Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Filoja i Aleksandrisë: Spekulimet e tij me Shkrimet

Filoja i Aleksandrisë: Spekulimet e tij me Shkrimet

Filoja i Aleksandrisë: Spekulimet e tij me Shkrimet

NË VITIN 332 p.e.s., Aleksandri i Madh hyri me ushtrinë e tij në Egjipt. Para se të vazhdonte drejt lindjes, në përpjekje për të pushtuar botën, ai themeloi një qytet që e quajti Aleksandri. Ky qytet u bë djepi i kulturës greke. Më vonë, rreth vitit 20 p.e.s., lindi një pushtues tjetër, armët e të cilit nuk ishin shpata dhe heshta, por arsyetimet filozofike. Ai njihet si Filoja i Aleksandrisë ose edhe Filo Çifuti, se kishte prejardhje judaike.

Gjatë Diasporës, periudhës pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., shumë judenj emigruan në Egjipt. Mijëra prej tyre u vendosën me banim në Aleksandri. Por, kishte mosmarrëveshje midis judenjve dhe fqinjëve të tyre grekë. Judenjtë nuk pranonin të adhuronin perënditë greke, ndërsa grekët talleshin me Shkrimet Hebraike. Ngaqë kishte marrë arsimim grek dhe ishte rritur si jude, Filoja i njihte mirë këto përplasje. Ai besonte se judaizmi ishte feja e vërtetë. Por, ndryshe nga shumë të tjerë, Filoja kërkonte një mënyrë paqësore për t’i drejtuar johebrenjtë te Perëndia. Ai dëshironte ta bënte judaizmin sa më të pranueshëm për ta.

Interpretim i ri i shkrimeve të vjetra

Ashtu si shumë judenj në Aleksandri, Filoja kishte greqishten si gjuhë amëtare. Kështu që versioni grek i Septuagintës për Shkrimet Hebraike, ishte baza e studimeve të tij. Ndërsa shqyrtonte Septuagintën, ai u bind se në të kishte elemente filozofike dhe se Moisiu ishte «një gjeni në filozofi».

Shekuj më parë, intelektualët grekë kishin sajuar legjenda për perëndi e perëndesha, domethënë për gjigantë dhe demonë të mitologjisë së lashtë greke, të cilat vështirë se mund të besoheshin. Grekët filluan t’i interpretonin përsëri këto tregime të vjetra të sajuara. Ja si u shpreh për metodën e tyre Xhejms Dramondi, studiues i veprave klasike greke: «Filozofi fillonte të kërkonte kuptime të fshehura në përrallat mitologjike dhe, nga përmbajtja e tyre e neveritshme e qesharake, nxirrte përfundimin se, me anë të imagjinatës së tyre tepër të zhvilluar, autorët duhet të kenë pasur si qëllim të tregonin ndonjë të vërtetë të thellë dhe ndriçuese për mendjen.» Ky proces, që Filoja u përpoq ta përdorte për të shpjeguar Shkrimet, quhet interpretim alegorik.

Për ta kuptuar, mendoni pak për shkrimin e Zanafillës 3:21 ku thuhet: «Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.» Grekët mendonin se nuk ishte një gjë e denjë për Perëndinë Suprem të bënte rroba. Prandaj Filoja gjeti një kuptim simbolik në këtë varg dhe e shpjegoi kështu: «Tunika prej lëkure, në kuptimin e figurshëm, i referohet lëkurës së njeriut, domethënë trupit tonë, sepse, kur Perëndia në fillim fare krijoi mendjen e njeriut, e quajti Adam; pas kësaj ai krijoi ndijimin e botës së jashtme, të cilën e quajti Jetë. Dhe së fundi, ishte e nevojshme që të krijonte një trup, duke i vënë një emër të figurshëm, domethënë tunikë prej lëkure.» Kështu, këtë veprim të Perëndisë, pra që veshi Adamin dhe Evën, Filoja u përpoq ta trajtonte si një çështje filozofike.

