Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve

Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve

Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve

«Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.»​—VEPRAT 1:8.

1. Si mësues të Biblës, cilës gjë i kushtojmë vëmendje dhe përse?

MËSUESIT e aftë nuk i kushtojnë vëmendje vetëm çfarë u thonë nxënësve, por edhe mënyrës si ua thonë. Si mësues të së vërtetës biblike, ne veprojmë njësoj. I kushtojmë vëmendje qoftë mesazhit që predikojmë, qoftë metodave që përdorim. Mesazhi që kemi, pra lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë, nuk ndryshon, kurse metodat i përshtatim herë pas here. Përse? Për të folur me sa më shumë njerëz që të mundemi.

2. Kë po imitojmë kur i përshtatim metodat e predikimit?

2 Kur i përshtatim metodat e predikimit, imitojmë shërbëtorët e Perëndisë në lashtësi. Le të shqyrtojmë shembullin e apostullit Pavël. Ai tha: «Për judenjtë u bëra si jude. . . . Për ata pa ligj u bëra si pa ligj. . . . Për të dobëtit u bëra i dobët, që të fitoj të dobëtit. Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa.» (1 Korintasve 9:19-23) Kjo metodë e Pavlit për t’iu përshtatur njerëzve pati sukses. Edhe ne do të kemi sukses, nëse i përshtatim prezantimet tona sipas individëve me të cilët flasim, duke marrë parasysh nevojat dhe ndjenjat e tyre.

Deri në ‘skajet e tokës’

3. (a) Çfarë vështirësie hasim në veprën e predikimit? (b) Si po përmbushen sot fjalët e Isaisë 45:22?

3 Një vështirësi kryesore që hasin predikuesit e lajmit të mirë ka të bëjë me përmasat e territorit, që përfshin «gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Gjatë shekullit të kaluar, shumë shërbëtorë të Jehovait bënë përpjekje të mëdha për të vajtur në territore të reja, që të përhapnin lajmin e mirë. Cili ka qenë rezultati? Një rritje mahnitëse në mbarë botën. Në fillim të shekullit të 20-të, raportet flitnin për predikimin vetëm në pak vende, kurse tani Dëshmitarët e Jehovait janë aktivë në 235 vende! Vërtet, lajmi i mirë i Mbretërisë po shpallet deri në ‘skajet e tokës’.​—Isaia 45:22.

4, 5. (a) Cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm për të përhapur lajmin e mirë? (b) Çfarë kanë thënë disa zyra dege për të huajt që shërbejnë në territorin e këtyre degëve?

4 Si ka ndodhur një përparim i tillë? Kanë ndikuar shumë gjëra. Ndihmesë vërtet të madhe kanë dhënë misionarët e stërvitur në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit dhe, kohët e fundit, rreth 20.000 të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim. Kanë ndihmuar edhe mjaft Dëshmitarë që, me shpenzimet e tyre, janë transferuar në vende ku ka shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Këta të krishterë vetëmohues​—burra e gra, të rinj e të moshuar, beqarë dhe të martuar​—luajnë një rol mjaft të madh për ta predikuar mesazhin e Mbretërisë në mbarë tokën. (Psalmi 110:3; Romakëve 10:18) I vlerësojmë shumë për këtë ndihmesë. Shikoni se çfarë kanë shkruar disa zyra dege për ata që kanë ardhur nga shtete të tjera për të shërbyer në territorin e këtyre degëve, ku ka shumë nevojë.

5 «Këta Dëshmitarë, që i duam shumë, marrin drejtimin për të predikuar në zona të izoluara, ndihmojnë për të formuar kongregacione të reja dhe për rritjen frymore të vëllezërve e motrave këtu te ne.» (Ekuador) «Po të iknin ata qindra të huaj që shërbejnë këtu, kjo do të ndikonte në stabilitetin e kongregacioneve. Është një bekim t’i kemi mes nesh.» (Republika Domenikane) «Në shumë nga kongregacionet tona, ka një përqindje të madhe motrash, nganjëherë deri në 70 për qind e kongregacionit. (Psalmi 68:11) Shumica janë të reja në të vërtetën, por pionieret beqare që kanë ardhur nga vende të tjera, po japin një ndihmë të çmuar, duke i stërvitur të rejat. Këto motra të huaja janë një dhuratë e vërtetë për ne!» (Një vend i Evropës Lindore) A keni menduar ndonjëherë të shkoni të shërbeni në një vend tjetër? *​—Veprat 16:9, 10.

«Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët»

6. Si e tregon Zakaria 8:23 vështirësinë gjuhësore që hasim në veprën e predikimit?

6 Një vështirësi tjetër e madhe ka të bëjë me gjuhët e shumta që fliten në botë. Në Fjalën e Perëndisë parathuhej: «Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: ‘Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23) Në përmbushjen e sotme të kësaj profecie, dhjetë burrat paraqitin shumicën e madhe, për të cilën ishte profetizuar te Zbulesa 7:9. Mirëpo, siç e shohim te profecia e Zakarisë, ‘dhjetë burrat’ do të vinin jo vetëm nga gjithë kombet, po edhe «nga të gjitha gjuhët e kombeve». A kemi parë ndonjë përmbushje të kësaj hollësie të rëndësishme të profecisë? Po, sigurisht.

7. Cilat statistika tregojnë se sot, lajmi i mirë po u jepet njerëzve «nga të gjitha gjuhët»?

7 Të shohim disa statistika. Pesëdhjetë vjet më parë, literatura jonë botohej në 90 gjuhë. Sot botohet në më shumë se 400 gjuhë. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» nuk i ka kursyer përpjekjet për të siguruar literaturë edhe në disa gjuhë që fliten nga relativisht pak veta. (Mateu 24:45) Për shembull, tani ka literaturë biblike në gjuhën grënlandeze (që e flasin 47.000 njerëz), në gjuhën palauane (që e flasin 15.000 njerëz) dhe në gjuhën japeze (që e flasin më pak se 7.000 njerëz).

«Një derë e gjerë» që hap mundësi të reja

8, 9. Cila dukuri ka ndikuar që të hapet «një derë e gjerë» për ne, e si janë përgjigjur mijëra Dëshmitarë?

8 Por, në ditët tona, ndoshta s’kemi nevojë të shkojmë jashtë shtetit që t’u japim lajmin e mirë njerëzve të të gjitha gjuhëve. Vitet e fundit, ngaqë miliona emigrantë dhe refugjatë kanë shkuar në vendet e zhvilluara, janë krijuar komunitete të shumta emigrantësh, ku fliten mjaft gjuhë. Për shembull, në Paris, Francë, fliten rreth 100 gjuhë. Në Toronto, Kanada, fliten 125 gjuhë dhe në Londër, Angli, mbi 300 gjuhë! Ngaqë ka njerëz nga vende të tjera, në shumë territore është hapur «një derë e gjerë» që hap mundësi të reja për t’u dhënë lajmin e mirë njerëzve të të gjitha kombeve.​—1 Korintasve 16:9.

9 Mijëra Dëshmitarë e kanë pranuar këtë sfidë, duke mësuar një gjuhë të huaj. Për shumicën kjo është e vështirë. Megjithatë, mundimi i tyre shpërblehet me gëzimin që ndiejnë kur ndihmojnë emigrantët dhe refugjatët të mësojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Në një nga vitet e fundit, rreth 40 për qind e të pagëzuarve në kongreset krahinore në një vend të Evropës Perëndimore, ishin të huaj.

10. Si e keni përdorur broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve? (Shih kutinë «Veçori të broshurës Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve», në faqen 26.)

10 Vërtet, shumë prej nesh nuk kanë mundësi të mësojnë një gjuhë të huaj. Por, gjithsesi, edhe ne mund t’i ndihmojmë emigrantët, duke e përdorur sa më mirë broshurën e re Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve, * e cila përmban një mesazh biblik tërheqës në shumë gjuhë. (Gjoni 4:37) A po e përdorni në shërbim këtë broshurë?

Kur njerëzit nuk na dëgjojnë

11. Çfarë vështirësie tjetër haset në disa territore?

11 Ndërkohë që ndikimi i Satanait në tokë sa vjen e rritet, haset më shpesh një tjetër vështirësi: në disa territore shumica e njerëzve nuk na dëgjojnë. Sigurisht, kjo situatë nuk na zë në befasi, sepse Jezui paratha një gjendje të tillë. Duke folur për ditët tona, ai tha: «Dashuria e shumicës do të ftohet.» (Mateu 24:12) Po, te shumë veta është pakësuar besimi te Perëndia dhe respekti për Biblën. (2 Pjetrit 3:3, 4) Si pasojë, në disa pjesë të botës, janë relativisht të paktë ata që bëhen dishepuj të Krishtit. Por kjo nuk do të thotë se është i kotë mundi i vëllezërve dhe i motrave të dashura, që predikojnë me besnikëri në territoret me njerëz indiferentë. (Hebrenjve 6:10) Pse themi kështu? Shqyrtoni sa vijon.

