Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ta frenojmë veten kur gjendemi nën të ligën’

‘Ta frenojmë veten kur gjendemi nën të ligën’

‘Ta frenojmë veten kur gjendemi nën të ligën’

«Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë, . . . duke e frenuar veten kur gjendet nën të ligën.»​—2 TIMOTEUT 2:24.

1. Pse nganjëherë takojmë njerëz që na flasin ashpër, kur jemi në shërbimin e krishterë?

SI REAGON kur përballesh me njerëz që nuk të presin mirë ty ose atë çfarë përfaqëson ti? Kur po përshkruante ditët e fundit, apostulli Pavël paratha se njerëzit do të ishin «blasfemues, . . . shpifës, pa vetëkontroll, të egër». (2 Timoteut 3:1-5, 12) Ndoshta takon njerëz të tillë në shërbim ose në aktivitete të tjera.

2. Cilat shkrime mund të na ndihmojnë që të sillemi me mençuri me njerëzit që na flasin ashpër?

2 Jo të gjithë njerëzit që flasin vrazhdë nuk duan t’ia dinë për drejtësinë. Vështirësitë e mëdha ose zhgënjimet i bëjnë njerëzit që t’ia shfryjnë nervat kujtdo që kanë përreth. (Predikuesi [Eklisiastiu] 7:7) Shumë njerëz veprojnë kështu sepse jetojnë e punojnë në një mjedis ku është normale të flasësh me fjalë të ndyra e të vrazhda. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të folurit e tillë është i pranueshëm për ne si të krishterë, por na ndihmon të kuptojmë pse flasin kështu të tjerët. Si duhet të reagojmë kur na flasin me ashpërsi? Te Fjalët e urta (Proverbat) 19:11 thuhet: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi.» Gjithashtu, te Romakëve 12:17, 18 kemi këshillën: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.»

3. Si lidhet fakti që duhet të jemi paqësorë me mesazhin që predikojmë?

3 Po të jemi vërtet paqësorë, kjo do të duket në qëndrimin që mbajmë. Do të pasqyrohet në atë që themi e që bëjmë, e ndoshta edhe në shprehjen e fytyrës ose në tonin e zërit. (Fjalët e urta 17:27) Kur i dërgoi apostujt që të predikonin, Jezui i këshilloi: «Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë [«uroni paqe», Dom Simon Filipaj]; dhe nëse shtëpia e meriton, paqja që i uroni le të vijë mbi të; por nëse nuk e meriton, paqja juaj le të kthehet mbi ju.» (Mateu 10:12, 13) Mesazhi që u çojmë njerëzve ka të bëjë me një lajm të mirë. Bibla e quan ‘lajmi i mirë i paqes’, ‘lajmi i mirë i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’ dhe «ky lajm i mirë i mbretërisë». (Efesianëve 6:15; Veprat 20:24; Mateu 24:14) Pikësynimi ynë nuk është të kritikojmë bindjet e tjetrit ose të debatojmë me të për pikëpamjet që ka, por t’i japim lajmin e mirë nga Fjala e Perëndisë.

4. Si mund të përgjigjeni kur i zoti i shtëpisë ju thotë: «Nuk më intereson», para se t’i keni shpjeguar arsyen pse ndodheni aty?

4 Ndoshta, pa dëgjuar me të vërtetë, i zoti i shtëpisë na ndërpret me fjalët: «Nuk më intereson.» Në shumë raste të tilla mund të themi: «Doja t’ju lexoja vetëm një shkrim të shkurtër nga Bibla.» Ndoshta këtë nuk do ta kundërshtojë. Në raste të tjera, mund të jetë e përshtatshme të themi: «Doja t’ju tregoja për një kohë kur nuk do të ketë më padrejtësi dhe të gjithë njerëzit do të mësojnë të duan njëri-tjetrin.» Nëse, pas kësaj, i zoti i shtëpisë nuk na kërkon shpjegime të mëtejshme, mund të shtojmë: «Por, me sa duket, kjo nuk është një kohë e përshtatshme për ju.» Por, edhe sikur i zoti i shtëpisë të mos na përgjigjet në mënyrë paqësore, a duhet të nxjerrim përfundimin se «nuk e meriton» lajmin e mirë? Pavarësisht nga reagimi, nuk duhet ta harrojmë asnjëherë këshillën e Biblës që të jemi ‘zemërbutë me të gjithë, duke e frenuar veten kur gjendemi nën të ligën’.​—2 Timoteut 2:24.

I vrazhdë, por nga padija

5, 6. Si u soll Sauli me ithtarët e Jezuit, por, pse vepronte kështu?

