Mësime të vërteta që i pëlqejnë Perëndisë
Mësime të vërteta që i pëlqejnë Perëndisë
NË MËNYRË që banorët e tokës ta dinë se cilat mësime janë të vërteta dhe i pëlqejnë Perëndisë, duhet të jetë ai vetë që t’ua zbulojë mendimet e tij. Madje duhet t’ua tregojë të gjithëve pa përjashtim këto mendime. Përndryshe, si mund ta dijë njerëzimi se çfarë lloj doktrine, adhurimi ose sjelljeje miraton Perëndia? A na i ka treguar Perëndia këto gjëra? Nëse po, në ç’mënyrë?
A është e mundur që një njeri, i cili jeton vetëm disa dekada, të komunikojë me të gjithë njerëzit dhe të shërbejë si një mjet ndërlidhës midis Perëndisë dhe njerëzve? Jo. Por një dokument i shkruar, që mund t’i qëndrojë kohës, mund ta bëjë këtë. Prandaj, a nuk do të ishte e përshtatshme që Perëndia t’ua përçonte mendimet e tij njerëzve me anë të një libri? Një libër i lashtë që pohon se është i frymëzuar nga Perëndia, është Bibla. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi»,—shkruan një prej shkrimtarëve të saj. (2 Timoteut 3:16) Le ta shohim më nga afër Biblën dhe të kuptojmë nëse është burimi i mësimeve të vërteta.
Sa e vjetër është?
Ndër librat kryesorë fetarë, Bibla është një nga më të vjetrit. Pjesët e para të këtij libri janë shkruar rreth 3.500 vjet më parë. Ai përfundoi së shkruari në vitin 98 të e.s. * Megjithëse u shkrua nga rreth 40 burra në një periudhë kohore prej 1.600 vjetësh, pjesët e Biblës janë në harmoni me njëra-tjetrën. Kjo sepse Autori i saj, në të vërtetë, është Perëndia.
Bibla është libri më i përhapur dhe më i përkthyer në historinë njerëzore. Çdo vit, shpërndahen rreth 60 milionë kopje të të gjithë Biblës ose të një pjese të saj. Bibla, e tëra ose një pjesë e saj, është përkthyer në më shumë se 2.300 gjuhë dhe dialekte. Më tepër se 90 për qind e njerëzve mund ta kenë Biblën ose të
paktën një pjesë të saj në gjuhën e tyre amtare. Ky libër ka kapërcyer kufijtë kombëtarë, dallimet raciale dhe pengesat etnike.Përmbajtja e Biblës
Nëse keni një Bibël, pse të mos e hapni dhe të shihni se çfarë përmban? * Në fillim hapeni te tabela e librave të Biblës. Në shumë Bibla, kjo tabelë ndodhet në fillim dhe është një listë e emrave të secilit libër, si edhe numri i faqes ku mund të gjendet. Do të vini re se, në të vërtetë, Bibla është një përmbledhje e shumë librave ku secili ka një emër të veçantë. Libri i parë është Zanafilla dhe libri i fundit Zbulesa ose Apokalipsi, siç quhet ndryshe. Librat janë grupuar në dy pjesë. Pjesa e parë prej 39 librash, quhet Shkrimet Hebraike, pasi janë shkruar kryesisht në gjuhën hebraike. Kurse 27 librat e tjerë u shkruan në gjuhën greke dhe prandaj quhen Shkrimet Greke. Disa i njohin këto dy pjesë si Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re.
Për t’i gjetur sa më shpejt shkrimet, librat e Biblës janë ndarë në kapituj dhe vargje. Kur në këtë revistë citohen shkrime, numri i parë pas emrit të librit të Biblës tregon kapitullin e atij libri, ndërsa numri tjetër tregon vargun. Për shembull, «2 Timoteut 3:16» do të thotë që i referohet letrës së dytë drejtuar Timoteut, kapitulli 3, vargu 16. Provoni nëse mund ta gjeni këtë varg në Bibël.
A nuk jeni dakord edhe ju që mënyra më e mirë për ta njohur sa më shumë Biblën është duke e lexuar rregullisht? Disa e kanë parë të dobishme që të fillojnë të lexojnë Shkrimet Greke, me librin e Mateut. Po të lexoni tre deri në pesë kapituj në ditë, mund ta lexoni të gjithë Biblën brenda një viti. Por, pse mund të jeni të sigurt se ajo që lexoni në Bibël është e frymëzuar vërtet nga Perëndia?
A mund të keni besim te Bibla?
