Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Puna​—Bekim apo mallkim?

Puna​—Bekim apo mallkim?

Puna​—Bekim apo mallkim?

«Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa . . . të gëzohet në mundin e tij.»​—Predikuesi 2:24.

«I SFILITUR në fund të një dite pune.» Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, kështu ndihet shpesh 1 në çdo 3 punonjës. Dhe kjo s’është e çuditshme në një botë ku njerëzit vuajnë nga stresi, punojnë më gjatë dhe marrin më shumë punë për të bërë në shtëpi, ndërkohë që punëdhënësi rrallë e merr mundimin t’u thotë një fjalë vlerësimi.

Futja e prodhimit në seri i ka bërë shumë punëtorë të ndihen sikur janë vetëm një ingranazh në një makineri të ftohtë masive. Frymëzimi dhe aftësitë krijuese shpesh ndrydhen. Sigurisht që kjo ndikon në qëndrimin e njerëzve ndaj punës. Ajo që të shtyn ta shohësh punën me interes, mund të shuhet lehtë. Dëshira për të qenë i shkëlqyer në një zanat, mund të ndrydhet. Dhe këto shkaktojnë pakënaqësi ndaj vetë punës, ndoshta duke e shtyrë dikë që ta urrejë punën e tij.

Të shqyrtojmë qëndrimin tonë

Sigurisht që rrethanat jo gjithmonë mund t’i ndryshojmë. Por, a nuk mendoni edhe ju se mund të bëjmë diçka në lidhje me qëndrimin tonë? Nëse kuptoni se deri diku jeni ndikuar nga pikëpamje negative ndaj punës, do të ishte mirë të shqyrtonit pikëpamjen dhe parimet e Perëndisë në lidhje me të. (Predikuesi 5:18) Shumë njerëz kanë parë se shqyrtimi i tyre i ka ndihmuar të gjejnë në njëfarë mase gëzim dhe kënaqësi në punë.

Perëndia është Punëtori Më i Madh. Perëndia punon. Ndoshta nuk e kemi menduar ndonjëherë këtë, por kështu e paraqit veten fillimisht në Bibël. Që në fillim, libri i Zanafillës tregon për Jehovain që krijon qiellin dhe tokën. (Zanafilla 1:1) Mendoni pak se sa shumë role kishte Perëndia kur filloi të krijonte këto gjëra​—disenjator, organizues, inxhinier, artist, specialist materialesh, zbatues projekti, kimist, biolog, zoolog, programues, gjuhëtar, dhe këto janë vetëm disa prej tyre.​—Fjalët e urta 8:12, 22-31.

Çfarë cilësie kishte puna që bënte Perëndia? Në Bibël thuhet se ishte «e mirë», madje, «shumë mirë». (Zanafilla 1:4, 31) Po, është e vërtetë se të gjitha veprat e krijimit «tregojnë lavdinë e Perëndisë» dhe ne, gjithashtu, duhet ta lavdërojmë atë.​—Psalmi 19:1; 148:1.

Megjithatë, puna e Perëndisë nuk mbaroi me krijimin e qiellit, tokës dhe çiftit të parë njerëzor. Jezu Krishti, Biri i Jehovait, tha: «Ati im ka vazhduar të punojë deri më tani.» (Gjoni 5:17) Po, Jehovai vazhdon të punojë për t’u kujdesur për krijesat e tij, për të mbrojtur krijimin e tij dhe për të shpëtuar adhuruesit e tij besnikë. (Nehemia 9:6; Psalmi 36:6; 145:15, 16) Madje, ai përdor njerëzit, ‘bashkëpunëtorët e Perëndisë’, për ta ndihmuar në kryerjen e disa detyrave.​—1 Korintasve 3:9.

Puna mund të jetë një bekim. A nuk thotë Bibla që puna është një mallkim? Te Zanafilla 3:17-19 duket sikur Perëndia i dënoi Adamin dhe Evën me barrën e punës, për shkak të rebelimit. Kur i dënoi njerëzit e parë, Perëndia i tha Adamit: «Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe.» A do të thotë kjo se puna do të ishte tërësisht një dënim?

Jo. Ideja ishte që zgjerimi i Parajsës së Edenit nuk do të ndodhte në atë kohë, sepse Adami dhe Eva nuk qëndruan besnikë. Perëndia e mallkoi tokën. Kështu që njeriu do ta siguronte jetesën nga toka me djersë e mundime.​—Romakëve 8:20, 21.