12. Cilat janë dy synimet e predikimit tonë?

12 Tek Ungjilli sipas Mateut theksohen dy synime kryesore të predikimit tonë. Njëri është ‘të bëjmë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’. (Mateu 28:19) Tjetri është që mesazhi i Mbretërisë të shërbejë si «dëshmi». (Mateu 24:14) Të dyja synimet janë të rëndësishme, por ky i dyti është veçanërisht domethënës. Përse?

13, 14. (a) Cili është një aspekt i rëndësishëm i shenjës së pranisë së Krishtit? (b) Çfarë duhet të mbajmë në mendje, sidomos kur predikojmë në territore me njerëz indiferentë?

13 Mateu, njëri nga shkrimtarët e Biblës, dokumentoi pyetjen që i bënë apostujt Jezuit: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Në përgjigje, Jezui tha se një aspekt i rëndësishëm i kësaj shenje do të ishte një vepër mbarëbotërore predikimi. A e kishte fjalën për veprën e bërjes së dishepujve? Jo. Ai tha: «Ky jam i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Kështu, Jezui tregoi se një aspekt i rëndësishëm i shenjës do të ishte vetë vepra e predikimit për Mbretërinë.

14 Pra, kur predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë, ne mbajmë në mendje se, edhe sikur të mos arrijmë të bëjmë dishepuj, kemi arritur të japim «dëshmi». Pavarësisht se si reagojnë njerëzit, ata e dinë se çfarë vepre po kryejmë, kështu që ne marrim pjesë në përmbushjen e profecisë së Jezuit. (Isaia 52:7; Zbulesa 14:6, 7) Jordi, një Dëshmitar në moshë të re, nga Evropa Perëndimore, tha: «Jam shumë i lumtur kur mendoj se Jehovai po më përdor për të marrë pjesë në përmbushjen e Mateut 24:14.» (2 Korintasve 2:15-17) Pa dyshim që edhe ju ndiheni kështu.

Kur njerëzit i kundërvihen mesazhit tonë

15. (a) Për çfarë i paralajmëroi Jezui ithtarët e tij? (b) Çfarë na e bën të mundur të predikojmë me gjithë kundërshtimin?

15 Një vështirësi tjetër për predikimin e lajmit të mirë ka të bëjë me kundërshtimin. Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Do të jeni objekt urrejtjeje për të gjitha kombet, për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Ashtu si të krishterët e hershëm, edhe në ditët tona ithtarët e Jezuit i kanë urryer, i kanë kundërshtuar dhe i kanë përndjekur. (Veprat 5:17, 18, 40; 2 Timoteut 3:12; Zbulesa 12:12, 17) Në disa vende, tani qeveria u ka vënë ndalime. Megjithatë, duke iu bindur Perëndisë, të krishterët e vërtetë në këto vende vazhdojnë ta predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë. (Amosi 3:8; Veprat 5:29; 1 Pjetrit 2:21) Çfarë bën të mundur që ata, si edhe gjithë Dëshmitarët në mbarë botën, të veprojnë kështu? Jehovai u jep fuqi, me anë të frymës së tij të shenjtë.​—Zakaria 4:6; Efesianëve 3:16; 2 Timoteut 4:17.

16. Si e tregoi Jezui lidhjen ndërmjet veprës së predikimit dhe frymës së Perëndisë?

16 Jezui e theksoi lidhjen e ngushtë ndërmjet frymës së Perëndisë dhe veprës së predikimit, kur u tha ithtarëve të tij: «Do të merrni fuqi, kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8; Zbulesa 22:17) Vlen të ndalemi në renditjen e ngjarjeve në këtë shkrim. Së pari dishepujt morën frymën e shenjtë e pastaj filluan veprën mbarëbotërore të predikimit. Vetëm me ndihmën e frymës së Perëndisë do të kishin forcën e duhur për të qëndruar, ndërsa jepnin «dëshmi për të gjitha kombet». (Mateu 24:13, 14; Isaia 61:1, 2) Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, Jezui iu referua frymës së shenjtë si «ndihmësi». (Gjoni 15:26) Ai tha se fryma e Perëndisë do t’i mësonte e do t’i udhëhiqte dishepujt.​—Gjoni 14:16, 26; 16:13.

