‘Lajmi i mirë për diçka më të mirë’
‘Lajmi i mirë për diçka më të mirë’
«Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij . . . që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë.»—ISAIA 52:7, BR.
1, 2. (a) Çfarë gjërash të frikshme po ndodhin çdo ditë? (b) Si reagojnë shumë njerëz, kur dëgjojnë vazhdimisht lajme të këqija?
NË DITËT e sotme, anembanë botës njerëzit ndihen sikur janë deri në grykë me lajme të këqija. Kur ndezin radion, dëgjojnë lajme të frikshme për sëmundje vdekjeprurëse që po zaptojnë tokën. Kur shohin lajmet në televizor, u shfaqen para syve pamje të pashlyeshme me fëmijë që po vdesin urie dhe kërkojnë ndihmë. Kur marrin në dorë gazetën, lexojnë për shpërthime bombash që kanë kthyer në gërmadha ndërtesa të tëra, duke vrarë shumë të pafajshëm.
2 Po, çdo ditë po ndodhin gjëra të frikshme. S’ka asnjë dyshim se skena e kësaj bote po ndryshon për keq. (1 Korintasve 7:31) Në një revistë të Evropës Perëndimore u komentua se, nganjëherë duket sikur e gjithë bota «do të përpihet nga flakët». Është më se e kuptueshme që gjithnjë e më shumë njerëz ndihen të dëshpëruar. Në një anketë për lajmet televizive në Shtetet e Bashkuara, një burrë tha diçka që, pa dyshim, tregon si ndihen miliona njerëz: ‘Pasi shoh lajmet, ndihem përtokë. Vetëm lajme të këqija jepen. Të bëjnë të ndihesh i pashpresë.’
Një lajm që kushdo duhet ta dëgjojë
3. (a) Cilin lajm të mirë shpall Bibla? (b) Pse e vlerësoni lajmin e mirë të Mbretërisë?
3 A mund të ketë lajme të mira në këtë botë kaq të zymtë? Po, mund të ketë! Është shumë ngushëlluese të dimë se Bibla shpall një lajm të mirë. Është lajmi se Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund sëmundjeve, urisë, krimeve, luftërave dhe çdo lloj shtypjeje tjetër. (Psalmi 46:9; 72:12) A s’është ky një lajm që duhet ta dëgjojë kushdo? Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se po. Prandaj i njohin kudo për përpjekjet e vazhdueshme që t’u japin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë njerëzve të të gjitha kombeve.—Mateu 24:14.
4. Cilat aspekte të shërbimit do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në artikullin vijues?
4 Por, ç’mund të bëjmë me qëllim që të vazhdojmë të marrim pjesë në mënyrë domethënëse në predikimin e këtij lajmi të mirë, edhe në territoret ku s’ka shumë fryt? (Luka 8:15) Me siguri që do të na ndihmojë një rishikim i shkurtër i tri aspekteve të rëndësishme të veprës sonë të predikimit. Do të shqyrtojmë (1) motivet tona ose ndryshe pse predikojmë; (2) mesazhin tonë ose çfarë predikojmë, dhe (3) metodat tona ose si predikojmë. Duke pasur gjithnjë motivet e duhura, një mesazh të qartë dhe metoda të efektshme, do t’u japim shumë njerëzve mundësinë të dëgjojnë lajmin më të mirë që mund të ketë sot: lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. *
Pse e predikojmë lajmin e mirë?
5. (a) Cili është motivi kryesor përse dalim në shërbim? (b) Pse mund të thuhet që bindja ndaj urdhrit biblik për të predikuar është shprehje e dashurisë për Perëndinë?
