Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përhapja e veprës atje ku dikur lulëzoi krishterimi i hershëm

Përhapja e veprës atje ku dikur lulëzoi krishterimi i hershëm

Përhapja e veprës atje ku dikur lulëzoi krishterimi i hershëm

ITALIA, gadishulli në formën e çizmes që laget nga Deti Mesdhe, është një vend, ngjarjet fetare e kulturore të të cilit kanë ndikuar në historinë e gjithë botës. Ajo tërheq si me magnet miliona turistë, që mahniten nga bukuria e peizazhit të saj të larmishëm, nga veprat e famshme të artit dhe kuzhina e shijshme. Por, Italia është edhe një vend ku lulëzon vepra e arsimimit biblik.

Krishterimi i vërtetë mund të ketë mbërritur fillimisht në Romë (kryeqyteti i perandorisë botërore të atëhershme), kur u kthyen nga Jerusalemi judenjtë dhe prozelitët që u bënë të krishterë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Rreth vitit 59 të e.s., Italinë e vizitoi për herë të parë apostulli Pavël. Në qytetin bregdetar të Puteolit, ai ‘gjeti vëllezër’ në besim.​—Veprat 2:5-11; 28:11-16.

Siç kishin parathënë Jezui dhe apostujt, aty nga fundi i shekullit të parë të e.s., disa elementë apostatë dolën nga krishterimi i vërtetë dhe u larguan prej tij. Mirëpo, tani, para përfundimit të këtij sistemi të lig, dishepujt e vërtetë të Jezuit e kanë përhapur predikimin e lajmit të mirë në mbarë botën, përfshirë këtu edhe Italinë.​—Mateu 13:36-43; Veprat 20:29, 30; 2 Selanikasve 2:3-8; 2 Pjetrit 2:1-3.

Fillime jo shumë premtuese

Çarls Tejz Rasëlli, i cili merrte drejtimin në veprën mbarëbotërore të predikimit të Studentëve të Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait), vizitoi për herë të parë në vitin 1891 disa qytete italiane. Por iu desh të pranonte se rezultatet e shërbimit të tij nuk ishin shumë premtuese: «Nuk pamë asgjë që të na shtyjë të shpresojmë se do të ketë korrje në Itali.» Në pranverën e vitit 1910, vëlla Rasëlli u kthye prapë në Itali dhe mbajti një fjalim biblik në një palestër, në qendër të Romës. Cilat qenë rezultatet? «Në përgjithësi,​—shkroi ai,​—mbledhja ishte mjaft zhgënjyese.»

Në fakt, për disa dhjetëvjeçarë, përparimi i predikimit të lajmit të mirë në Itali ishte i ngadaltë, pjesërisht ngaqë Dëshmitarët e Jehovait përndiqeshin nga regjimi fashist. Gjatë asaj periudhe, në atë vend kishte më pak se 150 Dëshmitarë të Jehovait, dhe shumica e tyre i kishin mësuar të vërtetat biblike nga të afërmit ose miqtë që jetonin jashtë shtetit.

Përparim mbresëlënës

Pas Luftës II Botërore, në Itali u dërguan mjaft misionarë. Por, siç duket nga korrespondenca që ruhet në arkivat e shtetit, disa individë me pozitë në hierarkinë e Vatikanit i kërkuan qeverisë të dëbonte misionarët. Me përjashtim të disave, misionarët u detyruan të iknin nga vendi.

Me gjithë pengesat, grumbuj njerëzish në Itali filluan të vërshonin në «malin» e adhurimit të Jehovait. (Isaia 2:2-4) Rritja në numrin e Dëshmitarëve ka qenë e jashtëzakonshme. Në vitin 2004 pati një maksimum prej 233.527 lajmëtarësh të lajmit të mirë, 1 lajmëtar për çdo 248 banorë, dhe Përkujtimin e vdekjes së Krishtit e ndoqën 433.242 veta. Po atë vit pati 3.049 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, që mblidheshin në Salla Mbretërie të rehatshme. Kohët e fundit, sidomos te disa grupe të popullsisë, rritja ka qenë mjaft e madhe.

