Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kush është mendjehollë i shqyrton hapat e tij»

«Kush është mendjehollë i shqyrton hapat e tij»

«Kush është mendjehollë i shqyrton hapat e tij»

NJERIU mendjehollë është i shkathët dhe i zgjuar, me gjykim të shëndoshë dhe i mprehtë, i arsyeshëm e i matur, me aftësi dalluese e i mençur. Ai nuk është as dredharak e as intrigant. «Njeriu mendjehollë do të veprojë sipas njohurisë»,​—thuhet te Proverbat [Fjalët e urta] 13:16, BR. Po, mendjehollësia ose mendjemprehtësia është një tipar i çmuar.

Si ta shfaqim mendjehollësinë në jetën e përditshme? Si e tregojmë këtë cilësi në zgjedhjet që bëjmë, në mënyrën si i trajtojmë të tjerët dhe në mënyrën si veprojmë në situata të ndryshme? Cilat bekime korr njeriu mendjehollë? Cilat katastrofa shmang? Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë jep përgjigje praktike për këto pyetje, siç lexojmë te Fjalët e urta 14:12-25. *

Zgjidhe shtegun me mençuri

Natyrisht që, për të bërë zgjedhje të mençura e për të pasur sukses në jetë, duhet të dish të dallosh të drejtën nga e gabuara. Gjithsesi, Bibla paralajmëron: «Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.» (Fjalët e urta 14:12) Prandaj duhet të mësojmë të dallojmë atë që është me të vërtetë e drejtë nga ajo që vetëm sa duket e tillë. Shprehja «rrugët e vdekjes» tregon që ka shumë shtigje të tilla mashtruese. Të shqyrtojmë disa fusha në të cilat duhet të kemi kujdes dhe duhet t’i shmangim.

Në përgjithësi, bota i sheh të pasurit dhe të famshmit si njerëz të respektueshëm e të admirueshëm. Ndoshta suksesi që kanë në fushën shoqërore dhe ekonomike, bën që veprimet e tyre të duken të drejta. Mirëpo, ç’të themi për mjetet me të cilat e kanë fituar pasurinë ose famën disa nga këta individë? A janë rrugët e tyre gjithnjë të drejta dhe të moralshme? Gjithashtu, disa individë janë për t’u admiruar që shfaqin zell të madh për bindjet e tyre fetare. Por, a tregon sinqeriteti i tyre se këto bindje janë të drejta?​—Romakëve 10:2, 3.

Një rrugë mund të na duket e drejtë edhe për shkak të vetëmashtrimit. T’i bazojmë vendimet në atë që neve vetë na duket e drejtë, do të thotë të lëmë të na drejtojë zemra, që është një udhërrëfyese e pabesë. (Jeremia 17:9) Një ndërgjegje e painformuar dhe e pastërvitur, mund të na bëjë të mendojmë që rruga e gabuar është në të vërtetë e drejtë. Po atëherë, çfarë do të na ndihmojë të zgjedhim shtegun e duhur?

Nëse duam t’i kemi «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën», është e domosdoshme që të bëjmë një studim personal të zellshëm për të vërtetat më të thella të Fjalës së Perëndisë. Përveç kësaj, ne duhet t’i stërvitim këto aftësi «nëpërmjet përdorimit», duke zbatuar parimet biblike. (Hebrenjve 5:14) Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos lejuar që një rrugë, e cila vetëm në dukje është e drejtë, të na bëjë të largohemi nga ‘rruga e ngushtë që të çon në jetë’.​—Mateu 7:13, 14.

Kur «zemra mund të jetë e pikëlluar»

A mund të jemi të lumtur kur nuk kemi paqe përbrenda? A e lehtësojnë dhembjen e thellë e qeshura dhe gëzimi? A është e mençur ta mbytim dëshpërimin me pije, të përdorim drogë a të përpiqemi t’i zhdukim këto ndjenja, duke bërë një jetë të shthurur? Përgjigjja është jo. Mbreti i mençur thotë: «Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar.»​Fjalët e urta 14:13a.

