Paradoksi i punës
Paradoksi i punës
«Në punë, në punë! Është një kënaqësi e pafund kur e dimë se kemi akoma shumë gjëra të mira për të bërë.»—Kethrin Mensfild, shkrimtare (1888-1923).
A KENI edhe ju të njëjtën pikëpamje idealiste si kjo që shprehet në fjalinë e mësipërme? Si e konsideroni punën? Mos ndoshta mendoni se puna është një peripeci e gjatë midis fundjavëve çlodhëse? Apo puna për ju është bërë një pasion që, gati-gati, është kthyer në mani?
Shumica e njerëzve, pjesën dërrmuese të ditës ia kushtojnë punës. Puna mund të përcaktojë se ku dhe si jetojmë. Që nga rinia e deri kur dalin në pension, për shumë njerëz puna është ajo që zë pjesën më të madhe të jetës. Disa prej nesh gjejnë kënaqësi të madhe në punë. Të tjerë e përcaktojnë vlerën e saj nga të ardhurat ose nga pozita, ndërsa disa e konsiderojnë si diçka për të kaluar kohën, ose edhe që të ha kohën.
Ka nga ata që punojnë për të jetuar dhe nga ata që jetojnë për të punuar; të tjerë vdesin në punë ose për shkak të punës. Për shembull, sipas një raporti të kohëve të fundit nga Kombet e Bashkuara, puna shkakton vuajtje e vdekje më shumë «sesa luftërat, droga dhe abuzimi i alkoolit të marrë së bashku». Në lidhje me këtë, gazeta The Guardian e Londrës shkruante: «Çdo vit vdesin më shumë se dy milionë njerëz nga aksidentet në punë ose nga sëmundje që shkaktohen nga puna. . . . Ekspozimi ndaj pluhurave, kimikateve, zhurmës dhe rrezatimeve [po] shkakton kancer, sëmundje të zemrës dhe hemorragji në tru.» Shfrytëzimi i fëmijëve dhe puna e detyrueshme janë dy aspekte të tjera të shëmtuara që tregojnë kushtet e sotme të punës.
Përveç tyre, është edhe ajo që psikologu Stiven Berglas e quan «sfilitja shkatërruese». Ai përshkruan punonjësin e zellshëm, i cili ka arritur në majat e karrierës dhe pasojat janë «ankth kronik, stres, dëshpërim ose depresion, që vijnë nga mendimi se është mbërthyer në lakun e një pune ose në rrugën e një karriere, nga e cila as mund të dalë e as mund të marrë kënaqësi psikologjike».
Puna e zellshme dhe mania e punës
Në një botë ku shumë njerëz rraskapiten për orë të tëra, është e nevojshme të bëhet dallimi midis punëtorëve të zellshëm dhe atyre që kanë maninë e punës. Shumë maniakë të punës e shohin atë si një strehë të sigurt në një botë të rrezikshme e të paparashikueshme, ndërsa ata
që punojnë me zell e kosiderojnë si një detyrim kryesor dhe, ndonjëherë, një detyrim që u sjell kënaqësi. Maniakët e punës lënë pas dore të gjitha gjërat e tjera në jetë, ndërsa punëtorët e zellshëm dinë kur ta fikin kompjuterin, të përqendrohen në diçka tjetër dhe të jenë të pranishëm, bie fjala, për të festuar përvjetorin e tyre të martesës. Maniakët e punës gjejnë kënaqësi në punën e tepërt që është si një stimulues për ta, ndërsa ata që punojnë me zell, jo.Shoqëria moderne e ka mjegulluar vijën ndarëse midis manisë së punës dhe punës së zellshme, pasi në këtë shoqëri puna e tepërt ngrihet në piedestal. Modemët, celularët dhe biperat mund të bëjnë që të shkelet kufiri ndarës midis punës dhe shtëpisë. Atëherë, nëse çdo vend konsiderohet si vend pune dhe çdo kohë si orar pune, disa robtohen aq shumë, sa lënë kockat në punë.
Ç’mendojnë disa njerëz për këtë qëndrim kaq të dëmshëm? Sociologët kanë vënë re se njerëzit e mbingarkuar dhe tejet të stresuar kanë filluar të përfshijnë elemente fetare në vendin e punës dhe të ndërthurin jetën fetare me atë profesionale. Gazeta San Francisco Examiner shkruante se «përzierja e jetës fetare me punën është përhapur mjaft si dukuri».
Në lidhje me zonën e Silikon-Valleit, selinë e teknologjisë së lartë në Shtetet e Bashkuara, në një artikull të kohëve të fundit shkruhej: «Ndërkohë që drejtuesit numërojnë vendet bosh të parkimit, pasi shkurtimet nga puna vazhdojnë, atje ku zhvillohen studime biblike në mbrëmje vendet e parkimit nuk mjaftojnë.» Cilido qoftë kuptimi i kësaj, shumë njerëz anembanë globit kanë parë që Bibla ndikon për mirë në pikëpamjen e tyre për punën, pasi i ndihmon që të kenë më shumë drejtpeshim në jetë.
Si mund të na ndihmojë Bibla që të kemi një pikëpamje të drejtpeshuar për punën? A gjejmë ndonjë parim në Shkrime që na ndihmon t’i përballojmë me sukses vështirësitë në vendin e punës sot? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin vijues.