Predikojnë në një sërë gjuhësh

Një numër i madh emigrantësh nga Afrika, Azia dhe Evropa Lindore shkojnë në Itali për të gjetur punë dhe për një jetë më të mirë, ose, në disa raste, për t’u shpëtuar situatave tragjike. Si mund të ndihmohen frymësisht këta miliona emigrantë?

Shumë Dëshmitarë në Itali i janë futur punës së vështirë për të mësuar gjuhë të huaja të tilla, si: amharike, arabe, bengale, kineze, punjabe, sinhaleze, shqipe dhe tagaloge. Që në vitin 2001 u mbajtën kurse për t’u mësuar një gjuhë të huaj atyre që dëshirojnë të japin dëshmi në këtë gjuhë. Gjatë tri viteve të kaluara, 3.711 Dëshmitarë ndoqën 79 kurse që u mbajtën në 17 gjuhë. Kjo ka bërë të mundur të formohen dhe të forcohen 146 kongregacione dhe 274 grupe në 25 gjuhë. Kështu, shumë njerëz të sinqertë e kanë dëgjuar lajmin e mirë dhe kanë filluar të studiojnë Biblën. Shpesh rezultatet janë të jashtëzakonshme.

Një Dëshmitar i Jehovait i foli për Biblën Xhorxhit, një burrë indian që flet gjuhën malajalame. Edhe pse kishte mjaft probleme me punën, Xhorxhi e pranoi me kënaqësi studimin e Biblës. Disa ditë më vonë, bashkë me Xhorxhin vajti në Sallën e Mbretërisë një miku i tij, Xhili, një indian që flet punjabi, dhe me të u fillua një studim biblik. Xhili u prezantoi Dëshmitarëve Davidin, një indian që flet gjuhën teluge. Brenda një kohe të shkurtër edhe Davidi filloi të studionte Biblën. Në një shtëpi me Davidin jetonin edhe dy indianë të tjerë, Soni dhe Shubashi. Që të dy filluan të merrnin pjesë në studimin e Biblës.

Disa javë më vonë, Dëshmitarët morën një telefonatë nga Dalipi, një burrë që flet gjuhën marate. Ky u tha: «Jam një miku i Xhorxhit. A mund të më mësoni Biblën?» Pastaj edhe Sumiti, një burrë që flet gjuhën tamile, donte të studionte Biblën. Së fundi, mori në telefon edhe një mik tjetër i Xhorxhit dhe kërkoi një studim biblik. Pastaj Xhorxhi çoi në Sallën e Mbretërisë një të ri tjetër, Maksin. Edhe ky donte një studim biblik. Tani po drejtohen gjashtë studime biblike dhe janë marrë takime për të filluar edhe katër të tjera. Këto studime mbahen në anglisht, ndonëse përdoren edhe botime në gjuhën indiane, malajalame, marate, punjabe, tamile, teluge dhe urdu.

Të shurdhrit «dëgjojnë» lajmin e mirë

Në Itali ka më se 90.000 njerëz që nuk dëgjojnë. Nga mesi i viteve 70, Dëshmitarët filluan t’u kushtonin vëmendje këtyre njerëzve, për t’u mësuar të vërtetën biblike. Fillimisht, disa Dëshmitarë të shurdhër u mësuan gjuhën italiane të shenjave (ISL) vëllezërve të tyre që donin të ndihmonin në këtë fushë. Pastaj, gjithnjë e më shumë njerëz që nuk dëgjojnë, filluan të tregonin interes për Biblën. Sot, mbledhjet e krishtere po i ndjekin më se 1.400 veta që përdorin ISL-në. Pesëmbëdhjetë kongregacione dhe 52 grupe i mbajnë mbledhjet në ISL.

Në fillim, predikimi te njerëzit që s’dëgjojnë, varej kryesisht nga nisma e Dëshmitarëve individualë. Por, në vitin 1978, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Itali filloi të organizonte kongrese për ata që nuk dëgjojnë. Në maj të atij viti, u njoftua se në kongresin ndërkombëtar që do të mbahej në Milano, do të kishte edhe sektorë për ata që nuk dëgjojnë. Asambleja e parë qarkore për ata që nuk dëgjojnë, u mbajt në Sallën e Asambleve të Milanos, në shkurt të vitit 1979.

