«Beteja mbaroi!»
«Beteja mbaroi!»
NË VITIN 2002, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres krahinor në qytetin e Mbandakës, në pjesën veriperëndimore të Republikës Demokratike të Kongos. Kur u prezantua Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhën lingale, i gjithë auditori kërceu nga gëzimi në kuptimin e plotë të fjalës dhe disa derdhën lot. Më vonë, të pranishmit rendën drejt platformës për ta parë nga afër këtë Bibël, duke thënë: «Basuki, Basambue», që do të thotë: «Beteja mbaroi! Planet e tyre u prishën!»
Pse ishin kaq të emocionuar, dhe çfarë donin të thoshin me këto fjalë? Në disa pjesë të Mbandakës, Dëshmitarët e Jehovait nuk arrinin të kishin një Bibël në gjuhën lingale. Pse? Sepse kishat nuk pranonin t’u shisnin Bibla Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitarët duhej t’i thoshin dikujt tjetër që të merrte një Bibël për ta. Prandaj, në ato momente, ishin jashtë mase të lumtur, sepse kishat nuk i ndalonin dot më që të kishin një Bibël.
Nga ky përkthim i ri nuk do të përfitojnë vetëm Dëshmitarët e Jehovait, por edhe publiku i gjerë. Një burrë, i cili kishte arritur ta dëgjonte programin që nga shtëpia e tij nëpërmjet altoparlantëve të kongresit, i shkroi zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait: «Jam vërtet i kënaqur për daljen e kësaj Bible. Do të na ndriçojë në shumë drejtime. Nuk jam Dëshmitar i Jehovait, por mezi pres që ta marr këtë Bibël që sapo keni botuar.»
Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, deri tani është përkthyer i plotë në 33 gjuhë, ndërsa Shkrimet e Krishtere Greke disponohet edhe në 19 gjuhë të tjera, përfshirë edhe gjuhën lingale. Përse të mos pyesni Dëshmitarët e Jehovait se si mund të keni një kopje të këtij përkthimi të shkëlqyer?