Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti, një botë pa varfëri!

Së shpejti, një botë pa varfëri!

Së shpejti, një botë pa varfëri!

ILUSTRIMET nga Parajsa, siç është paraqitur në kopertinën e kësaj reviste, janë mjaft tërheqëse për ata që jetojnë në varfëri. Adami dhe Eva, çifti i parë njerëzor, jetonin vërtet në një parajsë. Ata jetonin në kopshtin e Edenit. (Zanafilla 2:7-23) Megjithëse ajo parajsë nuk ekziston më, besimi te një parajsë e ardhshme, te një botë e re pa varfëri, nuk është një ëndërr. Ky besim mbështetet fort te premtimet që gjenden në Bibël.

Shqyrtoni premtimin që bëri Jezu Krishti ditën e fundit që jetoi në tokë. Një nga kriminelët që vdiqën me Jezuin, shfaqi besim në aftësinë e Perëndisë për të zgjidhur problemet e njeriut. Ai tha: «Jezu, më kujto kur të futesh në mbretërinë tënde.» Këto fjalë tregojnë se ky keqbërës besonte se Jezui do të qeveriste si Mbret dhe se të vdekurit do të ktheheshin në jetë. Jezui iu përgjigj: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»​—Luka 23:42, 43.

Duke folur për ata që do të jetojnë në Parajsë, Bibla thotë: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin.» (Isaia 65:21) Po, «do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli».​—Mikea 4:4.

Po atëherë, përse Perëndia lejon që të ekzistojë varfëria? Si i ndihmon ai të vobektit? Kur do t’i vijë fundi varfërisë?

Pse është lejuar varfëria?

Adami dhe Eva e humbën Parajsën në të cilën u vendosën për shkak të rebelimit që nisi një engjëll i lig, Satana Djalli. Duke përdorur një gjarpër si zëdhënës, Satanai e joshi Evën që të shkelte ligjin e Perëndisë për të mos ngrënë nga fryti i një peme të caktuar. Ai e mashtroi, dhe e bëri të besonte se pavarësia nga Perëndia do t’i sillte një jetë më të mirë. Edhe Adami hëngri nga fryti i ndaluar kur ia ofroi Eva, duke i kthyer kështu shpinën Perëndisë e duke mbajtur anën e gruas.​—Zanafilla 3:1-6; 1 Timoteut 2:14.

Çifti që u rebelua, me të drejtë u nxor nga Parajsa, dhe që nga ai çast duhej të luftonin për të mbijetuar. Deri në ditët e sotme, Jehovai ka lejuar që Satanai të sundojë mbi njerëzimin mëkatar, duke treguar në këtë mënyrë se cilat janë pasojat e mosbindjes ndaj Perëndisë. Historia njerëzore ka treguar se njerëzimi nuk mund ta sjellë Parajsën në tokë. (Jeremia 10:23) Përkundrazi, pavarësia nga Perëndia ka sjellë si pasojë probleme katastrofike, përfshirë këtu edhe varfërinë.​—Predikuesi 8:9.

Por, të varfrit nuk janë krejt të pashpresë në këtë botë plot halle. Në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël, ata mund të gjejnë drejtim të mençur.

«Kurrë të mos jeni në ankth»

Duke folur para një turme njerëzish ku kishte edhe shumë të varfër, Jezui tha: «Shikoni me vëmendje zogjtë e qiellit, pasi ata nuk mbjellin farë, as korrin dhe as mbledhin në depo; megjithatë, Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata? . . . Pra, kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’ Sepse të gjitha këto janë gjërat që kombet i kërkojnë me etje. Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—Mateu 6:26-33.

Nuk është e thënë që një i varfër duhet të vjedhë. (Fjalët e urta 6:30, 31) Nëse ai vë në vend të parë në jetën e tij Perëndinë, do t’i ketë gjërat e nevojshme. Ja se si ka ndodhur me Tukison, një burrë nga Lezotoja, në jug të Afrikës. Në vitin 1998, trupat e huaja ushtarake hynë në Lezoto për të shtypur një kryengritje kundër qeverisë. Si rezultat i kësaj lufte, dyqanet u plaçkitën, njerëzit humbën punën dhe pati mungesa tepër të mëdha ushqimi.