Që nga ajo kohë, zyra e degës i ka kushtuar vëmendje të madhe ushqimit frymor të njerëzve që nuk dëgjojnë, duke inkurajuar gjithnjë e më shumë ungjillëzues që ta zotërojnë më mirë gjuhën e shenjave. Që nga viti 1995, në disa grupe janë dërguar pionierë specialë (lajmëtarë në kohë të plotë) për të stërvitur në shërbim Dëshmitarët që nuk dëgjojnë dhe për të organizuar mbledhjet e krishtere. Tri Salla Asamblesh janë pajisur me sistemet video më të fundit për të përmirësuar shikimin e programit. Përveç kësaj, ka edhe botime të krishtere në videokaseta, që t’u sigurohet ushqim frymor njerëzve që s’dëgjojnë.

Shumë veta e kanë vënë re se sa mirë kujdesen Dëshmitarët për nevojat frymore të njerëzve të shurdhër. P@role & Segni, një revistë e botuar nga Shoqata Italiane e të Shurdhërve, citonte një letër që e dërgonte një klerik katolik: «Të jesh i shurdhër, është mjaft e sikletshme, sidomos sepse ai që ka këtë problem, ka nevojë për vëmendje të vazhdueshme. Për shembull, s’e ka të vështirë të vijë vetë në kishë, por ka nevojë për një përkthyes që të ndjekë çfarë po lexohet, thuhet ose këndohet gjatë shërbesave.» Revista shtonte se prelati «e pranon që, mjerisht, kisha ende nuk është gati të përballojë këtë problem, dhe thekson se shumë njerëzve të shurdhër u tregohet më tepër kujdes e mikpritje në Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, sesa në kishë».

Lajmi i mirë u predikohet të burgosurve

A mund të jetë i lirë dikush, edhe pse është në burg? Po, sepse Fjala e Perëndisë ka fuqinë ‘të lirojë’ ata që e pranojnë dhe e zbatojnë në jetën e tyre. Mesazhi që u shpalli Jezui «robërve», ishte liria nga mëkati dhe nga feja e rreme. (Gjoni 8:32; Luka 4:16-19) Në Itali po arrihen rezultate të shkëlqyera duke predikuar nëpër burgje. Rreth 400 Dëshmitarë të Jehovait janë autorizuar nga shteti që të vizitojnë të burgosurit, për t’u dhënë ndihmë fetare. Dëshmitarët e Jehovait ishin organizata e parë jokatolike që kërkoi dhe mori këtë leje.

Mesazhi i Biblës mund të përhapet në mënyra të paparashikuara. Për shembull, të burgosurit flasin me njëri-tjetrin për veprën arsimore të Dëshmitarëve të Jehovait. Nga ana e tyre, disa nga këta kanë kërkuar t’i vizitojë një Dëshmitar. Ose familjarët që kanë filluar të studiojnë Biblën, i inkurajojnë të burgosurit që të kërkojnë një vizitë nga Dëshmitarët. Disa që janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje ose krime të tjera të rënda, janë penduar dhe kanë ndryshuar kryekëput jetën e tyre. Kjo i përgatit për t’iu kushtuar Perëndisë Jehova dhe për t’u pagëzuar.

Në disa burgje, janë marrë masa për të mbajtur fjalime publike rreth temave biblike, për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Jezuit dhe për të shfaqur videokaseta me programe biblike, të prodhuara nga Dëshmitarët e Jehovait. Shpesh, këto mbledhje i ndjekin shumë të burgosur.

Për t’i ndihmuar të burgosurit në mënyra praktike, Dëshmitarët kanë shpërndarë mjaft revista që kanë të bëjnë me tema të dobishme për ata që janë në burg. Një revistë e tillë ishte Zgjohuni!, maj 2001, me temë: «A mund të riedukohen të burgosurit?» Kurse numri i 8 prillit 2003 fliste për argumentin: «Abuzimi me drogën në familje: Çfarë mund të bëni?» Mijëra kopje u janë shpërndarë të burgosurve. Si rezultat, tani po drejtohen me qindra studime biblike. Edhe disa gardianë kanë treguar interes për mesazhin e Biblës.

