Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i dytë i Samuelit

Pika kryesore nga libri i dytë i Samuelit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i dytë i Samuelit

TË PRANOSH sovranitetin e Jehovait, a do të thotë se duhet t’i bindemi në mënyrë të përsosur? A bën gjithmonë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë një njeri me integritet? Cilët njerëz konsideron Perëndia «sipas zemrës së tij»? (1 Samuelit 13:14) Libri i dytë i Samuelit, në Bibël, u jep përgjigje të kënaqshme këtyre pyetjeve.

Libri i dytë i Samuelit u shkrua nga Gadi dhe Natani, dy profetë të cilët kishin lidhje të ngushtë me Davidin, mbretin e Izraelit të lashtë. * Libri mbaroi së shkruari rreth vitit 1040 p.e.s., nga fundi i mbretërimit 40-vjeçar të Davidit. Në këtë libër flitet kryesisht për Davidin dhe për marrëdhënien e tij me Jehovain. Ky tregim prekës nxjerr në pah se si një komb i përçarë nga konflikti kthehet në një mbretëri të bashkuar dhe të begatë nën sundimin e një mbreti të guximshëm. Kjo dramë mahnitëse është e mbushur me ndjenja, të paraqitura me forcë të madhe shprehëse.

DAVIDI BËHET «GJITHNJË E MË I MADH»

(2 Samuelit 1:1–10:19)

Reagimi i Davidit kur mori lajmin e vdekjes së Saulit dhe të Jonatanit, tregon se çfarë ndiente për ta dhe për Jehovain. Në Hebron, Davidi caktohet mbret i fisit të Judës. Djali i Saulit, Ish-Boshethi, bëhet mbreti i pjesës tjetër të Izraelit. Davidi vazhdon ‘të bëhet gjithnjë e më i madh’ dhe, rreth shtatë vjet e gjysmë më vonë, ai bëhet mbret i gjithë Izraelit.​—2 Samuelit 5:10.

Duke mposhtur jebusitët, Davidi shtie në dorë Jerusalemin dhe e bën kryeqytet të mbretërisë së tij. Përpjekja e parë për të transferuar arkën e besëlidhjes në Jerusalem ka një përfundim katastrofik. Por, përpjekja e dytë del me sukses, prandaj Davidi hedh valle nga gëzimi. Jehovai bën një besëlidhje me Davidin për një mbretëri. Davidi mposht armiqtë e tij ndërsa Perëndia vazhdon të jetë me të.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:18—Pse Joabi dhe dy vëllezërit e tij njiheshin si tre djemtë e Zerujasë, nënës së tyre? Në gjenealogjitë e Shkrimeve Hebraike, zakonisht shënohej emri i babait. Por, burri i Zerujasë mund të ketë pësuar vdekje të parakohshme, ose ndoshta konsiderohej i papërshtatshëm për t’u përmendur në Shkrimet e Shenjta. Ka mundësi që emri i Zerujasë është regjistruar në gjenealogji, sepse ishte motra ose ndoshta gjysmëmotra e Davidit nga babai. (1 Kronikave 2:15, 16) I vetmi rast ku përmendet babai i tre vëllezërve, është në lidhje me vendin ku u varros, në Betlehem.​—2 Samuelit 2:32.

3:29, BR​—Pse disa burra cilësoheshin si «burrat që tundin furkën»? Sipas zakonit ishin gratë ato që përdornin furkën për të endur rroba. Prandaj, ka mundësi që kjo frazë t’u referohej burrave të cilët nuk ishin të përshtatshëm për veprimtari si lufta, kështu ishin të detyruar të bënin punët që zakonisht i bënte një grua.

5:1, 2—Sa kohë pas vrasjes së Ish-Boshethit, Davidi u bë mbreti i tërë Izraelit? Duket logjike të arrijmë në përfundimin se Ish-Boshethi e filloi mbretërimin e tij dy-vjeçar pak kohë pas vdekjes së Saulit, pothuajse në të njëjtën kohë kur Davidi filloi të mbretërojë në Hebron. Davidi sundoi në Judë nga qyteti i Hebronit për shtatë vjet e gjysmë. Menjëherë pasi u bë mbret i tërë Izraelit, ai e zhvendosi selinë e tij në Jerusalem, duke e bërë atë kryeqytet. Pra, i bie të kenë kaluar rreth pesë vjet nga vdekja e Ish-Boshethit, para se Davidi të bëhej mbret i tërë Izraelit.​—2 Samuelit 2:3, 4, 8-11; 5:4, 5.

