Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ndodhi me unitetin botëror?

Çfarë ndodhi me unitetin botëror?

Çfarë ndodhi me unitetin botëror?

«Për herë të parë, që nga Lufta II Botërore, komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar. . . . Prandaj bota mund të përfitojë nga kjo mundësi, për të përmbushur premtimin e shumëpritur për një sistem të ri botëror.»

KËSHTU u shpreh një president i Shteteve të Bashkuara në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të njëzetë. Në atë kohë, ngjarjet ndërkombëtare të linin të mendoje se uniteti botëror më në fund po afronte. Qeveritë totalitare u rrëzuan njëra pas tjetrës. Muri i Berlinit ra, dhe kjo shënoi fillimin e një epoke të re për Evropën. Bashkimi Sovjetik, të cilin shumë vende jokomuniste e shihnin si shtetin që cyste konfliktet botërore, u shpërbë dhe habiti kështu një botë të tërë. Luftës së Ftohtë i erdhi fundi, dhe flitej me optimizëm për një çarmatim të mundshëm, madje edhe për një çarmatim bërthamor. Vërtet që në këtë kohë shpërtheu lufta në Gjirin Persik, por atë e konsideruan diçka kalimtare, që e bëri botën edhe më të vendosur për të filluar një epokë të re dhe paqësore.

Shenja shpresëdhënëse viheshin re jo vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera të jetës. Niveli i jetesës po përmirësohej në shumë vende. Përparimi në fushën e mjekësisë bëri të mundur që mjekët të realizonin gjëra, të cilat pak dekada më parë do të ishin konsideruar mrekulli. Ekonomia në shumë vende po përparonte me hapa aq viganë, sa dukej se do të çonte në mirëqenien mbarëbotërore. Dukej se çdo gjë po shkonte në rrugën e duhur.

Ndërsa sot, vetëm disa vjet më vonë, s’na mbetet veç të pyesim: ‘Çfarë ndodhi? Ku është uniteti botëror që u premtua?’ Ndryshe nga ç’mendohej, bota duket se po shkon në kahun e kundërt. Sulmet kamikaze dhe terroriste, shtimi i armëve të shkatërrimit në masë dhe ngjarje të tjera shqetësuese janë bërë pjesë e pandashme e lajmeve në shtyp. Këto ngjarje duket se po e bëjnë unitetin botëror gjithnjë e më të paarritshëm. Kohët e fundit, një financier mjaft i njohur tha: «Po ngecim në një rreth vicioz, ku dhuna po arrin kulmin.»

Unitet botëror apo copëzim botëror?

Kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara, një nga qëllimet e saj ishte ‘të zhvillonte midis kombeve, marrëdhënie miqësore, të bazuara në respektimin e barazisë së të drejtave të popujve dhe të së drejtës së tyre për vetëvendosje’. A është përmbushur ky qëllim fisnik tani, pas afro 60 vjetësh? As që bëhet fjalë! Me sa duket, kombet kanë më për zemër ‘vetëvendosjen’, jo ‘marrëdhëniet miqësore’. Në përpjekje për të vendosur identitetin dhe sovranitetin e tyre, popujt dhe grupet etnike e kanë copëtuar botën gjithnjë e më shumë. Kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara, kishte 51 kombe anëtare. Ndërsa sot ka 191 kombe.

Siç e kemi parë, aty nga fundi i shekullit të 20-të, mbizotëronte shpresa për një botë të bashkuar. Mirëpo që atëherë, ndërsa njerëzimi shikon me sytë e tij se si bota vazhdon të copëzohet, kjo shpresë është kthyer në ankth. Shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë, përplasjet midis Çeçenisë dhe Rusisë, lufta në Irak dhe kasaphana e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, të gjitha këto janë prova të një përçarjeje botërore gjithnjë e më të madhe.

Nuk ka dyshim që shumë nga përpjekjet për të vendosur paqen, kanë qenë të sinqerta dhe me qëllim të mirë. Prapëseprapë, uniteti botëror duket i paarritshëm. Njerëzve u mbetet vetëm të pyesin: ‘Pse është kaq i paarritshëm uniteti botëror? Për ku po shkon kjo botë?’

[Burimet e figurave në faqen 3]

Fotografi e AP/Lionel Cironneau

Arlo K. Abrahamson/AFP/ Getty Images