Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i ruan ata që shpresojnë tek ai

Jehovai i ruan ata që shpresojnë tek ai

Jehovai i ruan ata që shpresojnë tek ai

«Dashamirësia dhe besnikëria jote le të më ruajnë vazhdimisht.»​—Psalmi 40:11, Br.

1. Çfarë i kërkoi mbreti David Jehovait, dhe si është plotësuar tani kjo kërkesë?

MBRETI David i Izraelit të lashtë ‘shpresonte me zjarr te Jehovai’, dhe kjo e bëri të thoshte që Jehovai «e ktheu veshin nga [ai] dhe e dëgjoi thirrjen [e tij] për ndihmë». (Psalmi 40:1, BR) Shumë herë me radhë, ai e pa me sytë e tij se si i ruante Jehovai ata që e donin. Prandaj, mund t’i kërkonte Jehovait që ta ruante vazhdimisht. (Psalmi 40:11, BR) Davidi radhitet ndër burrat dhe gratë me besim, të cilëve u është premtuar ‘një ringjallje më e mirë’, dhe tani është i sigurt në kujtesën e Jehovait, si një nga ata që do ta marrin këtë shpërblim. (Hebrenjve 11:32-35) Kështu, ai e ka siguruar më së miri të ardhmen. Emri i tij është shkruar në ‘librin e kujtimit’ të Jehovait.​—Malakia 3:16.

2. Sipas Shkrimeve, në ç’kuptim na ruan Jehovai?

2 Ndonëse njerëzit besnikë që përmenden në kapitullin e 11-të të letrës drejtuar hebrenjve, jetuan para se të vinte Jezu Krishti në tokë, ata jetuan në përputhje me atë që mësoi Jezui: «Ai që tregon përzemërsi për shpirtin e tij, e shkatërron, por ai që e urren shpirtin e tij në këtë botë, do ta ruajë atë për jetë të përhershme.» (Gjoni 12:25) Pra, është e vërtetë që Jehovai na ruan, por kjo s’do të thotë se jemi të paprekshëm nga vuajtjet ose përndjekja. Do të thotë se ai na mbron në kuptimin frymor, me qëllim që të arrijmë të mbajmë një qëndrim të miratuar para tij.

3. Çfarë provash kemi se Jehovai e ruajti Krishtin Jezu, e cili ishte rezultati?

3 Edhe vetë Jezui e provoi përndjekjen mizore dhe sharjen, e madje armiqtë e tij së fundi arritën ta vritnin në një mënyrë shumë çnderuese dhe të dhembshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Perëndia s’e mbajti premtimin e tij për ta ruajtur Mesinë. (Isaia 42:1-6) Ringjallja e Jezuit, ditën e tretë pas kësaj vdekjeje çnderuese, tregon se Jehovai e dëgjoi thirrjen e Jezuit për ndihmë, pikërisht siç kishte dëgjuar thirrjen e Davidit. Jehovai u përgjigj duke i dhënë Jezuit forcën e duhur për të mbajtur integritetin. (Mateu 26:39) Falë kësaj mbrojtjeje, Jezui fitoi pavdekësinë në qiej, dhe miliona njerëz që kanë treguar besim te shpërblesa, kanë fituar shpresën e jetës së përhershme.

4. Çfarë sigurie u është dhënë të krishterëve të mirosur dhe ‘deleve të tjera’?

4 Mund të jemi të sigurt se edhe sot Jehovai është po kaq i gatshëm dhe i aftë që t’i ruajë shërbëtorët e tij, si në ditët e Davidit dhe të Jezuit. (Jakovi 1:17) Vëllezërit e mirosur të Jezuit që janë ende në tokë dhe që kanë mbetur relativisht pak, mund t’i besojnë premtimit të Jehovait: «Një trashëgimi [e] paprishshme, [e] pandotur dhe që s’venitet . . . është rezervuar në qiej për ju, që fuqia e Perëndisë po ju ruan nëpërmjet besimit për një shpëtim që është gati për t’u zbuluar në periudhën e fundit të kohës.» (1 Pjetrit 1:4, 5) Edhe ‘delet e tjera’, që kanë shpresën për të jetuar në tokë, mund t’i besojnë Perëndisë dhe premtimit që bëri ai nëpërmjet psalmistit: «Duajeni Jehovain, të gjithë ju besnikët e tij! Jehovai i mbron ata që janë të besueshëm.»​—Gjoni 10:16; Psalmi 31:23, BR.