8:2—Sa ishte numri i moabitëve që u ekzekutuan pasi u mundën nga izraelitët? Numri mund të jetë përcaktuar me anë të matjes, jo me anë të numërimit. Me sa duket, Davidi i urdhëroi moabitët të shtriheshin përtokë, në rresht njëri pas tjetrit. Pastaj, e mati gjatësinë e këtij rreshti me litar ose me gjalmë. Siç duket, ata në rreshtin që ishte dy litarë i gjatë, domethënë dy të tretat e moabitëve, i vrau, ndërsa atyre në rreshtin që ishte një litar i gjatë ua kurseu jetën.

Mësime për ne:

2:1; 5:19, 23. Davidi u këshillua me Jehovain para se të vendosej në Hebron dhe para se të dilte kundër armiqve të tij. Edhe ne duhet të kërkojmë udhëheqjen e Jehovait para se të marrim vendime që ndikojnë në gjendjen tonë frymore.

3:26-30. Pasojat e hakmarrjes janë të hidhura.​—Romakëve 12:17-19.

3:31-34; 4:9-12. Davidi është shembull për ne, pasi nuk e kishte ndjenjën e hakmarrjes dhe të keqdashjes.

5:12. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Jehovai na ka arsimuar në rrugën e tij dhe na ka dhënë mundësinë që të kemi një marrëdhënie të mirë me të.

6:1-7. Megjithëse Davidi kishte qëllime të mira, iniciativa e tij për ta transferuar arkën në një qerre, ishte shkelje e urdhrit të Perëndisë, prandaj kjo përpjekje dështoi. (Eksodi 25:13, 14; Numrat 4:15, 19; 7:7-9) Edhe prekja e Arkës nga Uziahu tregon se qëllimet e mira nuk i ndryshojnë kërkesat e Perëndisë.

6:8, 9. Në një situatë sprovuese, Davidi në fillim u zemërua, pastaj u frikësua, e ndoshta edhe fajësoi Jehovain për tragjedinë. Duhet të tregojmë kujdes që të mos ia hedhim fajin Jehovait për problemet që na ndodhin si pasojë e shpërfilljes së urdhrave të tij.

7:18, 22, 23, 26. Përulësia, përkushtimi i Davidit vetëm ndaj Jehovait dhe interesimi i tij për të lartësuar emrin e Perëndisë, janë cilësi që edhe ne duhet t’i imitojmë.

8:2. Përmbushet një profeci e bërë rreth 400 vjet më parë. (Numrat 24:17) Fjala e Jehovait del gjithmonë e vërtetë.

9:1, 6, 7. Davidi e mbajti premtimin e tij. Edhe ne duhet të përpiqemi që ta mbajmë fjalën e dhënë.

JEHOVAI SJELL FATKEQËSI MBI TË MIROSURIN E TIJ

(2 Samuelit 11:1–20:26)

«Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote,​—i thotë Jehovai Davidit,​—dhe do t’i marr gratë e tua para syve të tu për t’ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën.» (2 Samuelit 12:11) Pse e thotë një gjë të tillë Jehovai? Për shkak të mëkatit të Davidit me Betshebën. Megjithëse Davidi pendohet dhe i falet gabimi, ai nuk shpëton nga pasojat e mëkatit që bëri.

Së pari, fëmija që lind Betsheba vdes. Pastaj Tamarën, vajzën e virgjër të Davidit, e përdhunon vëllai i saj nga babai, Amnoni. Prandaj vëllai tjetër, Absalomi, për t’u hakmarrë, e vret Amnonin. Absalomi komploton kundër të atit dhe e shpall veten mbret në Hebron. Davidi detyrohet t’ia mbathë nga Jerusalemi. Absalomi kryen marrëdhënie me dhjetë konkubina të të atit, të cilat i kanë lënë aty për t’u kujdesur për shtëpinë. Davidi kthehet në fron vetëm pasi vritet Absalomi. Revolta që ngre beniaminiti me emrin Sheba përfundon me vdekjen e tij.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

14:7, BR​—Çfarë simbolizon ‘thëngjilli i ndezur’? Thëngjilli i ndezur që digjet ngadalë nënkupton në mënyrë simbolike trashëgimtarin që është gjallë.

