Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore!»

«Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore!»

«Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore!»

KUR zgjohen në mëngjes, zogjtë shpesh cicërojnë për pak minuta dhe pastaj nisen fluturim për të kërkuar ushqim. Në mbrëmje, kthehen në fole, cicërojnë edhe ca, dhe bien të flenë. Në periudha të caktuara çiftëzohen, ngrohin vezët dhe rritin të vegjlit e tyre. Edhe gjallesat e tjera kanë një rutinë që ndjekin zakonisht.

Ndërsa ne njerëzit jemi ndryshe. Është e vërtetë se edhe ne hamë, flemë dhe shumohemi, por nuk kënaqemi vetëm me kaq. Duam të dimë pse ekzistojmë. Kërkojmë qëllimin e jetës. Madje, duam të kemi një shpresë për të ardhmen. Këto nevoja nxjerrin në pah një veçori që e kanë vetëm njerëzit: anën frymore ose nevojën dhe aftësinë për të plotësuar kërkesat shpirtërore.

Të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë

Duke shpjeguar pse te njeriu ekziston edhe ana frymore, Bibla thotë: «Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.» (Zanafilla 1:27) Fakti që jemi krijuar «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë» do të thotë që, edhe pse jemi njollosur nga mëkati dhe papërsosmëria, e kemi aftësinë të pasqyrojmë disa cilësi të Perëndisë. (Romakëve 5:12) Për shembull, kemi talent për të krijuar. Kemi edhe mençuri, ndjenjën e drejtësisë dhe aftësinë për të treguar dashuri altruiste për njëri-tjetrin. Përveç këtyre, mund të mendojmë për të kaluarën dhe të bëjmë plane për të ardhmen.​—Fjalët e urta 4:7; Predikuesi 3:1, 11; Mikea 6:8; Gjoni 13:34; 1 Gjonit 4:8.

Ana frymore e njeriut pasqyrohet më tepër në dëshirën tonë të lindur për të adhuruar Perëndinë. Nëse nuk e plotësojmë nevojën për të pasur një lidhje të ngushtë me Krijuesin tonë, nuk mund të gjejmë lumturi të vërtetë e të përhershme. «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore»,​—tha Jezui. (Mateu 5:3) Por duhet të tregojmë kujdes që ta plotësojmë këtë nevojë me të vërtetën frymore, domethënë të njohim faktet në lidhje me Perëndinë, normat dhe qëllimin e tij për njerëzimin. Ku mund ta gjejmë të vërtetën frymore? Në Bibël.

«Fjala jote është e vërteta»

Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Timoteut 3:16) Fjalët e Pavlit janë në harmoni me fjalët e Jezuit drejtuar Perëndisë në lutje: «Fjala jote është e vërteta.» Sot, këtë Fjalë e njohim si Bibla e Shenjtë, dhe është e mençur të sigurohemi që normat dhe bindjet tona fetare të jenë në harmoni me të.​—Gjoni 17:17.

Kur krahasojmë bindjet tona me Fjalën e Perëndisë, imitojmë banorët e Bereas së lashtë, të cilët donin të siguroheshin nëse mësimet e Pavlit ishin në harmoni me Shkrimet. Luka nuk i kritikoi bereasit, por i lavdëroi për këtë qëndrim. Ai shkroi se ata «e pranuan fjalën me etjen më të madhe të mendjes, duke i shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu». (Veprat 17:11) Duke pasur parasysh mësimet e shumta fetare dhe morale që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, është mjaft e rëndësishme që të imitojmë shembullin e bereasve me mendje fisnike.

Një mënyrë tjetër si ta identifikojmë të vërtetën frymore është duke parë ndikimin e saj në jetën e njerëzve. (Mateu 7:17) Për shembull, nëse dikush jeton sipas së vërtetës biblike, rrjedhimisht bëhet një bashkëshort më i mirë ose një baba më i mirë, një bashkëshorte më e mirë ose një nënë më e mirë, pra është një njeri që rrit lumturinë e familjes dhe gëzimin e tij. Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë!»​—Luka 11:28.

Fjalët e Jezuit na kujtojnë ato të Atit të tij qiellor, i cili u tha izraelitëve të lashtë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:17, 18) Të gjithë ata që e duan mirësinë dhe drejtësinë, sigurisht që do të prekeshin nga një kërkesë e tillë.

Disa parapëlqejnë që «t’u gudulisin veshët»

Perëndia ua bëri këtë kërkesë të përzemërt izraelitëve, ngaqë mashtrimet fetare po i çonin në rrugë të gabuar. (Psalmi 106:35-40) Edhe ne duhet të kemi kujdes nga shtrembërimet që i bëjnë së vërtetës. Në lidhje me disa që pohonin se ishin të krishterë, Pavli shkroi: «Do të vijë një periudhë kohe, kur ata njerëz nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët; do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’u kthehen tregimeve të rreme.»​—2 Timoteut 4:3, 4.

Udhëheqësit fetarë u gudulisin veshët njerëzve duke toleruar praktikat që kënaqin dëshira të gabuara, siç janë marrëdhëniet seksuale jashtë martese, homoseksualizmi dhe dehja. Bibla e thotë qartë se ata që miratojnë dhe ata që bëjnë gjëra të tilla, «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».​—1 Korintasve 6:9, 10; Romakëve 1:24-32.