A nuk duhet që një libër për të gjithë njerëzit, i frymëzuar nga Perëndia, të përmbajë këshilla që vlejnë në çdo kohë? Në Bibël pasqyrohet një kuptueshmëri e natyrës njerëzore që vlen për çdo brez të njerëzimit, dhe parimet e saj janë po aq praktike sot, sa edhe në kohën kur u shkruan. Kjo shihet qartë në një fjalim mjaft të njohur që mbajti Jezu Krishti, Themeluesi i krishterimit. Ai gjendet te kapitujt 5 deri 7 të librit të Mateut. Ky fjalim, që njihet si Predikimi në Mal, na tregon jo vetëm se si të gjejmë lumturinë e vërtetë, por edhe si të zgjidhim mosmarrëveshjet, si të lutemi, ç’pikëpamje të kemi për nevojat materiale dhe shumë çështje të tjera. Në këtë fjalim dhe në të gjithë faqet e saj, Bibla na tregon qartë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjmë, që t’i pëlqejmë Perëndisë dhe të bëjmë një jetë sa më të mirë.
Një arsye tjetër se përse mund të keni besim te Bibla është se, kur bëhet fjalë për çështje shkencore, ajo çka thotë ky libër i lashtë është e saktë. Për shembull, në një kohë kur shumë njerëz besonin se Toka ishte e sheshtë, Bibla fliste për «rruzullin [ose sferën] e tokës». * (Isaia 40:22) Veç kësaj, rreth 3.000 vjet para se shkencëtari i famshëm, sër Isak Njutoni të shpjegonte se planetet qëndrojnë në hapësirën e zbrazët me anë të forcës së gravitetit, Bibla, me një gjuhë poetike, pohonte se ‘toka qëndron pezull mbi hiçin’. (Jobi 26:7) Shikoni edhe këtë përshkrim poetik të ciklit të qarkullimit të ujit në tokë, i shkruar rreth 3.000 vjet më parë: «Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.» (Predikuesi ) Po, Krijuesi i universit është edhe Autori i Biblës. 1:7
Saktësia historike e Biblës është provë se ajo është e frymëzuar nga Perëndia. Ngjarjet e përshkruara në Bibël nuk janë thjesht mite. Ato lidhen me data, njerëz dhe vende specifike. Për shembull, Luka 3:1 faktikisht flet për «vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë dhe Herodi ishte qeveritar i krahinës së Galilesë».
Megjithëse historianët e lashtë pothuajse gjithmonë dokumentonin vetëm sukseset dhe virtytet e sunduesve, shkrimtarët e Biblës ishin të ndershëm, madje tregonin hapur edhe gabimet e tyre. Për shembull, mbreti David i Izraelit tha: «Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; . . . kam vepruar shumë pa mend.» Ky rrëfim është dokumentuar hapur në Bibël. (2 Samuelit 24:10) Kurse Moisiu, një shkrimtar i Biblës, shkroi vetë për atë ngjarje kur nuk tregoi besim te Perëndia i vërtetë.—Numrat 20:12.
Ka edhe diçka tjetër që provon se Bibla është frymëzuar nga Perëndia. Është fjala për profecitë e saj të përmbushura, që janë ngjarje të treguara para se të ndodhin. Disa nga këto profeci flasin për Jezu Krishtin. Për shembull, më shumë se 700 vjet para lindjes së Jezuit, në Shkrimet Hebraike u paratha se i Premtuari do të lindte «në Betlehem të Judesë».—Mateu 2:1-6; Mikea 5:2.
Ja një shembull tjetër. Te 2 Timoteut 3:1-5, Bibla thotë: «Por dije këtë, se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket se kanë një formë të devocionit hyjnor, por që në jetën e tyre nuk ndikohen prej fuqisë së tij.» A nuk janë kështu sot njerëzit në përgjithësi? E pra, këto fjalë u shkruan në vitin 65 të e.s., më shumë se 1.900 vjet më parë.
Çfarë na mëson Bibla?
Ndërsa e lexoni Biblën, do të kuptoni se ajo është burim i një mençurie shumë më të lartë. Ajo u jep përgjigje pyetjeve të tilla, si: Kush është Perëndia? A ekziston vërtet Djalli? Kush është Jezu Krishti? Pse vuajmë? Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin? Përgjigjet që mund të dëgjoni nga njerëzit, mund të jenë po aq të ndryshme sa edhe besimet e doket e tyre. Por Bibla zbulon të vërtetën për këto dhe për shumë çështje të tjera. Për më tepër, ajo që na mëson Bibla në lidhje me sjelljen dhe qëndrimin ndaj njerëzve dhe autoriteteve, është e pakrahasueshme. *
Çfarë na zbulon Bibla në lidhje me qëllimin e Perëndisë për tokën dhe njerëzimin? Ajo premton: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më. . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:10, 11) «Vetë Perëndia do të jetë me [njerëzimin]. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:3, 4) «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:29.
