E kënaqur që kam përkrahur veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik
Jetëshkrim
E kënaqur që kam përkrahur veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik
TREGUAR NGA ANA MATHEAKI
Në anije kishte rënë zjarr. Po të fundosej trageti 171 metra i gjatë, një kaba e madhe, unë do të varrosesha në fund të detit. Duke u përleshur me dallgët e tërbuara, notoja si e çmendur, që të shpëtoja. Kisha vetëm një mundësi që të mos mbytesha: duhej të kapesha fort pas jelekut të shpëtimit që kishte veshur një grua tjetër. Iu luta Perëndisë për fuqi e guxim. S’bëja dot më shumë se kaq.
KJO ndodhi në vitin 1971, kur po kthehesha në Itali, që ishte vendi i tretë ku isha caktuar si misionare. Kur u mbyt ajo anije, humba pothuajse çdo gjë nga ana materiale. Por nuk humba gjërat më të rëndësishme: jetën, vëllazërinë e dashur të krishterë dhe privilegjin për t’i shërbyer Jehovait. Për hir të këtij shërbimi, kisha qenë në tri kontinente, dhe fundosja e anijes s’ishte veç një ndodhi në një jetë plot ngjarje të papritura.
Linda në vitin 1922. Familja ime jetonte në qytetin e Ramallahut, nja 16 kilometra në veri të Jerusalemit. Të dy prindërit ishin nga ishulli i Kretës, por babai u rrit në Nazaret. Nga fëmijët, tre djem e dy vajza, unë isha më e vogla. Familja jonë u trondit kur vëllai im, i dyti, u mbyt në lumin Jordan në një ekskursion me shkollën. Pas kësaj fatkeqësie, nëna nuk donte të rrinte më në Ramallah, prandaj shkuam në Athinë të Greqisë. Në atë kohë isha tre vjeçe.
Familja jonë njeh të vërtetën biblike
S’kishte shumë që kishim vajtur në Greqi dhe vëllai i madh, Nikoja, që në atë kohë ishte 22 vjeç, u lidh me Studentët e Biblës, siç njiheshin
atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Tek merrte njohuri për Biblën, ndiente gëzim të madh dhe e kishte përpirë zelli për shërbimin e krishterë. Babai u inatos nga kjo dhe e përzuri Nikon nga shtëpia. Mirëpo, kur babai udhëtonte për në Palestinë, nëna, motra dhe unë shkonim bashkë me Nikon në mbledhjet e krishtere. Më duket sikur ende e kam para syve nënën që fliste me zjarr për gjërat që dëgjonte në ato mbledhje. Por, pas pak kohësh, kanceri ia preu jetën në mes dhe vdiq në moshën 42-vjeçare. Në ato çaste të vështira, motra ime, Ariana, u kujdes me dashuri për familjen. Që atëherë, ajo m’u bë si nënë, megjithëse ishte e re.Babai më çonte gjithnjë në Kishën Ortodokse kur ishte në Athinë. Edhe pasi vdiq ai, prapë shkoja në kishë, ndonëse më rrallë. Meqë nuk pashë ndonjë shenjë përkushtimi të vërtetë te njerëzit e kishës, nuk vajta më as atje.
Pas vdekjes së babait, arrita të gjeja një punë të sigurt në ministrinë e financave. Kurse im vëlla ia kishte kushtuar jetën predikimit të Mbretërisë dhe për vite të tëra shërbeu në Greqi. Më pas, në vitin 1934, u transferua në Qipro. Atëherë në këtë ishull nuk kishte fare Dëshmitarë të Jehovait të pagëzuar, ndaj ai pati privilegjin të çonte përpara veprën e predikimit. Pasi u martua, edhe e shoqja, Galatia, nisi të shërbente në kohë të plotë dhe e vazhdoi këtë shërbim për shumë vjet. * Nikoja na dërgonte shpesh libra e revista që bazoheshin në Bibël, mirëpo ne nuk i hapnim kurrë. Ai qëndroi në Qipro deri sa vdiq.
E bëj timen të vërtetën
Në vitin 1940, Jorgos Durasi, një Dëshmitar i zellshëm në Athinë dhe shok i Nikos, na erdhi për vizitë dhe na ftoi që të bashkoheshim me një grup të vogël që studionin Biblën në shtëpinë e tij. E pranuam ftesën me gëzim. Pas pak filluam t’u flisnim të tjerëve për gjërat që po mësonim. Njohuria e Biblës na nxiti të dyjave, mua dhe motrën, që t’ia kushtonim jetën Jehovait. Ariana u pagëzua më 1942, kurse unë më 1943.
