Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata po tregohen të gatshëm

Ata po tregohen të gatshëm

Ata po tregohen të gatshëm

«POPULLI yt do të afrohet vullnetarisht.» (Psalmi 110:3) Këto fjalë marrin domethënie të veçantë për 46 studentët e klasës së 118-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Si u përgatitën ata për të ndjekur këtë shkollë, e cila i stërvit misionarët e ardhshëm që të plotësojnë nevojat frymore të njerëzve në vende të huaja? Majku dhe Stesi, pjesëtarë të klasës së 118-të, shpjeguan: «Vendimi ynë për të bërë një jetë të thjeshtë na ndihmoi që, me sa ishte e mundur, të mos kishim fare shpërqendrime dhe të mbanim gjërat frymore në vend të parë. Ishim të vendosur të mos lejonim që suksesi në biznes të na e largonte vëmendjen nga synimet frymore.» Ashtu si Majku e Stesi, studentët e tjerë të kësaj klase u afruan vullnetarisht dhe tani janë gati të shërbejnë si lajmëtarë të Mbretërisë në katër kontinente.

Të shtunën, më 12 mars 2005, 6.843 veta dëgjuan me shumë kënaqësi programin e diplomimit. Teodor Xharazi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, ishte drejtues i programit. Pasi iu uroi një mirëseardhje të ngrohtë mysafirëve që kishin ardhur nga 28 vende, ai u përqendrua te vlera e arsimimit biblik. Oratori citoi Uilliam Lion Felpsin, një pedagog amerikan që thotë: «Çdo njeri që ka njohuri të hollësishme për Biblën, mund të quhet me të vërtetë i arsimuar.» Sado i dobishëm të jetë arsimimi në botë, prapëseprapë, arsimimi biblik qëndron më lart. Ai i ndihmon njerëzit të marrin njohuri për Perëndinë, njohuri që të çon në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Vëlla Xharazi i lavdëroi të diplomuarit për gatishmërinë e tyre për të bërë më shumë në programin e arsimimit biblik botëror, që po zhvillohet në më se 98.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait anekënd botës.

Të diplomuarit marrin inkurajim në kohën e duhur

Pas komenteve hyrëse të drejtuesit, Uilliam Samuelsoni trajtoi temën «Si të jeni një pemë ulliri e harlisur në shtëpinë e Perëndisë?», që bazohej te Psalmi 52:8. Ai vuri në dukje që pema e ullirit, në kuptimin e figurshëm, përdoret në Bibël si simbol i frytshmërisë, bukurisë dhe lavdisë. (Jeremia 11:16) Oratori i krahasoi studentët me pemën e ullirit dhe tha: «Për Jehovain do të jeni të bukur e të lavdishëm, teksa kryeni me besnikëri veprën e predikimit të Mbretërisë në caktimin si misionarë.» Ashtu si pema e ullirit duhet të ketë rrënjë të thella për të duruar gjatë thatësirës, po kështu studentët duhet të përforcojnë rrënjët frymore, që të durojnë indiferencën, kundërshtimin ose sprovat e tjera që mund të ndeshin në shërbimin në vende të huaja.​—Mateu 13:21; Kolosianëve 2:6, 7.

Xhon E. Barri, një nga tre anëtarët e Trupit Udhëheqës që morën pjesë në program, trajtoi temën «Ju jeni kripa e tokës». (Mateu 5:13) Ai nxori në pah se, ashtu si kripa e vërtetë e ruan ushqimin që të mos prishet, po kështu edhe predikimi i misionarëve për Mbretërinë e Perëndisë do të ketë një ndikim jetëshpëtues tek ata që do të dëgjojnë, se i ruan nga prishja morale e frymore. Pastaj, me një ton atëror, vëlla Barri i nxiti të diplomuarit ‘të ruanin paqen’ me të tjerët. (Marku 9:50) «Kultivoni frytin e frymës dhe sigurohuni që sjellja dhe të folurit tuaj të jenë gjithmonë me hir e me respekt»,​—porositi oratori.

«Lundroni në ujëra të thella» ishte tema që theksoi Uollas Livërënsi, njëri nga instruktorët e Galaadit. Një anije që lundron në ujëra të thella, mund të lëvizë në drejtimin e duhur. Po njësoj, kuptueshmëria për «gjërat e thella të Perëndisë»​—pra, të vërtetat që lidhen me qëllimin e Perëndisë dhe se si do të përmbushet ky qëllim​—mund ta ndihmojë dikë që të përparojë frymësisht. (1 Korintasve 2:10) Po të lundrojmë vetëm në ujëra të cekëta frymore e të mjaftohemi me «gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë», përparimi ynë frymor mund të pengohet, e madje mund të shkojmë drejt një ‘anijethyerjeje në lidhje me besimin [tonë]’. (Hebrenjve 5:12, 13; 1 Timoteut 1:19) «Lëreni ‘thellësinë e pasurisë, të mençurisë dhe të njohurisë së Perëndisë’ t’ju mbështetë në caktimin tuaj si misionarë»,​—përfundoi vëlla Livërënsi.​—Romakëve 11:33.