E qeshura mund ta maskojë dhembjen që po përjetojmë, por nuk e largon dot atë. «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar»,​—thotë Bibla. Në të vërtetë, ka «një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur; një kohë për të vajtuar dhe një kohë për të kërcyer». (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:1, 4, BR) Kur dëshpërimi vazhdon për një kohë të gjatë, duhet të bëjmë hapa për ta kaluar dhe të kërkojmë «drejtim të aftë», po të jetë e nevojshme. (Proverbat 24:6, BR) * E qeshura dhe argëtimi kanë njëfarë vlere, por gjithsesi vlera e tyre është relativisht e vogël. Solomoni na paralajmëron kundër formave të papërshtatshme të zbavitjes dhe kundër teprimit në zbavitje, e thotë: «Gëzimi përfundon në hidhërim.»​Fjalët e urta 14:13b.

Si ngopen njeriu pa besim dhe njeriu i mirë?

«Kush ka një zemër pa besim, do të ngopet me frytet e udhëve të veta,​—vazhdon mbreti i Izraelit,​—por njeriu i mirë, me frytet e veprimeve të tij.» (Proverbat 14:14, BR) Si ngopen me frytet e udhëve të tyre njeriu pa besim dhe njeriu i mirë?

Një njeri pa besim nuk merakoset se duhet t’i japë llogari Perëndisë. Prandaj, për të, të bëjë atë që është e drejtë në sy të Jehovait, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. (1 Pjetrit 4:3-5) Një njeri i tillë ngopet me frytet e jetës së vet materialiste. (Psalmi 144:11-15a) Kurse njeriu i mirë ka për zemër interesat frymore. Në të gjitha udhët e tij, ai u përmbahet normave të drejta të Perëndisë. Ky individ ngopet me frytet e udhëve të veta, sepse Jehovai është Perëndia i tij, dhe shërbimi ndaj Më të Lartit i sjell një gëzim të pakrahasueshëm.​—Psalmi 144:15b.

Mos ‘i beso çdo fjale’

Solomoni tregon kontrastin mes udhëve të njeriut të papërvojë e udhëve të njeriut mendjehollë dhe thotë: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15, BR) Mendjeholli nuk është naiv. Në vend që të besojë çdo gjë që dëgjon ose të pranojë në mënyrë pasive opinionin e të tjerëve, ai i shqyrton hapat e vet me mençuri. Ai mbledh të gjitha faktet e mundshme, e kështu vepron sipas njohurisë.

Të marrim, për shembull, pyetjen: «A ka Perëndi?» I papërvoji ka prirjen për të pranuar mendimet e përhapura ose atë që besojnë njerëzit e shquar. Kurse mendjeholli, ndalet pak e shqyrton faktet. Ai mendon thellë për shkrime të tilla, si Romakëve 1:20 dhe Hebrenjve 3:4. Në lidhje me çështjet frymore, njeriu mendjemprehtë nuk pranon thjesht mendimin e udhëheqësve fetarë. Ai i ‘vë në provë shprehjet e frymëzuara, për të parë nëse vijnë nga Perëndia’.​—1 Gjonit 4:1.

Sa e mençur është t’ia vëmë veshin këshillës për të ‘mos i besuar çdo fjale’! Këtë këshillë duhet ta marrin për zemër sidomos ata që u është besuar përgjegjësia për të këshilluar të tjerët në kongregacionin e krishterë. Këshilluesi duhet t’i dijë të tëra rrethanat dhe gjërat që kanë ndodhur. Duhet të dëgjojë mirë dhe të mbledhë fakte nga të gjitha anët, që këshilla e tij të mos jetë pa baza ose e njëanshme.​—Fjalët e urta 18:13; 29:20.

«Njeriu që ka aftësi për të menduar, urrehet»

Mbreti i Izraelit nxjerr në pah edhe një dallim tjetër midis të mençurit e budallait dhe thotë: «I mençuri frikësohet dhe largohet nga e keqja, por budallai tërbohet dhe i beson vetes. Kush zemërohet shpejt, kryen marrëzi, dhe njeriu që ka aftësi për të menduar, urrehet.»​—Proverbat 14:16, 17, BR.