I ruan në kuptimin frymor

5, 6. (a) Si e ka ruajtur Perëndia popullin e tij në kohët e sotme? (b) Çfarë marrëdhënieje kanë të mirosurit me Jehovain? Po ata që kanë shpresë tokësore?

5 Në kohët e sotme, Jehovai ka marrë masa për ta ruajtur popullin e tij në kuptimin frymor. Ndonëse nuk i mbron nga përndjekjet ose nga vështirësitë dhe ngjarjet tragjike që janë të zakonshme në jetë, ai me besnikëri u ka dhënë ndihmën dhe inkurajimin e duhur për të ruajtur marrëdhënien e ngushtë që kanë me të. Baza mbi të cilën e kanë ndërtuar këtë marrëdhënie shërbëtorët e tij, është besimi i tyre te shpërblesa, te kjo masë e dashur që ka marrë Perëndia. Disa nga këta të krishterë besimplotë janë mirosur nga fryma e Perëndisë për t’u bërë bashkësundimtarë me Krishtin në qiell. Ata janë shpallur të drejtë si bij frymorë të Perëndisë, dhe për ta zbatohen këto fjalë: «Ai na çliroi nga autoriteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij, me anë të të cilit ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës, faljen e mëkateve tona.»​—Kolosianëve 1:13, 14.

6 Edhe miliona të krishterë të tjerë besimplotë kanë sigurinë se mund të nxjerrin dobi nga shpërblesa që ka siguruar Perëndia. Lexojmë: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave.» (Marku 10:45) Këta të krishterë presin me padurim që, në kohën e duhur, të gëzojnë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Romakëve 8:21) Ndërkohë, e çmojnë shumë miqësinë që kanë me Perëndinë dhe me gjithë zemër përpiqen ta forcojnë këtë miqësi.

7. Në ç’mënyrë e ruan Jehovai popullin e tij sot, që të mbajë një qëndrim të mirë frymor?

7 Një mënyrë se si e ruan Jehovai popullin e tij që të mbajë një qëndrim të mirë frymor, është duke siguruar një program stërvitjeje të vazhdueshme. Kjo i lejon që të marrin një njohuri gjithnjë e më të saktë për të vërtetën. Gjithashtu, Jehovai siguron vazhdimisht udhëheqje nëpërmjet Fjalës, organizatës dhe frymës së tij të shenjtë. Nën drejtimin e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, populli i Perëndisë në mbarë botën është si një familje ndërkombëtare. Klasa e skllavit kujdeset për nevojat frymore dhe, kur është e nevojshme, edhe për nevojat fizike të familjes së shërbëtorëve të Jehovait, pavarësisht nga kombi ose shtresa e tyre shoqërore.​—Mateu 24:45.

8. Për çfarë është i sigurt Jehovai lidhur me shërbëtorët e tij besnikë, e për çfarë i siguron?

8 Ashtu si nuk e mbrojti fizikisht Jezuin nga sulmet e armiqve të tij, Jehovai nuk i mbron në këtë mënyrë as të krishterët sot. Por kjo kurrsesi nuk do të thotë se Perëndia është i pakënaqur me ne. Përkundrazi, tregon qartë se ai është i sigurt që ne do të mbajmë anën e tij në çështjen kryesore universale. (Jobi 1:8-12; Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Jehovai nuk do t’i braktisë kurrë ata që i qëndrojnë besnikë, sepse ai «e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë».​—Psalmi 37:28.

