Mari—mbreti i lashtë i shkretëtirës
Mari—mbreti i lashtë i shkretëtirës
«MË MERRESHIN pak mendtë atë natë kur hyra në dhomën e gjumit, pasi kisha festuar me shokët fatin tonë të madh»,—kujtonte arkeologu francez Andre Parro. Në janar të vitit 1934, në Tel-Hariri, afër qytetit të vogël të Abu-Kemalit, përgjatë lumit Eufrat në Siri, Parroi dhe skuadra e tij kishin zbuluar një statujë me mbishkrimin: «Lamgi-Mari, mbreti i Marit, kryeprifti i Enlilit.» Ata u mrekulluan nga ky zbulim.
Më në fund, qyteti i Marit u gjet. Por, pse është me interes ky zbulim për ata që studiojnë Biblën?
Pse është me interes?
Megjithëse ekzistenca e Marit dihej nga dokumentimet e lashta, vendndodhja e tij e saktë kishte mbetur një mister. Sipas skribëve sumerianë, Mari ishte selia e një dinastie që njëherë e një kohë sundonte mbi gjithë Mesopotaminë. I ndërtuar në brigjet e lumit Eufrat, nga ana gjeografike Mari ndodhej në një pikë strategjike; atje ku kryqëzoheshin rrugët tregtare që lidhnin Gjirin Persik me Asirinë, Mesopotaminë, Anatolin dhe bregun e Mesdheut. Në këtë qytet kaloheshin mallra që gjendeshin rrallë në Mesopotami, si për shembull: druri, metali dhe guri. Taksat që viheshin për kalimin e këtyre materialeve e pasuruan mjaft Marin, gjë që i
dha mundësinë të ushtronte autoritetin e tij në të gjithë krahinën. Por këtij autoriteti i erdhi fundi kur Siria u pushtua nga Sargoni i Akadit.Pas pushtimit nga Sargoni, për rreth 300 vjet, Mari u qeveris nga një sërë guvernatorësh. Gjatë sundimit të tyre qyteti rifitoi përsëri njëfarë mirëqenieje. Megjithatë, në kohën e Zimri-Limit, sundimtarit të fundit, Mari kishte marrë të tatëpjetën. Zimri-Limi u përpoq ta rimëkëmbte perandorinë e tij nëpërmjet një sërë pushtimesh ushtarake, traktatesh dhe aleancash martesore. Por, aty rreth vitit 1760 p.e.s., Hamurabi, mbreti i Babilonisë, e pushtoi dhe e shkatërroi qytetin, duke i dhënë fund asaj që Parroi e quajti «një civilizim nga më të përparuarit e botës së lashtë».
Kur trupat e Hamurabit rrafshuan Marin, pa dashur, lanë mjaft prova për arkeologët dhe historianët e ditëve të sotme. Sepse, duke shembur muret e qytetit, që ishin me baltë të papjekur, ata mbuluan disa ndërtesa që në disa vende ishin rreth 5 metra të larta, dhe kjo i mbrojti ato nga efektet shkatërruese të kohës. Arkeologët kanë zbuluar rrënojat e tempujve dhe të pallateve mbretërore së bashku me shumë objekte dhe mijëra mbishkrime, të cilat hedhin dritë mbi civilizimin në lashtësi.
Po pse janë me interes për ne rrënojat e Marit? Mendoni pak për kohën kur ishte gjallë patriarku Abraham. Ai lindi në vitin 2018 p.e.s., domethënë, 352 vjet pas Përmbytjes së madhe, dhe i përkiste brezit të dhjetë pas Noesë. Me urdhrin e Perëndisë, Abrahami u largua nga qyteti i tij, Uri, dhe shkoi në Haran. Në vitin 1943 p.e.s., kur Abrahami ishte 75 vjeç, u largua nga Harani për në vendin e Kanaanit. «Emigrimi i Abrahamit nga Uri për në Jerusalem [në Kanaan], historikisht, ka ndodhur në kohën e Marit»,—thotë arkeologu italian Paolo Matje. Pra, zbulimi i Marit, është me vlerë për faktin se na ndihmon të përfytyrojmë botën në të cilën jetoi Abrahami, shërbëtori besnik i Perëndisë. *—Zanafilla 11:10–12:4.