Shikoni, gjithashtu, se si i shpjegoi vargjet te Zanafilla 2:10-14, ku përshkruhet burimi i ujit në kopshtin e Edenit dhe përmenden katër lumenjtë që rridhnin nga ky kopsht. Filoja u përpoq të depërtonte përtej kuptimit të parë të këtyre vargjeve dhe të zbulonte çfarë fshihej pas këtij përshkrimi të peizazhit. Pasi komentonte për kopshtin si vend, ai shkruante: «Ndoshta këto vargje kanë edhe një kuptim alegorik, sepse katër lumenjtë përfaqësojnë katër virtyte.» Duke spekuluar, ai tha që lumi Pishon përfaqëson maturinë, lumi Gihon simbolizon seriozitetin, Tigri tregon forcën morale, ndërsa Eufrati drejtësinë. Pra, alegoria zë vendin e gjeografisë.

Filoja e përdori interpretimin alegorik për të analizuar tregimin e krijimit, tregimin e vrasjes së Abelit nga Kaini, Përmbytjen e kohës së Noesë, ngatërrimin e gjuhëve në Babel, si dhe shumë parime të Ligjit të Moisiut. Siç tregon shembulli në paragrafin e mësipërm, ai shpesh e pranonte kuptimin e drejtpërdrejtë të një vargu të Biblës, por pastaj i bënte një shpjegim simbolik sipas tij, duke e filluar me fjalë të tilla, si: «Ndoshta duhet t’i shqyrtojmë këto vargje sikur të jenë thënë me kuptim alegorik.» Në librat e Filos spikat simbolika, por, mjerisht, kuptimi i qartë i Shkrimeve venitet.

Kush është Perëndia?

Filoja e argumentoi ekzistencën e Perëndisë me anë të një ilustrimi të fuqishëm. Pasi përshkroi tokën, lumenjtë, planetet dhe yjet, ai përfundoi: «Nga të gjitha veprat e krijimit, toka është vepra më e mençur dhe më mjeshtërore; sikur të ishte krijuar nga dikush mjaft i zoti dhe i përsosur në njohuri. Në këtë mënyrë kemi krijuar një ide për ekzistencën e Perëndisë.» Ky ishte një arsyetim i shëndoshë.​—Romakëve 1:20.

Por, kur shpjegoi natyrën e Perëndisë së Plotfuqishëm, Filoja devijoi shumë nga e vërteta. Ai pretendonte se Perëndia «nuk ka cilësi të dallueshme» dhe se «është i pakonceptueshëm». Filoja ishte kundër përpjekjeve për të njohur Perëndinë, pasi thoshte se «të shkosh edhe më tej, pra të bësh kërkime për të njohur natyrën ose ndonjë cilësi të dallueshme të Perëndisë, është absolutisht budallallëk». Ky mendim nuk vinte nga Bibla, por nga Platoni, një filozof pagan.

Filoja thoshte se Perëndia është kaq i pakonceptueshëm për ne, sa është e pamundur ta thërrasim me një emër të përveçëm. Ai thoshte: «Kështu që është më se e arsyeshme të mendojmë se nuk ka një emër të përshtatshëm për t’ia vënë atij që në të vërtetë është Perëndia i gjallë.» Kjo sigurisht që bie në kundërshtim me të vërtetën.

Në Bibël thuhet qartë se Perëndia ka një emër të përveçëm. Psalmi 83:18, BR, thotë: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Tek Isaia 42:8, BR, citohen fjalët e Perëndisë që thotë: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» Po pse Filoja, një jude që i njihte këto vargje biblike, u mësonte të tjerëve se Perëndia nuk kishte emër? Sepse ai nuk po përshkruante Perëndinë e Biblës, por një perëndi pa emër e të pakonceptueshëm të filozofisë greke.

Çfarë është shpirti?

