Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të njohim udhët e Jehovait

Të njohim udhët e Jehovait

Të njohim udhët e Jehovait

«Bëmë të njoh udhët e tua, që të të njoh.»​—DALJA 33:13, BR.

1, 2. (a) Pse reagoi ashtu Moisiu kur pa që një egjiptian po keqtrajtonte një hebre? (b) Çfarë duhej të mësonte Moisiu, që të ishte i kualifikuar për t’i shërbyer Jehovait?

MOISIU ishte rritur në shtëpinë e faraonit dhe ishte arsimuar sipas mençurisë që vlerësohej shumë nga fisnikëria e Egjiptit. Gjithsesi, ai e kuptonte se nuk ishte egjiptian. Prindërit e tij të vërtetë ishin hebrenj. Kur ishte 40 vjeç, Moisiu doli për të parë ç’po bënin vëllezërit e tij, bijtë e Izraelit. Kur pa një egjiptian që po keqtrajtonte një hebre, nuk ndenji duarkryq, por e vrau egjiptianin. Moisiu vendosi të mbante anën e popullit të Jehovait, dhe mendonte se Perëndia po e përdorte për të çliruar vëllezërit e tij. (Veprat 7:21-25; Hebrenjve 11:24, 25) Kur kjo ngjarje u mor vesh, oborri mbretëror i Egjiptit e konsideroi Moisiun si një rebel, kështu që atij iu desh të ikte për të shpëtuar jetën. (Eksodi [Dalja] 2:11-15) Moisiut i duhej të njihte më mirë udhët e Jehovait, në qoftë se donte që Ai ta përdorte. A do të pranonte të mësohej prej Jehovait?​—Psalmi 25:9.

2 Për 40 vjet të tjera, Moisiu jetoi si i arratisur dhe punoi si bari. Ai iu nënshtrua situatës që kishte lejuar Perëndia dhe nuk la që ta brente hidhërimi, ngaqë vëllezërit e tij hebrenj me sa duket nuk e çmuan aktin që bëri. Edhe pse kaluan shumë vjet, gjatë të cilave askush nuk i dha ndonjë meritë, Moisiu lejoi që Jehovai ta modelonte. Ai nuk po shprehte një vlerësim për veten, por ishte nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, kur shkroi: «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut.» (Numrat 12:3) Jehovai e përdori Moisiun për të bërë gjëra të mrekullueshme. Nëse edhe ne përpiqemi të zhvillojmë zemërbutësinë, Jehovai do të na bekojë.​—Sofonia 2:3.

I ngarkohet një detyrë

3, 4. (a) Çfarë detyre i ngarkoi Jehovai Moisiut? (b) Çfarë ndihme i dha ai Moisiut?

3 Një ditë, një engjëll që vinte në emër të Jehovait i foli Moisiut pranë malit Horeb, në gadishullin e Sinait. Këto ishin fjalët që iu thanë Moisiut: «Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij. Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti.» (Eksodi 3:2, 7, 8) Në lidhje me këtë, Perëndia kishte një punë për Moisiun, por që duhej bërë sipas mënyrës së Jehovait.

4 Engjëlli i Jehovait vazhdoi: «Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti.» Moisiu ngurroi. Mendonte se nuk ishte i aftë për këtë detyrë dhe, në fakt, nëse do të mbështetej vetëm te forcat e veta, nuk do t’ia dilte dot. Por Jehovai e siguroi Moisiun: «Unë do të jem me ty.» (Eksodi 3:10-12) Ai i dha fuqi Moisiut që të kryente shenja të mrekullueshme, të cilat do të provonin se e kishte dërguar vërtet Perëndia. Vëllai i Moisiut, Aaroni, do të shkonte me të si zëdhënës. Jehovai do t’u mësonte se ç’duhej të thoshin e ç’duhej të bënin. (Eksodi 4:1-17) A do ta përmbushte me besnikëri Moisiu këtë detyrë?

5. Përse qëndrimi që tregonte populli i Izraelit i nxirrte probleme Moisiut?

5 Fillimisht, pleqtë e Izraelit e besuan Moisiun dhe Aaronin. (Eksodi 4:29-31) Mirëpo, s’kaloi shumë dhe «kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit» bënë me faj Moisiun dhe të vëllanë, sepse i kishin bërë «të urryer» në sytë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij. (Eksodi 5:19-21; 6:9) Pastaj, pasi kishin dalë nga Egjipti, izraelitët u alarmuan kur panë se po i ndiqnin karrocat e ushtrisë egjiptiane. Përpara kishin Detin e Kuq dhe prapa karrocat egjiptiane, kështu që u ndien si të zënë në kurth. Fajin për këtë ia vunë Moisiut. Si do të kishe reaguar ti? Ndonëse izraelitët s’kishin varka, Jehovai e urdhëroi Moisiun t’u thoshte që të ngrinin kampin e të bëheshin gati për të ikur. Pastaj Perëndia hapi ujërat e Detit të Kuq dhe shtrati i detit u kthye në tokë të thatë, kështu që Izraeli kaloi mes për mes.​—Eksodi 14:1-22.