17. Si na ndihmon fryma e shenjtë, kur hasim kundërshtim të ashpër?

17 Si na ndihmon sot fryma e Perëndisë, kur hasim kundërshtim të ashpër ndaj predikimit të lajmit të mirë? Fryma e Perëndisë na forcon dhe madje u kundërvihet atyre që na përndjekin. Për ta ilustruar, le të shqyrtojmë një ngjarje nga jeta e mbretit Saul.

Fryma e shenjtë i kundërvihet

18. (a) Çfarë ndryshimi dramatik për keq pësoi Sauli? (b) Çfarë metodash përdori Sauli për të përndjekur Davidin?

18 Sauli e filloi mirë jetën si mbreti i parë i Izraelit, por më vonë nuk iu bind më Jehovait. (1 Samuelit 10:1, 24; 11:14, 15; 15:17-23) Si pasojë, fryma e Perëndisë nuk e mbështeti më këtë mbret. Sauli u zemërua shumë me Davidin, i cili ishte vajosur si mbreti që do ta pasonte dhe tani kishte mbështetjen e frymës së Perëndisë. (1 Samuelit 16:1, 13, 14) Davidi dukej një pre e lehtë. Fundja, kishte vetëm një harpë në dorë, kurse Sauli kishte një shtizë. Prandaj, një ditë, ndërsa Davidi po luante me harpë një pjesë muzikore, «Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: ‘Do ta gozhdoj Davidin në mur!’ Por Davidi iu shmang goditjes dy herë». (1 Samuelit 18:10, 11) Pas kësaj, Sauli ia vuri veshin të birit, Jonatanit, që ishte edhe mik i Davidit, e u betua: «Siç është e vërtetë që Zoti rron, [Davidi] nuk ka për të vdekur.» Por, më vonë, Sauli «u orvat ta gozhdonte Davidin në mur me shtizën e tij». Mirëpo, Davidi «iu shmang Saulit dhe ky e nguli shtizën e tij në mur». Davidi ia mbathi për të shpëtuar, por Sauli iu vu prapa. Në këtë moment kritik, fryma e Perëndisë iu kundërvu Saulit. Në ç’mënyrë?​—1 Samuelit 19:6, 10.

19. Si e mbrojti fryma e Perëndisë Davidin?

19 Davidi shkoi te profeti Samuel, por Sauli dërgoi atje njerëz për ta kapur. Mirëpo, kur mbërritën te vendi ku fshihej Davidi, «fryma e Perëndisë i përshkoi lajmëtarët e Saulit që filluan edhe ata të bëjnë profeci». Kaq shumë i kishte përshkuar fryma e Perëndisë, saqë e harruan fare qëllimin pse kishin vajtur atje. Edhe dy herë të tjera Sauli dërgoi njerëz për ta kapur Davidin, por u ndodhi e njëjta gjë. Së fundi, vetë mbreti Saul shkoi ta kapte Davidin, por as Sauli nuk mundi t’i rezistonte frymës së Perëndisë. Në fakt, fryma e shenjtë e la pa lëvizur «tërë atë ditë dhe tërë atë natë», duke i dhënë Davidit kohë të mjaftueshme për të ikur.​—1 Samuelit 19:20-24.

20. Çfarë mund të mësojmë nga tregimi i Saulit që përndiqte Davidin?

20 Ky tregim për Saulin dhe Davidin përmban një mësim që na forcon shumë: asnjë përndjekës i shërbëtorëve të Perëndisë s’mund t’ia dalë mbanë, po të ketë kundër frymën e Perëndisë. (Psalmi 46:11; 125:2) Jehovai kishte vendosur që Davidi të ishte mbret në Izrael dhe askush nuk mund ta ndryshonte këtë. Në ditët tona, Jehovai ka vendosur se «lajmi i mirë i mbretërisë do të predikohet». Askush s’mund ta ndalojë këtë gjë.​—Veprat 5:40, 42.

21. (a) Si veprojnë sot disa kundërshtarë? (b) Për çfarë jemi të sigurt?

21 Disa udhëheqës fetarë e politikë përdorin gënjeshtra ose edhe dhunë, për të na penguar. Por, Jehovai do ta mbrojë popullin e Tij sot, ashtu siç mbrojti Davidin me anë të frymës së Tij. (Malakia 3:6) Prandaj, ashtu si Davidi, themi të sigurt: «Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?» (Psalmi 56:11; 121:1-8; Romakëve 8:31) Me ndihmën e Jehovait, le të vazhdojmë t’i përballojmë të gjitha vështirësitë, ndërkohë që kryejmë detyrën që na ka ngarkuar ai, për t’ua predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë njerëzve të të gjitha kombeve!