Pasi mori leje të veçantë nga autoritetet, një i burgosur me emrin Kostantino u pagëzua në një Sallë Mbretërie në San-Remo, ku ishin të pranishëm 138 Dëshmitarë vendës. «U ndjeva sikur po më mbulonin me dashuri,​—tha Kostantinoja pas kësaj, shumë i emocionuar. Një gazetë vendëse raportoi fjalët e drejtorit të burgut: «Ia dhamë këtë leje . . . me shumë kënaqësi. Çfarëdo gjëje që mund të ndihmojë në riedukimin shoqëror, individual dhe fetar të një të burgosuri, duhet marrë parasysh.» Gruas dhe vajzës së Kostantinos u bëri përshtypje kur panë sa e kishte ndryshuar jetën e tij njohuria e saktë e Biblës: «Jemi krenare për të, që ka bërë gjithë ato ndryshime. Është bërë paqësor dhe interesimi që ka për ne, sa vjen e shtohet. Kemi filluar ta shohim përsëri me respekt e besim.» Edhe ato kanë filluar të studiojnë Biblën dhe të ndjekin mbledhjet e krishtere.

Serxhoja, i cili ishte akuzuar për vjedhje, grabitje, shpërndarje droge dhe vrasje, u dënua me burgim deri në vitin 2024. Pasi i shqyrtoi Shkrimet për tre vjet dhe ndryshoi rrënjësisht jetën e tij, ai vendosi të pagëzohej. Është i burgosuri i 15-të që pagëzohet si Dëshmitar i Jehovait në burgun e Porto-Axurros, i cili ndodhet në ishullin e Elbës. Pagëzimi u mbajt në një vaskë portative, që ishte vendosur në fushën e sportit të burgut, dhe ishin të pranishëm edhe disa të burgosur të tjerë.

Leonardoja, që po shlyen një dënim me 20 vjet burg, mori leje të veçantë për t’u pagëzuar në një Sallë Asamblesh në Parmë. Në një intervistë për gazetën vendëse, ai tha se donte «ta bënte të qartë se kishte vendosur të bëhej Dëshmitar i Jehovait, jo si një mënyrë për t’i shpëtuar izolimit të burgut, por për të mbushur një boshllëk frymor shumë të thellë». Leonardoja tha: «E gjithë jeta ime ka qenë plot gabime, por e kam harruar tani atë jetë. Kam ndryshuar, edhe pse jo brenda një nate. Do të më duhet të vazhdoj të jem i ndershëm dhe i drejtë.»

Salvatore, i cili u dënua për vrasje, është në burgun e sigurisë së lartë në Spoleto. Pagëzimi i tij, që u mbajt brenda burgut, u la mbresa shumë vetave. Drejtori i burgut të atjeshëm tha: «Një zgjedhje që të çon në sjellje më të mirë ndaj të gjithëve, ka shumë rëndësi për shoqërinë, prandaj duhet inkurajuar, si për dobinë e të burgosurve të tjerë, ashtu edhe për gjithë shoqërinë.» Për shkak të ndryshimeve që ka bërë Salvatoreja, tani gruaja dhe vajza e tij po ndjekin mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Edhe një i burgosur tjetër që i predikoi ai, u pagëzua si shërbëtor i Jehovait.

Në shekullin e parë krishterimi i hershëm u përhap dhe u rrit edhe në Itali. (Veprat 2:10; Romakëve 1:7) Në këtë kohë korrjeje, rritja dhe përhapja e veprës vazhdojnë në po ato zona ku Pavli dhe të krishterët e tjerë u përpoqën shumë për të predikuar lajmin e mirë.​—Veprat 23:11; 28:14-16.

[Harta në faqen 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ITALI

Romë

[Figurat në faqen 15]

Salla e Asambleve në Bitonto dhe një kongregacion i gjuhës italiane të shenjave në Romë

[Figura në faqen 16]

Të burgosurit po ‘lirohen’ me anë të së vërtetës biblike

[Figurat në faqen 17]

Rritja frymore vazhdon atje ku dikur lulëzoi krishterimi i hershëm