Mund të përballojmë çdo sprovë!
Mund të përballojmë çdo sprovë!
A PO hasni ndonjë sprovë në jetën tuaj? A ndiheni të pashpresë dhe të pafuqishëm për ta përballuar? A keni ndonjëherë frikë se mos problemi juaj është i veçantë dhe nuk i gjendet zgjidhja? Nëse ndiheni kështu, mos u shkurajoni! Pavarësisht nga lloji i sprovës, Bibla na siguron se Perëndia mund të na ndihmojë që ta përballojmë me sukses.
Bibla thotë se shërbëtorët e Perëndisë ‘do të hasin sprova të ndryshme’. (Jakovi 1:2) Vini re fjalën «të ndryshme» (që në greqisht është poikilos). Siç përdorej në lashtësi, fjala origjinale kishte kuptimin «i shumëllojshëm» ose «i larmishëm» dhe theksonte «larminë e sprovave». Në fakt, në të folurit e përditshëm, kjo fjalë do të thotë «shumëngjyrësh». Pra, ‘sprovat e ndryshme’ paraqiten në ngjyrime të ndryshme, nëse mund të shprehemi kështu. Sido që të jetë, Jehovai na ndihmon që ta kapërcejmë secilën prej tyre. Pse jemi të sigurt për këtë?
‘Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë shprehet në mënyra të ndryshme’
Apostulli Pjetër shprehet se të krishterët ‘hidhërohen nga sprova të ndryshme’. (1 Pjetrit 1:6) Më vonë, në letrën e tij të frymëzuar, ai thotë se ‘dashamirësia e pamerituar e Perëndisë shprehet në mënyra të ndryshme’. (1 Pjetrit 4:10) Togfjalëshi «në mënyra të ndryshme» përmban një formë të fjalës origjinale greke që përmendëm më sipër. Duke iu referuar kësaj shprehjeje, një studiues i Biblës thotë: «Kjo është diçka e jashtëzakonshme. . . . Ta përshkruash hirin [ose dashamirësinë e pamerituar] të Perëndisë me fjalën poikilos, do të thotë se nuk ka asnjë rrethanë që përballojnë njerëzit, të cilën dashamirësia e Perëndisë nuk e rregullon dot.» Më tej ai vazhdon: «Nuk ka asnjë lloj situate, kurrfarë krize, rasti a ndonjë nevojë të ngutshme që hiri i Perëndisë të mos i japë dot zgjidhje dhe që të mos dalë fitimtar e ta kalojë. Nuk ka asgjë në jetë, të cilën hiri i Perëndisë nuk mund ta përballojë. Kjo fjalë kaq domethënëse, poikilos, të sjell menjëherë në mendje hirin e Perëndisë, që paraqitet në ngjyrime të ndryshme dhe që mjafton për të na ndihmuar në gjithçka.»
Dashamirësia e Perëndisë na ndihmon në sprovat tona
Sipas Pjetrit, Perëndia e shpreh dashamirësinë e tij të pamerituar edhe nëpërmjet pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë. (1 Pjetrit 4:11) Çdo shërbëtor i Perëndisë ka dhunti ose aftësi frymore që mund të jenë burim inkurajimi për ata që hasin sprova. (Romakëve 12:6-8) Për shembull, disa pjesëtarë të kongregacionit shquhen si mësues të efektshëm të Biblës. Fjalët e tyre të mençura i forcojnë dhe i nxitin të tjerët që të qëndrojnë të patundur. (Nehemia 8:1-4, 8, 12) Të tjerë u bëjnë vizita të rregullta baritore në shtëpi atyre që kanë nevojë për mbështetje. Këto vizita janë raste të mira inkurajimi, ‘për të ngushëlluar zemrat’. (Kolosianëve 2:2) Kur bëjnë vizita të tilla besimforcuese, mbikëqyrësit japin dhurata frymore. (Gjoni 21:16) Disa të tjerë në kongregacion njihen për ngrohtësinë, dhembshurinë dhe butësinë e tyre në mënyrën si trajtojnë bashkëbesimtarët që janë të hidhëruar nga sprovat. (Veprat 4:36; Romakëve 12:10; Kolosianëve 3:10) Empatia dhe ndihma konkrete që japin këta vëllezër të dashur e motra të dashura është një shprehje domethënëse e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë ose një nga «ngjyrimet» e kësaj dashamirësie.—Fjalët e urta 12:25; 17:17.
«Perëndia i çdo ngushëllimi»
Mbi të gjitha, vetë Jehovai siguron ngushëllim. Ai është «Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Korintasve 1:3, 4) Mençuria që gjendet në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe forca që jep fryma e tij e shenjtë, janë mjetet kryesore me anë të të cilave Jehovai u përgjigjet lutjeve tona për ndihmë. (Isaia 30:18, 21; Luka 11:13; Gjoni 14:16) Na forcohet zemra nga premtimi i frymëzuar që bëri apostulli Pavël. Ai tha: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»—1 Korintasve 10:13.
Po, sido qoftë «ngjyrimi» ose natyra e sprovave që kalojmë, do të ketë gjithnjë një «ngjyrim» ose një shprehje të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë që kombinohet mirë me sprovën dhe do të na ndihmojë ta përballojmë. (Jakovi 1:17) Mbështetja e nevojshme që Jehovai u jep shërbëtorëve të tij në kohën e duhur, pavarësisht nga larmia e tundimeve dhe e sprovave, nuk është gjë tjetër veçse provë e ‘mençurisë mjaft të larmishme të Perëndisë’. (Efesianëve 3:10) A nuk mendoni edhe ju kështu?
[Figurat në faqen 31]
Jehovai na ndihmon që t’i përballojmë sprovat