5 Në shekullin e parë, ishte një njeri me emrin Saul që njihej për të folurit pa respekt, e madje për sjelljen e tij të dhunshme. Bibla thotë se ai ‘shfrynte kërcënim dhe vrasje kundër dishepujve të Zotërisë’. (Veprat 9:1, 2) Më vonë, vetë ai e pranoi se kishte qenë «blasfemues, persekutues dhe i pacipë». (1 Timoteut 1:13) Ndonëse disa të afërm të tij mund të ishin tashmë të krishterë, ai tha për qëndrimin që kishte ndaj ithtarëve të Krishtit: «Meqë isha tej mase i tërbuar kundër tyre, shkova deri aty sa i persekutova edhe në qytetet jashtë.» (Veprat 23:16; 26:11; Romakëve 16:7, 11) Nuk ka asnjë të dhënë se dishepujt u përpoqën të bënin ndonjë debat me Saulin para të tjerëve, ndërkohë që sillej në këtë mënyrë.

6 Po pse sillej kështu Sauli? Vite më vonë, ai shkroi: «Isha në padije dhe veproja me mungesë besimi.» (1 Timoteut 1:13) Në atë kohë ai ishte farise, i arsimuar «sipas rreptësisë së Ligjit të të parëve». (Veprat 22:3) Edhe pse mësuesi i Saulit, Gamalieli, me sa duket ishte me mendje më të hapur, kryeprifti Kajafa, me të cilin Sauli shoqërohej, ishte shumë fanatik. Kajafa kishte qenë një ndër nxitësit kryesorë të komplotit që çoi në vrasjen e Jezu Krishtit. (Mateu 26:3, 4, 63-66; Veprat 5:34-39) Më pas, Kajafa mori masa që apostujt e Jezuit t’i rrihnin me kamxhik dhe i urdhëroi prerazi që të mos predikonin më në bazë të emrit të Jezuit. Ai ishte drejtuesi i Sinedrit gjatë seancës gjyqësore shumë të tendosur, kur Stefanin e morën për ta vrarë me gurë. (Veprat 5:27, 28, 40; 7:1-60) Sauli vështroi ndërsa vritnin me gurë Stefanin, dhe Kajafa e autorizoi të vazhdonte përpjekjet për të shtypur ithtarët e Jezuit, duke i arrestuar në Damask. (Veprat 8:1; 9:1, 2) Duke qenë nën ndikimin e Kajafës, Sauli mendonte se sjellja e tij tregonte zellin që kishte për Perëndinë, por faktikisht atij i mungonte besimi i vërtetë. (Veprat 22:3-5) Si pasojë, nuk e kuptoi se Jezui ishte Mesia i vërtetë. Por pastaj Sauli erdhi në vete kur Jezui i ringjallur, me anë të një mrekullie, i foli rrugës për në Damask.​—Veprat 9:3-6.

7. Çfarë ndodhi me Saulin si pasojë e takimit me Jezuin në rrugën për në Damask?

7 Pak kohë më pas, Jezui udhëzoi dishepullin Anania që të shkonte e t’i jepte dëshmi Saulit. Po të kishe qenë ti në vend të Ananisë, a do ta prisje me padurim të bëje këtë vizitë? Anania kishte frikë, por, ama, i foli Saulit me butësi. Për shkak të takimit të jashtëzakonshëm me Jezuin në rrugën për në Damask, Sauli kishte ndryshuar qëndrim. (Veprat 9:10-22) Ai u bë i njohur si apostulli Pavël, një misionar i zellshëm i krishterë.

Me natyrë të butë, por i guximshëm

8. Si e pasqyroi Jezui qëndrimin e Atit të tij ndaj njerëzve që kishin bërë gjëra të gabuara?

8 Jezui ishte lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë, me natyrë të butë, por edhe i guximshëm kur fliste me njerëzit. (Mateu 11:29) Ai pasqyroi frymën e Atit të tij qiellor, i cili i nxit të ligjtë të kthehen nga rrugët e tyre të këqija. (Isaia 55:6, 7) Kur kishte të bënte me mëkatarë, Jezui shihte nëse kishte prova për ndonjë ndryshim për mirë, dhe i inkurajonte këta individë. (Luka 7:37-50; 19:2-10) Në vend që t’i gjykonte të tjerët sipas pamjes së jashtme, Jezui imitonte dashamirësinë, shpirtgjerësinë dhe durimin e Atit të tij, duke pasur si synim t’i çonte këta njerëz drejt pendimit. (Romakëve 2:4) Vullneti i Jehovait është që njerëz të çdo lloji të pendohen e të shpëtojnë.​—1 Timoteut 2:3, 4.

9. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si u përmbush te Jezui shkrimi i Isaisë 42:1-4?

9 Duke shpjeguar pikëpamjen që kishte Jehovai për Jezu Krishtin, Mateu, një shkrimtar i ungjillit, citon këto fjalë profetike: «Ja, shërbëtori im, të cilin e zgjodha, i dashuri im, të cilin shpirti im e miratoi! Unë do të vë mbi të frymën time dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve se ç’është drejtësia. Ai nuk do të grindet, as nuk do të bërtasë fort dhe askush nuk do ta dëgjojë zërin e tij udhëve të gjera. Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin e lirit që digjet në vetvete, derisa ta çojë drejtësinë në fitore. Në fakt, në emrin e tij do të shpresojnë kombet.» (Mateu 12:17-21; Isaia 42:1-4) Në përputhje me këto fjalë profetike, Jezui nuk u përfshi në debate të zhurmshme. Edhe kur gjendej nën presion, foli për të vërtetën në një mënyrë që i bëri për vete njerëzit me zemër të ndershme.​—Gjoni 7:32, 40, 45, 46.

10, 11. (a) Pse Jezui u dha dëshmi disa farisenjve, ndonëse ata si grup kishin dalë hapur si kundërshtarë të tij? (b) Çfarë përgjigjesh u dha Jezui në disa raste kundërshtarëve, por çfarë nuk bëri?

10 Gjatë shërbimit, Jezui foli me shumë farisenj. Ndonëse disa prej tyre donin ta zinin në grackë me fjalët e tij, Jezui nuk nxori si përfundim se që të gjithë kishin motive të këqija. Simoni, një farise që ishte disi kritikues, me sa duket donte ta njihte më nga afër Jezuin, prandaj e ftoi në shtëpi për të ngrënë. Jezui e pranoi ftesën dhe u dha dëshmi atyre që ishin të pranishëm. (Luka 7:36-50) Në një rast tjetër, një farise i shquar, me emrin Nikodem, erdhi te Jezui natën. Jezui nuk e qortoi që ky priti derisa ra nata, dhe pastaj erdhi. Përkundrazi, i dha dëshmi Nikodemit për dashurinë që kishte treguar Perëndia duke dërguar Birin e tij, me qëllim që të hapte rrugën për shpëtimin e atyre që do të shfaqnin besim. Gjithashtu, Jezui me dashamirësi theksoi sa e rëndësishme është t’u bindesh masave që merr Perëndia. (Gjoni 3:1-21) Më vonë, Nikodemi foli në mbrojtje të Jezuit, kur farisenjtë e tjerë përçmuan një raport të mirë që ishte dhënë për Jezuin.​—Gjoni 7:46-51.

11 Sigurisht, Jezui nuk ishte i verbër që të mos shihte hipokrizinë e atyre që përpiqeshin ta futnin në kurth. Ai nuk i lejoi kundërshtarët që ta përfshinin në debate të padobishme. Megjithatë, kur ishte e përshtatshme, dha përgjigje të shkurtra e të fuqishme, me anë të një parimi, të një ilustrimi ose me anë të një shkrimi. (Mateu 12:38-42; 15:1-9; 16:1-4) Herë të tjera, thjesht Jezui nuk u përgjigj, kur ishte e qartë se përgjigjja e tij nuk do të ndryshonte gjë.​—Marku 15:2-5; Luka 22:67-70.

12. Si i ndihmoi Jezui njerëzit, edhe kur disa i bërtitën?

12 Disa herë Jezuit i bërtitën njerëz që ishin nën kontrollin e frymërave të ndyra. Në këto raste ai e frenoi veten, e madje e përdori fuqinë që i kishte dhënë Perëndia për t’u sjellë lehtësim këtyre njerëzve. (Marku 1:23-28; 5:2-8, 15) Edhe ne duhet ta frenojmë veten, nëse disa njerëz zemërohen dhe na bërtasin kur jemi në shërbim, e të përpiqemi ta kalojmë këtë situatë me mirëdashje e me takt.​—Kolosianëve 4:6.

Brenda familjes

13. Pse, disa herë, njerëzit i kundërvihen një familjari që fillon të studiojë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait?