19:29—Pse reagoi ashtu Davidi ndaj shpjegimit të Mefiboshetit? Kur dëgjoi Mefiboshetin, Davidi duhet ta ketë kuptuar që kishte gabuar duke u zënë besë fjalëve të Zibës. (2 Samuelit 16:1-4; 19:24-28) Ka shumë të ngjarë që kjo ta ketë acaruar Davidin, i cili më pas nuk donte të dëgjonte më për këtë çështje.

Mësime për ne:

11:2-15. Rrëfimi me sinqeritet i të metave të Davidit dëshmon për faktin që Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë.

11:16-27. Kur kryejmë një mëkat të rëndë, nuk duhet të përpiqemi që ta mbulojmë ashtu si Davidi. Por duhet t’ia rrëfejmë mëkatin Jehovait dhe të kërkojmë ndihmë nga pleqtë e kongregacionit.​—Fjalët e urta 28:13; Jakovi 5:13-16.

12:1-14. Natani la një shembull të mrekullueshëm për pleqtë e emëruar në kongregacion. Ata duhet t’i ndihmojnë të krishterët që kanë rënë në mëkat që të kthejnë rrugë. Pleqtë duhet të tregohen të zotë në përmbushjen e kësaj përgjegjësie.

12:15-23. Pikëpamja e drejtë për atë që i ndodhi, e ndihmoi Davidin të reagonte siç duhej ndaj vështirësive.

15:12; 16:15, 21, 23. Kur u duk sikur Absalomi do të hipte në fron, krenaria dhe ambicia e shtyu këshilltarin e shkëlqyer Ahithofel të bëhej tradhtar. Nëse një njeri është inteligjent, por i mungon përulësia dhe besnikëria, ky tipar mund të jetë një lak për të.

19:24, 30. Mefibosheti e vlerësonte vërtet dashamirësinë që i tregoi Davidi. Ai iu nënshtrua vendimit të mbretit në lidhje me Zibën, pa e diskutuar. Vlerësimi për Jehovain dhe për organizatën e tij, duhet të na nxitë që të jemi të nënshtruar.

20:21, 22. Mençuria e një njeriu mund të shpëtojë shumë veta nga katastrofa.​—Predikuesi 9:14, 15.

LE TË BIEM «NË DUART E ZOTIT»

(2 Samuelit 21:1–24:25)

Për tre vjet me radhë vendin e pllakos zia e bukës, për fajin e gjakut që shkaktoi Sauli duke vrarë gibeonitët. (Jozueu 9:15) Për të marrë hak për këtë faj gjaku, gibeonitët kërkojnë që të ekzekutohen shtatë burra nga bijtë e Saulit. Davidi ua dorëzon gibeonitëve, e kështu, bie shi dhe thatësirës i vjen fundi. Katër gjigantë filistinë ‘vriten nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij’.​—2 Samuelit 21:22.

Davidi kryen një mëkat të rëndë kur jep urdhër për regjistrimin e popullsisë pa miratimin e Jehovait. Ai pendohet dhe zgjedh të bjerë «në duart e Zotit». (2 Samuelit 24:14) Si rezultat, 70.000 veta vdesin nga murtaja. Davidi i bindet urdhrit të Jehovait, dhe ndëshkimi ndalet.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

21:8—Pse thuhet që vajza e Saulit, Mikala, kishte pesë djem, ndërkohë që te 2 Samuelit 6:23 thuhet se nuk pati fëmijë deri ditën që vdiq? Shpjegimi më i pranuar është se këta fëmijë ishin djemtë e motrës së saj, Merabës, e cila u martua me Adrielin. Ndoshta Meraba vdiq në moshë të re dhe, meqë Mikala nuk kishte fëmijë, mori djemtë e së motrës për t’i rritur.