Kur mbaroi Lufta II Botërore, Nikoja na ftoi të shkonim në Qipro, ndaj në vitin 1945 u transferuam në Nikozia. Ndryshe nga Greqia, në Qipro vepra e predikimit nuk ishte e ndaluar. Jo vetëm që dilnim në shërbim nga shtëpia në shtëpi, por bënim edhe dëshmi rrugore.
Pas dy vjetësh, Arianës iu desh të kthehej në Greqi. Atje u njoh me një adhurues të Jehovait që më vonë u bë burri i saj, dhe kështu ndenji në Athinë. Nuk kaloi shumë kohë, e kunati im dhe motra më nxitën që të kthehesha në Greqi dhe të filloja shërbimin e plotkohor në kryeqytet. Meqë gjithmonë kisha pasur si synim të bëhesha pioniere, u ktheva në Athinë, ku kishte më shumë nevojë.
Hapen dyert për mundësi të reja
Më 1 nëntor 1947 fillova si pioniere dhe çdo muaj kaloja 150 orë duke predikuar. Kongregacioni ynë kishte territor mjaft të madh, dhe duhej të ecja shumë. Megjithatë, pata gjithë ato bekime. Shpesh policët arrestonin çdo Dëshmitar që e kapnin duke predikuar ose duke ndjekur mbledhjet, ndaj s’kaloi shumë e më arrestuan edhe mua.
Më akuzuan për prozelitizëm, që në atë kohë mbahej si shkelje e rëndë. Më dënuan
me dy muaj burgim në burgun e grave «Averof» në Athinë. Atje ishte edhe një Dëshmitare tjetër dhe gëzuam shoqërinë ndërtuese e të kënaqshme të njëra-tjetrës, megjithëse na kishin kyçur brenda. Pasi mbarova dënimin, vazhdova me gëzim si pioniere. Shumë nga ata me të cilët studiova Biblën në atë kohë, janë ende shërbëtorë besnikë të Jehovait, e kjo më gëzon pa masë.Në vitin 1949 mora ftesën për të ndjekur klasën e 16-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Shtetet e Bashkuara, ku shërbëtorët në kohë të plotë stërviten si misionarë. Të afërmit e mi dhe unë ishim të emocionuar për këtë. Bëra në plan që të shkoja në një kongres ndërkombëtar në Nju-Jork verën e vitit 1950, e pastaj të futesha në Galaad.
Pasi arrita në Shtetet e Bashkuara, pata privilegjin të shërbeja për pak muaj në repartin e shtëpisë në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork. Ishte një mjedis i pastër, i këndshëm e ndërtues dhe rrethohesha nga motra e vëllezër buzagaz. Do t’i kujtoj gjithnjë me kënaqësi gjashtë muajt që kalova atje. Pastaj erdhi koha të shkoja në Shkollën e Galaadit. Pesë muajt me një program të ngjeshur studimi e stërvitjeje sikur fluturuan. Arritëm të kuptonim sa e pasur dhe e bukur është njohuria për Shkrimet, dhe kjo na shtoi gëzimin e dëshirën për t’ua dhënë të tjerëve njohurinë për të vërtetën, një njohuri që të jep jetë.
Caktimi i parë si misionare
Në Shkollën e Galaadit, na lanë të zgjidhnim vetë se me kë do të shërbenim si misionarë. Unë zgjodha si shoqe Ruth Hemigun (tani Bosard), një motër e jashtëzakonshme. Unë e Rutha u ngazëlluam kur na caktuan të predikonim në Stamboll të Turqisë—një pikëtakimi për Azinë dhe Evropën. E dinim që vepra e predikimit ende nuk njihej ligjërisht në atë vend, por nuk kishim pikë dyshimi që Jehovai do të na mbështeste.
Stambolli është një qytet i bukur kozmopolitan. Atje pamë pazare që gumëzhinin nga njerëzit, një përzierje të gatimeve më të mira në botë, muze interesante, lagje të lezetshme dhe një port gjithnjë tërheqës. E ajo që ka më tepër rëndësi: gjetëm njerëz të sinqertë, që donin të mësonin për Perëndinë. Grupi i vogël i Dëshmitarëve të Jehovait në Stamboll përbëhej kryesisht nga armenë, grekë e hebrenj. Gjithsesi, në atë qytet kishte dhe mjaft kombësi të tjera, ndaj ishte e dobishme që të dije të thoshe ca fjalë në gjuhë të ndryshme, përveç turqishtes. Kënaqeshim jashtë mase kur takonim njerëz me kombësi të ndryshme, që ishin të etur për të vërtetën. Shumë nga këta ende po i shërbejnë Jehovait me besnikëri.
