Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer

Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer

Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer

«MBAJENI të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve»,​—këshilloi apostulli Pjetër. (1 Pjetrit 2:12) Fjala greke që përkthehet ‘e shkëlqyer’, këtu i referohet diçkaje që është «e bukur, fisnike, e nderuar, shumë e mirë». Në ditët e sotme, mund të tingëllojë si jorealiste dhe e pamundur të presësh që njerëzit në përgjithësi të kenë një sjellje fisnike ose të nderuar. Megjithatë, në përgjithësi, populli i Jehovait sot ka arritur t’i përmbahet këshillës së Pjetrit. Në të vërtetë, ata njihen në mbarë botën për sjelljen e tyre të shkëlqyer.

Kjo vlen të përmendet sidomos kur mendojmë për streset dhe problemet që hasim gjatë këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’. (2 Timoteut 3:1) Sprovat janë pjesë e jetës sonë të përditshme, dhe kundërshtimi është diçka e zakonshme në jetën e një të krishteri. Jo vetëm kaq, por, ndërsa disa sprova janë jetëshkurtra, disa të tjera vazhdojnë pa pushim, madje bëhen gjithnjë e më të forta. Pavarësisht nga kjo, apostulli Pavël këshilloi: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» (Galatasve 6:9) Por, si është e mundur të bëjmë​—dhe të vazhdojmë të bëjmë​—atë që është e shkëlqyer, kur jemi përballë sprovave të mëdha dhe përballë sulmeve të pareshtura?

Çfarë na ndihmon të bëjmë atë që është e shkëlqyer?

Epitetet «fisnike, e nderuar, e mrekullueshme» përshkruajnë qartë njeriun e brendshëm, cilësitë e zemrës. Prandaj, të mbash një sjellje të shkëlqyer përballë sprovave dhe problemeve, nuk është diçka e çastit, por vjen si rezultat i ndjekjes dhe zbatimit të përditshëm të parimeve biblike në të gjitha fushat e jetës. Çfarë mund të na ndihmojë në këtë drejtim? Shqyrtoni pjesën e mëposhtme.

Të zhvillojmë qëndrimin mendor të Krishtit. Kërkohet përulësi për të duruar atë që mund të duket e padrejtë. Një njeri që e mbivlerëson veten, e ka të vështirë të tolerojë keqtrajtimin. Por, Jezui «e përuli veten dhe u bë i bindur deri në vdekje». (Filipianëve 2:5, 8) Nëse imitojmë atë, ‘nuk do të lodhemi dhe nuk do të ligështohemi’ në shërbimin tonë të shenjtë. (Hebrenjve 12:2, 3) Duhet të jemi të bindur e të përulur, duke bashkëpunuar me gatishmëri me ata që marrin drejtimin në kongregacion. (Hebrenjve 13:17) Dhe duhet të mësojmë t’i shohim të tjerët si «më të lartë» se veten, duke vendosur interesat e tyre para interesave tona.​—Filipianëve 2:3, 4.

Të mos harrojmë se Jehovai na do. Duhet të jemi të bindur se Jehovai «është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Ai kujdeset vërtet për ne dhe dëshiron që të marrim jetën e përhershme. (1 Timoteut 2:4; 1 Pjetrit 5:7) Nëse kujtojmë se asgjë nuk mund ta shuajë dashurinë që Perëndia ka për ne, kjo mund të na ndihmojë që të mos dorëzohemi përballë sprovave.​—Romakëve 8:38, 39.

Të kemi besim të plotë te Jehovai. Besimi te Jehovai është themelor, sidomos kur sprovat duken të pafundme ose janë me rrezik për jetën. Duhet të kemi besim të plotë se Jehovai nuk do të lejojë të sprovohemi ‘përtej asaj që mund të mbajmë’, dhe se ai gjithmonë ‘do të sigurojë rrugëdaljen’. (1 Korintasve 10:13) Madje edhe kërcënimin me vdekje mund ta përballojmë me guxim, nëse kemi besim te Jehovai.​—2 Korintasve 1:8, 9.

Të ngulmojmë në lutje. Lutjet nga zemra janë tepër të rëndësishme. (Romakëve 12:12) Lutja e sinqertë është një nga mënyrat nëpërmjet së cilës afrohemi më shumë me Jehovain. (Jakovi 4:8) Nga përvoja kemi mësuar se «çfarëdo që të kërkojmë . . . , ai na dëgjon». (1 Gjonit 5:14) Nëse Jehovai lejon që sprovat tona të vazhdojnë të vënë në provë integritetin tonë, atëherë të lutemi që të na ndihmojë të qëndrojmë të fortë. (Luka 22:41-43) Nga lutja mësojmë se nuk jemi kurrë vetëm, se me Jehovain që na qëndron përkrah, gjithmonë do të dalim fitimtarë.​—Romakëve 8:31, 37.

Veprat e shkëlqyera: ‘shkak për lëvdim dhe nderim’

Herë pas here, të gjithë të krishterët ‘hidhërohen nga sprova të ndryshme’. Prapëseprapë, nuk duhet ‘të dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer’. Kur jemi nën stres, të marrim forcë nga fakti që besnikëria jonë përfundimisht do të jetë «shkak për lëvdim, lavdi dhe nderim». (1 Pjetrit 1:6, 7) Të përfitojmë plotësisht nga të gjitha mundësitë frymore që na ka dhënë Jehovai për të forcuar besimin. Kur kemi një problem që kërkon vëmendje të veçantë, t’u drejtohemi atyre që shërbejnë si mbikëqyrës, mësues dhe këshillues në kongregacionin e krishterë. (Veprat 20:28) Të ndjekim rregullisht të gjitha mbledhjet e kongregacionit, të cilat na ‘nxitin për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’. (Hebrenjve 10:24) Programi për leximin e përditshëm të Biblës dhe për studimin personal, si edhe pjesëmarrja e rregullt në shërbimin e krishterë do të na ndihmojnë të qëndrojmë syçelë dhe të fortë frymësisht.​—Psalmi 1:1-3; Mateu 24:14.

Sa më shumë ta provojmë dashurinë dhe kujdesin e Jehovait, aq më shumë do të kemi dëshirë për të qenë «të zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Titit 2:14) Të mos harrojmë se «ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë». (Mateu 24:13) Po, të jemi të vendosur që «të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer»!

[Diçitura në faqen 22]

Duhet të kemi besim të plotë se Jehovai nuk do të lejojë të sprovohemi ‘përtej asaj që mund të mbajmë’, dhe se ai gjithmonë ‘do të sigurojë rrugëdaljen’

[Figurat në faqen 30]

Po të përqendrohemi në veprimtaritë teokratike, do të jemi të përgatitur për të përballuar sprovat