Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E lëvdojnë Jehovain në shkollë

E lëvdojnë Jehovain në shkollë

E lëvdojnë Jehovain në shkollë

ANEMBANË botës, të rinjtë që janë Dëshmitarë të Jehovait, po e lëvdojnë Jehovain në mënyra të ndryshme në shkollë, si me anë të të folurit, ashtu edhe të sjelljes. Ja disa përvoja që tregojnë zellin e tyre rinor.

Një Dëshmitare në Greqi kishte si detyrë të bënte një punë me shkrim për ndotjen e atmosferës së Tokës. Pasi kontrolloi në Treguesin e botimeve Watch Tower, ajo gjeti informacion të përshtatshëm për temën e saj në revistën Zgjohuni!, dhe në fund të punës me shkrim përmendi revistën si burim materiali. Mësuesja i tha se kjo ishte një nga punët më të mira që kishte lexuar. Po këto informacione mësuesja i përdori më vonë në një seminar, dhe pati sukses. Kështu, kjo motër vendosi t’i jepte mësueses numra të tjerë të revistës Zgjohuni!, një prej të cilëve kishte serinë e artikujve me titull: «Mësuesit: Ç’do të bënim pa ta?» Më vonë, mësuesja e lavdëroi revistën Zgjohuni! para klasës dhe disa nga nxënësit e kërkuan këtë revistë. Prandaj ajo çoi disa kopje të revistës në shkollë, që ata të lexonin edhe numra të tjerë.

Në Benin të Afrikës, një Dëshmitare adoleshente u përball me një presion të pazakontë. Sipas zakonit, prindërit e shumë nxënësve në shkollën e saj mblidheshin për të gjetur mësues që t’u jepnin nxënësve mësime private në disa lëndë të vështira, si parapërgatitje për provimet. Por, mësuesit privatë vendosën t’ua bënin mësimin të shtunave në mëngjes. Kjo Dëshmitare nuk pranoi dhe tha: «Të shtunën paradite i gjithë kongregacioni del në predikim. Nga gjithë ditët e javës, kjo është dita më e bukur për mua dhe nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër.» Babai i saj, që është prind i vetëm dhe Dëshmitar, ishte dakord me të dhe u përpoq që të bindte një grup prindërish dhe mësuesish që të ndryshonin orarin. Por ata nuk pranuan. Kështu, vajza vendosi t’ia dilte mbanë edhe pa marrë mësime private. Ato orë i kalonte në predikim me kongregacionin. Shokët e klasës e tallnin dhe e nxitnin që ta linte predikimin dhe Perëndinë gjithashtu. Ata ishin të sigurt se ajo do të ngelte në provime. Por, siç doli në fund, i gjithë grupi që mori mësime private, ngeli në provime, ndërsa motra jonë kaloi. Kuptohet që pas kësaj nuk e tallën më. Tani shokët e shkollës i thonë: «Duhet të vazhdosh t’i shërbesh Perëndisë tënd.»

Në Republikën Çeke, një 12-vjeçare duhej të bënte referat për një libër. E ëma i tha të zgjidhte librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ajo e filloi referatin me pyetjet: «Si mendoni? Kush është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë?» Tregoi për Jezuin, jetën e tij në tokë dhe mësimet e tij. Pastaj trajtoi kapitullin me titull «Një mësim mbi faljen». Mësuesja i tha e mahnitur: «Ky është referati më i mirë që ke bërë deri tani», dhe pranoi me gjithë qejf një kopje të këtij libri. Edhe disa shokë të klasës dëshironin një kopje. Të nesërmen, ajo u ngazëllye, pasi shpërndau 18 kopje të librit.

Këta të rinj kënaqen kur lëvdojnë Jehovain në shkollë. Të gjithë duhet ta imitojmë zellin e tyre rinor.