (anglisht) e përcakton ringjalljen si «besimi se në fund të vdekurit do të ringjallen në trupat e tyre [fizikë] dhe do të jetojnë përsëri në tokë». E njëjta vepër referimi komenton gjithashtu se besimi që është futur në judaizëm, pra se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm, krijon një dilemë. Aty thuhet: «Doktrina e ringjalljes dhe ajo e pavdekësisë së shpirtit, në themel bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.»
Hinduistët besojnë se njeriu përshkon një cikël rilindjesh ose rimishërimesh. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë njeriu duhet të ketë një shpirt që jeton pas vdekjes. Në librin e shenjtë të hinduizmit Bhagavad Gita thuhet: «Ajo që mbush gjithë trupin është e pashkatërrueshme. Askush nuk mund ta shkatërrojë shpirtin e pavdekshëm.»
Budizmi ndryshon nga hinduizmi, sepse e mohon ekzistencën e një shpirti të pavdekshëm. Prapëseprapë, sot shumë budistë në Lindjen e Largët besojnë te rimishërimi i shpirtit të pavdekshëm. *
Paqartësi rreth doktrinës së ringjalljes
Gjatë ceremonive të varrimit, në kishat e të ashtuquajturit krishterim, përmenden si pavdekësia e shpirtit, ashtu edhe ringjallja. Për shembull, në këto raste klerikët anglikanë zakonisht citojnë këto fjalë: «Meqë ishte vullneti i Perëndisë së Plotfuqishëm dhe mëshirëplotë që ta merrte pranë tij shpirtin e vëllait tonë që prehet këtu, trupin e tij ia besojmë tokës; dheu në dhé, hiri në hi dhe pluhuri në pluhur, me shpresën e sigurt e të besueshme të Ringjalljes në jetën e përjetshme, nëpërmjet Zotërisë sonë Jezu Krisht.»—Libri i lutjeve (anglisht).
Nga kjo mund të lindë dyshimi se çfarë mëson vërtet Bibla, ringjalljen apo doktrinën
e pavdekësisë së shpirtit. Por, shqyrtoni se ç’koment ka bërë profesori francez Oskar Kulman, një protestant. Në librin e tij Pavdekësi e shpirtit apo ringjallje e të vdekurve?, (frëngjisht), ai shkruan: «Ekziston një ndryshim rrënjësor midis shpresës së të krishterëve për ringjalljen e të vdekurve dhe besimit të grekëve në pavdekësinë e shpirtit. . . . Megjithëse krishterizmi më vonë bëri një lidhje midis këtyre dy besimeve, dhe megjithëse sot një i krishterë mendon se janë e njëjta gjë, nuk shoh asnjë arsye që unë dhe shumë studiues të tjerë ta fshehim atë që mendojmë se është e vërteta. . . . Besëlidhja e Re përshkohet fund e krye nga besimi te ringjallja. . . . I gjithë njeriu, që vërtet ka vdekur, vjen në jetë nëpërmjet një vepre të re krijuese të Perëndisë.»Ja pse nuk është çudi që njerëzit në përgjithësi nuk i kanë idetë e qarta në lidhje me vdekjen dhe ringjalljen. Për t’u qartësuar në lidhje me këtë, duhet të mbështetemi te Bibla, ku gjejmë të vërtetat që na zbulon Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova. Në Bibël janë dokumentuar një sërë ringjalljesh. Le të shqyrtojmë katër prej këtyre rasteve dhe të shohim se çfarë na tregojnë në lidhje me ringjalljen.
«Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes»
Në letrën e tij drejtuar judenjve që ishin bërë të krishterë, apostulli Pavël tha që gratë besimtare kishin marrë «të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes». (Hebrenjve 11:35) Një nga këto gra jetonte në Zarefat, një qytet fenikas afër Sidonit, në brigjet e Mesdheut. Ajo ishte një vejushë mikpritëse që strehoi në shtëpinë e saj Elijan, profetin e Perëndisë, e i dha për të ngrënë, edhe pse zia e bukës kishte arritur kulmin. Mjerisht, djali i kësaj gruaje u sëmur dhe vdiq. Elija menjëherë e çoi te dhoma në tarracë, aty ku rrinte profeti, dhe i bëri thirrje Jehovait që t’ia kthente jetën djalit. Ndodhi një mrekulli, djali «mori jetë përsëri». Elija ia ktheu djalin së ëmës dhe i tha: «Shiko, fëmija jote është gjallë!» Si reagoi ajo? Ajo tha me gëzim: «Tani pranoj që ti je një njeri i Perëndisë dhe që fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë.»—1 Mbretërve 17:22-24.