5 Le të shqyrtojmë aspektin e parë, pra motivet tona. Pse e predikojmë lajmin e mirë? Për të njëjtën arsye pse predikonte Jezui. Ai tha: «Unë e dua Atin.» (Gjoni 14:31; Psalmi 40:8) Pra, mbi të gjitha, na motivon dashuria për Perëndinë. (Mateu 22:37, 38) Bibla bën lidhjen ndërmjet shërbimit dhe dashurisë për Perëndinë, pasi thotë: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1 Gjonit 5:3; Gjoni 14:21) A përfshihet tek urdhërimet e Perëndisë edhe urdhri që ‘të shkojmë e të bëjmë dishepuj’? (Mateu 28:19) Po. Vërtet që këto fjalë i tha Jezui, por burimi i vërtetë ishte Jehovai. Pse e themi këtë? Jezui shpjegoi: «Nuk bëj asgjë me nismën time; por i them këto gjëra ashtu si Ati më mësoi.» (Gjoni 8:28; Mateu 17:5) Pra, duke zbatuar urdhrin për të predikuar, i tregojmë Jehovait se e duam.
6. Në cilat mënyra na motivon të predikojmë dashuria për Perëndinë?
6 Veç kësaj, dashuria për Jehovain na motivon të predikojmë, sepse duam të demaskojmë gënjeshtrat që po përhap Satanai kundër tij. (2 Korintasve 4:4) Satanai ka vënë në dyshim të drejtën e Perëndisë për të sunduar. (Zanafilla 3:1-5) Si Dëshmitarë të Jehovait, ne dëshirojmë shumë që të demaskojmë shpifjet e Satanait dhe ta shenjtërojmë emrin e Perëndisë para njerëzve. (Isaia 43:10-12) Gjithashtu, e bëjmë këtë shërbim, sepse kemi arritur të njohim cilësitë dhe udhët e Jehovait. Ndihemi pranë tij dhe kemi shumë dëshirë t’u flasim të tjerëve për Perëndinë tonë. Në fakt, mirësia dhe udhët e drejta të Jehovait na sjellin kaq shumë gëzim, saqë s’pushojmë dot së foluri për të. (Psalmi 145:7-12) Ndihemi të nxitur të flasim në lavdi të tij dhe t’u tregojmë «shkëlqesitë» e tij atyre që do të na dëgjojnë.—1 Pjetrit 2:9; Isaia 43:21.
7. Cila është një arsye tjetër e rëndësishme pse dalim në shërbim, përveç dashurisë për Perëndinë?
7 Ka edhe një arsye tjetër të rëndësishme pse vazhdojmë të dalim në shërbim. Ne dëshirojmë vërtet t’u sjellim lehtësim njerëzve që janë të rënduar nga vërshimi i pandalshëm i lajmeve të këqija dhe atyre që vuajnë për ndonjë arsye. Në këtë drejtim, përpiqemi të imitojmë Jezuin. Le të shohim, për shembull, atë që na thuhet te kapitulli i gjashtë i Markut.
8. Çfarë na tregon kapitulli i gjashtë i Markut për ndjenjat që provonte Jezui për njerëzit?
8 Apostujt u kthyen nga një fushatë predikimi dhe i treguan Jezuit gjithçka që kishin bërë e mësuar. Jezui vuri re se apostujt ishin të lodhur dhe u tha të shkonin me të që ‘të pushonin pak’. Kështu, hipën në një varkë dhe udhëtuan për në një vend të qetë. Por njerëzit i ndoqën, duke vrapuar përgjatë bregut dhe shumë shpejt i arritën. Çfarë bëri Jezui? «Ai pa një turmë të madhe,—thotë tregimi,—por u shty nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari. Dhe filloi t’u mësonte shumë gjëra.» (Marku 6:31-34) Edhe pse ishte i lodhur, Jezui vazhdoi t’u fliste njerëzve për lajmin e mirë, sepse ndiente keqardhje për ta. Po, Jezui kishte empati për ata njerëz, ndiente dhembshuri për ta.
9. Çfarë mësojmë nga tregimi në kapitullin e gjashtë të Markut, për motivin e duhur pse duhet të predikojmë?
