Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E kam gëzuar plotësisht ‘jetën e tashme’!

E kam gëzuar plotësisht ‘jetën e tashme’!

Jetëshkrim

E kam gëzuar plotësisht ‘jetën e tashme’!

TREGUAR NGA TED BAKINGAMI

Kisha shërbyer gjashtë vjet si shërbëtor në kohë të plotë dhe kisha gjashtë muaj që isha martuar, kur papritur më zuri poliomieliti. Ishte viti 1950 dhe isha vetëm 24 vjeç. Gjatë nëntë muajve që kalova në spital, pata mjaft kohë të mendoja thellë për jetën time. Pas gjymtimit që kisha pësuar, ç’e ardhme na priste mua dhe time shoqe, Xhojsin?

NË VITIN 1938, babait, që nuk kishte qenë kurrë fetar, i ra në dorë një kopje e librit Qeveria. * Ndoshta ishte pështjellimi politik dhe lufta që po trokiste, që e shtynë ta merrte librin. Me sa di unë, ai nuk e lexoi kurrë, por e lexoi nëna, e cila ishte shumë besimtare. Reagimi i saj ndaj mesazhit ishte i menjëhershëm. Nuk shkoi më në Kishën Anglikane dhe, me gjithë kundërshtimet e babait, u bë një Dëshmitare e Jehovait, dhe mbeti besnike deri kur vdiq, në vitin 1990.

Për herë të parë në një mbledhje shkova me nënën, në një Sallë Mbretërie në Epsëm, një qytet në jug të Londrës. Kongregacioni mblidhej në një vend që më parë kishte qenë dyqan. Dëgjuam një fjalim në kasetë nga Xh. F. Radhërfordi, i cili mbikëqyrte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në atë kohë. Ai fjalim më la mbresa të thella.

Bombardimet e rënda që u bënë gjatë një sulmi të rrufeshëm mbi Londër, e vunë edhe më shumë në rrezik jetën tonë. Kështu që në vitin 1940, babai vendosi të transferoheshim në një vend më të sigurt, në Mejdënhed, një qytet i vogël, 45 kilometra në perëndim të Londrës. Kjo ishte me dobi për ne, pasi 30 anëtarët e kongregacionit të atjeshëm ishin një burim i shkëlqyer inkurajimi. Fred Smithi, një i krishterë i paepur që ishte pagëzuar në vitin 1917, mori përsipër të më stërviste për t’u bërë një lajmëtar më i efektshëm. Edhe sot e kësaj dite ndihem shumë borxhli ndaj tij për shembullin e mirë dhe për ndihmën e dashur që më dha.

Filloj shërbimin e plotkohor

Në vitin 1941, kur isha 15 vjeç, u pagëzova në lumin Tamiz, në një ditë të ftohtë marsi. Në atë kohë, Xhimi, vëllai im i madh, kishte hyrë në radhët e ungjillëzuesve në kohë të plotë. Ai dhe gruaja e tij, Maxhi, kanë kaluar një jetë të tërë në shërbim të Jehovait në caktime qarkore dhe krahinore në të gjithë Britaninë, dhe tani jetojnë në Birmingem. Motra ime e vogël, Rubina, dhe burri i saj, Frenku, vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait.

Punoja si llogaritar për një firmë që prodhonte veshje. Një ditë, drejtori i administratës më thirri në zyrën e tij dhe më ofroi mundësinë të bëja karrierë si furnitor për firmën. Mirëpo, unë kisha ca kohë që po mendoja të ndiqja shembullin e vëllait tim, prandaj e refuzova me mirësjellje ofertën e tij dhe i shpjegova arsyen. Për habinë time, ai me ngrohtësi më përgëzoi që dëshiroja të ndërmerrja një veprimtari të krishterë me kaq vlerë. Kështu që, në vitin 1944, pas një kongresi krahinor në Northempton, u bëra ungjillëzues në kohë të plotë.

Caktimi im i parë ishte në Ekseter, në krahinën e Devonit. Në atë kohë, ky qytet dalëngadalë po e merrte veten nga bombardimet e luftës. Banoja në një apartament bashkë me dy pionierë të tjerë, Frenk dhe Ruth Midëlltonin, të cilët më trajtonin shumë mirë. Isha vetëm 18 vjeç dhe nuk dija të laja rroba a të gatuaja, por, me kohë, mësova dhe gjërat u përmirësuan.