I mençuri ka frikë nga pasojat që do të vijnë po të ndjekë një drejtim të gabuar. Prandaj është i kujdesshëm dhe e vlerëson çdo këshillë që e ndihmon t’i rrijë larg së keqes. Budallai nuk e ka këtë frikë. Meqë ka besim në vetvete, ai e shpërfill me arrogancë këshillën e të tjerëve. Ngaqë zemërohet shpejt, ky njeri kryen marrëzi. Por, si ka mundësi që njeriu me aftësi për të menduar, bëhet shënjestër e urrejtjes?

Shprehja e përkthyer «aftësi për të menduar», në gjuhën origjinale ka dy kuptime. Në kuptimin pozitiv, ajo tregon aftësi dalluese ose zgjuarsi. (Fjalët e urta 1:4; 2:11; 3:21) Ndërsa, në kuptimin negativ, shprehja mund të lidhet me idetë e liga ose të menduarit e mbrapshtë.​—Psalmi 37:7; Fjalët e urta 12:2; 24:8.

Nëse shprehja «njeriu që ka aftësi për të menduar», lidhet me një intrigant të poshtër, nuk është e vështirë të kuptojmë pse urrehet një individ i tillë. Megjithatë, a nuk është e vërtetë që njeriun me aftësi dalluese, mund ta urrejnë ata që nuk e kanë për vete këtë cilësi? Për shembull, ata që me zgjuarsi vendosin të mos jenë «pjesë e botës», bota i urren. (Gjoni 15:19) Të rinjtë e krishterë, të cilët me zgjuarsi i bëjnë ballë presionit jo të shëndetshëm të moshatarëve, me qëllim që të shmangin sjelljen e papërshtatshme, tallen nga të tjerët. Faktikisht, kjo botë që dergjet nën pushtetin e Satana Djallit, i urren adhuruesit e vërtetë.​—1 Gjonit 5:19.

«Njerëzit e këqinj do të përkulen»

Njeriu mendjemprehtë ose mendjehollë ndryshon nga i papërvoji edhe në një kuptim tjetër. «Të papërvojët do të shtien në dorë marrëzinë, por njerëzit mendjehollë do ta mbajnë njohurinë si mbulesë për kokën.» (Proverbat 14:18, BR) Ngaqë u mungon aftësia dalluese, të papërvojët zgjedhin gjërat e marra. Kjo u bëhet udhë jete. Kurse njohuria e zbukuron mendjehollin, porsi kurora që i jep nder mbretit.

«Njerëzit e këqinj do të përkulen përpara njerëzve të mirë,​—thotë mbreti i mençur,​—dhe të pabesët te portat e të drejtëve.» (Fjalët e urta 14:19) Me fjalë të tjera, i miri në fund do të dalë fitimtar mbi të ligun. Të shqyrtojmë atë që po gëzon sot populli Perëndisë: një rritje në numër dhe një udhë jete më të lartë. Kur të shohin këto bekime që derdhen mbi shërbëtorët e Jehovait, disa nga kundërshtarët do të detyrohen ‘të përkulen’ para gruas qiellore të Jehovait, gruas simbolike që përfaqësohet këtu në tokë nga mbetja e mirosur. Ose të paktën, në Harmagedon, disa kundërshtarë do të detyrohen të pranojnë që pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë përfaqëson vërtet pjesën qiellore.​—Isaia 60:1, 14; Galatasve 6:16; Zbulesa 16:14, 16.

«Ka mëshirë për të varfrit»

Solomoni bën një pohim për natyrën njerëzore dhe thotë: «Të varfrin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.» (Fjalët e urta 14:20) Sa e vërtetë është kjo për njerëzit e papërsosur! Meqë priren nga egoizmi, ata mbajnë anën e të pasurit në dëm të të varfrit. Ndonëse i pasuri ka shumë miq, ata janë po aq të përkohshëm sa dhe pasuria e tij. A nuk është kjo një arsye më tepër për të mos i zënë miqtë me anë të pasurisë ose të lajkave?!