Dashamirësia dhe besnikëria na ruajnë

9, 10. (a) Si e ruan besnikëria e Jehovait popullin e Tij? (b) Si tregon Bibla se Jehovai i ruan besnikët e tij me anë të dashamirësisë që tregon?

9 Në lutjen që gjejmë te Psalmi 40, Davidi i kërkoi Jehovait që dashamirësia dhe besnikëria e Tij ta ruanin. Besnikëria e Jehovait dhe dashuria e tij për drejtësinë kërkojnë që ai t’i parashtrojë qartë normat e tij. Ata që jetojnë sipas këtyre normave, janë mjaft të mbrojtur nga shqetësimet, ankthet dhe problemet që hasin individët që i shpërfillin normat e Perëndisë. Për shembull, në qoftë se i rrimë larg drogës, abuzimit me alkoolin, shthurjes seksuale dhe sjelljes së dhunshme, mund të mbrojmë veten dhe familjen nga shumë probleme të vështira. Madje edhe ata që shmangen nga udha e besnikërisë së Jehovait​—siç bëri disa herë Davidi​—kanë sigurinë se Perëndia ende është ‘një vend strehimi’ për keqbërësit që pendohen. Këta mund të thërrasin me gëzim: «Ti do të më ruash nga fatkeqësia.» (Psalmi 32:7) Sa shprehje e fuqishme e dashamirësisë së Perëndisë!

10 Një shembull tjetër i dashamirësisë së Perëndisë është se ai i paralajmëron shërbëtorët e tij që të qëndrojnë të ndarë nga bota e ligë, të cilën do ta shkatërrojë së shpejti. Lexojmë: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të; sepse gjithçka që është në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës nuk vjen nga Ati, por nga bota.» Duke i kushtuar vëmendje këtij paralajmërimi e duke vepruar sipas tij, mund ta ruajmë vërtet jetën tonë për gjithë përjetësinë, pasi shkrimi vazhdon: «Për më tepër, bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»​—1 Gjonit 2:15-17.

Aftësia për të menduar, aftësia dalluese dhe mençuria na ruajnë

11, 12. Shpjegoni se si na ruajnë aftësia për të menduar, aftësia dalluese dhe mençuria.

11 Nën frymëzim, Solomoni, biri i Davidit, u shkroi atyre që dëshirojnë të fitojnë miratimin e Perëndisë: «Aftësia për të menduar do të të ruajë, aftësia dalluese do të të mbrojë.» Gjithashtu, i nxiti: «Fito mençuri . . . Mos e lër mençurinë, dhe ajo do të të ruajë. Duaje, dhe ajo do të të mbrojë.»​—Proverbat 2:11; 4:5, 6, BR.

12 Kur meditojmë rreth asaj që mësojmë nga Fjala e Perëndisë, po vëmë në punë aftësinë për të menduar. Kjo na jep mundësinë të mprehim aftësinë dalluese, me qëllim që të kuptojmë çfarë duhet të ketë përparësi në jetën tonë. Kjo është jetësore, sepse shumica prej nesh e dinë (ndoshta nga përvoja) që problemet lindin atëherë kur njerëzit, me dashje ose pa dashje, nuk tregohen të mençur kur përcaktojnë çfarë ka më shumë rëndësi. Bota e Satanait na vë përpara synime të tilla, si pasurinë, famën dhe pushtetin, kurse Jehovai e vë më shumë theksin te gjërat frymore, të cilat janë më të rëndësishme. Kur nuk u jepet përparësi vlerave frymore, por të tjerave, mund të ndodhë që të shpërbëhen familjet, të prishen miqësitë dhe të veniten synimet frymore. Si pasojë, një njeriu do t’i mbetej vetëm realiteti i hidhur që tregojnë fjalët e Jezuit: «Ç’dobi ka njeriu të fitojë gjithë botën e të humbasë shpirtin e vet?» (Marku 8:36) Mençuria na shtyn t’i vëmë veshin këshillës së Jezuit: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij [të Perëndisë] dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—Mateu 6:33.