9 Çfarë mësojmë nga ky tregim? Si të krishterë, e ndiejmë për detyrë të predikojmë lajmin e mirë dhe të bëjmë dishepuj. E kuptojmë përgjegjësinë tonë për të shpallur lajmin e mirë, sepse vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë». (1 Timoteut 2:4) Megjithatë, nuk e bëjmë shërbimin vetëm nga ndjenja e detyrës, por edhe të shtyrë nga dhembshuria. Kur na vjen vërtet keq për njerëzit, siç i vinte keq Jezuit, zemra na shtyn të bëjmë çmos që të vazhdojmë të përhapim lajmin e mirë. (Mateu 22:39) Këto motive të shkëlqyera për shërbimin, do të na shtyjnë ta predikojmë pa pushim lajmin e mirë.
Mesazhi ynë: Lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë
10, 11. (a) Si e përshkruan Isaia mesazhin që predikojmë? (b) Si solli Jezui lajmin e mirë për diçka më të mirë dhe si e kanë ndjekur shembullin e Jezuit shërbëtorët e Perëndisë në kohët e sotme?
10 Le të shohim aspektin e dytë të shërbimit tonë, pra mesazhin që japim. Çfarë mesazhi predikojmë? Profeti Isaia bëri këtë përshkrim të bukur të mesazhit që shpallim: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë, që shpall paqen, që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: ‘Perëndia yt është bërë mbret.’»—Isaia 52:7, BR.
11 Shprehja kryesore në këtë shkrim, «Perëndia yt është bërë mbret», na kujton se cili është mesazhi që duhet të shpallim, pra, lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Marku 13:10) Vini re edhe se si e zbulon ky varg frymën pozitive të mesazhit tonë. Isaia përdor terma të tillë, si ‘shpëtim’, ‘lajm i mirë’, ‘paqe’ dhe «diçka më të mirë». Disa shekuj pas Isaisë, në shekullin e parë të e.s., Jezu Krishti e përmbushi këtë profeci në mënyrë të jashtëzakonshme, duke lënë shembullin për predikimin me zell të diçkaje më të mirë, të Mbretërisë së Perëndisë. (Luka 4:43) Në kohët tona, e sidomos që nga viti 1919 e më tej, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndjekur shembullin e Jezuit, duke shpallur me zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, që tashmë është vendosur, dhe për bekimet që do të sjellë ajo.
12. Si ndikon lajmi i mirë për Mbretërinë tek ata që e pranojnë?
12 Si ndikon lajmi i mirë për Mbretërinë tek ata që e pranojnë? Sot, ashtu si në ditët e Jezuit, lajmi i mirë sjell shpresë dhe ngushëllim. (Romakëve 12:12; 15:4) U jep shpresë njerëzve të sinqertë, sepse mësojnë se ka arsye të forta për të besuar që do të vijnë kohë më të mira. (Mateu 6:9, 10; 2 Pjetrit 3:13) Kjo shpresë i ndihmon shumë njerëzit me frikë Perëndie, që të kenë një pikëpamje pozitive për të ardhmen. Psalmisti thotë se ata ‘nuk do t’u tremben lajmeve të këqija’.—Psalmi 112:1, 7.
Një mesazh që ‘u lidh plagën zemërthyerve’
13. Si i përshkruan profeti Isaia bekimet e menjëhershme që u vijnë atyre që pranojnë lajmin e mirë?
13 Veç kësaj, lajmi i mirë që predikojmë, u sjell lehtësim dhe bekime të menjëhershme atyre që e dëgjojnë. Në ç’mënyrë? Disa bekime i tregoi profeti Isaia, kur paratha: «Fryma e Zotit . . . është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen.»—Isaia 61:1, 2; Luka 4:16-21.
14. (a) Çfarë tregon për mesazhin e Mbretërisë shprehja ‘u lidh plagën zemërthyerve’? (b) Si e pasqyrojmë interesimin e Jehovait për ata që e kanë zemrën të thyer?
14 Sipas profecisë, duke predikuar lajmin e mirë, Jezui ‘do t’u lidhte plagën atyre me zemër të thyer’. Sa ilustrim prekës që përdori Isaia! Sipas një fjalori biblik, shprehja hebraike e përkthyer ‘të lidhësh’ «shpesh përdoret për ‘të lidhur’ me një fashë, duke mjekuar e duke shëruar kështu të plagosurin». Një infermiere e dhembshur ia lidh me fasha plagën një të plagosuri ose i vë kompresa, për t’i dhënë ndihmën që i nevojitet. Po kështu, kur predikojnë mesazhin e Mbretërisë, lajmëtarët e dhembshur u japin ndihmën e nevojshme të gjithë atyre që po vuajnë në ndonjë mënyrë. Dhe, duke i ndihmuar ata që janë në nevojë, pasqyrojnë interesimin e Jehovait. (Ezekieli 34:15, 16) Psalmisti thotë për Perëndinë: «Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.»—Psalmi 147:3.
