Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse Davidi dhe Betsheba nuk u dënuan me vdekje për kurorëshkeljen që kryen, kurse fëmija i tyre i sapolindur vdiq?
Në Ligjin e Moisiut thuhej: «Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit.» (Ligji i përtërirë 22:22) Në qoftë se Perëndia Jehova do t’ua kishte lënë në dorë rastin e mëkatit të Davidit dhe Betshebës gjykatësve njerëzorë, të cilët bazoheshin në Ligj, të dy kurorëshkelësit do të ishin ekzekutuar. Meqë gjykatësit njerëzorë nuk mund t’u lexonin zemrën, do të gjykonin nisur nga sjellja e mëkatarëve, siç e tregonin faktet. Veprimi i kurorëshkeljes meritonte dënimin me vdekje. Gjykatësit izraelitë nuk ishin të autorizuar ta falnin këtë mëkat.
Nga ana tjetër, Perëndia i vërtetë mund të lexojë zemrën dhe të falë mëkatet, nëse ka baza për të vepruar kështu. Meqë në këtë rast ishte përfshirë Davidi, me të cilin Jehovai kishte bërë besëlidhjen për Mbretërinë, Ai vendosi të bënte një përjashtim dhe ta zgjidhte vetë çështjen. (2 Samuelit 7:12-16) «Gjykatësi i tërë tokës» ka të drejtën të marrë vendime të tilla.—Zanafilla 18:25.
Çfarë pa Jehovai kur hetoi zemrën e Davidit? Mbishkrimi i Psalmit 51 thotë se ky psalm zbulon ndjenjat e Davidit «kur profeti Nathan erdhi tek ai, mbasi ai kishte mëkatuar me Bathshebën». Te Psalmi 51:1-4 lexojmë: «Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im. Sepse i pranoj të ligat që kam bërë dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu.» Këtë ndjenjë të thellë keqardhjeje në zemrën e Davidit, Jehovai duhet ta ketë parë si një shenjë të pendimit të sinqertë, prandaj përcaktoi se kishte baza për t’u treguar mëshirë dy kurorëshkelësve. Për më tepër, vetë Davidi ishte njeri i mëshirshëm, dhe Jehovai u tregon mëshirë atyre që janë të mëshirshëm. (1 Samuelit 24:4-7; Mateu 5:7; Jakovi 2:13) Prandaj, kur Davidi e pranoi mëkatin e tij, Natani i tha: «Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.»—2 Samuelit 12:13.
Por, Davidi dhe Betsheba nuk do të shpëtonin nga çdo pasojë e mëkatit të tyre. «Përderisa e ke përbuzur Jehovain, duke vepruar në këtë mënyrë, edhe yt bir që sapo të lindi ka për të vdekur»,—i tha Natani Davidit. Fëmija u sëmur dhe vdiq, pavarësisht se Davidi agjëroi dhe vajtoi për shtatë ditë me radhë.—2 Samuelit 12:14-18, BR.
Disa e kanë të vështirë ta kuptojnë pse duhej të vdiste fëmija, pasi te Ligji i përtërirë 24:16 thuhet: «Nuk . . . do të vriten bijtë për etërit e tyre.» Por, nuk duhet të harrojmë se, sikur ky rast të ishte shqyrtuar nga gjykatës njerëzorë, do të kishin vdekur si prindërit, ashtu edhe fëmija që ishte në barkun e Betshebës. Veç kësaj, humbja e të birit mund ta ketë ndihmuar Davidin të kuptonte më qartë se sa i pakënaqur ishte Jehovai nga mëkati i Davidit me Betshebën. Mund të jemi të sigurt që Jehovai e trajtoi me drejtësi këtë çështje, pasi ‘rruga e tij është e përsosur’.—2 Samuelit 22:31.
[Figura në faqen 31]
Davidi shfaqi pendim të vërtetë