«Ata nuk bënë kompromis»
«Ata nuk bënë kompromis»
«TË LUMTUR jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim»,—u tha Jezu Krishti dishepujve. (Mateu 5:11) Sot, Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur sepse, në harmoni me mësimet dhe shembullin e Krishtit, ata «nuk janë pjesë e botës», janë plotësisht asnjanës në çështje politike dhe ruajnë integritetin ndaj Perëndisë në çdo lloj rrethane.—Gjoni 17:14; Mateu 4:8-10.
Në lidhje me qëndrimin e pakomprometueshëm që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik, përfshirë edhe ata në Estoni, teologu luteran dhe përkthyesi i Biblës, Tomas Pauli, në librin e tij Kisha në mes të fshatit (estonisht), shkruan: «Pak njerëz e dinë se çfarë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 1 prillit 1951. U planifikua një fushatë për të dëbuar nga vendi Dëshmitarët e Jehovait dhe gjithë ata që i mbështetnin. Kapën gjithsej 279 veta dhe i internuan në Siberi. . . . U thanë se, nëse donin të shpëtonin nga internimi dhe burgimi, duhej të firmosnin një formular ku thuhej se pranonin të hiqnin dorë nga besimi i tyre. . . . Bashkë me ata që ishin arrestuar më parë, bëheshin gjithsej 353 të internuar, ku përfshiheshin të paktën 171 njerëz që vetëm shoqëroheshin me kongregacionin. Por, ata nuk bënë kompromis, madje as kur i çuan në Siberi. . . . Të paktë ishin ata nga Kisha [Luterane në Estoni] që kishin një besim si ai i Dëshmitarëve të Jehovait.»
Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën kanë besim se Perëndia do t’i ndihmojë të qëndrojnë besnikë dhe të bindur, pavarësisht nga përndjekja. Ata gëzojnë sepse e dinë që besnikëria e tyre do të shpërblehet shumë.—Mateu 5:12.