13 Shpesh, ithtarët e Jezuit e kuptojnë se një fushë ku e kanë më të nevojshme të frenohen e të tregojnë vetëpërmbajtje, është brenda familjes. Kur dikujt i preket zemra nga e vërteta biblike, dëshiron me zjarr që edhe familja e tij të reagojë njësoj. Por, siç tha Jezui, familjarët mund të na kthehen në armiq. (Mateu 10:32-37; Gjoni 15:20, 21) Kjo mund të ndodhë për disa arsye. Për shembull, ndonëse mësimet e Biblës na ndihmojnë të bëhemi të ndershëm, të përgjegjshëm e t’i respektojmë të tjerët, Shkrimet mësojnë edhe se, në çfarëdo situate, mbajmë në radhë të parë përgjegjësi para Krijuesit tonë. (Predikuesi 12:1, 13; Veprat 5:29) Kur një familjar e ndien se autoriteti i tij në familje bie disi, ngaqë ne i qëndrojmë besnikë Jehovait, mund të fyhet prej kësaj. Sa e rëndësishme është që, në raste të tilla, të ndjekim shembullin e Jezuit që tregoi vetëpërmbajtje!​—1 Pjetrit 2:21-23; 3:1, 2.

14-16. Çfarë i bëri të ndryshonin disa veta që më parë kundërshtonin familjarët e tyre?

14 Shumë prej atyre që po i shërbejnë tani Jehovait, patën kundërshtime nga bashkëshorti a bashkëshortja ose nga një familjar tjetër kur filluan të studionin Biblën e të bënin ndryshime. Ndoshta këta familjarë kundërshtarë kishin dëgjuar komente negative për Dëshmitarët e Jehovait e kishin frikë se ky studim do të ndikonte për keq në familje. Çfarë i bëri të ndryshonin mendim? Në shumë raste, ajo që ndikoi shumë ishte shembulli i mirë i familjarit Dëshmitar. Disa herë, kundërshtimi nga familja u zbut ngaqë familjari Dëshmitar vazhdoi të zbatonte këshillat e Biblës​—të ndiqte rregullisht mbledhjet e krishtere dhe të dilte në shërbim, ndërkohë që kujdesej për përgjegjësitë familjare dhe e frenonte veten kur e shanin.​—1 Pjetrit 2:12.

15 Ndoshta një kundërshtar nuk ka dashur të dëgjojë shpjegime nga Bibla edhe për shkak të paragjykimit ose të krenarisë. Ishte kështu në rastin e një burri në Shtetet e Bashkuara, i cili thoshte se ishte shumë nacionalist. Një herë, kur e shoqja ishte në një kongres, ai bëri gati plaçkat dhe iku nga shtëpia. Një herë tjetër, doli nga shtëpia me një armë në dorë dhe tha se do të vriste veten. Thoshte se, nëse ai sillej në mënyrë të paarsyeshme, fajin e kishte feja e saj. Por ajo u përpoq të zbatonte vazhdimisht këshillat e Biblës. Njëzet vjet pasi e shoqja ishte bërë Dëshmitare e Jehovait, edhe burri u bë Dëshmitar. Në një rast tjetër, në Shqipëri, një grua u zemërua me të bijën, sepse kjo studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe më pas u pagëzua. Dymbëdhjetë herë ia grisi Biblën së bijës. Pastaj, një ditë, hapi një Bibël të re që vajza e kishte lënë mbi tavolinë. Rastisi që e hapi te Mateu 10:36 dhe, pasi e lexoi, e kuptoi që ato fjalë ishin për të. Megjithatë, e merakosur për të bijën, e shoqëroi deri te trageti, kur vajza po nisej bashkë me Dëshmitarë të tjerë për në një kongres në Itali. Kur mamaja pa dashurinë, përqafimet dhe buzëqeshjet e grupit, si edhe dëgjoi të qeshurën e tyre të lumtur, ndjenjat e saj filluan të ndryshonin. Jo shumë kohë më pas, pranoi të studionte Biblën. Sot përpiqet të ndihmojë të tjerë që fillimisht mund të jenë kundërshtarë.

16 Në një rast tjetër, ndërsa e shoqja i afrohej Sallës së Mbretërisë, burri i saj, me një thikë në dorë, i doli përpara duke e sharë e duke e akuzuar. Me butësi, ajo iu përgjigj: «Hajde në Sallën e Mbretërisë dhe shiko vetë se ç’bëhet.» Kështu bëri dhe, me kalimin e kohës, u bë një plak i krishterë.

