Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të guximshëm përballë kundërshtimit

Të guximshëm përballë kundërshtimit

Të guximshëm përballë kundërshtimit

TURMA e xhindosur e detyroi Gajin dhe Aristarkun, dy shokët e apostullit Pavël, të hynin në teatrin e Efesit. Atje, njerëzit e zemëruar, për dy orë rresht thërritën: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» (Veprat 19:28, 29, 34) A u lëkundën shokët e Pavlit përballë këtij kundërshtimi? Çfarë e kishte shkaktuar gjithë këtë?

Predikimi i Pavlit për rreth tre vjet në qytetin e Efesit kishte pasur shumë sukses. Si rezultat i kësaj, shumë efesianë nuk i adhuronin më idhujt. (Veprat 19:26; 20:31) Idhulli më i përhapur në Efes ishte një faltore e vogël prej argjendi kushtuar Artemisës, perëndeshës së pjellorisë. Nga tempulli madhështor i saj mund të shihej i gjithë qyteti. Shëmbëlltyra të vogla të tempullit, njerëzit i mbanin me vete si hajmali ose i vendosnin nëpër shtëpi. Të krishterët, sigurisht që nuk i blinin këta idhuj.​—1 Gjonit 5:21.

Dhimitri, një nga argjendarët, mendonte se shërbimi i Pavlit ishte një kërcënim për tregtinë e tyre fitimprurëse. Duke shtrembëruar të vërtetën dhe duke i zmadhuar faktet, ai i bindi artizanët e tjerë se, shumë shpejt, adhurimit të Artemisës në të gjithë Azinë e Vogël do t’i vinte fundi. Sapo artizanët e xhindosur filluan të bërtisnin në emër të Artemisës, shpërtheu një kryengritje e vërtetë dhe gjithë qyteti u përfshi nga rrëmujat.​—Veprat 19:24-29.

Mijëra njerëz u mblodhën te teatri, i cili kishte 25.000 vende. Pavli u tregua i gatshëm të fliste para turmës, por disa zyrtarë e bindën, në të mirë të tij, që të mos e bënte. Më në fund, sekretari i qytetit arriti ta qetësonte turmën e njerëzve, e kështu Gaji dhe Aristarku u larguan shëndoshë e mirë.​—Veprat 19:35-41.

Ndërsa vazhdojnë shërbimin e tyre, populli i Perëndisë mund të përballet edhe sot me kundërshtarë, e madje edhe me revolta. Shpesh ata e predikojnë lajmin e mirë nëpër qytete që janë djepi i idhujtarisë, i imoralitetit dhe i kriminalitetit. Pavarësisht nga kjo, ata me guxim imitojnë apostullin Pavël, i cili ‘nuk u përmbajt, por i mësoi publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi’ njerëzit në qytetin e Efesit. (Veprat 20:20) Po ashtu, ata gëzohen kur shohin që ‘fjala e Jehovait vazhdon të rritet e të forcohet’.​—Veprat 19:20.

[Figura në faqen 30]

Rrënojat e teatrit të Efesit