Shoku im i shërbimit ishte një 50-vjeçar me emrin Viktor Gurd, një irlandez që kishte filluar të predikonte që në vitet 20. Ai më mësoi si ta programoja kohën sa më mirë, të zhvilloja interes më të thellë për leximin e Biblës dhe të kuptoja vlerën e përkthimeve të ndryshme të Biblës. Gjatë atyre viteve kur u formova si karakter, kisha nevojë pikërisht për shembullin e palëkundur të Viktorit.

Sfida e asnjanësisë

Luftës po i vinte fundi, por autoritetet akoma kërkonin djem për t’i rekrutuar. Në vitin 1943 m’u desh të dilja para një gjykate në Mejdënhed, ku paraqita kërkesën time për t’u përjashtuar nga shërbimi ushtarak, ngaqë isha ungjillëzues. Megjithëse kërkesa ime u hodh poshtë, vendosa të transferohesha në Ekseter dhe të filloja shërbimin tim atje. Prandaj, pikërisht në Ekseter më thirrën të dilja para gjykatës së vendit. Kur më dha dënimin me gjashtë muaj punë të detyrueshme në burg, gjykatësi më tha se i vinte keq që nuk më jepte dot një dënim më të gjatë. Pasi mbaroi dënimi, më kthyen përsëri në burg edhe për katër muaj të tjerë.

Ngaqë isha i vetmi Dëshmitar në burg, gardianët më thërritnin Jehova. Ishte pak e sikletshme t’i përgjigjesha këtij emri gjatë apelit, sepse isha i detyruar, por nga ana tjetër ishte privilegj të dëgjoje emrin e Perëndisë që thirrej ditë pas dite. Kjo u tregonte të burgosurve të tjerë se isha midis tyre vetëm për shkak të qëndrimit tim asnjanës, si Dëshmitar i Jehovait. Më vonë, në të njëjtin burg me mua futën edhe Norman Kastron, kështu që ma ndryshuan emrin. Pastaj na thërritnin: Moisiu dhe Aaroni.

Nga Ekseteri më çuan në burgun e Bristolit dhe pastaj në atë të Uinçesterit. Kushtet nuk ishin gjithmonë të mira, por më ndihmonte ndjenja e humorit. Unë dhe Normani ishim të kënaqur që mbajtëm Përkujtimin kur ishim në Uinçester. Frensis Kuku, na bëri një vizitë në burg dhe mbajti një fjalim të mrekullueshëm.

Ndryshime në vitet e pasluftës

Në kongresin e Bristolit në vitin 1946 doli libri ndihmës për studimin e Biblës «Le të dalë Perëndia i vërtetë». Atje u njoha me një vajzë simpatike, Xhojsi Murin, që shërbente gjithashtu si pionere në Devon. Midis nesh lulëzoi një miqësi e bukur, dhe katër vjet më vonë u martuam në Tiverton, ku po shërbeja që në vitin 1947. Si shtëpi kishim një dhomë me qira, për të cilën paguanim 15 shilinga (1 euro) në javë. Jeta ishte fantastike!

Gjatë vitit të parë të martesës, transferimi tjetër na çoi në jug, në Briksem, një qytet i këndshëm me port detar, i njohur si vendi ku u shpik metoda e peshkimit me verzomë. Nuk kishim shumë kohë atje, kur më zuri poliomieliti, ndërsa udhëtoja për në një kongres në Londër. Rashë në koma. Siç thashë në fillim të artikullit, pas nëntë muajsh dola nga spitali. Dora e djathtë dhe këmbët m’u dëmtuan mjaft, ashtu i kam akoma, dhe prandaj më duhej të përdorja një bastun. Gruaja ime e dashur, gjatë gjithë kohës ishte një shoqe optimiste dhe një burim inkurajimi, sidomos ndërsa vazhdonte shërbimin e plotkohor. Po tani, çfarë do të bënim? Pa kaluar shumë kohë, mësova që dora e Jehovait nuk është kurrë e shkurtër.

Vitin tjetër, shkuam në një asamble në Uimbëlldon të Londrës. Në këtë kohë po ecja pa bastun. Atje takuam Prais Hjuzin, i cili mbikëqyrte veprën në Britani. Sapo më përshëndeti, tha: «Ej! Na duhesh në veprën e qarkut.» Inkurajim më të madh nuk mund të merrja. Vallë a do të arrija ta bëja këtë shërbim? Xhojsi dhe unë kishim ca dyshime për këtë, por pas një jave stërvitjeje dhe me besim të plotë te Jehovai, morëm rrugën për t’u kthyer në jugperëndim të Anglisë, ku isha caktuar të shërbeja si mbikëqyrës qarkor. Në atë kohë isha vetëm 25 vjeç, por ende e kujtoj me mirënjohje të thellë mirësinë dhe durimin e atyre Dëshmitarëve që më ndihmuan aq shumë.

