Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Familjet marrin forcë nga njohuria e Perëndisë

Familjet marrin forcë nga njohuria e Perëndisë

«Ndihma më vjen nga Jehovai»

Familjet marrin forcë nga njohuria e Perëndisë

«MURI i Berlinit.» Kështu e quajti një çift në Argjentinë murin që kishin ndërtuar për të ndarë shtëpinë e tyre. Kishin kontradikta të papajtueshme; nuk e honepsnin dot njëri-tjetrin.

Mjerisht, nuk është vetëm ky çift që përjeton situata të tilla. Në shumë familje mbizotëron konflikti, mosbesimi dhe një armiqësi në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe të vjen vërtet keq për këtë, kur mendon që familja është një institucion i themeluar nga vetë Perëndia. (Zanafilla 1:27, 28; 2:23, 24) Kjo dhuratë hyjnore është mjedisi ideal për të treguar dashuri të thellë. (Rutha 1:9) Duke përmbushur detyrimet e caktuara nga Perëndia, pjesëtarët e familjes mund të nderojnë Jehovain dhe të jenë një bekim për njëri-tjetrin. *

Meqenëse familjen e themeloi Perëndia, ne duhet të lejojmë që të drejtohemi nga pikëpamja e tij për sa i përket funksionimit të saj. Në Fjalën e tij jepen mjaft këshilla praktike për të ndihmuar familjet që t’ia dalin mbanë, sidomos kur lindin probleme. Në lidhje me rolin e burrit, Bibla thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.» Kur bashkëshorti përmbush detyrat e tij, atëherë është vërtet kënaqësi për gruan të tregojë «respekt të thellë për burrin e saj».​—Efesianëve 5:25-29, 33.

Për marrëdhënien prind-fëmijë apostulli Pavël shkroi: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Zbatimi i kësaj këshille, krijon një atmosferë të ngrohtë familjare, e cila ua bën më të lehtë fëmijëve që t’u binden prindërve.​—Efesianëve 6:1.

Shkrimet e mësipërme tregojnë se sa këshilla të mençura përmban Bibla për jetën familjare. Duke zbatuar parimet e Biblës, shumë njerëz kanë arritur të kenë një familje të lumtur. Shqyrtoni për shembull rastin e çiftit argjentinas të përmendur në fillim të artikullit. Pasi studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait për tre muaj, të dy filluan të zbatonin këshillat e saj të mençura në lidhje me martesën. U përpoqën shumë për të pasur një komunikim më të mirë, për të qenë më mirëkuptues kundrejt nevojave të njëri-tjetrit dhe për të falur njëri-tjetrin. (Fjalët e urta 15:22; 1 Pjetrit 3:7; 4:8) Mësuan të kontrollonin zemërimin dhe, kur situata dukej se dilte jashtë kontrollit, mësuan t’i drejtoheshin Perëndisë për ndihmë. (Kolosianëve 3:19) Shumë shpejt, «Muri i Berlinit» ra.

Perëndia mund ta forcojë familjen

Duke marrë njohuri dhe duke zbatuar normat e Perëndisë, familja mund të forcohet që të përballojë presionet. Kjo është jetësore, sepse siç ishte profetizuar, në ditët tona, familja si institucion do të pësonte një goditje të rëndë. Pavli paratha si rënien morale, ashtu edhe rënien e shoqërisë njerëzore. Ai tha se «ditët e fundit» do të karakterizoheshin nga jobesnikëria, mungesa e ‘përzemërsisë së natyrshme’, nga mosbindja ndaj prindërve, madje edhe në radhët e atyre që «kanë një formë të devocionit hyjnor».​—2 Timoteut 3:1-5.

Nëse përpiqemi t’i pëlqejmë Perëndisë, mund të shmangim këto efekte shkatërruese për familjen. Shumë familje kanë kuptuar se nevojitet një zgjidhje nga Perëndia për të përballuar shumë nga sfidat që hasin. Nëse pjesëtarët e familjes dëshirojnë të kenë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, para së gjithash duhet të zbatojnë parimet e Biblës dhe të kuptojnë se «në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit». (Psalmi 127:1) Lumturia në familje mund të arrihet atëherë kur në jetën familjare vëmë Perëndinë në vend të parë.​—Efesianëve 3:14, 15.

Në Havai, një burrë me emrin Denis zbuloi se sa e vërtetë është kjo. Megjithëse pretendonte se ishte i krishterë, sharjet dhe grindjet ishin bërë pjesë e jetës së tij. Pas ushtrisë, u bë edhe më i dhunshëm dhe i mbushur me urrejtje. «Zihesha gjithë kohën me njerëzit,​—kujton ai.​—Nuk doja t’ia dija fare se çfarë më ndodhte, nuk kisha frikë nga vdekja. Nuk hiqja dorë nga sharjet dhe grindjet. Gruaja ime, që ishte Dëshmitare e Jehovait, më nxiste që të studioja Biblën.»

Pavarësisht nga përpjekjet e saj, Denisi nuk pranonte. Megjithatë, sjellja e saj e butë e krishterë e zbuti egërsinë e tij. Më në fund, Denisi shkoi në një nga mbledhjet e krishtere bashkë me gruan dhe fëmijët. Pas kësaj, filloi një studim biblik dhe përparoi shumë. La duhanin që e pinte prej 28 vjetësh dhe nuk u shoqërua më me shokët që bënin ato gjëra që ai mundohej t’i linte. Duke shprehur mirënjohjen ndaj Jehovait, Denisi komenton: «Jeta ime familjare u përmirësua. Shkonim si familje në mbledhje dhe në shërbim. Dy fëmijët e mi nuk kishin më frikë nga unë, sepse mësova të kontrolloja zemërimin dhe nuk i shaja më. Tani kemi një komunikim të mirë dhe kënaqemi kur bisedojmë rreth Biblës. Po të mos ishte për të vërtetën biblike, me atë temperament që kisha unë, nuk do të isha këtu sot.»

Familjet mund të jenë të lumtura kur përpiqen fort të bëjnë vullnetin e Jehovait. Përvoja ka treguar se, edhe sikur vetëm një pjesëtar i familjes të zbatojë parimet e Biblës, gjërat shkojnë më mirë sesa kur nuk i zbaton asnjëri. Të krijosh një familje të krishterë nuk është e lehtë, kërkon kohë e zotësi. Por pjesëtarët e këtyre familjeve kanë sigurinë se Jehovai do t’i kurorëzojë me sukses këto përpjekje. Ata mund të thonë me plot gojën: «Ndihma më vjen nga Jehovai.»​—Psalmi 121:2, BR.

[Shënimi]

^ par. 4 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2005, maj/qershor.

[Diçitura në faqen 9]

Nga Perëndia «merr emër çdo familje në qiell dhe mbi tokë».​—EFESIANËVE 3:15

[Kutia në faqen 8]

JEHOVAI E VLERËSON VËRTET FAMILJEN

«Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën.’»​—Zanafilla 1:28.

«Lum kushdo që ka frikë nga Zoti . . . Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate.»​—Psalmi 128:1, 3.