Një çështje më e rëndësishme sesa çlirimi

6. Çfarë theksoi Jehovai kur po i fliste Moisiut për detyrën që do t’i ngarkonte?

6 Kur po i fliste për këtë detyrë Moisiut, Jehovai theksoi rëndësinë e emrit të Tij. Ishte jetësore të tregohej respekt për këtë emër dhe për Personin që e mban atë. Kur Moisiu e pyeti për këtë emër, Jehovai i tha: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» Gjithashtu, Moisiu duhej t’u thoshte bijve të Izraelit: «‘Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar te ju.’» Pastaj, Jehovai shtoi: «Ky është emri im në jetë të jetëve dhe me të do të kujtohem brez pas brezi.» (Dalja 3:13-15, BR) Edhe sot, emri Jehova vazhdon të jetë emri me të cilin e njohin Perëndinë shërbëtorët e tij anembanë tokës.​—Isaia 12:4, 5; 43:10-12.

7. Çfarë i tha Perëndia Moisiut të bënte, pavarësisht nga arroganca e faraonit?

7 Moisiu dhe Aaroni shkuan para faraonit dhe i dhanë mesazhin e tyre në emër të Jehovait. Por, me arrogancë, faraoni ua ktheu: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë?! Unë s’e njoh fare Jehovain, dhe s’kam për ta lënë Izraelin të shkojë!» (Dalja 5:1, 2, BR) Faraoni tregoi shumë qartë se ishte zemërgur dhe mashtrues, e megjithatë, Jehovai e dërgoi Moisiun që t’i jepte atij mesazhe disa herë me radhë. (Eksodi 7:14-16, 20-23; 8:1, 2, 20) Moisiu e shikonte që faraoni ishte tërbuar fare. A do të kishte vlerë t’i dilte prapë përballë? Izraeli mezi priste çlirimin, kurse faraoni ishte kundër dhe as që luante nga e tija. Çfarë do të kishe bërë ti?

8. Çfarë dobie solli mënyra se si veproi Jehovai me faraonin? Si duhet të ndikojnë te ne këto ngjarje?

8 Moisiu i shpalli edhe një mesazh tjetër faraonit: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë.» Gjithashtu, Perëndia tha: «Tashmë mund ta kisha shtrirë dorën, që të të goditja ty dhe popullin tënd me murtajë, e të ishe zhdukur nga faqja e dheut. Por, për këtë shkak të kam lënë gjallë: që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë tokën.» (Dalja 9:13-16, BR) Me gjykimin që do t’i jepte faraonit zemërgur, Jehovai kishte si qëllim të shfaqte fuqinë e tij në një mënyrë të tillë, që t’u shërbente si paralajmërim të gjithë atyre që e sfidojnë. Ndër këta është edhe Satana Djalli, të cilin më vonë Jezu Krishti e quajti «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30; Romakëve 9:17-24) Siç ishte parathënë, emri i Jehovait u shpall në mbarë tokën. Falë shpirtgjerësisë së tij shpëtuan izraelitët dhe një turmë e madhe njerëzish që u bashkuan me ta për të adhuruar Jehovain. (Eksodi 9:20, 21; 12:37, 38) Që nga ajo kohë, shpallja e emrit të Jehovait ka ndihmuar edhe miliona të tjerë që kanë përqafuar adhurimin e vërtetë.

Merret me një popull të vështirë

9. Si treguan mungesë respekti për Jehovain bashkëkombësit e Moisiut?

9 Hebrenjtë e dinin emrin e Perëndisë, pasi Moisiu e përmendte këtë emër kur u fliste. Por ata nuk treguan gjithnjë respektin e duhur për Personin që mban këtë emër. Çfarë bënë kur nuk arritën të gjenin menjëherë ujë për të pirë, jo shumë kohë pasi Jehovai i kishte çliruar nga Egjipti me mrekulli? Murmuritën kundër Moisiut. Pastaj u ankuan për ushqimin. Moisiu i paralajmëroi ata se nuk po murmuritnin thjesht kundër tij dhe Aaronit, por kundër vetë Jehovait. (Eksodi 15:22-24; 16:2-12) Në malin Sinai, Jehovai u dha izraelitëve Ligjin, dhe kjo gjë u shoqërua me shfaqje të mbinatyrshme. Gjithsesi, duke mos u bindur, populli bëri një viç të artë për ta adhuruar dhe pohoi se po bënte «festë për nder të» Jehovait.​—Eksodi 32:1-9.