Në vend që ta paraqitë punën si mallkim, Bibla tregon se ajo është një bekim dhe duhet çmuar. Ashtu siç u tha më sipër, vetë Perëndia është një punëtor i palodhur. Jehovai i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij, duke u dhënë aftësinë dhe autoritetin për t’u kujdesur për krijimin e tij në tokë. (Zanafilla 1:26, 28; 2:15) Këtë punë Perëndia ua dha para se të thoshte fjalët që gjenden te Zanafilla 3:19. Nëse puna do të ishte një mallkim dhe diçka e keqe, Jehovai nuk do t’i kishte nxitur kurrë njerëzit të punonin. Noeja dhe familja tij patën shumë punë për të bërë para dhe pas Përmbytjes. Edhe në epokën e krishterë, dishepujt e Jezuit u këshilluan që të punonin.​—1 Selanikasve 4:11.

Gjithsesi, të gjithë e dimë se sot, puna mund të jetë e mundimshme. Stresi, rreziqet, monotonia, zhgënjimi, konkurrenca, mashtrimi dhe padrejtësia janë vetëm disa nga ‘gjembat dhe bimët gjembore’ që hasen në punë. Por puna në vetvete nuk është një mallkim. Te Predikuesi 3:13, Bibla e quan punën dhe rezultatet e saj një dhuratë nga Perëndia.​—Shih kutinë «Të përballemi me stresin e punës».

Mund t’i japim lavdi Perëndisë me punën tonë. Puna e shkëlqyer dhe me cilësi të lartë gjithmonë ka qenë objekt lavdërimi. Sipas pikëpamjes biblike për punën, cilësia është një nga gjërat më të rëndësishme. Vetë Perëndia bën një punë të përsosur. Ai na ka dhënë talent e aftësi, dhe do që të përdorim zotësinë tonë për të bërë diçka të mirë. Për shembull, gjatë ndërtimit të tabernakullit në Izraelin e lashtë, disa njerëzve, si Bezalelit dhe Oholiabit, Jehovai u dha mençuri, kuptueshmëri e njohuri, që të kryenin punime të veçanta artistike dhe detyra praktike. (Eksodi 31:1-11) Nga kjo kuptojmë se Perëndia tregonte interes të veçantë për funksionimin, projektimin, zejtarinë, dhe për detaje të tjera të punës së tyre.

Kjo do të thotë shumë në lidhje me mënyrën se si i konsiderojmë aftësitë e zakonet tona në punë. Na ndihmon që, në njëfarë kuptimi, t’i shohim si dhuratë nga Perëndia, të cilën nuk duhet ta nënvlerësojmë. Prandaj, të krishterët këshillohen që të punojnë sikur të ishte vetë Perëndia që do ta vlerësonte punën e tyre: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.» (Kolosianëve 3:23) Shërbëtorët e Perëndisë urdhërohen të punojnë me zell, pasi kështu mesazhi i krishterë bëhet më tërheqës për kolegët e punës dhe për të tjerët.​—Shih kutinë «Të zbatojmë parimet e Biblës në vendin e punës.»

Duke pasur parasysh këtë, do të bënim mirë të pyesnim veten se me çfarë cilësie dhe zelli punojmë. A do të ishte i kënaqur Perëndia me punën tonë? A jemi plotësisht të kënaqur nga mënyra se si kryejmë detyrat tona? Nëse jo, atëherë duhet të bëjmë përmirësime.​—Fjalët e urta 10:4; 22:29.

Të drejtpeshojmë punën me anën frymore. Megjithëse puna e zellshme është e lavdërueshme, ka edhe një faktor tjetër kyç për të gjetur kënaqësi në punë dhe në jetë. Është gjendja frymore, marrëdhënia jonë me Perëndinë. Mbreti Solomon, i cili punoi shumë dhe gëzoi të gjitha pasuritë e të mirat që mund t’i jepte jeta, arriti në këtë përfundim: «Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.»​—Predikuesi 12:13.

Është e qartë se duhet të kemi parasysh vullnetin e Perëndisë në çdo gjë që bëjmë. A po punojmë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, apo ndoshta kundër vullnetit të tij? A po përpiqemi t’i pëlqejmë Perëndisë, apo duam vetëm të kënaqim veten? Nëse nuk bëjmë vullnetin e Perëndisë, në fund do të vuajmë nga dëshpërimi, vetmia e zbrazëtia.