[Shënimet]

^ par. 5 Shih kutinë «Një ndjenjë të thellë kënaqësie», në faqen 22.

^ par. 10 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Përse i përshtatim metodat tona të predikimit?

• Cila «derë e gjerë» është hapur sot dhe çfarë mundësish na krijon?

• Çfarë arrijmë kur e vazhdojmë veprën e predikimit, edhe në territoret ku shumica nuk na dëgjon?

• Përse asnjë kundërshtar nuk mund ta ndalë predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 22]

Një ndjenjë të thellë kënaqësie

«Të lumtur dhe të kënaqur duke i shërbyer së bashku Jehovait.» Ky është përshkrimi për një familje që u transferua nga Spanja në Bolivi. Njëri nga djemtë e familjes kishte vajtur më parë atje për të mbështetur një grup të izoluar. Gëzimi që i lexohej qartë në fytyrë, u bëri kaq shumë përshtypje prindërve, saqë shumë shpejt e gjithë familja, me katër djemtë nga mosha 14 deri në 25-vjeç, po shërbente atje. Tre nga djemtë tani po shërbejnë si pionierë, kurse ai që shkoi i pari në Bolivi, kohët e fundit ndoqi Shkollën e Stërvitjes për Shërbim.

«Vështirësitë janë të shumta,​—thotë Anxhelika 30-vjeçare nga Kanadaja, e cila shërben në Evropën Lindore,​—por unë gjej kënaqësi duke ndihmuar njerëzit në shërbim. Më prekin thellë edhe shprehjet e mirënjohjes nga Dëshmitarët vendës, të cilët shpesh më falënderojnë që kam ardhur për t’i ndihmuar.»

«Na u desh të mësoheshim me kaq shumë zakone të reja,​—thonë dy motra të një gjaku që janë në fund të të 20-ave, vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe shërbejnë në Republikën Domenikane.​—Megjithatë, ngulmuam në caktimin tonë dhe, tani, shtatë veta që studiojnë Biblën me ne, po ndjekin mbledhjet.» Këto dy motra luajtën një rol të rëndësishëm për të organizuar një grup lajmëtarësh të Mbretërisë në një qytezë ku nuk ka kongregacion.

Laura, një motër afër të 30-ave, ka katër vjet që shërben në një vend të huaj. Ajo thotë: «Kam vendosur vetë ta mbaj jetën të thjeshtë. Kjo i ndihmon lajmëtarët që të kuptojnë se, të bësh një jetë modeste, është punë zgjedhjeje dhe gjykimi të shëndoshë, jo vetëm nga varfëria. Mundësia për të ndihmuar të tjerët, sidomos të rinjtë, më ka sjellë një gëzim që i kompenson vështirësitë reale të shërbimit në një vend të huaj. Nuk do ta ndërroja shërbimin këtu me një jetë tjetër, dhe do të qëndroj derisa ta lejojë Jehovai.»

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Veçori të broshurës Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve

Broshura Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve ka një mesazh që është paraqitur deri në 92 gjuhë. Mesazhi është shkruar në vetën e parë njëjës. Pra, kur i zoti i shtëpisë e lexon mesazhin, do t’i duket sikur po i flet ti vetë.

Ana e brendshme e kapakut ka një hartë të botës. Përdore këtë hartë për të krijuar një lidhje me të zotin e shtëpisë. Ndoshta mund t’i tregosh vendin ku jeton ti dhe t’i bësh të kuptojë se dëshiron të dish nga vjen ai. Kështu mund ta inkurajosh të shprehet dhe të krijosh një atmosferë miqësore e të lirshme.

Në parathënien e broshurës renditen disa hapa që duhet të bëjmë, për t’u dhënë ndihmë të efektshme atyre që flasin një gjuhë që s’e kuptojmë. Të lutemi, lexoji me kujdes këta hapa dhe zbatoji me përpikëri.

Në tabelën e përmbajtjes renditen jo vetëm gjuhët, por, përbri tyre, edhe simbolet që u përkasin. Kjo veçori të ndihmon të kuptosh simbolet gjuhësore që përdoren në fletushkat dhe në botimet tona, që janë në gjuhë të ndryshme.

[Figura]

A po e përdor në shërbim këtë broshurë?

[Figurat në faqen 23]

Tani botimet tona biblike i gjen në më shumë se 400 gjuhë

GANË

LAPONI (SUEDI)

FILIPINE

[Figurat në faqet 24, 25]

A mund të shërbesh atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?

EKUADOR

REPUBLIKA DOMENIKANE