Tukisoja jetonte në lagjen më të varfër të kryeqytetit. Shumë nga komshinjtë e tij kishin plaçkitur dyqanet që të mbijetonin. Kur Tukisoja u kthye në garsonierën e tij, pa që Masejsoja, gruaja me të cilën bashkëjetonte, kishte marrë shumë gjëra nëpër dyqane gjatë plaçkitjes. «Nxirri jashtë këto»,​—i tha Tukisoja, duke i shpjeguar se vjedhja ndalohet në ligjin e Perëndisë. Masejsoja iu bind. Komshinjtë i tallën për këtë dhe i morën për vete gjërat e vjedhura që ai i refuzoi.

Tukisoja e mori këtë vendim për shkak të asaj që kishte mësuar në studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. A vdiq urie ngaqë iu bind ligjit të Perëndisë? Jo. Pak kohë më vonë, pleqtë e kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait ku ai shkonte, folën me Tukison dhe i sollën ca ushqime. Në fakt, Dëshmitarët e Jehovait në vendin fqinj të Afrikës së Jugut kishin sjellë më shumë se dy tonë ndihma për vëllezërit dhe motrat e krishtere në Lezoto. Masejsoja u prek nga bindja e Tukisos ndaj Perëndisë dhe nga ndihma e dashur që morën prej kongregacionit. Kështu, edhe ajo filloi të studionte Biblën. Më në fund, ata u martuan ligjërisht dhe kështu u kualifikuan për t’u pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait. Dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë Perëndisë me besnikëri.

Perëndia Jehova interesohet për të varfrit. (Shih kutinë me titull «Si i konsideron Perëndia të varfrit?») Me dashuri ai ka bërë të mundur që të ndihmojë edhe të tjerë si Tukisoja dhe Masejsoja që të mësojnë më shumë për të. Dhe me anë të Fjalës së tij, ka siguruar këshilla praktike për jetën e përditshme.

Një masë dobiprurëse

Dëshmitarët e Jehovait gjithmonë janë përpjekur të pasqyrojnë të njëjtin interesim që ka Perëndia për të varfrit. (Galatasve 2:10) Shpesh, kur në një vend ndodh një katastrofë që prek edhe të krishterët e vërtetë, merren masa që t’u jepet ndihma e nevojshme. Ç’është më e rëndësishmja, Dëshmitarët interesohen për nevojat frymore të të gjithëve, edhe të të varfërve. (Mateu 9:36-38) Gjatë 60 viteve të fundit, me mijëra shërbëtorë të stërvitur kanë dalë vullnetarë për të shërbyer si misionarë në vende të huaja. Për shembull, ishte një çift misionarësh nga Finlanda të cilët, duke mësuar gjuhën sesote, mundën të ndihmonin Tukison dhe Masejson që të bëheshin dishepujt e Jezuit. (Mateu 28:19, 20) Në këtë vepër misionare shpesh kërkohet që të sakrifikosh një jetë të rehatshme në një vend të pasur dhe të transferohesh në një vend të varfër.

Të krishterët e vërtetë nuk e shohin si një mundësi vjedhjen për të mbijetuar. Në vend të kësaj, ata kanë besim se Perëndia Jehova mund t’u sigurojë gjërat e nevojshme. (Hebrenjve 13:5, 6) Një mënyrë se si Jehovai kujdeset për popullin e tij, është me anë të organizatës mbarëbotërore të adhuruesve të tij, të cilët interesohen për njëri-tjetrin.

Përveç kësaj, Jehovai i ndihmon të varfrit duke u dhënë këshilla praktike për jetën e përditshme. Për shembull, në Bibël urdhërohet: «Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur, duke bërë me duart e tij atë që është punë e mirë, që të ketë diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari.» (Efesianëve 4:28) Shumë të papunë kanë mundur të krijojnë vetë disa mundësi pune, duke bërë punë të vështira, si për shembull mbjellja dhe kujdesja për një kopsht perimesh. Gjithashtu Bibla i ndihmon të varfrit të kursejnë para, duke i mësuar se si të shmangin zakonet e këqija, siç është abuzimi me alkoolin.​—Efesianëve 5:18.

Një botë pa varfëri: Kur?

Bibla tregon se po jetojmë «në ditët e fundit» të sundimit të Satanait. (2 Timoteut 3:1) Së shpejti, Perëndia Jehova do të dërgojë Jezu Krishtin për të gjykuar njerëzimin. Çfarë do të ndodhë në atë kohë? Përgjigjen e kësaj pyetje, Jezui e dha në një prej ilustrimeve të tij. Ai tha: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij dhe të gjithë engjëjt bashkë me të, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Dhe gjithë kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu siç ndan bariu delet nga cjeptë.» ​—Mateu 25:31-33.