Stiven Berglasi sugjeroi që drejtuesit e sfilitur ‘të gjejnë diçka, të cilën e kanë me pasion dhe ta bëjnë pjesë të jetës së tyre’. Nuk ka asgjë më të vlefshme sesa t’i shërbejmë Atij që na dha aftësinë dhe zotësinë për të bërë një punë të mirë. Nëse bëjmë një punë që kënaq Krijuesin tonë, nuk do të mbetemi të zhgënjyer. Për Jezuin, puna që i kishte caktuar Jehovai, ishte po aq e shëndetshme, e kënaqshme dhe ripërtëritëse sa edhe ushqimi. (Gjoni 4:34; 5:36) Dhe për më tepër, mos harroni se Perëndia, Punëtori Më i Madh, na fton të bëhemi ‘bashkëpunëtorët’ e tij.​—1 Korintasve 3:9.

Adhurimi i Perëndisë dhe rritja frymore na përgatitin për të bërë një punë shpërblyese dhe me përgjegjësi. Meqenëse në vendin e punës shpesh ka shumë presione, konflikte dhe kërkesa, besimi ynë i patundur dhe marrëdhënia me Perëndinë mund të na japin forcën e duhur ndërsa bëjmë çdo përpjekje për të qenë punonjës ose punëdhënës më të mirë. Nga ana tjetër, vështirësitë e jetës në këtë botë të paperëndishme mund të na tregojnë se në ç’fushë kemi nevojë të rritim besimin.​—1 Korintasve 16:13, 14.

Atëherë kur puna do të jetë bekim

Ata që tani po punojnë fort në shërbim të Perëndisë, mund të presin me gëzim kohën kur ai do të rikthejë parajsën, dhe e gjithë toka do të ketë plot punë që ia vlen. Isaia, një profet i Jehovait, paratha për jetën në atë kohë: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër. . . . Të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.»​—Isaia 65:21-23.

Sa e bekuar do të jetë puna në atë kohë! Ndërsa mësoni se cili është vullneti i Perëndisë për ju dhe punoni në harmoni me të, qofshi edhe ju ndër të bekuarit e Jehovait dhe ‘gëzofshi mirëqenie në gjithë mundin tuaj’!​—Predikuesi 3:13.

[Diçitura në faqen 8]

Perëndia është Punëtori Më i Madh: Zanafilla 1:1, 4, 31; Gjoni 5:17

[Diçitura në faqen 8]

Puna mund të jetë një bekim: Zanafilla 1:28; 2:15; 1 Selanikasve 4:11

[Diçitura në faqen 8]

Mund t’i sjellim lavdi Perëndisë me punën tonë: Eksodi 31:1-11; Kolosianëve 3:23

[Diçitura në faqen 8]

Të drejtpeshojmë punën me anën frymore: Predikuesi 12:13; 1 Korintasve 3:9

[Kutia dhe figura në faqen 6]

TË PËRBALLEMI ME STRESIN E PUNËS

Mjekët e kanë klasifikuar stresin që vjen nga puna, si një rrezik profesional. Ai mund të shkaktojë ulcera dhe depresion e mund të çojë deri në vetëvrasje. Për këtë dukuri, japonezët përdorin një term që do të thotë «vdekje nga puna e tepërt».

Stresi mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, që lidhen me punën. Këtu përfshihen: ndryshimi i orarit ose i kushteve të punës, probleme me drejtuesit, ndryshimi i përgjegjësive ose i llojit të punës, dalja në pension ose pushimi nga puna. Disa, për t’u shpëtuar këtyre streseve, përpiqen të ndërrojnë punën ose ambientin ku punojnë. Disa të tjerë përpiqen ta mposhtin stresin e punës, por pastaj zbulojnë që ky stres u shfaqet në fusha të tjera të jetës, sidomos në familje. Madje, disa vuajnë edhe emocionalisht, duke u bërë pre e depresionit dhe e dëshpërimit.