Rreziku i përqendrimit te vetja

13, 14. Çfarë do të thotë të përqendrohesh te vetja dhe përse nuk është e mençur kjo?

13 Nga natyra, njerëzit interesohen për veten e tyre. Mirëpo, kur dëshirat dhe interesat vetjake bëhen kryesore në jetë, atëherë fillojnë telashet. Prandaj, që të ruajmë miqësinë tonë me Jehovain, ai na udhëzon të mos përqendrohemi te vetja. Kjo shprehje tregon që një njeri «mendon vetëm për dëshirat, nevojat ose interesat e tij». A nuk janë pikërisht kështu shumë njerëz sot? Është domethënëse që Bibla parathotë se, «në ditët e fundit» të sistemit të lig të Satanait, «njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes» ose do të përqendrohen vetëm te vetja.​—2 Timoteut 3:1, 2.

14 Të krishterët e kuptojnë sa e mençur është të zbatojnë urdhrin e Biblës për t’u interesuar për të tjerët, për t’i dashur si veten. (Luka 10:27; Filipianëve 2:4) Kjo mund të mos u duket realiste njerëzve në përgjithësi, megjithatë është jetësore nëse duam të kemi një martesë të suksesshme, një familje të lumtur dhe miqësi që na kënaqin. Kështu, një shërbëtor i vërtetë i Jehovait nuk duhet të lejojë kurrë që interesimi i natyrshëm për veten të arrijë deri në atë pikë sa të mbizotërojë jetën e tij, kështu që të mos mendojë fare për interesa më të rëndësishme. Më të rëndësishmet ndër këto janë interesat e Jehovait, Perëndisë që ai adhuron.

15, 16. (a) Ku mund të çojë përqendrimi te vetja, dhe cilët shembuj e tregojnë këtë? (b) Çfarë po bën në të vërtetë një njeri që është gati t’i gjykojë menjëherë të tjerët?

15 Një njeri që përqendrohet tepër te vetja, mund të shkojë deri aty sa të mendojë se ka gjithnjë të drejtë, e kjo pastaj e bën mendjengushtë dhe arrogant. Me të drejtë Bibla thotë: «Prandaj, o njeri, cilido qofsh, je i pajustifikueshëm nëse gjykon; sepse për atë gjë që ti gjykon një tjetër, dënon veten tënde, përderisa ti që gjykon, praktikon të njëjtat gjëra.» (Romakëve 2:1; 14:4, 10) Udhëheqësit fetarë të kohës së Jezuit ishin kaq të bindur se kishin gjithnjë të drejtë, saqë e ndien veten të aftë të kritikonin Jezuin dhe ithtarët e tij. Duke vepruar kështu, e vunë veten në pozitën e gjykatësve. Por, ngaqë nuk arrinin të dallonin ku çalonin vetë, faktikisht po dënonin veten e tyre.

16 Juda, ithtari që tradhtoi Jezuin, e lejoi veten të bëhej një njeri që gjykonte të tjerët. Kur ishin në Betani, në rastin kur e motra e Lazarit, Maria, i leu këmbët Jezuit me vaj të parfumuar, Juda kundërshtoi ashpër. E tregoi indinjatën e tij me këto fjalë: «Pse nuk u shit ky vaj i parfumuar për treqind denarë e t’u jepej të varfërve?» Pastaj tregimi vazhdon: «Megjithatë, ai nuk e tha këtë se merakosej për të varfrit, por se ishte hajdut dhe kishte arkën e parave dhe merrte paratë e vëna në të.» (Gjoni 12:1-6) Mos u bëfshim kurrë si Juda ose si udhëheqësit fetarë, të cilët ishin gati t’i gjykonin menjëherë të tjerët, por vetëm sa dënonin veten!