Delet në këtë ilustrim përfaqësojnë ata që i nënshtrohen mbretërimit të Jezuit. Jezui i krahasoi me delet sepse ata e ndjekin si Bariun e tyre. (Gjoni 10:16) Këta njerëz që krahasohen me delet, do të fitojnë jetën nën mbretërimin e përsosur të Jezuit. Do të jetë një jetë e lumtur në një botë të re pa varfëri. Ndërsa, ata që janë ngjashëm cjepve dhe hedhin poshtë sundimin e Jezuit, do të shkatërrohen përgjithmonë.​—Mateu 25:46.

Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund ligësisë. Atëherë varfëria do t’i përkasë së kaluarës. Toka do të banohet nga njerëz që kanë dashuri dhe kujdesen për njëri-tjetrin. Që ardhja e kësaj bote të re është e mundur, shihet në vëllazërinë e dashur ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait, pasi Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.»​—Gjoni 13:35.

[Kutia dhe figurat në faqet 6, 7]

SI I KONSIDERON PERËNDIA TË VARFRIT?

Bibla e cilëson Krijuesin si Ai ‘që u jep ushqim të uriturve’. (Psalmi 146:7) Më shumë se njëqind vargje në të, theksojnë interesimin e Perëndisë për të varfrit.

Për shembull, kur Jehovai i dha Ligjin kombit të lashtë të Izraelit, ai i urdhëroi bujqit izraelitë që të mos i korrnin arat deri në skajet e tyre. Nuk duhej të mblidhnin atë që mbetej nga vjelja e parë e ullinjve ose e vreshtave. Këto ishin rregulla të dashura për të huajt, jetimët, të vejat dhe për të varfrit e tjerë.​—Levitiku 19:9, 10; Ligji i përtërirë 24:19-21.

Për më tepër, Perëndia i urdhëroi izraelitët: «Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, as asnjë jetim. Në rast se i mundon ata në një farë mënyre dhe ata bërtasin në drejtimin tim, unë do ta dëgjoj pa tjetër britmën e tyre; do të zemërohem dhe do t’ju vras me shpatë; gratë tuaja do të mbeten të veja dhe bijtë tuaj jetimë.» (Eksodi 22:22-24) Mjerisht, shumë izraelitë të pasur i shpërfillën këto fjalë. Për këto dhe për keqbërje të tjera, Perëndia Jehova i paralajmëroi disa herë izraelitët me anë të profetëve të tij. (Isaia 10:1, 2; Jeremia 5:28; Amosi 4:1-3) Në fund, Perëndia bëri që asirianët, e më pas babilonasit, të pushtonin territorin e Izraelit. Shumë izraelitë u vranë, kurse ata që mbijetuan përfunduan si robër në vende të huaja.

Biri i dashur i Perëndisë, Jezu Krishti, pasqyroi interesimin e dashur të Atit të tij për të varfrit. Duke shpjeguar qëllimin e shërbimit të tij, Jezui tha: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi për t’u shpallur lajmin e mirë të varfërve.» (Luka 4:18) Kjo nuk do të thotë se Jezui e kufizoi shërbimin e tij vetëm te të varfrit. Ai me dashuri ndihmoi edhe të pasurit. Megjithatë, edhe në këto raste, Jezui shpeshherë shprehte merakun e tij për të varfrit. Për shembull, një sunduesi të pasur i dha këtë këshillë: «Shit gjithçka që ke, shpërndajua të varfërve e do të kesh një thesar në qiej; dhe eja e bëhu ithtari im.»​—Luka 14:1, 12-14; 18:18, 22; 19:1-10.

Perëndia Jehova dhe Biri i tij kujdesen vërtet për të varfrit. (Marku 12:41-44; Jakovi 2:1-6) Jehovai mban në kujtesë miliona të varfër që kanë vdekur, dhe kjo është një provë se interesohet për ta. Të gjithë këta do të ringjallen në një botë të re pa varfëri.​—Veprat 24:15.

[Figurat]

Vëllazëria ndërkombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait tregon se bota e re nuk është e pamundur

[Figura në faqen 5]

Tukisoja dhe Masejsoja, bashkë me misionarin që studioi Biblën me Tukison

[Figura në faqen 5]

Masejsoja, para shtëpisë së saj, bashkë me misionaren që i bëri studimin e Biblës