17. Cila këshillë biblike mund ta ndihmojë një familje të krishterë, nëse nganjëherë situata në shtëpi tendoset?

17 Edhe sikur në familje të jenë të gjithë të krishterë, ka raste kur situata tendoset, e madje mund të thuhen fjalë të ashpra, për shkak të papërsosmërisë njerëzore. Vlen të përmendet që të krishterëve në Efesin e lashtë iu dha kjo këshillë: «Le të hiqet prej jush çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, e bërtitur dhe sharje bashkë me çdo të keqe.» (Efesianëve 4:31) Me sa duket, te të krishterët në Efes ndikonte mjedisi që i rrethonte, papërsosmëritë e tyre dhe, në ndonjë rast, e kaluara e tyre. Çfarë do t’i ndihmonte që të ndryshonin? Duhej ‘të rinoheshin në forcën që vinte në veprim mendjen e tyre’. (Efesianëve 4:23) Fryti i frymës së Perëndisë do të bëhej edhe më i dukshëm në jetën e tyre, ndërkohë që studionin Fjalën e Perëndisë, meditonin se si duhej të ndikonte ajo në jetën e tyre, shoqëroheshin me të krishterët e tjerë dhe luteshin me zell. Do të mësonin ‘të bëheshin mirëdashës ndaj njëri-tjetrit, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia i kishte falur bujarisht nëpërmjet Krishtit’. (Efesianëve 4:32) Pavarësisht nga ajo që bëjnë të tjerët, ne duhet të tregojmë vetëpërmbajtje, duke qenë mirëdashës, zemërdhembshur e duke falur. Po, nuk duhet ‘t’ia kthejmë askujt të keqen me të keqe’. (Romakëve 12:17, 18) Në çdo rast, gjëja më e drejtë është të imitojmë Perëndinë e të tregojmë dashuri të sinqertë.​—1 Gjonit 4:8.

Këshillë për të gjithë të krishterët

18. Pse këshilla që gjejmë te 2 Timoteut 2:24 ishte e përshtatshme për një plak në Efesin e lashtë, por si mund të nxjerrin dobi të gjithë të krishterët prej saj?

18 Këshilla për ‘ta frenuar veten kur gjendemi nën të ligën’ vlen për të gjithë të krishterët. (2 Timoteut 2:24) Por, në radhë të parë i ishte drejtuar Timoteut, të cilit i duhej ajo këshillë ndërsa shërbente si plak në Efes. Disa në kongregacion i shfaqnin shumë hapur pikëpamjet e tyre dhe po u mësonin të tjerëve doktrina të gabuara. Ngaqë nuk e kuptonin plotësisht qëllimin pse ishte dhënë Ligji i Moisiut, nuk e kuptonin rëndësinë e besimit, të dashurisë dhe të një ndërgjegjeje të mirë. Krenaria krijonte konflikte, pasi ata debatonin për fjalët, ndërkohë që nuk e kapnin fare thelbin e mësimeve të Krishtit dhe rëndësinë e përkushtimit hyjnor. Për të zgjidhur këtë situatë, Timoteu duhej të tregohej i vendosur për të vërtetën biblike, e megjithatë i butë, ndërsa fliste me vëllezërit e tij. Ashtu si pleqtë e sotëm, ai e dinte se kopeja nuk i përkiste atij dhe se duhej t’i trajtonte të tjerët në një mënyrë që do të nxiste dashurinë dhe unitetin e krishterë.​—Efesianëve 4:1-3; 1 Timoteut 1:3-11; 5:1, 2; 6:3-5.

19. Pse është e rëndësishme për të gjithë ne që ‘të kërkojmë zemërbutësinë’?

19 Perëndia i nxit shërbëtorët e tij që ‘të kërkojnë zemërbutësinë’. (Sofonia 2:3, BR) Shprehja hebraike e përkthyer me fjalën ‘zemërbutësi’ tregon një prirje që i jep mundësi njeriut t’i durojë fyerjet pa u acaruar e pa marrë hak. Le t’i lutemi me zjarr Jehovait për ndihmë, që të arrijmë ta frenojmë veten dhe ta përfaqësojmë siç duhet, edhe kur jemi në rrethana të vështira!

Çfarë keni mësuar?

• Cilat shkrime mund t’ju ndihmojnë kur ndeshni dikë që ju flet me ashpërsi?

• Pse vepronte me vrazhdësi Sauli?

• Si na ndihmon shembulli i Jezuit që të sillemi siç duhet me çdo lloj njeriu?

• Ç’gjë e mirë mund të vijë kur e frenojmë veten për sa i përket të folurit në familje?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Pavarësisht nga nami i keq i Saulit, Anania e trajtoi me dashamirësi

[Figura në faqen 29]

Kur një i krishterë kujdeset gjithnjë për përgjegjësitë e tij, kjo mund ta zbutë kundërshtimin nga familja

[Figura në faqen 30]

Të krishterët nxitin dashurinë dhe unitetin