10. Pse kërkesa që bëri Moisiu te Dalja 33:13 është me interes të veçantë për mbikëqyrësit e krishterë sot?

10 Ç’të bënte tani Moisiu me këtë popull, që edhe vetë Jehovai e quajti popull me qafë të fortë? Ai iu lut Jehovait: «Të lutem, nëse kam gjetur hir në sytë e tu, bëmë të njoh udhët e tua, që të të njoh e të gjej hir në sytë e tu.» (Dalja 33:13, BR) Mbikëqyrësit e krishterë që kujdesen sot për popullin e Jehovait, për Dëshmitarët e tij, kanë të bëjnë me një kope shumë më të përulur se kombi i Izraelit. Megjithatë, edhe ata luten: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.» (Psalmi 25:4) Duke njohur rrugët e Jehovait, mbikëqyrësit mund t’i trajtojnë situatat në mënyra që janë në harmoni me Fjalën e Perëndisë dhe që janë në përputhje me personalitetin e tij.

Çfarë pret Jehovai nga populli i tij?

11. Çfarë udhëzimesh i dha Jehovai Moisiut, dhe pse ato janë me interes edhe për ne?

11 Në malin Sinai Jehovai e tha gojarisht se çfarë priste nga populli i tij. Më vonë, Moisiu mori dy pllaka guri ku ishin shkruar Dhjetë Urdhërimet. Kur po zbriste nga mali, ai pa që izraelitët po adhuronin viçin prej ari dhe, në zemërim e sipër, i përplasi përtokë pllakat e gurit, të cilat u bënë copë-copë. Atëherë Jehovai i shkroi përsëri Dhjetë Urdhërimet, në pllaka guri që i kishte gdhendur Moisiu. (Eksodi 32:19; 34:1) Këto urdhërime nuk ndryshonin nga ato që u dhanë herën e parë. Moisiu duhej të vepronte në përputhje me to. Gjithashtu, Perëndia i theksoi qartë Moisiut se ç’lloj personi është Ai, duke i treguar se si duhej të sillej në rolin e përfaqësuesit të Tij. Të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, por fjalët që i tha Jehovai atij përmbajnë shumë parime themelore, të cilat nuk kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të zbatohen për të gjithë ata që adhurojnë Jehovain. (Romakëve 6:14; 13:8-10) Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

12. Si duhej të ndikonte tek Izraeli fakti që Jehovai kërkonte t’i përkushtoheshin vetëm Atij?

12 T’i përkushtohemi vetëm Jehovait. Kombi i Izraelit ishte i pranishëm kur Jehovai tha se kërkon nga njerëzit që t’i përkushtohen vetëm atij. (Eksodi 20:2-5) Izraelitët kishin parë boll dëshmi se Jehovai është Perëndia i vërtetë. (Ligji i përtërirë 4:33-35) Jehovai ua bëri të qartë se, pavarësisht nga gjërat që bënin kombet e tjera, nuk do të toleronte brenda popullit të tij asnjë formë idhujtarie ose spiritizmi. Përkushtimi i tyre ndaj tij nuk do të ishte thjesht sa për formë. Që të gjithë duhej ta donin Jehovain me gjithë zemrën e tyre, me gjithë shpirtin e tyre dhe me gjithë forcën e tyre. (Ligji i përtërirë 6:5, 6) Kjo do të përfshinte të folurit, sjelljen e tyre, pra, çdo aspekt të jetës. (Levitiku 20:27; 24:15, 16; 26:1) Edhe Jezu Krishti u tha qartë njerëzve se Jehovai kërkon t’i përkushtohemi vetëm Atij.​—Marku 12:28-30; Luka 4:8.

13. Pse Izraeli duhej t’i bindej Perëndisë deri më një, dhe çfarë duhet të na motivojë ne që t’i bindemi atij? (Predikuesi 12:13)

13 T’u bindemi deri më një urdhërimeve të Jehovait. Izraelitët kishin nevojë t’u kujtohej se, kur lidhën një besëlidhje me Jehovain, u betuan t’i bindeshin pikë për pikë. Do të kishin shumë liri si individë, por në ato gjëra për të cilat Jehovai u kishte dhënë disa urdhërime, duhej t’i bindeshin atij deri më një. Kjo do të tregonte se e donin Perëndinë dhe do t’u sillte dobi atyre vetë dhe pasardhësve që do të kishin, sepse të gjitha kërkesat e Jehovait ishin për të mirën e tyre.​—Eksodi 19:5-8; Ligji i përtërirë 5:27-33; 11:22, 23.