Nga të gjitha veprimtaritë e ndryshme teokratike, gjëja që na afronte më shumë me motrat dhe vëllezërit tanë të krishterë, ishte vizita nëpër kongregacione. Makinë nuk kishim, prandaj udhëtonim me tren ose me autobus. Megjithëse nuk isha mësuar ende me kufizimet e sëmundjes sime, u kënaqëm në privilegjin tonë që vazhdoi deri në vitin 1957. Ishte një jetë e kënaqshme, por atë vit u përballëm me një sfidë tjetër.

Shërbimi si misionarë

U ngazëlluam kur morëm ftesën për të marrë pjesë në klasën e 30-të të Galaadit. Arrija ta përballoja mirë paralizën, kështu që bashkë me Xhojsin e pranuam ftesën me gëzim. Nga përvoja, e dinim se Jehovai gjithmonë na jep forcën e duhur, nëse përpiqemi të bëjmë vullnetin e tij. Sa shpejt kaluan pesë muajt e stërvitjes intensive që morëm në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, që ndodhej në Lansingun Jugor, një vend i bukur në Nju-Jork, SHBA. Studentët ishin kryesisht çifte që shërbenin në veprën udhëtuese. Kur klasën e pyetën nëse donte ndokush të dilte vullnetar për të shërbyer si misionar në vende të huaja. Unë me Xhojsin ishim ndër ata që dolën vullnetarë. Ku do të shkonim? Në Ugandë, në Afrikën Lindore.

Meqë, në atë kohë, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Ugandë ishte e ndaluar, më këshilluan që të vendosesha me banim atje dhe të gjeja një punë. Pas një udhëtimi të gjatë me tren dhe anije, mbërritëm në Kampalë të Ugandës. Punonjësit në zyrën e emigrimit nuk ishin të gëzuar kur na panë, por na lejuan të qëndronim vetëm disa muaj. Pastaj na urdhëruan të largoheshim. Nga selia morëm udhëzime që të shkonim në Rodezinë Veriore (tani Zambie). Ishte gëzim i madh për ne kur takuam katër nga shokët tanë të klasës së Galaadit, që ishin Frenk e Keri Ljuisi dhe Heiz e Harrjet Haskinsi. Që atje, pas pak kohe na caktuan përsëri në Rodezinë Jugore (tani Zimbabve).

Udhëtuam me tren dhe, para se të arrinim në Bulavajo, për herë të parë pamë kalimthi Ujëvarën e mrekullueshme Viktoria. Qëndruam për pak kohë me familjen Meklaki, të cilët ishin ndër Dëshmitarët e parë që ishin vendosur atje. Ishte privilegj për ne t’i njihnim aq mirë gjatë 16 vjetëve që pasuan.

Përshtatemi me ndryshimet

Pasi u stërvitëm dy javë për të njohur territorin afrikan, u caktova si mbikëqyrës krahinor. Për të predikuar në zemër të pyjeve afrikane, duhet të merrnim me vete: ujë, bukë, shtresa për të fjetur, ndërresa, aparat projektimi, gjenerator, një ekran të madh dhe gjëra të tjera të nevojshme. Të gjitha këto i ngarkonim në një kamion të përshtatshëm për rrugën e keqe.

Punova me mbikëqyrësit qarkorë afrikanë, kurse Xhojsi me gëzim ndihmoi gratë dhe fëmijët që vinin me ne. Të ecësh në savanën afrikane, mund të jetë shumë e lodhshme, sidomos në piskun e vapës. Megjithatë, shumë shpejt kuptova se në këtë lloj klime mund t’i përballoja më mirë kufizimet e mia fizike, dhe isha vërtet i kënaqur për këtë.

Në përgjithësi njerëzit ishin të varfër. Por tregonin respekt të madh për Biblën, megjithëse shumë prej tyre ishin të rrënjosur në traditat, në besëtytnitë e veta, dhe ishin poligamë. Në disa zona, mbledhjet e kongregacionit mbaheshin nën hijen e pemëve të mëdha dhe gjatë mbrëmjeve varnim llamba vaji në pemë. Gjithmonë provonim një ndjenjë të thellë nderimi për Perëndinë kur studionim Fjalën e tij nën qiellin plot yje, pjesë e mrekullueshme e krijimit të tij.