Çfarë është zbuluar nga rrënojat?
Ashtu si anembanë Mesopotamisë, feja lulëzonte edhe në Mari. T’i shërbeje perëndive konsiderohej si një detyrë për njerëzit. Në ato kohë, para se të merrnin një vendim të rëndësishëm, njerëzit kërkonin të dinin më parë vullnetin e perëndive. Arkeologët kanë zbuluar rrënojat e gjashtë tempujve. Në to bënte pjesë edhe Tempulli i Luanëve (i cili konsiderohej nga disa si tempulli i Daganit, që në Bibël përmendet si Dagoni), shenjtëroret e Ishtarit, perëndeshës së pjellorisë, si edhe ato të perëndisë-diell të quajtur Shamash. Në atë kohë, në tempuj gjendej statuja e atij perëndie të cilit i bëheshin flijimet dhe lutjet. Në stolat e shenjtërores, ithtarët e përkushtuar vendosnin shëmbëlltyrat që paraqitnin vetë ata duke buzëqeshur e duke u lutur, pasi besonin se imazhi i tyre do ta zgjaste më shumë aktin e adhurimit.
Parroi shkruante: «Statujat, ashtu si qirinjtë në adhurimin katolik të ditëve të sotme, por në një shkallë edhe më të madhe, faktikisht zëvendësonin besimtarin në mungesë të tij.»Zbulimi më spektakolar në rrënojat e Tel-Haririt ishin rrënojat e një kompleksi pallatesh mbretërore, që njihej me emrin e mbretit të tij të fundit, Zimri-Limit. Arkeologu francez Luiz-Yge Vensa e përshkroi si «xhevahirin e arkitekturës arkaike orientale». Shtrihej në një sipërfaqe më të madhe se 2,5 hektarë, ku ndodheshin rreth 300 dhoma dhe oborre. Edhe në lashtësi, ky pallat konsiderohej si një nga mrekullitë e botës. «Fama e tij ishte kaq e madhe,—thotë Zhorzh Ru në librin e tij Iraku i lashtë (anglisht),—sa mbreti i Ugaritit, në bregun sirian, dërgoi pa ngurrim birin e tij që të bënte 600 kilometra rrugë vetëm e vetëm për të vizituar ‘shtëpinë e Zimri-Limit.’»
Para se të shikonin oborrin e madh, vizitorët mund të hynin në pallatin e fortifikuar nëpërmjet një hyrjeje që në të dyja anët kishte dy kulla. Nga froni i tij, i vendosur mbi një platformë të ngritur, mbreti i fundit i Marit, Zimri-Limi, zgjidhte çështjet ushtarake, tregtare e diplomatike; merrte vendime për çështjet gjyqësore dhe priste vizitorë e ambasadorë. Kishte dhoma të veçanta për mysafirët, të cilët hanin e pinin me mbretin gjatë banketeve luksoze. Gjellët ishin nga më të ndryshmet: mish viçi i pjekur në furrë, në zgarë ose i zier, mish deleje, mish sorkadheje, peshk ose mish pule; të gjitha shërbeheshin me salca pikante me hudhra dhe me disa lloj perimesh e djathrash. Ëmbëlsirat ishin kryesisht kek i pjekur në forma të
ndërlikuara dhe fruta të freskëta, të thara ose të veshura me sheqer. Për të shuar etjen e mysafirëve, shërbehej birrë ose verë.Pallati kishte edhe kushte higjieno-sanitare. U zbuluan banja turke dhe tubacionet e tyre prej balte të pjekur. Dyshemeja dhe pjesa e poshtme e dhomave mbroheshin nga një shtresë bitumi. Ujërat e pista i nxirrnin nga pallati nëpërmjet ulluqeve me tulla, dhe tubacionet prej argjile të siguruara me bitum, edhe sot e kësaj dite, pas gati 3.500 vjetësh, janë akoma mjaft funksionale. Kur tre gra nga haremi mbretëror i zuri një sëmundje vdekjeprurëse, masat që u morën për to ishin mjaft të rrepta. Në këto raste, gratë i izolonin dhe i mbanin në karantinë. «Askush nuk duhet të pijë nga filxhani i saj, të hajë në një tavolinë me të apo të ulet në karrigen ku ulet ajo.»