17. Ilustroni sa e rrezikshme është të shesim mend ose të bëhemi tepër të sigurt në vetvete.

17 Mjerisht, disa të krishterë të hershëm, edhe pse nuk ishin hajdutë si Juda, ranë viktimë e krenarisë dhe filluan të shitnin mend. Jakovi shkroi për ta: «Ju ndiheni krenarë që shitni mend.» Pastaj shtoi: «Gjithë kjo krenari është e ligë.» (Jakovi 4:16) Të mburremi për atë që kemi bërë ose për privilegjet që kemi në shërbim të Jehovait, është në dëmin tonë. (Fjalët e urta 14:16) E kujtojmë se çfarë i ndodhi apostullit Pjetër, i cili, në një çast kur ndihej tepër i sigurt në vetvete, u mburr: «Edhe po të pengohen në lidhje me ty të gjithë të tjerët, unë nuk do të pengohem kurrë! . . . Edhe sikur të më duhej të vdisja me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja.» Në të vërtetë, s’kemi për çfarë të mburremi në lidhje me veten. Çdo gjë që kemi, vjen vetëm falë dashamirësisë së Jehovait. Po ta mbajmë këtë gjë parasysh, kjo nuk do të na lërë të shesim mend.​—Mateu 26:33-35, 69-75.

18. Çfarë mendon Jehovai për krenarinë?

18 Bibla thotë: «Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.» Pse? Jehovai përgjigjet: ‘Unë e urrej kryelartësinë dhe arrogancën.’ (Fjalët e urta 8:13; 16:18) Ja pse Jehovai ishte shumë i zemëruar me ‘mendjemadhësinë e zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë’! (Isaia 10:12) Jehovai i kërkoi llogari dhe e ndëshkoi për këtë. Së shpejti, e gjithë bota e Satanait, së bashku me udhëheqësit e saj krenarë e të krekosur, të dukshëm e të padukshëm, do të japin llogari e do të ndëshkohen. Kurrë të mos e imitojmë qëndrimin kokëfortë të kundërshtarëve të Jehovait!

19. Pse janë krenarë, por edhe të përulur, shërbëtorët e Perëndisë?

19 Të krishterët e vërtetë kanë çdo arsye për të qenë krenarë që janë shërbëtorë të Jehovait. (Jeremia 9:24) Por, njëkohësisht, kanë çdo arsye që të mbeten të përulur. Përse? Sepse «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Prandaj, për të ruajtur privilegjin tonë si shërbëtorë të Jehovait, duhet të kemi qëndrimin e apostullit Pavël, i cili tha se «Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët». Dhe pastaj shtoi: «Ndër këta unë jam i pari.»​—1 Timoteut 1:15.

20. Në ç’kuptim e ruan tani Jehovai popullin e tij, e si do ta ruajë në të ardhmen?

20 Meqenëse shërbëtorët e Jehovait me kënaqësi i vënë në vend të dytë interesat e tyre, për të vënë në vend të parë interesat e tij, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë t’i ruajë ata frymësisht. Gjithashtu, mund të jemi të sigurt se, kur të fillojë shtrëngimi i madh, Jehovai do ta ruajë popullin e tij jo vetëm në kuptimin frymor, por edhe fizik. Kur të hyjnë në botën e re të Perëndisë, ata do të kenë mundësi të thërrasin: «Ja, ky është Perëndia ynë; tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!»​—Isaia 25:9.

A ju kujtohet?

• Si i ruajti Perëndia mbretin David dhe Jezu Krishtin?

• Si i ruan sot Jehovai shërbëtorët e tij?

• Pse nuk duhet ta vëmë shumë theksin te vetja?

• Pse mund të jemi krenarë, por njëkohësisht edhe të përulur?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

Si i ruajti Jehovai Davidin dhe Jezuin?

[Figurat në faqen 11]

Si i mbron sot frymësisht Perëndia shërbëtorët e tij?

[Figurat në faqen 12]

Ndonëse jemi krenarë që i shërbejmë Jehovait, ne duhet të mbetemi të përulur