Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për ku po shkon kjo botë?

Për ku po shkon kjo botë?

Për ku po shkon kjo botë?

UNITET BOTËROR. Sa bukur tingëllon! A nuk e dëshirojnë të gjithë? Është folur kaq shumë për të. Herë pas here, udhëheqësit botërorë mblidhen kryesisht për të trajtuar këtë çështje. Në gusht të vitit 2000, më shumë se 1.000 udhëheqës fetarë u mblodhën në selinë e OKB-së në Nju-Jork për Takimin e Nivelit të Lartë të Mijëvjeçarit për Paqen Botërore. Ata diskutuan për zgjidhjen e konflikteve botërore. Por, vetë konferenca ishte një pasqyrim i polemikave që ziejnë në botë. Një myfti nga Jerusalemi nuk pranoi të shkonte në këtë takim vetëm sepse atje ishte i pranishëm edhe një rabin hebre. Të tjerë u fyen që Dalai Lamën nuk e kishin ftuar dy ditët e para nga frika se mos kjo e kthente Kinën kundër.

Në tetor të vitit 2003, çështja e sigurisë botërore u diskutua nga vendet që lagen nga Oqeani Paqësor, në Takimin e Nivelit të Lartë për Bashkëpunimin Ekonomik Aziatiko-Paqësor (APEC), që u mbajt në Tajlandë. Të 21 vendet e pranishme u zotuan se do të shpërbënin grupet terroriste dhe ranë dakord për disa mënyra se si të rritnin sigurinë botërore. Megjithatë, gjatë konferencës disa përfaqësues u ankuan për komentet e një kryeministri, për të cilat thuhej se ishin një sulm plot urrejtje kundër hebrenjve.

Përse nuk ka unitet?

Megjithëse flitet kaq shumë për bashkimin e botës, konkretisht nuk shohim dhe aq rezultate. Pse uniteti botëror mbetet ende i paarritshëm për njerëzimin, me gjithë përpjekjet e sinqerta të shumë njerëzve, edhe pse jemi në shekullin e 21-të?

Kjo pyetje merr pjesërisht përgjigje nga komentet e njërit prej kryeministrave të pranishëm në konferencën e APEC-it. Ai tha: «Është për shkak të asaj që quhet krenari kombëtare.» Po, shoqërinë njerëzore e ka përpirë ndjenja e nacionalizmit. Çdo komb ose grup etnik nxitet nga dëshira për vetëvendosje. Ndërthurja e sovranitetit kombëtar me frymën e konkurrencës dhe me lakminë, ka krijuar një vorbull shpërthyese. Në shumë raste, kur interesat kombëtare bien ndesh me interesat mbarëbotërore, u jepet përparësi interesave kombëtare.

Nacionalizmi përshkruhet mjaft mirë nga fjalët e psalmistit, që tha se ai është «murtaja vdekjeprurëse». (Psalmi 91:3) Ai ka qenë si një murtajë për njerëzimin, që ka sjellë vuajtje të papërshkrueshme. Nacionalizmi, që shkakton urrejtjen për popujt e tjerë, ka ekzistuar për shekuj me radhë. Dhe sot, ai vazhdon t’i fryjë zjarrit të përçarjes, dhe udhëheqësit njerëzorë nuk kanë mundur ta ndalojnë.

Shumë autoritete e pranojnë që nacionalizmi dhe interesat vetjake janë shkaktarët kryesorë të problemeve botërore. Për shembull, Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, U Thant, tha: «Shumë nga problemet që hasim sot, shkaktohen ose vijnë si rezultat i pikëpamjeve të gabuara. . . . Ndër këto radhitet edhe nacionalizmi mendjengushtë​—‘mbetet atdheu im, ka apo s’ka të drejtë’.» Megjithatë, sot kombet, të përqendruara te interesat e veta, po ngrenë zërin gjithnjë e më tepër për sovranitetin e tyre. Dhe ata që e kanë në dorë, nuk duan të heqin dorë prej tij, qoftë edhe pak fare. Për shembull, gazeta International Herald Tribune shkruante kështu në lidhje me Bashkimin Evropian: «Rivaliteti dhe mosbesimi mbeten karakteristikat bazë të politikës evropiane. Për shumicën e vendeve anëtare në BE, është ende e papranueshme që një nga vendet anëtare të ketë më shumë ndikim dhe të marrë drejtimin.»

Fjala e Perëndisë, Bibla, i përshkruan saktë rezultatet e sundimit njerëzor kur thotë: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» (Predikuesi 8:9) Duke e copëtuar botën në kombe, disa grupe njerëzish, si edhe individë të ndryshëm, e kanë përjetuar në jetën e tyre përmbushjen e këtij parimi biblik: «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.»​—Fjalët e urta 18:1.

Krijuesi ynë, që di çfarë është më e mira për ne, kurrsesi nuk pati si qëllim që njerëzit të formonin qeveritë e tyre dhe të vetëqeveriseshin. Duke vepruar kështu, njeriu e ka shpërfillur qëllimin e Perëndisë dhe faktin që çdo gjë i përket Atij. Psalmi 95:3-5 thotë: «Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë. Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve. I tij është deti, sepse ai e ka bërë dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.» Perëndisë i takon me të drejtë të jetë Sovrani, prandaj të gjithë duhet të pranojnë qeverisjen e tij. Përpjekjet e kombeve për të pasur sovranitetin e tyre janë kundër vullnetit të Perëndisë.​—Psalmi 2:2.