Gjithashtu Bibla parathotë se, së shpejti, luftërave, krimit, dhunës dhe ligësisë do t’i vijë fundi. Nuk do të ketë më sëmundje, plakje dhe vdekje. Jeta e përhershme në një tokë parajsore do të bëhet realitet. Çfarë shprese e mrekullueshme! Sa qartë e tregojnë të gjitha këto dashurinë e Perëndisë për njerëzit!
Çfarë do të bësh?
Bibla është një dhuratë e mrekullueshme nga Krijuesi. Si duhet ta konsiderosh këtë libër? * Edhe një profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara, e kuptoi se, ishte e nevojshme që ta lexonte librin më të përhapur në botë, para se të krijonte një ide për të.
Një hinduist besonte se, që një zbulesë nga Perëndia të jetë e dobishme për të gjithë njerëzimin, ajo duhet të datojë që nga fillimet e qytetërimit. Kur zbuloi se disa pjesë të Biblës janë më të hershme se Vedat, shkrimet më të lashta hinduiste, ai vendosi ta lexonte dhe ta studionte Biblën.Leximi i Biblës dhe zbatimi i mësimeve të saj do të të sjellë bekime të mëdha. Bibla vetë thotë: «Lum njeriu . . . që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë. Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën.» * (Psalmi 1:1-3, BR) Në qoftë se e studion Biblën dhe mendon për fjalët e saj, do të gjesh lumturi, pasi kështu do të plotësohet nevoja jote frymore. (Mateu 5:3) Bibla do të të mësojë se si të bësh një jetë sa më të frytshme dhe si t’i përballosh me sukses problemet. Po, «kur i zbaton [ligjet e Perëndisë që gjenden në Bibël], merr shpërblim të madh». (Psalmi 19:11, BR) Përveç kësaj, nëse ke besim te premtimet e Perëndisë, do të kesh bekime tani dhe një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.
Bibla na nxit: «Si foshnja të sapolindura, ushqeni një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier që i përket fjalës.» (1 Pjetrit 2:2) Jeta e një foshnje varet nga ushqimi, dhe ajo e kërkon me ngulm derisa t’i plotësohet kjo nevojë. Po kështu edhe jeta jonë varet nga njohuria që marrim nga Perëndia. Prandaj, ‘ushqe një dëshirë të zjarrtë’ për Fjalën e tij. Bibla është libri i mësimeve të vërteta nga Perëndia. Vër si synim ta studiosh rregullisht. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi që të përfitosh sa më shumë nga ky studim. Je i mirëpritur të kontaktosh me ta. Ose mund t’u shkruash botuesve të kësaj reviste.
[Shënimet]
^ par. 5 Shkurtimi i e.s. do të thotë «i erës sonë». Për këtë periudhë shpesh përdoret edhe shkurtimi p.k., që nënkupton «pas Krishtit». Kurse p.e.s. do të thotë «para erës sonë».
^ par. 8 Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi do t’ju japin një Bibël, nëse nuk keni.
^ par. 13 Fjala që përkthehet «rruzull» te Isaia 40:22, në gjuhën origjinale ka edhe kuptimin «sferë». Në disa përkthime të Biblës, si për shembull në përkthimin Dom Simon Filipaj, gjejmë shprehjen «mbi rrethin e botës» ose «toka e rrumbullakët», në përkthimin Moffatt.
^ par. 19 Këto çështje trajtohen në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 23 Besohet se këngët më të hershme të Vedave janë kompozuar gati 3.000 vjet më parë dhe ishin përçuar gojarisht brez pas brezi. «Vetëm në shekullin e katërmbëdhjetë të erës sonë, arritën të dokumentoheshin Vedat»,—thotë P. K. Saratkumari në librin e tij Historia e Indisë (anglisht).
^ par. 24 Jehova është emri i Perëndisë së Biblës. Në shumë përkthime të Biblës, ky emër mund të gjendet te Psalmi 83:18.
[Figura në faqen 7]
«Ushqeni një dëshirë të zjarrtë» për Fjalën e Perëndisë. Studiojeni Biblën rregullisht
[Burimi i figurës në faqen 5]
Fotografi e NASA-s