Rreth 100 kilometra në jug të Zarefatit, jetonte një çift mikpritës që u kujdesën për pasardhësin e Elijas, profetin Elise. Gruaja ishte mjaft e njohur në qytetin e saj, në Shunem. Ajo dhe burri i saj pranuan ta strehonin Eliseun në një dhomë në tarracën e shtëpisë së tyre. Brenga e tyre, ngaqë nuk kishin fëmijë, u kthye në gëzim kur gruaja lindi djalë. Ndërsa rritej, djali shpesh shoqëronte korrësit dhe babanë në arë. Një ditë ndodhi një tragjedi e papritur. Djali u ankua se i dhembte koka. Një punëtor e çoi menjëherë në shtëpi. E ëma e mbajti në prehër, por pas disa orësh djali vdiq. E brengosur, e ëma vendosi të thërriste për ndihmë Eliseun. Bashkë me një shërbëtor udhëtoi për në veri drejt malit Karmel, atje ku po qëndronte Eliseu.
2 Mbretërve 4:32-37 tregohet: «Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij. Atëherë ai hyri, mbylli derën pas atyre të dyve dhe iu lut Zotit. Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet. Pastaj Eliseu u tërhoq prapa dhe shkoi sa andej e këtej nëpër shtëpi; pas kësaj u ngjit përsëri dhe u shtri mbi fëmijën; fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë. Atëherë ai thirri Gehazin dhe i tha: ‘Thirre Shunamiten.’ Ai e thirri; kur ajo arriti tek Eliseu, ky i tha: ‘Merre djalin tënd.’ Ajo hyri dhe u hodh në këmbët e tij, duke u shtrirë përtokë; pastaj mori djalin e saj dhe doli.»
Profeti dërgoi ndihmësin e tij përpara, Gehazin, i cili zbuloi se djali kishte vdekur vërtet. Eliseu dhe nëna e djalit shkuan pas tij, por çfarë ndodhi kur arritën në Shunem? TeAshtu si vejusha e Zarefatit, gruaja nga Shunemi e dinte se ajo që ndodhi ishte kryer me fuqinë e Perëndisë. Të dyja këto gra ishin tej mase të lumtura, pasi Perëndia u kishte kthyer në jetë fëmijët e shtrenjtë.
Ringjallje gjatë shërbimit të Jezuit
Rreth 900 vjet më vonë, jo shumë larg Shunemit, në veri të tij, afër qytetit të Nainit, ndodhi një ringjallje. Kur Jezu Krishti dhe dishepujt po udhëtonin nga Kapernaumi e po i afroheshin portës së Nainit, hasën një kortezh. Në këtë kortezh, Jezui pa vejushën që kishte humbur djalin e saj të vetëm. Ai i tha të mos qante më. Luka, që ishte mjek, përshkroi atë që ndodhi më pas: «Atëherë, ai [Jezui] u afrua e preku arkivolin dhe ata që e mbanin atë u ndalën, ndërsa ai tha: ‘Djalosh, ty po të them: Ngrihu!’ Dhe i vdekuri u çua ndenjur e zuri të flasë dhe ai ia dha të ëmës.» (Luka 7:14, 15) Ata që e panë me sytë e tyre këtë mrekulli, i dhanë lavdi Perëndisë. Lajmi për ringjalljen u përhap deri në jug, në Jude dhe në vendet përreth. Është interesante se këtë e dëgjuan edhe dishepujt e Gjon Pagëzorit, të cilët pastaj ia treguan atij. Prandaj, ai i dërgoi që të gjenin Jezuin dhe ta pyesnin nëse ishte Ai Mesia i shumëpritur. Jezui u tha: «Shkoni, tregojini Gjonit çfarë patë dhe dëgjuat: të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u thuhet lajmi i mirë.»—Luka 7:22.