Mjerisht, Rutha e pati të pamundur ta rinovonte lejeqëndrimin e saj, kështu që u detyrua të largohej nga vendi. Ajo vazhdon të shërbejë në kohë të plotë në Zvicër. Edhe pse kanë kaluar tërë ato vite, prapë më merr malli për shoqërinë e saj të këndshme e ndërtuese.
Shkoj në anën tjetër të botës
Më 1963, edhe mua nuk ma rinovuan lejeqëndrimin në Turqi. E kisha të vështirë të lija pas bashkëbesimtarët që i kisha parë të përparonin frymësisht, teksa luftonin fort për të kapërcyer mjaft vështirësi. Për të më ngritur moralin, të afërmit e mi u treguan bujarë e më paguan rrugën për në Nju-Jork, që të merrja
pjesë në një kongres që zhvillohej atje. Ende nuk më kishin caktuar në ndonjë vend tjetër.Pas kongresit, më caktuan në Limë të Perusë. Bashkë me një motër tjetër në moshë të re, që do ta kisha shoqe shërbimi, nga Nju-Jorku vajtëm drejt e në Limë. Mësova spanjisht dhe jetova në shtëpinë misionare që ndodhej një kat sipër zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait. U kënaqa që predikova në atë vend dhe u njoha me motrat e vëllezërit vendës.
Tjetër caktim, tjetër gjuhë
Me kalimin e kohës, të afërmit që kisha në Greqi, filluan të ndienin pasojat e moshës së shkuar dhe të shëndetit që u keqësohej. Vërtet që nuk më nxitën kurrë ta ndërprisja shërbimin e plotkohor duke iu kthyer jetës ‘normale’, që të ndihmoja ata. Gjithsesi, pasi u mendova gjerë e gjatë dhe u luta shumë, e kuptova që do të ishte më mirë të shërbeja më afër familjes. Me dashuri, vëllezërit përgjegjës e morën parasysh këtë dhe më caktuan në Itali, kurse të afërmit mbuluan shpenzimet e transferimit. Faktikisht, në Itali kishte shumë nevojë për predikues të lajmit të mirë.
Më duhej të mësoja prapë një gjuhë tjetër, italishten. Caktimi im i parë ishte në qytetin e Foxhias. Më pas, u transferova në Napoli, ku nevoja ishte më e madhe. Si territor kisha Pozilipon, një nga zonat më të bukura të Napolit. Përfshihej një zonë goxha e madhe dhe kishte vetëm një lajmëtar. Më pëlqente shumë vepra në Napoli, dhe Jehovai më ndihmoi të nisja gjithë ato studime. Me kohë, në atë zonë u formua një kongregacion i madh.
Një nënë bashkë me katër fëmijët e saj, ishin ndër të parët që studiuan Biblën me mua në Napoli. Ajo dhe dy vajzat e veta janë ende Dëshmitare të Jehovait. Gjithashtu studiova me një çift që kishin një vajzë të vogël. E tërë familja bënë përparim në të vërtetën dhe e simbolizuan kushtimin e tyre me pagëzimin në ujë. Tani vajza është martuar me një shërbëtor besnik të Jehovait dhe së bashku po i shërbejnë Atij me zell. Ndërsa studioja Biblën me një familje të madhe, më bëri shumë përshtypje sa fuqi që ka Fjala e Perëndisë. Një herë, kur lexuam një sërë shkrimesh që tregojnë se Perëndia nuk e miraton përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim, nëna nuk priti sa të mbaronte studimi. Aty në vend i hoqi të gjitha shëmbëlltyrat nga shtëpia.
Në rreziqe në det
Sa herë bëja rrugën Itali—Greqi, udhëtoja me anije. Zakonisht udhëtimi ishte vërtet i bukur. Por ndryshoi puna në një rast, në verën e vitit 1971. Po kthehesha në Itali me tragetin Eleana. Herët në mëngjesin e 28 gushtit, ra zjarr në kuzhinën e anijes. Zjarri u përhap shpejt, e po ashtu edhe tmerri mes udhëtarëve. Grave po iu binte të fikët, fëmijët qanin dhe burrat ankoheshin e kërcënonin. Njerëzit vrapuan për tek varkat e shpëtimit në secilën anë të kuvertës së anijes. Mirëpo, kishte shumë pak jelekë shpëtimi dhe mekanizmi për zbritjen në det të varkave të shpëtimit, nuk po punonte mirë. Nuk kisha jelek shpëtimi, por flakët po bëheshin më të mëdha, ndaj e vetmja gjë me mend që mund të bëja, ishte të hidhesha në det.
