Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një popull i ndershëm i sjell lavdi Jehovait

Një popull i ndershëm i sjell lavdi Jehovait

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Një popull i ndershëm i sjell lavdi Jehovait

NË MBARË tokën, Dëshmitarët e Jehovait, të mëdhenj e të vegjël, njihen për ndershmërinë e tyre. Le të shohim disa shembuj nga tri kontinente.

Olusola, një vajzë 17-vjeçare që jeton në Nigeri, po kthehej nga shkolla një ditë, kur gjeti përtokë një portofol. Ia çoi drejtorit të shkollës, i cili numëroi paratë në portofol, një shumë prej 6.200 nairash (rreth 45 dollarë). Drejtori ia ktheu portofolin mësuesit që e kishte humbur. Në shenjë mirënjohjeje, mësuesi i dha Olusolës 1.000 naira (rreth 7 dollarë) dhe i tha që të përballonte shpenzimet e shkollës me to. Kur nxënësit e tjerë e morën vesh këtë ngjarje, e tallën Olusolën. Disa javë më vonë, një nxënësi i vodhën paratë, kështu që mësuesve iu tha të kontrollonin gjithë nxënësit. «Ti rri këtu,​—i tha mësuesi Olusolës.​—Unë e di që je Dëshmitare e Jehovait, prandaj ti nuk vjedh.» Paratë iu gjetën dy prej djemve që ishin tallur me Olusolën, dhe për këtë u ndëshkuan rëndë. Olusola shkroi: «Jam shumë e lumtur që më njohin si një nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilët nuk vjedhin kurrë, dhe kështu i sjellin lavdi Jehovait.»

Një ditë, kur po dilte nga shtëpia, Marseloja nga Argjentina, gjeti një valixhe përtokë, ca metra larg derës së tij. E mori valixhen brenda dhe, së bashku me të shoqen, e hapën me kujdes. Sa u habitën kur panë që kishte një shumë të madhe parash, karta krediti dhe disa çeqe të firmosura, njëri prej të cilëve kishte vlerën një milion pesos. Në një faturë, gjetën një numër telefoni. I telefonuan pronarit të valixhes dhe u morën vesh që të vinte ta merrte valixhen me gjithë ç’kishte, te vendi i punës së Marselos. Kur erdhi pronari, dukej i shqetësuar. Punëdhënësi i Marselos i tha të qetësohej, pasi Marseloja ishte Dëshmitar i Jehovait. Si shpërblim që kishte gjetur valixhen, i zoti i saj i dha Marselos vetëm 20 pesos (rreth 6 dollarë). Kjo e nxehu jashtë mase punëdhënësin e Marselos, sepse i kishte bërë shumë përshtypje ndershmëria e tij. Marseloja përfitoi nga rasti për t’i shpjeguar se, meqë është Dëshmitar i Jehovait, ai do që të jetë gjithnjë i ndershëm.

Në Kirgizistan ka ndodhur kjo përvojë. Rinati, një djalë 6-vjeçar, gjeti një portofol që ishte i një fqinjës së tij. Në të kishte 1.100 som (rreth 25 dollarë). Kur Rinati ia ktheu zonjës portofolin, ajo i numëroi paratë dhe i tha mamasë së Rinatit se mungonin 200 som. Rinati tha se nuk i kishte marrë ai paratë. Atëherë, që të tre dolën t’i kërkonin dhe i gjetën paratë afër vendit ku ishte gjetur portofoli. Gruaja mbeti e mahnitur. I falënderoi që i kthyen paratë e humbura dhe e lavdëroi nënën e Rinatit që po i jep të birit një edukatë të krishterë.