Pa dyshim që duhet kurajë për të jetuar sipas normave të Biblës, sidomos kur na tallin, por gjithsesi, nuk është e pamundur. Ndër Dëshmitarët e Jehovait ka nga ata që më parë merrnin drogë, ishin pijanecë, të pamoralshëm, kriminelë, hajdutë dhe gënjeshtarë. Pavarësisht nga kjo, Fjala e Perëndisë u preku zemrën dhe, me ndihmën e frymës së shenjtë, kanë bërë ndryshime në jetën e tyre, ‘në mënyrë që të ecin denjësisht për Jehovain’. (Kolosianëve 1:9, 10; 1 Korintasve 6:11) Duke qenë në paqe me Perëndinë, ata kanë arritur të gjejnë paqe të brendshme dhe, siç do të shohim, kanë arritur të kenë një shpresë të vërtetë për të ardhmen.

Shpresa e Mbretërisë

Shpresa që jep Bibla, se njerëzit e bindur do të kenë paqe të përhershme, do të përmbushet nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë. «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë»,​—tha Jezui në lutjen e tij model. (Mateu 6:10) Po, vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të bëjë të mundur që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë. Pse? Sepse kjo Mbretëri qiellore, një qeveri me në krye Jezu Krishtin, është mjeti me të cilin Perëndia do të ushtrojë sovranitetin e tij legjitim mbi tokë.​—Psalmi 2:7-12; Danieli 7:13, 14.

Si Mbret i kësaj Mbretërie qiellore, Jezu Krishti do t’i çlirojë njerëzit e bindur nga çdo formë skllavërie, përfshirë edhe mëkatin adamik që i ka mbërthyer e pasojat e tij, si sëmundjet dhe vdekja. Te Zbulesa 21:3, 4 thuhet: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin . . . Ai [Perëndia Jehova] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»

Paqja e përhershme do të mbizotërojë në mbarë tokën. Pse mund të jemi të sigurt për këtë? Arsyeja zbulohet tek Isaia 11:9, ku thuhet: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe [nga nënshtetasit e Mbretërisë], asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» Po, çdo njeri në tokë do të marrë njohuri të saktë për Perëndinë dhe do t’i bindet atij. A nuk jua ngroh zemrën kjo shpresë? Nëse po, tani është koha që të filloni të merrni ‘njohurinë’ e çmuar të Jehovait.

A do t’i kushtoni vëmendje mesazhit të Mbretërisë?

Me anë të Mbretërisë, Perëndia do të zhbëjë të gjitha veprat e Satanait dhe do t’i arsimojë njerëzit në rrugët e Tij të drejta. Ja pse Mbretëria ishte në qendër të mësimeve të Jezuit. Ai tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë . . . , sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Krishti i urdhëroi dishepujt e tij që t’ua shpallnin të njëjtin mesazh edhe të tjerëve. (Mateu 28:19, 20) Ai paratha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Ky fund po afrohet me të shpejtë. Prandaj është mjaft e rëndësishme që njerëzit me zemër të ndershme t’ia vënë veshin lajmit të mirë jetëshpëtues.

Alberti, që u përmend në artikullin e mëparshëm, e dëgjoi mesazhin e Mbretërisë kur gruaja dhe djali i tij filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim, Alberti dyshonte. Madje, ai i kërkoi një kleriku që t’i bënte një vizitë gruas dhe djalit, dhe të demaskonte Dëshmitarët. Por kleriku nuk deshi të përfshihej. Prandaj Alberti vendosi të rrinte vetë gjatë studimit që bënin Dëshmitarët me gruan dhe djalin e tij, në mënyrë që t’i zinte në gabim. Por, herën tjetër, ai u bashkua me ta në studim, duke pritur me padurim të mësonte më shumë. Më vonë shpjegoi pse ndryshoi qëndrim. Ai tha: «Pikërisht këtë kisha kërkuar prej kohësh.»

Më në fund, Alberti filloi të plotësonte nevojën e tij frymore dhe nuk u pendua kurrë për këtë. Tek e vërteta biblike gjeti çka kishte kërkuar gjithë jetën: zgjidhjen e padrejtësisë dhe korrupsionit, që karakterizojnë shoqërinë tonë, dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. E vërteta biblike i dha paqe të brendshme. A po e plotësoni edhe ju nevojën tuaj frymore? Pse nuk lexoni për një moment pyetjet që janë radhitur në kutinë e faqes 6? Nëse dëshironi të dini më shumë, Dëshmitarët e Jehovait do t’ju ndihmojnë me kënaqësi.

[Kutia dhe figurat në faqen 6]

A PO E PLOTËSON NEVOJËN TËNDE FRYMORE?

A të duket se njohuria që po merr e plotëson nevojën tënde frymore? Të lutemi të lexosh pyetjet e mëposhtme dhe të shënosh ato që mund t’u përgjigjesh saktë.

□ Kush është Perëndia dhe cili është emri i tij?

□ Kush është Jezu Krishti? Pse duhej të vdiste? Çfarë dobish nxjerrim nga vdekja e tij?

□ A ekziston Djalli? Nëse po, nga erdhi?

□ Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

□ Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën dhe për njerëzimin?

□ Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

□ Cilat janë normat morale të Perëndisë?

□ Çfarë rolesh u ka caktuar Perëndia burrit dhe gruas në familje? Cilat janë disa parime të Biblës që çojnë në lumturinë familjare?

Nëse nuk je i sigurt për përgjigjen e ndonjë pyetjeje, mund të kërkosh një kopje të broshurës Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Kjo broshurë është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait në gati 300 gjuhë; merr në shqyrtim 16 mësime themelore të Biblës dhe jep përgjigje biblike për të gjitha pyetjet e mësipërme.

[Figurat në faqen 4]

Ndryshe nga kafshët, njerëzit kanë një nevojë frymore

[Figura në faqen 5]

«Do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët.»​—2 Timoteut 4:3

[Figura në faqen 7]

Paqja e përhershme do të vijë me anë të Mbretërisë Mesianike të Perëndisë