Temën «A do të jetoni në lartësinë e trashëgimisë suaj?» e trajtoi një tjetër instruktor i Galaadit, Mark Numari. Për më se 60 vjet, Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit ka fituar besueshmëri dhe famë të shkëlqyer, falë ‘togut me dëshmi të mirë’ që kanë dhënë të diplomuarit e saj. (Zanafilla 31:48) Këtë trashëgimi të Galaadit e kanë marrë studentët e klasës së 118-të. Vëlla Numari i nxiti studentët që të imitojnë tekoitët e lashtë të kohës së Nehemisë dhe të bashkëpunojnë përulësisht me kongregacionet vendëse e me misionarët e tjerë. Studentët u porositën që të mos kenë qëndrimin krenar të ‘parisë’, për të cilët tregon Nehemia por, përkundrazi, të jenë të gatshëm të punojnë me qetësi e pa rënë në sy.​—Nehemia 3:5.

Përvoja ndërtuese e intervista

Pjesa tjetër e programit titullohej «Fjala e Perëndisë vazhdonte të rritej». (Veprat 6:7) Nën drejtimin e instruktorit të Galaadit, Lorenc Bouenit, studentët demonstruan disa përvoja që kishin pasur në shërbim kur ishin në shkollë. Përvojat treguan se studentët e kanë shpallur Fjalën e Perëndisë me zell dhe se Jehovai i ka bekuar pa masë përpjekjet e tyre.

Riçard Ashi intervistoi disa pjesëtarë të familjes Bethel, që bashkëpunojnë ngushtë me shkollën. Komentet treguan më qartë se ç’mbështetje jep familja Bethel për të ndihmuar studentët e Galaadit që të përfitojnë sa më shumë nga shkolla. Pastaj, Xhefri Xheksoni foli me disa nga të diplomuarit e Galaadit në të kaluarën. Ata nxorën në pah mundësitë e panumërta që paraqit jeta misionare për t’i dhënë lavdi e nder Jehovait. Njëri prej tyre komentoi: «Njerëzit shikojnë çdo gjë që bën ti si misionar. Të dëgjojnë, të vëzhgojnë dhe të mbajnë mend.» Prandaj, studentët u nxitën të tregojnë kujdes që të lënë kurdoherë një shembull të mirë. Kjo këshillë e mençur pa dyshim do të jetë e vlefshme në ditët e ardhshme.

Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e fundit, me titull «Ecni përpara si dhënës të ‘ujit të gjallë’». (Gjoni 7:38) Ai theksoi se, gjatë pesë muajve të kaluar, studentët nxorën dobi pa masë duke pirë nga të vërtetat e thella të Fjalës së Perëndisë. Por si do ta përdorin misionarët e rinj njohurinë që kanë marrë? Vëlla Leti i nxiti të diplomuarit që, me altruizëm, t’ua japin të tjerëve këto ujëra jetëdhënëse, kështu që edhe ata do të kenë brenda vetes «një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme». (Gjoni 4:14) Oratori shtoi: «Kurrë mos harro t’i japësh Jehovait, ‘burimit të ujit të gjallë’ nderin dhe lavdinë që meriton. Ji i duruar kur mëson ata që kanë dalë nga Babilonia e Madhe, e cila është zhuritur.» (Jeremia 2:13) Vëlla Leti e mbylli pjesën e vet duke i nxitur të diplomuarit të imitojnë me zell frymën dhe nusen dhe të thonë pa pushim: «‘Eja!’ E kushdo që ka etje, le të vijë; kushdo që dëshiron të marrë falas ujin e jetës.»​—Zbulesa 22:17.

Vëlla Xharazi e mbylli programin duke dhënë përshëndetjet që dërgonin vende të ndryshme. Pas kësaj, njëri nga klasa e të diplomuarve lexoi një letër që e kishin shkruar studentët.

A mund të tregohesh i gatshëm të shërbesh atje ku nevoja është më e madhe? Në qoftë se po, atëherë ndiq synimet frymore, ashtu si kanë bërë këta studentë që u diplomuan. Korr gëzimin dhe kënaqësinë që ndien kur gjithë ngazëllim afrohesh vullnetarisht për t’i shërbyer Perëndisë​—qoftë si misionar në një vend të huaj, qoftë si predikues në vendin tënd.

[Kutia në faqen 13]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 8

Numri i vendeve ku u caktuan: 19

Numri i studentëve: 46

Mosha mesatare: 33

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16,5

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 12,9

[Figura në faqen 15]

Diplomimi i klasës së 118-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Brockmeyer, A.; Moloney, S.; Symonds, N.; Lopez, Y.; Howard, C. (2) Jastrzebski, T.; Brown, D.; Hernandez, H.; Malagón, I.; Jones, A.; Connell, L. (3) Howard, J.; Lareau, E.; Shams, B.; Hayes, S.; Brown, O. (4) Burrell, J.; Hammer, M.; Mayer, A.; Kim, K.; Stanley, R.; Rainey, R. (5) Jastrzebski, P.; Zilavetz, K.; Ferris, S.; Torres, B.; Torres, F. (6) Connell, J.; Hernandez, R.; Moloney, M.; Malagón, J.; Shams, R.; Hayes, J. (7) Ferris, A.; Hammer, J.; Stanley, G.; Kim, C.; Symonds, S.; Lopez, D.; Burrell, D. (8) Brockmeyer, D.; Mayer, J.; Rainey, S.; Zilavetz, S.; Jones, R.; Lareau, J.