A mund t’i japë njeriu fund varfërisë?
A mund t’i japë njeriu fund varfërisë?
MILIONA veta janë rritur pa e ditur ç’është varfëria. Kurrë nuk kanë shkuar të flenë me barkun bosh ose duke u dridhur nga të ftohtët. Gjithsesi, shumë prej këtyre njerëzve u vjen keq për të varfrit dhe bëjnë çmos që t’i ndihmojnë.
Mirëpo varfëria mbetet një realitet i hidhur për vendet ku ka pllakosur lufta civile, përmbytjet, thatësira dhe probleme të tjera. Këto janë një makth për bujqit e varfër afrikanë. Disa kanë qenë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë nëpër qytete të mëdha ose të jetojnë si refugjatë në një shtet tjetër. Disa të tjerë që banojnë në fshat, të joshur nga ideja e një jete më të mirë, transferohen në qytet.
Qytetet e mbipopulluara shpesh kthehen në vatra varfërie. Për të mbjellë drithëra, ka shumë pak tokë, për të mos thënë aspak. Zakonisht është e vështirë të gjesh punë. Krejt të dëshpëruar, shumë veta futen në rrugën e krimit. Banorët e qytetit thërrasin për ndihmë, por qeveritë njerëzore nuk janë në gjendje të zgjidhin problemin e varfërisë, që sa vjen e rritet. Duke folur për një raport të Kombeve të Bashkuara, dalë në nëntor të vitit 2003, gazeta londineze The Independent shkruante: «Bota sa vjen e bëhet më e uritur.» Pastaj vazhdonte: «Anembanë botës, rreth 842 milionë njerëz vuajnë nga të kequshqyerit, dhe ky numër vazhdon të rritet me 5 milionë çdo vit.»
Në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikën e Jugut, ndonjëherë vijnë letra nga njerëz të vobektë. Për shembull, një burrë nga Blumfonteini shkruante: «Jam i papunë dhe, sa herë më jepet rasti, vjedh në qytet. Nëse nuk vjedh, atëherë mbetemi pa bukë për ditë të tëra, për të mos folur pastaj për të ftohtin e hidhur. Për punë as që bëhet fjalë fare. Shumë njerëz i sheh rrugëve duke kërkuar punë ose ndonjë gjë për të ngrënë. Madje njoh disa që rrëmojnë në koshat e plehrave për të gjetur ndonjë gjë për të ngrënë. Disa vrasin veten. Shumë si puna ime kanë rënë në depresion dhe ndihen të pashpresë. E ardhmja duket e pashpresë. Ky Perëndi, që na krijoi me nevojën për të ngrënë e për t’u veshur, nuk i sheh gjithë këto?»
Ekzistojnë përgjigje ngushëlluese për këto shqetësime. Ashtu siç do ta shihni në artikullin vijues, këto përgjigje gjenden në faqet e Biblës, Fjalës së Perëndisë.