Filoja mendonte se shpirti ishte i ndarë nga trupi. Ai e përshkruante njeriun si qenie që «përbëhet nga trupi dhe shpirti». A vdes shpirti? Ja si e shpjegonte Filoja: «Kur jemi gjallë, ne jemi të tillë, edhe pse shpirti ka vdekur dhe është brenda trupit tonë, si në një varr. Por nëse ai [trupi] do të vdiste, atëherë shpirti ynë do të bënte jetën e vet, duke u çliruar nga e keqja dhe nga trupi i vdekur, me të cilin është i lidhur.» Për Filon, shpirti vdes në kuptimin simbolik, pasi në të vërtetë nuk vdes kurrë. Është i pavdekshëm.

Por, çfarë thotë Bibla në lidhje me shpirtin? Zanafilla 2:7, BR, thotë: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» Sipas Biblës, njerëzit nuk kanë shpirt, por janë shpirt.

Gjithashtu, Bibla mëson se shpirti nuk është i pavdekshëm. Tek Ezekieli 18:4 thuhet: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» Nga këto shkrime mund të nxjerrim përfundimin e duhur: njeriu është një shpirt. Kështu që, kur vdes një njeri, vdes një shpirt.​—Zanafilla 19:19, * BR.

Pasi Filoja vdiq, judenjtë nuk i kushtuan rëndësi atij. Kurse krishterizmi përqafoi idetë e tij. Eusebi dhe krerët e tjerë të kishës besonin se Filoja ishte bërë i krishterë. Jeronimi e klasifikoi atë ndër Etërit e kishës. Nuk ishin judenjtë ata që i ruajtën shkrimet e Filos, por të krishterët apostatë.

Shkrimet e Filos çuan në një revolucion fetar. Ndikimi i tij bëri që i ashtuquajturi krishterim të përqafonte doktrinën jobiblike të pavdekësisë së shpirtit. Dhe ishte shpjegimi i Filos në lidhje me Logosin (ose Fjalën), që çoi në teorinë e Trinitetit, një dogmë jobiblike e krishterimit apostat.

Mos u mashtroni

Gjatë studimit të Shkrimeve Hebraike, Filoja bëri çmos që «të mos i shpëtonte asnjë nga kuptimet alegorike që mbase fshiheshin pas një gjuhe të thjeshtë». Megjithatë, në lidhje me Ligjin e Perëndisë, te Ligji i përtërirë 4:2 Moisiu tha: «Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis.» Pavarësisht nga qëllimet e mira në dukje, Filoja bëri shumë spekulime me kuptimin e vargjeve. Këto spekulime, si një mjegull e dendur, mbuluan udhëzimet e qarta të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.

«Nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe praninë e Zotërisë tonë Jezu Krisht, duke ndjekur përralla të sajuara me mjeshtëri»,​—tha apostulli Pjetër. (2 Pjetrit 1:16) Ndryshe nga shkrimet e Filos, udhëzimet që i dha Pjetri kongregacionit të krishterë në shekullin e parë, bazoheshin në fakte dhe në drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, ‘frymës të së vërtetës’, që i drejtoi në gjithë të vërtetën.​—Gjoni 16:13.

Nëse edhe ju dëshironi të adhuroni Perëndinë e Biblës, keni nevojë për një drejtim të vërtetë, dhe jo për keqinterpretimet e bazuara në mendimet njerëzore. Keni nevojë të merrni njohuri të saktë për Jehovain dhe për vullnetin e tij, dhe keni nevojë për përulësi që të jeni studentë të sinqertë. Nëse e studioni Biblën me një qëndrim të tillë, atëherë do të njihni «shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje [t’ju] bëjnë të mençur për shpëtimin nëpërmjet besimit në lidhje me Krishtin Jezu». Do ta kuptoni se Fjala e Perëndisë mund t’ju nxitë të jeni ‘krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’.​—2 Timoteut 3:15-17.