14. Si ia theksoi Perëndia popullit të Izraelit se ishte e rëndësishme t’u jepnin përparësi gjërave frymore?

14 T’u japim përparësi gjërave frymore. Kombi i Izraelit nuk duhej t’i kushtonte kaq shumë vëmendje nevojave materiale, sa të mos kishte më kohë dhe energji për veprimtaritë frymore. Izraelitët nuk duhej t’u kushtoheshin vetëm gjërave të jetës së përditshme. Jehovai përcaktoi një periudhë kohe çdo javë, të cilën e quajti të shenjtë pasi do të përdorej vetëm për veprimtaritë që lidheshin me adhurimin e Perëndisë së vërtetë. (Eksodi 35:1-3; Numrat 15:32-36) Çdo vit, duhej të linin kohë edhe për asambletë e shenjta, që ishin specifikuar në ligj. (Levitiku 23:4-44) Këto do t’u siguronin mundësi për të folur rreth veprave të mrekullueshme të Jehovait, për të kujtuar udhët e tij dhe për t’i shprehur mirënjohjen për gjithë mirësinë që u tregonte. Ndërsa populli i shprehte përkushtimin Jehovait, do t’i shtohej frika dhe dashuria për të, e kjo do t’i ndihmonte të ecnin në udhët e tij. (Ligji i përtërirë 10:12, 13) Parimet e dobishme që përmbanin këto udhëzime, mund t’i ndihmojnë edhe sot shërbëtorët e Jehovait.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Të vlerësojmë cilësitë e Jehovait

15. (a) Pse do të ishte me dobi për Moisiun të kuptonte dhe të vlerësonte cilësitë e Jehovait? (b) Cilat pyetje mund të na ndihmojnë të mendojmë thellë për secilën nga cilësitë e Jehovait?

15 Që të ishte sa më i aftë si udhëheqës i popullit, Moisiu duhej të kuptonte e të vlerësonte cilësitë e Jehovait. Te Dalja 34:5-7 thuhet se Perëndia kaloi para Moisiut dhe shpalli: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin, por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin, duke ndëshkuar bijtë e nipërit për fajin e etërve, deri në brezin e tretë dhe të katërt.» (BR) Ndaluni pak e meditoni për këto fjalë. Pyetni veten: ‘Ç’do të thotë secila nga këto cilësi? Si e ka shfaqur Jehovai? Si mund ta shfaqin mbikëqyrësit e krishterë? Si duhet të ndikojë çdonjëra nga këto cilësi në gjërat që bën secili prej nesh?’ Të shqyrtojmë disa shembuj.

16. Si mund të kuptojmë më shumë për mëshirën e Perëndisë, dhe përse është e rëndësishme kjo?

16 Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh». Nëse e keni veprën e referimit Mendjehollësi mbi Shkrimet në një gjuhë që e kuptoni, pse të mos lexoni se çfarë thuhet te zëri «Mëshira»? Ose mund të bëni kërkime për këtë temë, duke përdorur Treguesin e botimeve Watch Tower ose programin në kompjuter Watchtower Library (CD-ROM). * Përdorni treguesin alfabetik për të gjetur shkrime që flasin për mëshirën. Do të shihni se, përveç faktit që në disa raste lejon zbutjen e ndëshkimit, mëshira e Jehovait përfshin edhe dhembshurinë e butë. Kjo cilësi e shtyn Perëndinë të veprojë për t’i sjellë lehtësim popullit të tij. Ja një provë: kur izraelitët po udhëtonin për në Tokën e Premtuar, Perëndia u siguroi gjërat e nevojshme si fizikisht, ashtu edhe frymësisht. (Ligji i përtërirë 1:30-33; 8:4) Me mëshirë, Jehovai i fali kur bënë gabime. Ai tregoi mëshirë ndaj popullit të tij të lashtë. Aq më shumë duhet të tregojnë dhembshuri sot për njëri-tjetrin shërbëtorët e tij!​—Mateu 9:13; 18:21-35.