Si ndikon mesazhi i Mbretërisë në jetën e njerëzve?
15, 16. Cilët shembuj nga jeta reale tregojnë se mesazhi i Mbretërisë u jep mbështetje dhe forcë atyre që kanë nevojë?
15 Ka shumë përvoja që tregojnë se si mesazhi i Mbretërisë i mbështet dhe i forcon vërtet ata që e kanë zemrën të thyer. Një shembull është Oreana, një grua e moshuar në Amerikën Jugore, e cila kishte humbur dëshirën për të jetuar. Një Dëshmitare e Jehovait filloi t’i bënte vizita dhe t’i lexonte nga Bibla e nga botimi Libri im i tregimeve biblike. * Në fillim, kjo grua e dëshpëruar vetëm sa dëgjonte leximin duke ndenjur shtrirë në krevat me sytë mbyllur, dhe hera-herës psherëtinte. Por s’kaloi shumë kohë dhe filloi të rrinte ulur në krevat kur Dëshmitarja lexonte. Pak më vonë, ulej në një karrige në dhomën e ndenjjes, duke pritur që t’i vinte mësuesja e Biblës. Pastaj, filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë. Duke marrë zemër nga ajo që mësoi në këto mbledhje, filloi t’i ofronte literaturë biblike kujtdo që kalonte para shtëpisë së saj. Në moshën 93-vjeçare, Oreana u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Mesazhi i Mbretërisë ia kishte rikthyer dëshirën për të jetuar.—Fjalët e urta (Proverbat) 15:30; 16:24.
16 Mesazhi i Mbretërisë mbështet fort edhe ata që e dinë se nuk e kanë të gjatë jetën, për shkak të ndonjë sëmundjeje. Le të marrim si shembull Marian nga Evropa Perëndimore. Ajo kishte një sëmundje të pashërueshme dhe i kishte humbur të gjitha shpresat. Kishte rënë në një depresion të thellë kur e takuan Dëshmitarët e Jehovait. Por, kur mësoi për qëllimet e Perëndisë, jeta e saj mori përsëri kuptim. U pagëzua dhe ishte shumë e zellshme në veprën e predikimit. Gjatë dy viteve të fundit të jetës, sytë i rrezatonin shpresë dhe gëzim. Maria vdiq me një shpresë të sigurt te ringjallja.—Romakëve 8:38, 39.
17. (a) Si po ndikon mesazhi i Mbretërisë në jetën e atyre që e pranojnë? (b) Si e keni provuar personalisht që Jehovai «ngre në këmbë tërë ata që janë rrëzuar»?
1 Selanikasve 4:13) Njerëzit që jetojnë në varfëri dhe mezi ia dalin të ushqejnë familjen, rifitojnë dinjitet e guxim kur mësojnë se Jehovai nuk do t’i braktisë kurrë, po t’i qëndrojnë besnikë. (Psalmi 37:28) Me ndihmën e Jehovait, shumë nga ata që janë nën darën e depresionit, gradualisht fitojnë forcën e brendshme që u duhet për të përballuar, e në disa raste edhe për ta kapërcyer, këtë sëmundje. (Psalmi 40:1, 2) Po, me anë të fuqisë që gjendet në Fjalën e tij, Jehovai që tani po «ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar». (Psalmi 145:14) Ndërsa vërejmë se si u sjell ngushëllim lajmi i mirë për Mbretërinë njerëzve me zemër të thyer që kemi në territor dhe në kongregacionin e krishterë, kuptojmë gjithnjë e më shumë se kemi lajmin më të mirë që mund të gjendet sot.—Psalmi 51:17.