Të krishterët janë të përgatitur mirë për të përballuar stresin që vjen nga puna. Bibla jep shumë parime bazë, që na ndihmojnë për të kapërcyer kohët e vështira e që ndikojnë për mirë në gjendjen tonë frymore dhe emocionale. Për shembull, Jezui tha: «Kurrë të mos jeni në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.» Pra, shkrimi thotë që të merakosemi për problemet e ditës, jo për ato të së nesërmes. Në këtë mënyrë nuk e zmadhojmë problemin, gjë që vetëm sa rrit ndjenjën e ankthit.​—Mateu 6:25-34.

Është thelbësore që të krishterët të mbështeten jo te forcat e tyre, por te forca që u jep Perëndia. Kur na duket se stresi ka arritur kulmin, Perëndia mund të na japë paqe e gëzim në zemër, si dhe mençuri për të përballuar çdo problem. Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij.»​—Efesianëve 6:10; Filipianëve 4:7.

Së fundi, ka mundësi që rrethanat stresuese të ndikojnë edhe për mirë. Sprovat mund të na shtyjnë që t’i drejtohemi Jehovait, ta kërkojmë atë dhe të kemi besim tek ai. Gjithashtu, mund të na nxitin të vazhdojmë të zhvillojmë personalitetin e krishterë dhe aftësinë për të qëndruar të patundur kur jemi nën presion. Pavli na këshillon: «Le të ngazëllejmë edhe në shtrëngime, pasi e dimë se shtrëngimi prodhon qëndrueshmëri; qëndrueshmëria, nga ana e vet, një gjendje të miratuar; gjendja e miratuar, nga ana e vet, shpresë.»​—Romakëve 5:3, 4.

Pra, në vend që të jetë një burim dëshpërimi dhe mjerimi, stresi mund të jetë një nxitje për rritjen frymore.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

TË ZBATOJMË PARIMET E BIBLËS NË VENDIN E PUNËS

Qëndrimi dhe sjellja e një të krishteri kur është në punë, mund të ngjallë interesin e shokëve të punës dhe të të tjerëve për mesazhin e Biblës. Në letrën e tij drejtuar Titit, apostulli Pavël i këshillon ata që janë në rolin e të punësuarit që «të jenë të nënshtruar ndaj [drejtuesve] të tyre në gjithçka dhe t’i kënaqin ata, pa ua kthyer fjalën, pa kryer vjedhje, por duke treguar plotësisht besnikëri të vërtetë, që në çdo gjë të stolisin mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë».​—Titit 2:9, 10.

Për shembull, ja çfarë shkruante një biznesmen në një letër drejtuar selisë së Dëshmitarëve të Jehovait: «Po ju shkruaj që të më lejoni të punësoj disa Dëshmitarë të Jehovait. Dua të marr në punë pikërisht ata, sepse jam i sigurt që janë njerëz të ndershëm, të sinqertë, të besës dhe nuk të mashtrojnë kurrë. Të vetmit njerëz te të cilët kam besim, janë Dëshmitarët e Jehovait. Ju lutem, më ndihmoni.»

Kajli është një e krishterë që punon si sekretare në një shkollë private. Për shkak të një keqkuptimi, një kolege e shau në sy të nxënësve. «Duhej të tregohesha e kujdesshme që të mos sillja sharje mbi emrin e Jehovait»,​—kujton Kajli. Gjatë pesë ditëve pasuese, ajo u mendua mirë se si mund t’i zbatonte në atë rast parimet e Biblës. Një prej këtyre parimeve gjendet te Romakëve 12:18 ku thuhet: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.» Me anë të postës elektronike i dërgoi një letër koleges, ku i kërkonte falje për situatën e tensionuar që ishte krijuar midis tyre. E ftoi që të qëndronte pas pune dhe të sqaroheshin. Pasi u sqaruan, kolegia e Kajlit u qetësua dhe pranoi që mënyra se si veproi Kajli, ishte mjaft e mençur. Ajo i tha Kajlit: «Këtu duhet të ketë gisht feja jote» dhe i dha një përqafim të ngrohtë duke i thënë natën e mirë. Po Kajli, ç’përfundim nxori? «Nuk na del kurrë keq, po të zbatojmë parimet e Biblës.»

[Figura në faqet 4, 5]

Shumë punëtorë ndihen sikur janë vetëm një ingranazh në një makineri të ftohtë

[Burimi]

Qendra Informative Japoneze, Konsullata e Japonisë në Nju-Jork

[Burimi i figurës në faqen 8]

Globi: fotografi e NASA-s