Nga ringjalljet që kreu Jezui, ajo që njihet më shumë është ringjallja e mikut të tij të ngushtë, Lazarit. E në këtë rast, kaluan ditë para se Jezui të vinte në shtëpinë e Lazarit. Gjoni 11:39) Megjithatë, prishja që mund të kishte pësuar trupi i Lazarit nuk përbënte pengesë për ringjalljen. Sapo Jezui dha urdhrin, «ai që kishte qenë i vdekur doli me këmbët dhe duart të lidhura me rripa pëlhure dhe fytyrën e kishte të mbështjellë me një copë pëlhure». Reagimi i armiqve të Jezuit pas kësaj ngjarjeje tregon se ai që erdhi në jetë ishte vetë Lazari.—Gjoni 11:43, 44; 12:1, 9-11.
Kur Jezui më në fund mbërriti në Betani, Lazari kishte katër ditë i vdekur. Kur Jezui u tha që të lëviznin gurin e varrit, Marta nuk pranoi dhe i tha: «Zotëri, tanimë duhet të mbajë erë, se ka katër ditë.» (Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga këto katër raste ringjalljesh? Secili prej këtyre njerëzve, kur u kthye në jetë, ishte i njëjti person që ishte edhe para vdekjes. Sapo u ringjallën, të gjithë i njohën, madje edhe njerëzit më të afërt. Askush nga këta të ringjallur nuk tregoi për atë që i kishte ndodhur gjatë kohës së shkurtër kur ishte i vdekur. Asnjëri nuk foli për ndonjë udhëtim në botën tjetër. Me sa duket, kur u kthyen në jetë të gjithë gëzonin shëndet të plotë. Për ta ishte sikur të kishin fjetur për pak kohë dhe pastaj u zgjuan, pikërisht siç e shpjegoi edhe Jezui. (Gjoni 11:11) Por, më vonë secili prej tyre vdiq përsëri.
Bashkimi me njerëzit tanë—Një shpresë e mrekullueshme
Pak kohë pas vdekjes tragjike të Ouenit, për të cilin folëm në artikullin e mëparshëm, i ati shkoi për vizitë te një nga fqinjët. Atje, mbi tavolinë, pa një ftesë ku ishte njoftuar se do të mbahej një fjalim publik nga Dëshmitarët e Jehovait. Titulli i fjalimit, «Ku janë të vdekurit?», iu duk me shumë interes. Ishte pikërisht pyetja që e mundonte. Shkoi për ta dëgjuar këtë fjalim dhe u ngushëllua vërtet nga ajo që thoshte Bibla. Mësoi se të vdekurit nuk vuajnë. Ata as nuk vuajnë në ferrin e zjarrtë e as i merr Perëndia në qiell si engjëj. Përkundrazi, të vdekurit, ku përfshihet edhe Oueni, presin në varr derisa të vijë koha që të zgjohen në ringjallje.—Predikuesi 9:5, 10; Ezekieli 18:4.
A ju ka ndodhur ndonjë tragjedi në familje? Ashtu si babai i Ouenit, a dëshironi të dini se ku ndodhen tani njerëzit tuaj që kanë vdekur dhe nëse ka mundësi që t’i takoni përsëri? Nëse po, ju ftojmë të shqyrtoni se çfarë thotë më tej Bibla për ringjalljen. Ndoshta pyesni veten: ‘Kur do të ndodhë ringjallja? Kush do të ringjallet?’ Për të marrë përgjigje për këto dhe për pyetje të tjera, ju lutemi të shqyrtoni artikujt vijues.
[Shënimi]
^ par. 6 Shih broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, faqja 9, paragrafi 8-faqja 10, paragrafi 14, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 5]
Jehovai përdori Eliseun për të ringjallur djalin e gruas shunamite
[Figura në faqen 5]
Elija i kërkoi Jehovait që të kthente në jetë një djalë
[Figura në faqen 6]
Jezui ringjalli të birin e vejushës nga Naini
[Figura në faqen 7]
Ringjallja do t’i bashkojë përsëri njerëzit me të afërmit e tyre që kanë vdekur