Çfarë nevojitet?

E vetmja mënyrë që bota të bashkohet, është duke pasur vetëm një autoritet mbarëbotëror që mbron interesat e të gjithë njerëzve. Këtë e pranojnë mjaft njerëz që interesohen për këtë gjendje. Por ata që e pranojnë, shpesh e kërkojnë zgjidhjen në vendin e gabuar. Për shembull, shumë komentues, si edhe mjaft udhëheqës fetarë, i kanë shtyrë njerëzit t’i varin shpresat te Kombet e Bashkuara për të pasur unitet botëror. Megjithatë, organizatat njerëzore, pavarësisht nga idealet fisnike, nuk kanë arritur kurrë t’u japin zgjidhje problemeve ndërkombëtare të njerëzimit. Përkundrazi, shumë nga këto organizata janë vetëm një pasqyrim i përçarjes që ekziston ndërmjet kombeve të ndryshme.

Bibla na paralajmëron që të mos i mbajmë sytë nga institucionet njerëzore për zgjidhjen e problemeve. Ajo thotë: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.» (Psalmi 146:3) A do të thotë kjo se jemi fare të pashpresë për sa i përket unitetit botëror? Aspak. Ka një mënyrë tjetër për ta arritur atë.

Shumë njerëz nuk e dinë fare se Perëndia tashmë ka formuar një qeveri që është në gjendje ta bashkojë botën. Për Perëndinë Jehova, Bibla thotë: «E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë. Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.» (Psalmi 2:6, 8) Vini re se shkrimi i referohet Perëndisë Jehova si ai që ‘ka vendosur mbretin’, të cilin në vargun 7 ai vetë e quan «biri im». Ky nuk është askush tjetër veçse Biri më i lartë frymor i Perëndisë, Jezu Krishti, të cilit i është dhënë autoriteti mbi të gjitha kombet.

Si do të arrihet uniteti botëror?

Shumë njerëz nuk e pranojnë këtë sundim qiellor që ka vendosur Perëndia. Kombet me kokëfortësi kapen fort pas së drejtës së tyre të pretenduar për sovranitet. Megjithatë, Perëndia nuk do t’i tolerojë ata që s’duan ta pranojnë sovranitetin e tij dhe qeverinë që ka themeluar. Për ata që nuk duan ta pranojnë këtë qeveri, Psalmi 2:9 thotë: «Ti [Biri, Jezu Krishti] do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile.» E kuptojnë apo jo, kombet tani kanë hyrë në një rrugë që do t’i çojë drejt një konflikti me Perëndinë. Libri i fundit i Biblës flet për «mbretërit e mbarë tokës së banuar», të cilët mblidhen së bashku «në luftën e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14) Kombet dhe praktikat e tyre përçarëse do të zhduken. Kjo do t’i hapë rrugën qeverisë së Perëndisë që ta bëjë punën e saj pa u penguar nga asgjë.

Si Sovrani Universal, Perëndia Jehova, me anë të Birit të tij, do ta përdorë fuqinë me mençuri për të bërë ndryshimet e nevojshme për një botë të bashkuar. Qeveria e Perëndisë do të sjellë unitetin e vërtetë dhe do të bekojë të gjithë përkrahësit e drejtësisë. Pse të mos lexoni për pak minuta Psalmin 72 në Biblën tuaj? Aty jepet një përshkrim profetik i asaj që do të sjellë për njerëzimin sundimi i Birit të Perëndisë. Njerëzit anembanë botës do të jetojnë në unitet të vërtetë, dhe të gjitha problemet e tyre si shtypja, dhuna, varfëria e të tjera, nuk do të ekzistojnë më.

Në këtë botë të përçarë, shumë veta mendojnë se nuk është realiste të shpresosh diçka të tillë. Por do të ishte gabim të mendonim kështu. Premtimet e Perëndisë nuk kanë dalë kurrë bosh, dhe nuk do të dalin bosh as në të ardhmen. (Isaia 55:10, 11) A do t’ju pëlqente ta shihnit me sytë tuaj këtë ndryshim? Mund ta keni këtë privilegj. Në fakt tashmë ekziston një popull që po përgatitet për atë kohë. Ata vijnë nga të gjitha kombet, por në vend që të luftojnë, ata tani i nënshtrohen të bashkuar sovranitetit të Perëndisë. (Isaia 2:2-4) Cilët janë ata? Mbajnë emrin Dëshmitarë të Jehovait. Pse të mos pranoni ftesën për të vizituar vendin ku mbajnë mbledhjet? Ka shumë mundësi që t’ju kënaqë shoqëria e këndshme me një popull që mund t’ju ndihmojë t’i nënshtroheni sovranitetit të Perëndisë dhe të gëzoni një unitet që nuk do të marrë fund kurrë.

[Figurat në faqen 7]

Njerëz nga të gjitha kombet po përgatiten për të jetuar në një botë të bashkuar

[Burimi i figurës në faqen 4]

Saeed Khan/AFP/Getty Images

[Burimet e figurave në faqen 5]

Gruaja që vajton: Igor Dutina/AFP/Getty Images; protestuesit: Said Khatib/AFP/Getty Images; tanket: Joseph Barrak/AFP/Getty Images