Pse ndeshet kaq rrallë gjykimi i shëndoshë?
Pse ndeshet kaq rrallë gjykimi i shëndoshë?
«PO KY ç’pati? Kaq gjë duhej ta dinte!»—thotë dikush që e ka parë se çfarë ka ndodhur. Duke tundur kokën në shenjë zhgënjimi, një tjetër largohet duke murmuritur: «Po të gjykonte aq, nuk do ta kishte bërë këtë.» Po ju, a keni dëgjuar ndonjëherë komente të tilla? Çfarë është në të vërtetë «gjykimi i shëndoshë»?
Fjala ‘gjykim’ ka kuptimin «aftësi për të gjykuar, për të menduar drejt», «pjekuri mendore» dhe «fuqi e arsyes». Nënkupton që një njeri ka aftësi për të gjykuar e për të vendosur me zgjuarsi. Duket qartë se gjykimi i shëndoshë kërkon që ta përdorim aftësinë për të menduar. Shumë njerëz parapëlqejnë që të mendojnë të tjerët në vend të tyre. Lejojnë që mjetet e informacionit, moshatarët ose opinioni i masës të përcaktojnë se ç’vendime duhet të marrin.
Në botën e sotme duket se gjykimi i shëndoshë ndeshet shumë rrallë. Si të fitojmë gjykim të shëndoshë? Ç’dobi do të kemi prej tij?
Si fitohet gjykimi i shëndoshë?
Patjetër që gjykimi i shëndoshë nuk është i paarritshëm, megjithëse kërkohet kohë, arsyetim dhe përpjekje këmbëngulëse për të fituar gjykim të thellë dhe pjekuri mendore. Më poshtë shqyrtohen tre faktorë që mund të na ndihmojnë të kemi gjykim të shëndoshë.
Studioni Biblën dhe ndiqni këshillat e saj. Bibla, e shkruar në gjuhën më të shkëlqyer dhe me një logjikë të qartë, është një ndihmë e mrekullueshme për të fituar mençuri dhe gjykim të shëndoshë. (Efesianëve 1:8) Për shembull, apostulli Pavël i këshillon të bashkëkrishterët: «Çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.» (Filipianëve 4:8) Nëse e ndjekim gjithmonë këtë këshillë, si rezultat do të kemi gjykim të shëndoshë dhe do të sillemi me maturi.
Mësoni nga përvoja. Duke e lidhur gjykimin e shëndoshë me përvojën e jetës, një poet zviceran tha: «Gjykimi i shëndoshë . . . përbëhet nga përvoja dhe largpamësia [aftësia parashikuese].» Në të vërtetë, «kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij». (Fjalët e urta 14:15, BR) Gjykimi i shëndoshë mund të zhvillohet duke vëzhguar, duke u stërvitur dhe duke mësuar nga përvoja. Me kalimin e kohës, mund të mësojmë t’i bëjmë gjërat më mirë. Por, që pësimi të bëhet mësim, kërkohet përulësi. Fodullëku, mendjemadhësia dhe kokëfortësia e njerëzve në këto ditë të fundit, nuk janë tregues të gjykimit të shëndoshë.—2 Timoteut 3:1-5.
Zgjidheni me mençuri shoqërinë. Shoqëria mund të jetë ndihmesë ose pengesë, për sa i përket mençurisë dhe gjykimit të shëndoshë. Te Fjalët e urta 13:20 thuhet: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» Nuk kemi pse ta pranojmë mentalitetin ose opinionin e atyre që nuk i binden Perëndisë dhe e shpërfillin Fjalën e tij. Ja si thuhet te Fjalët e urta 17:12 për ta: «Është më mirë të takosh një arushë së cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij.»
Çfarë dobish do të kemi?
Zhvillimi i gjykimit të shëndoshë sjell shumë dobi. E bën jetën më interesante dhe na kursen mjaft kohë. Gjykimi i shëndoshë mund të pakësojë edhe zhgënjimin që shpesh vjen kur bëjmë gjëra të pamenduara. Ata që nuk kanë gjykim të shëndoshë ia vështirësojnë edhe më tepër jetën vetes. «Lodhja e budallait e rraskapit»,—thotë Bibla. (Predikuesi 10:15) Këta njerëz mundohen e rropaten gjithë kohën, por nuk nxjerrin gjë në dritë.
Në Bibël jepen këshilla praktike të panumërta për pastërtinë, për komunikimin, për papërtueshmërinë në punë, për përballimin e varfërisë dhe për shumë probleme të tjera që dalin në jetë. Miliona njerëz mund të dëshmojnë se suksesi i tyre në jetë lidhej me faktin se sa i kanë zbatuar parimet biblike, që i kanë ndihmuar të shfaqin mençuri.
Gjykimi i shëndoshë na aftëson të bëjmë më tepër sesa thjesht të ndjekim një sërë udhëzimesh apo rregullash të hollësishme. Na ndihmon të përmbushim përgjegjësitë tona. Megjithatë, të kesh gjykim të shëndoshë nuk do të thotë që tani s’ke nevojë të marrësh njohuri. Te Fjalët e urta 1:5, BR, thuhet: «Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim.» Gjithashtu, duhet të mësojmë t’i analizojmë njohuritë që marrim, duke nxjerrë përfundimet e duhura prej tyre. Kjo na ndihmon të «ecim me urtësi [mençuri BR]».—Fjalët e urta 28:26.
Modestia ecën krah për krah me gjykimin e shëndoshë. Edhe pse ndoshta duam të marrim shumë përgjegjësi mbi supe, duhet të tregojmë gjykim të shëndoshë dhe të qëndrojmë brenda kufijve të asaj që mund të bëjmë. Vërtet që apostulli Pavël na thotë të kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Korintasve 15:58) Por kjo këshillë duhet drejtpeshuar me parimin që gjendet te Predikuesi 9:4, ku thuhet: «Një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur.» Nëse kujdesemi për shëndetin tonë, ndërsa i shërbejmë Jehovait, do të mund të jetojmë më gjatë dhe të vazhdojmë të jemi aktivë. Gjykimi i shëndoshë mund të na ndihmojë të gjejmë një ekuilibër të arsyeshëm, që do të na lejojë t’i bëjmë gjërat e nevojshme pa e humbur gëzimin. Po, nga gjykimi i shëndoshë nxjerrim dobi të panumërta.
[Figura në faqen 14]
Në Bibël gjenden këshilla të dobishme të panumërta
[Figura në faqen 15]
Gjykimi i shëndoshë mund të fitohet duke vëzhguar, duke u stërvitur dhe duke mësuar nga përvoja