Shfaqja e filmave të Shoqatës Watch Tower në rezervatet afrikane ishte një përvojë tjetër e paharrueshme. Një kongregacion mund të kishte deri në 30 Dëshmitarë, por në këto raste e dinim se shpesh priteshin të vinin 1.000 veta a më shumë.

Dihet që në vendet tropikale mund të kesh probleme nga shëndeti, por kryesorja është të kesh një pikëpamje pozitive. Unë dhe Xhojsi mësuam t’ia dilnim mbanë. Mua më duhej të përballesha herë pas here me malarien, ndërsa Xhojsi vuante nga një sëmundje që shkaktohej nga paraziti i amebës.

Më vonë u caktuam në zyrën e degës në Sollsberi (tani Harare), ku patëm privilegjin të punonim së bashku me shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait, si Lester Dejvi dhe Xhorxh e Rubi Bradli. Mora autorizimin nga qeveria për të celebruar martesa, e kjo më dha mundësinë të drejtoja ceremonitë e martesave të vëllezërve afrikanë, duke forcuar kështu martesat e krishtere brenda kongregacionit. Pak vjet më vonë pata një privilegj tjetër. Duhej të vizitoja të gjitha kongregacionet e vendit që flisnin gjuhë të huaja. Për më shumë se dhjetë vjet, ishte kënaqësi për mua dhe Xhojsin të njihnim vëllezërit tanë gjatë këtij shërbimi dhe na gëzonte rritja e tyre frymore. Gjatë asaj kohe vizituam edhe vëllezërit në Botsvanë e Mozambik.

Ndërrojmë vend përsëri

Pas shumë vitesh të bukura në vendet e jugut të Afrikës, në vitin 1975 u caktuam në Sierra-Leone, në Afrikën Perëndimore. Shumë shpejt u transferuam në zyrën e degës për të filluar një veprimtari të re, por nuk zgjati shumë. U sëmura dhe i humba forcat nga një goditje e rëndë e malaries. Ndaj m’u desh të shkoja në Londër për t’u kuruar, ku më këshilluan të mos kthehesha më në Afrikë. Kjo na trishtoi shumë mua dhe Xhojsin, por familja Bethel në Londër na pritën me ngrohtësi. Gjithë ata vëllezër afrikanë në shumë kongregacione të Londrës, na bënin të ndiheshim si në shtëpi. Kur u bëra më mirë, u përshtatëm me një rutinë tjetër, dhe më kërkuan të shërbeja në repartin e blerjeve. Duke parë zgjerimin e familjes në vitet që pasuan, ky ishte një caktim mjaft interesant.

Në fillim të viteve 90, Xhojsi im e shtrenjtë vuajti nga një sëmundje që e pengonte të lëvizte, dhe vdiq në vitin 1994. Ishte një grua e dashur dhe besnike, gjithmonë e gatshme të përshtatej me ndryshimin e rrethanave që hasëm bashkë. Kam kuptuar se, për të përballuar një humbje të tillë, është e rëndësishme të kesh një pikëpamje frymore të qartë dhe t’i mbash sytë nga e ardhmja. Përveç këtyre, ato që më ndihmojnë ta kem mendjen të mbushur me gjëra të tjera, janë lutjet që i bëj Jehovait për t’iu përmbajtur një programi të mirë teokratik, ku përfshihet edhe predikimi.​—Fjalët e urta 3:5, 6.

Të shërbesh në Bethel, është një privilegj dhe një mënyrë e mrekullueshme për të jetuar. Ka shumë të rinj me të cilët punoj dhe mjaft raste për t’u gëzuar. Një bekim është edhe numri i vizitorëve që presim këtu në Londër. Ndonjëherë takoj disa nga miqtë e vjetër që kam pasur kur isha në Afrikë, dhe më vërshojnë kujtime të bukura nga e kaluara. Të gjitha këto më ndihmojnë të vazhdoj ta gëzoj plotësisht ‘jetën e tashme’ dhe të shpresoj e të meditoj për jetën «që do të vijë».​—1 Timoteut 4:8.

[Shënimi]

^ par. 5 Botuar në vitin 1928 nga Dëshmitarët e Jehovait, por nuk shtypet më.

[Figura në faqen 25]

Me nënën time në vitin 1946

[Figura në faqen 26]

Me Xhojsin, ditën e dasmës në vitin 1950

[Figura në faqen 26]

Në vitin 1953, në një kongres në Bristol

[Figurat në faqen 27]

Gjatë shërbimit në një grup të izoluar (sipër) dhe në një kongregacion në Rodezinë Jugore, tani Zimbabve (majtas)