Mësime të vërteta: Ku mund t’i gjesh?
Mësime të vërteta: Ku mund t’i gjesh?
NJË burrë në Tibet kthen sa andej-këtej rrotën e lutjeve, një cilindër që përmban lutje të shkruara. Ai beson se kërkesat e tij përsëriten sa herë rrotullohet ky cilindër. Në shtëpitë e mëdha në Indi, një dhomëz lihet enkas për të bërë puja—që është një adhurim me oferta të djegura, lule dhe gjëra të tjera, që u bëhet shëmbëlltyrave të perëndive ose të perëndeshave të ndryshme. Mijëra kilometra larg, në Itali, në një kishë të zbukuruar, një grua gjunjëzohet para shëmbëlltyrës së Marisë, nënës së Jezuit, dhe lutet ndërsa mban një rruzare në dorë.
Ndoshta e keni parë edhe vetë ndikimin që ka feja në jetën e njerëzve. «Feja . . . ka qenë dhe vazhdon të jetë thelbësore për shoqëritë anembanë botës»,—thuhet në librin Fetë e botës—Kuptueshmëri për besimet e sotme (anglisht). Ndërsa në librin Perëndia: Një histori e shkurtër, (anglisht), autori Xhon Boukër shkruan: «Nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë shoqëri njerëzore në të cilën Perëndia të mos ketë luajtur rol. Zakonisht roli i tij ka qenë si Krijues dhe si ai që ka nën kontroll gjithçka. Kjo është e vërtetë madje edhe për ato shoqëri që vendosin të jenë laike.»
Në të vërtetë, feja ka ndikuar në jetën e miliona njerëzve. A nuk është kjo një provë e fortë se njeriu ka një dëshirë dhe nevojë për gjërat frymore? Në librin e tij Vetvetja e pazbuluar (anglisht), psikologu i njohur dr. Karl G. Jung, duke folur për nevojën e njeriut për të adhuruar një fuqi të mbinatyrshme, thotë se «shfaqjet e saj mund të ndiqen nëpërmjet gjithë historisë njerëzore».
Megjithatë, shumë njerëz thonë që nuk besojnë te Perëndia ose që nuk u intereson feja. Disa dyshojnë për ekzistencën e Perëndisë ose e mohojnë atë, kryesisht sepse fetë që njohin më mirë nuk kanë arritur të plotësojnë nevojat e tyre frymore. Por gati të gjithë, përfshirë edhe ateistët, shfaqin një formë përkushtimi ndaj parimeve në të cilat besojnë, sikur të ishte feja e tyre.
Gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore, njeriu, në përpjekje për të plotësuar nevojat frymore, ka provuar shumë forma adhurimi. Rezultati është numri i madh i pikëpamjeve të ndryshme fetare në mbarë botën. Për shembull, megjithëse, në themel të çdo feje qëndron besimi në një fuqi të mbinatyrshme, ekzistojnë pikëpamje të ndryshme se kush është ose çfarë është kjo fuqi. Po ashtu, megjithëse në shumë fe i jepet rëndësi shpëtimit ose çlirimit, mësimet se çfarë është ky shpëtim dhe si mund të arrihet, ndryshojnë. Duke pasur parasysh gjithë këto bindje fetare që ekzistojnë, si mund të zbulojmë se cilat janë mësimet e vërteta që i pëlqejnë Perëndisë?