21:9, 10—Për sa kohë i ruajti Rizpa dy djemtë e saj dhe pesë nipërit e Saulit që u vranë nga gibeonitët? Këta të shtatë u vranë «në ditët e para të korrjeve», pra, në mars ose në prill. Trupat e tyre i lanë lart në një mal. Rizpa i ruajti këta shtatë trupa ditë e natë derisa Jehovai, duke i dhënë fund thatësirës, tregoi se i kishte rënë zemërimi. Do të ishte shumë e pazakontë të binte shi i madh para se të mbaronte sezoni i korrjes në tetor. Kështu, i bie që Rizpa i ka ruajtur trupat e tyre për rreth pesë ose gjashtë muaj. Pas kësaj, Davidi urdhëroi që kockat e këtyre burrave të varroseshin.

24:1—Pse regjistrimi i popullsisë përbënte një mëkat të rëndë nga ana e Davidit? Në vetvete, regjistrimi i popullsisë nuk ndalohej me Ligj. (Numrat 1:1-3; 26:1-4) Bibla nuk e tregon se me ç’qëllim e numëroi Davidi popullsinë. * Megjithatë, te 1 Kronikave 21:1 tregohet se Satanai e shtyu ta bënte këtë gjë. Sidoqoftë, komandanti i ushtrisë së tij, Joabi, e dinte se vendimi i Davidit për të bërë regjistrimin e popullit ishte i gabuar, prandaj u përpoq ta bindte Davidin që të mos e bënte këtë.

Mësime për ne:

22:2-51. Sa bukur e përshkruan Davidi në këngën e tij Jehovain si Perëndinë e vërtetë, i cili meriton besimin tonë të plotë!

23:15-17. Davidi kishte një respekt kaq të madh për ligjin e Perëndisë për jetën dhe gjakun, sa në këtë rast, refuzoi të bënte diçka që ngjante sadopak si shkelje e këtij ligji. Edhe ne duhet të zhvillojmë një qëndrim të tillë për gjithë urdhrat e Perëndisë.

24:10. Ndërgjegjja e nxiti Davidin të pendohej. Po ndërgjegjja jonë, a është aq e ndjeshme, sa të reagojë në të njëjtën mënyrë?

24:14. Davidi e dinte mirë që Jehovai është më i mëshirshëm se njerëzit. Po ne, a jemi po kaq të bindur për këtë?

24:17. Davidit i erdhi shumë keq që mëkati i tij i solli vuajtje mbarë kombit. Një mëkatar të penduar duhet ta vrasë ndërgjegjja për sharjen që mund të ketë sjellë gabimi i tij mbi kongregacionin.

Mund të jemi ‘sipas zemrës së’ Jehovait

Mbreti i dytë i Izraelit tregoi se ishte ‘një njeri sipas zemrës së’ Jehovait. (1 Samuelit 13:14) Davidi nuk i vuri kurrë në diskutim normat e drejta të Jehovait. Ai nuk u përpoq të bënte një jetë të pavarur nga Perëndia. Sa herë që gabonte, Davidi e pranonte mëkatin, pranonte disiplinën dhe ndreqte rrugën e vet. Ishte një njeri me integritet. A nuk është e mençur nga ana jonë të jemi si ai, sidomos kur gabojmë?

Jeta e Davidit ilustron mjaft qartë se të pranosh sovranitetin e Jehovait, do të thotë të pranosh normat e Tij të së mirës dhe të së keqes, dhe të përpiqesh të jetosh me integritet e në përputhje me këto norma. Kjo nuk është e paarritshme për ne. Sa mirënjohës jemi për mësimet që nxjerrim nga libri i dytë i Samuelit! Mesazhi i frymëzuar që përçojnë faqet e këtij libri është vërtet i gjallë dhe ushtron fuqi.​—Hebrenjve 4:12.

[Shënimet]

^ par. 4 Edhe pse Samueli nuk shkroi asnjë pjesë nga libri i dytë, ky quhet kështu sepse në fillim të dy librat me këtë emër përbënin një rrotull në Shkrimet Hebraike. Samueli shkroi pjesën më të madhe të librit të parë të Samuelit.

^ par. 46 Sipas Përkthimit Bota e Re, te 2 Samuelit 24:1 thuhet: «Zemërimi i Jehovait u ndez përsëri kundër Izraelit, kur dikush e nxiti Davidin kundër tyre dhe i tha: ‘Shko, bëj numërimin e Izraelit dhe të Judës.’»

[Figura në faqen 16]

Duke mos harruar se kush e kishte vendosur mbret, Davidi arriti të qëndronte i përulur

[Figurat në faqen 18]

«Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote»

Betsheba

Tamara

Amnoni