[Shënimi]

^ par. 18 Në lidhje me shpirtin, Enciklopedia Judaike e vitit 1910 thotë: «Besimi se shpirti vazhdon të jetojë edhe pas dekompozimit të trupit, vjen nga spekulimet filozofike dhe teologjike, jo nga besimi i vërtetë; prandaj, një gjë e tillë nuk përmendet asgjëkundi në Shkrimin e Shenjtë.»

[Kutia dhe figura në faqen 10]

QYTETI I FILOS

Filoja jetoi dhe punoi në Aleksandrinë e Egjiptit. Për shekuj me radhë, ky qytet ishte kryeqyteti botëror i librave dhe i debateve akademike.

Studentët mësonin nga studiuesit e mëdhenj, të cilët jepnin mësim në shkollat e qytetit. Biblioteka e Aleksandrisë u bë me famë botërore. Koleksioni i saj arriti deri në qindra mijë botime, pasi bibliotekarët e saj përpiqeshin që të siguronin kopje të çdo dokumenti.

Pastaj, vlerësimi botëror për Aleksandrinë dhe për atë koleksion njohurish të stërmadh, dalëngadalë ra. Perandorët e Romës i dhanë përparësi qytetit të tyre, dhe qendra e kulturës kaloi në Evropë. Rënia e Aleksandrisë arriti kulmin në shekullin e shtatë të e.s., kur qyteti u pushtua. Akoma sot, historianët vajtojnë për zhdukjen e bibliotekës së famshme, pasi disa mendojnë se nga kjo, zhvillimi i qytetërimit u pengua për rreth 1.000 vjet.

[Burimi]

L. Chapons/Illustrirte Familien-Bibel nach der deutschen Uebersetzung Dr. Martin Luthers

[Kutia në faqen 12]

INTERPRETIMI ALEGORIK NË DITËT E SOTME

Në përgjithësi alegoria është «shprehja e ideve dhe e mendimeve tërthorazi, nëpërmjet figurave të gjalla e konkrete». Thuhet se tregimet alegorike nënkuptojnë gjëra më të rëndësishme, që janë të fshehura. Ashtu si Filoja i Aleksandrisë, edhe disa mësues fetarë të ditëve të sotme e shpjegojnë Biblën sipas interpretimit alegorik.

Shqyrtoni kapitujt 1-11 të Zanafillës, ku është dokumentuar historia njerëzore që nga krijimi e deri te shpërndarja e popujve në kullën e Babelit. The New American Bible, një përkthim katolik, duke iu referuar kësaj pjese të Biblës, thotë: «Në mënyrë që të vërtetat në këta kapituj të ishin sa më të kuptueshme për popullin izraelit që kishte detyrën t’i ruante, ato duhej të shpreheshin me anë të koncepteve që ishin të njohura për popullin në atë kohë. Prandaj, të vërtetat në vetvete duhet të dallohen qartë nga veshja kuptimore e drejtpërdrejtë.» Pra, sipas tyre, kapitujt 1-11 të Zanafillës nuk duhet të merren në kuptimin e mirëfilltë. Përkundrazi, ashtu si veshja mbulon trupin, po kështu pas fjalëve fshihet një kuptim edhe më i thellë.

Por, Jezui u mësoi njerëzve se këta kapituj të Zanafillës duhet të kuptohen drejtpërdrejt, ashtu siç janë shkruar. (Mateu 19:4-6; 24:37-39) Po kështu vepruan edhe dy apostujt, Pavli e Pjetri. (Veprat 17:24-26; 2 Pjetrit 2:5; 3:6, 7) Studentët e sinqertë të Biblës nuk i pranojnë shpjegimet që nuk janë në harmoni me të gjithë Fjalën e Perëndisë.

[Figura në faqen 9]

Fari i madh i Aleksandrisë

[Burimi]

Archives Charmet/Bridgeman Art Library