Po sikur një vetëshqyrtim i ndershëm të tregojë se i lajkatojmë të pasurit dhe i përbuzim ata që janë të këputur? Duhet të kuptojmë se kjo mbajtje me hatër dënohet në Bibël. Në të thuhet: «Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfrit është i lumtur.»​—Fjalët e urta 14:21.

Duhet t’i mbajmë parasysh ata që janë në rrethana të vështira. (Jakovi 1:27) Si mund ta bëjmë këtë? Duke u siguruar atyre «mjetet e jetesës së kësaj bote», ku ndoshta futen paratë, ushqimi, streha dhe veshjet, si dhe kujdesi ndaj vetë njeriut. (1 Gjonit 3:17) Ai që u jep hir këtyre njerëzve, është i lumtur, sepse «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh».​—Veprat 20:35.

Si u rrjedh jeta?

Parimi «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë», zbatohet si për mendjehollin, ashtu edhe për budallanë. (Galatasve 6:7) I pari bën atë që është e mirë; i dyti thur të liga. «A s’do të shkojnë sa andej-këtej ata që thurin të keqen?»​—pyet mbreti i mençur. Përgjigjja është po, ata devijojnë nga rruga e drejtë. «Por dashamirësi dhe vërtetësi ka për ata që thurin të mirën.» (Proverbat 14:22, BR) Ata që bëjnë të mirën, do të gëzojnë favorin e të tjerëve, si edhe dashamirësinë e Perëndisë.

Solomoni e lidh suksesin me punën e palodhur, ndërsa dështimin e lidh me fjalët e tepërta dhe punën e paktë, prandaj thotë: «Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.» (Fjalët e urta 14:23) Sigurisht që ky parim zbatohet për përpjekjet që bëjmë për gjërat frymore. Kur përpiqemi me zell në shërbimin e krishterë, korrim shpërblimin që u japim shumë të tjerëve të vërtetën jetëshpëtuese të Fjalës së Perëndisë. Kur përmbushim me besnikëri çdo caktim teokratik, kemi gëzim e kënaqësi.

«Kurora e njerëzve të urtë [të mençur, BR] është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi»,​—thonë Fjalët e urta 14:24. Ndoshta kjo do të thotë që, për të mençurit, mençuria që mundohen të fitojnë, është pasuri dhe i zbukuron si një kurorë. Kurse budallai fiton vetëm marrëzinë. Sipas një vepre referimi, ky proverb mund ketë edhe kuptimin që «pasuria është një stoli për ata që e përdorin mirë . . . [kurse] budallenjtë kanë vetëm marrëzinë e tyre». Sido që të jetë puna, i mençuri bën një jetë ku e ku më të mirë se budallai.

«Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve,​thotë mbreti i Izraelit,​—por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.» (Fjalët e urta 14:25) Edhe pse kjo gjë është patjetër e vërtetë në fushën juridike, le të shqyrtojmë si zbatohet në shërbimin tonë. Vepra jonë e predikimit të Mbretërisë dhe e bërjes së dishepujve përfshin të japim dëshmi për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Kjo dëshmi i çliron individët e drejtë nga feja e rreme dhe shpëton jetë njerëzish. Po t’i kushtojmë vazhdimisht vëmendje vetes e mësimdhënies sonë, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë. (1 Timoteut 4:16) Teksa vazhdojmë të bëjmë kështu, le të jemi syhapur e të shfaqim mendjehollësi në çdo fushë të jetës!

[Shënimet]

^ par. 11 Shih faqet 11-16 të revistës Zgjohuni!, 22 tetor 1987 (anglisht).

[Figura në faqen 18]

Nëse duam të shquajmë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën, është e domosdoshme t’i studiojmë me zell të vërtetat më të thella

[Figura në faqen 18]

A të sjell vërtet kënaqësi një jetë materialiste?