17. Pse është dobiprurëse për adhurimin e vërtetë kur kuptojmë se sa hirmadh është Jehovai?

17 Mëshirën Jehovai e kombinon duke qenë hirmadh. Si do ta shpjegonit ju fjalën «hir» ose «hirmadh»? Krahasojeni konceptin tuaj me shkrimet që thonë se Jehovai është hirmadh. Bibla tregon se kjo cilësi do të thotë që Jehovai interesohet me dashuri për ata shërbëtorë të tij që kanë rrethana të pafavorshme. (Eksodi 22:26, 27) Në çfarëdo vendi, të huajt, por edhe të tjerë, mund të gjenden në rrethana të pafavorshme. Kur po i mësonte popullit të tij të ishte i paanshëm dhe t’u tregonte dashamirësi këtyre individëve, Jehovai u kujtoi se edhe ata vetë kishin qenë të huaj kur ishin në Egjipt. (Ligji i përtërirë 24:17-22) Ç’të themi për popullin e Perëndisë sot? Ngaqë edhe ne e shfaqim këtë cilësi, jemi të bashkuar dhe ndihmojmë të tjerët që të tërhiqen drejt adhurimit të Jehovait.​—Veprat 10:34, 35; Zbulesa 7:9, 10.

18. Ç’mësojmë nga kufizimet që u vuri Jehovai izraelitëve për sa u përket praktikave të njerëzve të kombeve të tjera?

18 Megjithatë, në popullin e Izraelit, kjo empati për njerëzit e kombeve të tjera, nuk duhej të dilte mbi dashurinë për Jehovain dhe për normat e tij morale. Kështu, izraelitëve iu tha të mos adoptonin sjelljen e kombeve përreth, zakonet fetare dhe jetesën jomorale të tyre. (Eksodi 34:11-16; Ligji i përtërirë 7:1-4) Kjo zbatohet edhe për ne sot. Duhet të jemi një popull i shenjtë, siç është i shenjtë Perëndia ynë, Jehovai!​—1 Pjetrit 1:15, 16.

19. Si mund t’i mbrojë shërbëtorët e Jehovait pikëpamja e tij për keqbërjen?

19 Që Moisiu ta kuptonte mirë si vepron Jehovai, Ai ia bëri të qartë se, ndonëse nuk e miraton mëkatin, nuk zemërohet shpejt. Jehovai u lë kohë njerëzve që të mësojnë kërkesat e tij dhe të veprojnë në përputhje me to. Aty ku sheh pendim, Jehovai e fal mëkatin, por nuk i lë pa ndëshkuar siç e meritojnë, ata që bëjnë gabime të rënda. Ai e paralajmëroi Moisiun se veprimet e izraelitëve mund të ndikonin te brezat e ardhshëm, për mirë ose për keq. Nëse i kuptojnë udhët e Jehovait, shërbëtorët e tij nuk do t’ia hedhin atij fajin për situata që i kanë krijuar vetë dhe as nuk do të nxjerrin përfundimin se ai nuk vepron, meqë nuk zemërohet shpejt.

20. Çfarë mund të na ndihmojë të sillemi siç duhet me bashkëbesimtarët dhe me ata që takojmë në shërbim? (Psalmi 86:11)

20 Në qoftë se dëshironi ta thelloni njohurinë tuaj për Jehovain dhe për udhët e tij, vazhdoni të bëni kërkime dhe të meditoni kur lexoni Biblën. Shqyrtojini me kujdes aspektet e ndryshme mahnitëse të personalitetit të Jehovait. Në lutje, shqyrtoni si mund ta imitoni Perëndinë dhe si mund ta përputhni edhe më shumë jetën tuaj me qëllimin e tij. Kjo do t’ju ndihmojë të shmangni grackat, të silleni siç duhet me bashkëbesimtarët dhe t’i ndihmoni të tjerët që ta njohin e ta duan Perëndinë tonë madhështor.

[Shënimi]

^ par. 16 Të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait.

Çfarë keni mësuar?

• Pse ishte e rëndësishme zemërbutësia për Moisiun, dhe pse është e domosdoshme edhe për ne?

• Ç’vlerë pati fakti që Moisiu u përball herë pas here me faraonin, duke i thënë fjalën e Jehovait?

• Cilat janë disa parime të rëndësishme që Jehovai i mësoi Moisiut dhe që zbatohen edhe për ne?

• Si mund t’i kuptojmë edhe më shumë cilësitë e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Me besnikëri, Moisiu i shpalli faraonit fjalën e Jehovait

[Figura në faqen 23]

Jehovai ia bëri të njohura Moisiut kërkesat e tij

[Figura në faqet 24, 25]

Medito për cilësitë e Jehovait