Me t’u hedhur në ujë, pashë një grua që kishte veshur një jelek shpëtimi e po pluskonte në ujë aty afër meje. Siç dukej, ajo s’dinte not, ndaj e mbërtheva nga krahu për ta larguar Veprat, kapitulli 27.
nga anija që po fundosej. Deti po egërsohej më keq dhe lufta për të qëndruar mbi ujë, më lodhi tej mase. Gjendja dukej e pashpresë, por i përgjërohesha pa pushim Jehovait për guxim, dhe kjo më dha forcë. Nuk rrija dot pa kujtuar përvojën që pati apostulli Pavël kur iu mbyt anija.—Duke u mbajtur fort pas shoqes, u përlesha me dallgët për orë të tëra. Kur kisha fuqi, notoja dhe i thërrisja Jehovait për ndihmë. Më në fund, më zunë sytë një varkë të vogël që po afrohej. Unë shpëtova, kurse shoqja ime kishte vdekur. Kur arritëm në Bari, Itali, më çuan në spital ku mora ndihmën e parë. Duhej të rrija në spital ca ditë, dhe shumë Dëshmitarë më vizituan, e me përzemërsi më siguruan gjithçka që më nevojitej. Dashuria e krishterë që treguan ata, u la mbresa të thella të tjerëve që ishin në pavionin e spitalit. *
Siç e mora veten plotësisht, më caktuan në Romë. Më kërkuan të predikoja në territorin tregtar në qendër të qytetit dhe, me ndihmën e Jehovait, e bëra këtë për pesë vjet. Për 20 vjet me radhë, u kënaqa me shërbimin në Itali, dhe mësova ta dua popullin italian.
Kthehem atje ku fillova
Me kohë, shëndeti i Arianës dhe i të shoqit u rëndua. Kuptova që, po të banoja më afër tyre, do të kisha mundësi t’i shpërbleja në njëfarë mase për gjithë sa kishin bërë për mua me aq dashuri. Më duhet ta pranoj që m’u këput shpirti kur ika nga Italia. Megjithatë, vëllezërit përgjegjës më dhanë leje dhe, që nga vera e vitit 1985, kam shërbyer si pioniere në Athinë, atje ku pata filluar shërbimin e plotkohor, në vitin 1947.
Predikova në territorin që i ishte caktuar kongregacionit tim dhe u kërkova vëllezërve në zyrën e degës që të predikoja edhe në territorin tregtar në qendër të qytetit. Këtë e bëra për tre vjet bashkë me një pioniere tjetër. Kishim mundësi t’u jepnim dëshmi të plotë njerëzve që rrallëherë gjendeshin në shtëpi.
Mirëpo koha kalon dhe, ndonëse dëshira për të shërbyer më përtërihet gjithnjë, fuqitë fizike po më lënë. Tani kunati im ka rënë në gjumin e vdekjes. Kurse Arianën, që e kam pasur në vend të nënës, e kanë lënë sytë. Ndërsa unë vetë, pata shëndet të mirë gjatë viteve që kalova në shërbimin e plotkohor. Kurse kohët e fundit rrëshqita në një shkallë mermeri dhe theva krahun e djathtë. Pastaj u rrëzova e theva legenin. Duhej të operohesha dhe ndenja goxha në krevat. Tani nuk vij dot rreth e rrotull aq kollaj. Përdor një shkop për të ecur dhe mund të dal vetëm po të më shoqërojë njeri. Prapëseprapë, bëj maksimumin tim, me shpresën që do të bëhem më mirë me shëndet. Të marr pjesë në veprën e arsimit biblik, është ende burimi më i madh i lumturisë e kënaqësisë për mua, edhe pse jam e kufizuar.
Kur kujtoj vitet e gëzuara që kam kaluar në shërbimin e plotkohor, nga zemra më gufon mirënjohja për Jehovain. Ai dhe pjesa tokësore e organizatës së tij, vazhdimisht kanë siguruar drejtim të besueshëm dhe përkrahje të çmuar, duke më bërë të mundur që t’i përdorja plotësisht aftësitë e mia, ndërsa e kaloja jetën duke i shërbyer atij. Dëshiroj me gjithë zemër që Jehovai të më japë forcë të vazhdoj t’i shërbej. Jam e kënaqur që kam bërë pjesën time, sado të vogël, në veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik, që e drejton ai vetë.—Malakia 3:10.
[Shënimet]
^ par. 10 Shih faqet 73-89 të Librit vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1995, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 34 Për më shumë hollësi, shih Zgjohuni!, 8 shkurt 1972, faqet 12-16, anglisht.
[Figura në faqen 9]
Me motrën, Arianën, dhe të shoqin, Mikalisin, kur po nisesha për në Galaad
[Figura në faqen 10]
Ruth Hemigu dhe unë u caktuam në Stamboll të Turqisë
[Figura në faqen 11]
Në Itali, në fillim të viteve 70
[Figura në faqen 12]
Tani me motrën, Arianën