17 Këta shembuj janë një provë e ndikimit që mund të ketë mesazhi i Mbretërisë në jetën e atyre që janë të etur për të vërtetat e Biblës. Individët që vajtojnë për vdekjen e një njeriu të afërt, marrin forca të reja kur mësojnë shpresën e ringjalljes. (‘I drejtoj përgjërime Perëndisë për ta’
18. Si ndihej Pavli kur judenjtë e hidhnin poshtë lajmin e mirë, dhe përse?
18 Edhe pse u japim njerëzve lajmin më të mirë që mund të ketë, shumë veta nuk e pranojnë. Si mund të ndikojë te ne kjo? Njësoj si ndikoi edhe tek apostulli Pavël. Ai shpesh u predikonte judenjve, por shumica prej tyre nuk e pranonin mesazhin e shpëtimit. Pavli u prek shumë nga ky mospranim. Ai tha: «Kam në zemër hidhërim të madh dhe një dhembje që nuk pushon.» (Romakëve 9:2) Pavli ndiente dhembshuri për judenjtë të cilëve u predikonte. Trishtohej që ata e hidhnin poshtë lajmin e mirë.
19. (a) Pse është logjike që nganjëherë ndihemi të shkurajuar? (b) Çfarë e ndihmoi Pavlin që ta vazhdonte veprën e predikimit?
19 Edhe ne e predikojmë lajmin e mirë të shtyrë nga dhembshuria. Prandaj, është logjike që ndihemi të shkurajuar kur shumë njerëz e hedhin poshtë mesazhin e Mbretërisë. Ky reagim tregon se interesohemi sinqerisht për mirëqenien frymore të atyre që u predikojmë. Megjithatë, duhet të mbajmë në mendje shembullin e apostullit Pavël. Çfarë e ndihmoi atë që ta vazhdonte veprën e predikimit? Edhe pse u hidhërua që judenjtë s’e pranuan lajmin e mirë, Pavli nuk hoqi dorë Romakëve 10:1.
nga të gjithë judenjtë, duke menduar se s’kishte si t’i ndihmonte. Ai kishte shpresë se disa prej tyre do ta pranonin Krishtin. Prandaj shkroi për ndjenjat që kishte për judenjtë si individë: «Vullneti i mirë i zemrës sime dhe përgjërimet që i drejtoj Perëndisë për ta janë, në fakt, për shpëtimin e tyre.»—20, 21. (a) Si mund të ndjekim shembullin e Pavlit në predikim? (b) Cilin aspekt të shërbimit do të trajtojmë në artikullin vijues?
20 Vini re dy gjëra që theksoi Pavli. Ai dëshironte me zemër që disa individë të shpëtonin dhe i përgjërohej Perëndisë për këtë qëllim. Ne sot ndjekim shembullin e Pavlit. Kemi gjithnjë në zemër dëshirën të gjejmë dikë që mund të jetë i prirur drejt lajmit të mirë. Vazhdojmë t’i lutemi Jehovait që të gjejmë njerëz të tillë dhe t’i ndihmojmë të ndjekin rrugën që do t’i çojë në shpëtim.—Fjalët e urta 11:30; Ezekieli 33:11; Gjoni 6:44.
21 Megjithatë, për t’u dhënë mesazhin e Mbretërisë sa më shumë njerëzve, duhet të kemi parasysh jo vetëm pse predikojmë dhe çfarë predikojmë, por edhe si predikojmë. Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 4 Në këtë artikull do të shqyrtojmë dy aspektet e para. Në artikullin tjetër, do të shqyrtohet aspekti i tretë.
^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Çfarë keni mësuar?
• Për cilat arsye marrim pjesë në shërbim?
• Cili është mesazhi kryesor që predikojmë?
• Çfarë bekimesh kanë ata që e pranojnë mesazhin e Mbretërisë?
• Çfarë do të na ndihmojë të vazhdojmë shërbimin tonë?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 18]
Mesazhi i Mbretërisë u jep forcë atyre që e kanë zemrën të thyer
[Figurat në faqen 20]
Lutja na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në shërbim