Çfarë mësojmë nga zbulimet?
Parroi dhe skuadra e tij zbuluan rreth 20.000 pllaka kuneiforme në gjuhën akadiane. Në këto pllaka ishin shkruar letra dhe tekste administrative e ekonomike. Nga ato që u zbuluan, janë botuar vetëm një e treta, e megjithatë, ato mbushin plotë 28 vëllime. Dhe çfarë vlere kanë? «Para se të zbulohej ky koleksion i Marit,—thotë Zhan-Klod Margëroi, drejtori i Misionit Arkeologjik të Marit,—ne nuk dinim pothuajse asgjë për historinë, jetën shoqërore dhe jetën e përditshme të Mesopotamisë dhe Sirisë në fillimet e mijëvjeçarit të dytë [para erës sonë]. Falë këtyre pllakave, janë shkruar kapituj të tërë të historisë.» Siç tha Parroi, pllakat «zbulojnë një ngjashmëri të habitshme midis popujve të përmendur dhe të asaj që na tregon Besëlidhja e Vjetër për kohën e patriarkëve».
Pllakat e zbuluara në Mari hedhin dritë gjithashtu mbi disa shkrime biblike. Për shembull, pllakat tregojnë se të shtije në dorë haremin e armikut, ishte «një fakt i rëndësishëm që tregonte sjelljen e monarkëve të asaj kohe». Këshilla që tradhtari Ahithofel i dha Absalomit, djalit të mbretit David, pra, që të kryente marrëdhënie me konkubinat e babait të tij, nuk ishte diçka e padëgjuar në ato kohë.—2 Samuelit 16:21, 22.
Janë zhvilluar 41 fushata arkeologjike në Tel-Hariri, që nga viti 1933. Por, deri tani, janë studiuar vetëm 8 hektarë nga sipërfaqja prej 110 hektarësh e Marit. Ka shumë të ngjarë që të zbulohen gjëra edhe më mahnitëse në Mari, mbretin e lashtë të shkretëtirës.
[Shënimi]
^ par. 8 Gjithashtu, pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., kur hebrenjtë u morën robër në Babiloni, ka shumë të ngjarë që të kenë kaluar anash rrënojave të Marit.
[Harta në faqen 10]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Gjiri Persik
Ur
MESOPOTAMI
Eufrat
MARI
ASIRI
Haran
ANATOLI
KANAAN
Jerusalem
Deti Mesdhe (Deti i Madh)
[Figura në faqen 11]
Në këtë dokument, mbreti Iahdun-Lim i Marit mburret për ndërtimet e tij
[Figura në faqen 11]
Zbulimi i kësaj statuje të Lamgi-Marit çoi në identifikimin përfundimtar të Marit
[Figura në faqen 12]
Podium në pallatin mbretëror, atje ku mund të ketë qenë statuja e një perëndeshe
[Figura në faqen 12]
Ebih-ili, administratori i Marit, duke u lutur
[Figura në faqen 12]
Rrënojat e Marit, ku tregohen ndërtimet me tulla balte të papjekur
[Figura në faqen 12]
Një nga banjat e pallatit
[Figura në faqen 13]
Pllakë guri kushtuar fitores së Naram-Sinit, pushtuesit të Marit
[Figura në faqen 13]
Rreth 20.000 pllaka kuneiforme u gjetën në rrënojat e pallatit mbretëror
[Burimi i figurës në faqen 10]
© Mission archéologique française de Tell Hariri-Mari (Syrie)
[Burimet e figurave në faqen 11]
Dokumenti: Musée du Louvre, Paris; statuja: © Mission archéologique française de Tell Hariri-Mari (Syrie)
[Burimet e figurave në faqen 12]
Statuja: Musée du Louvre, Paris; podiumi dhe banja: © Mission archéologique française de Tell Hariri-Mari (Syrie)
[Burimet e figurave në faqen 13]
Pllaka e gurit: Musée du Louvre, Paris; rrënojat e pallatit: © Mission archéologique française de Tell Hariri-Mari (Syrie)