Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Meqë Solomoni, mbret i Izraelit të lashtë, nuk i qëndroi besnik Perëndisë në pleqëri, a mund të themi se nuk do të ringjallet?​—1 Mbretërve 11:3-9.

Edhe pse Bibla përmend me emër disa burra besnikë e gra besnike që me siguri do të ringjallen, ajo nuk komenton në mënyrë specifike për shpresën e ringjalljes së çdo individi që përmendet në faqet e saj. (Hebrenjve 11:1-40) Por, në rastin e Solomonit, mund të krijojmë një ide se si gjykon Perëndia, duke bërë një krahasim mes asaj që ndodhi me Solomonin kur vdiq dhe asaj që ndodhi me disa njerëz besnikë kur vdiqën.

Shkrimet thonë se ka vetëm dy mundësi për ata që kanë vdekur: mosekzistenca e përkohshme dhe mosekzistenca e përhershme. Ata që nuk gjykohen të denjë për ringjallje, hidhen në «Gehenë» ose ndryshe në «liqenin e zjarrit». (Mateu 5:22; Marku 9:47, 48; Zbulesa 20:14) Ndër ta janë çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, tradhtari Judë Iskariot dhe disa që vdiqën kur Perëndia ekzekutoi gjykimin mbi ta, si njerëzit në ditët e Noesë dhe banorët e Sodomës e të Gomorrës. * Nga ana tjetër, ata që do të ringjallen, kur vdesin shkojnë në varrin e përbashkët të njerëzimit, pra në Sheol ose Hades. Duke folur për të ardhmen e tyre, Bibla thotë: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta dhe ata u gjykuan individualisht, sipas veprave të tyre.»​—Zbulesa 20:13.

Pra, njerëzit me besim që përmenden në kapitullin e 11-të të letrës drejtuar hebrenjve, janë në Sheol ose Hades, duke pritur ringjalljen. Mes tyre janë shërbëtorët besnikë të Perëndisë, si Abrahami, Moisiu dhe Davidi. Tani, le të shqyrtojmë se çfarë thotë Bibla për vdekjen e tyre. Jehovai i tha Abrahamit: «Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.» (Zanafilla 15:15) Moisiut i tha: «Ja, ti do të shkosh të flesh bashkë me etërit e tu.» (Ligji i përtërirë 31:16) Për Davidin, të atin e Solomonit, Bibla thotë: «Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit.» (1 Mbretërve 2:10) Pra, shprehja ‘fjeti bashkë me etërit’ është një mënyrë tjetër për të thënë se shkoi në Sheol.

Çfarë ndodhi me Solomonin kur vdiq? Bibla përgjigjet: «Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi të gjithë Izraelin dyzet vjet. Pastaj Salomonin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit, atit të tij.» (1 Mbretërve 11:42, 43) Pra, duket e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se edhe Solomoni është në Sheol ose Hades, nga ku do të ringjallet.

Ky përfundim nënkupton se ekziston mundësia e ringjalljes edhe për të tjerë, për të cilët Shkrimet thonë në mënyrë specifike se ‘fjetën bashkë me etërit e tyre’. Në fakt, kjo shprehje përdoret për shumë mbretër që erdhën pas Solomonit, edhe pse jobesnikë. Kjo nuk është jashtë logjikës, sepse «do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Sigurisht, vetëm pasi të jenë ringjallur «të gjithë ata që janë në varret përkujtimore», do ta dimë me siguri se kujt i është dhënë privilegji për t’u ringjallur. (Gjoni 5:28, 29) Prandaj, në vend që të jemi dogmatikë për ringjalljen e ndonjë individi në veçanti, që ka jetuar në të kaluarën, ne presim të sigurt, duke besuar në vendimin e përsosur të Jehovait.

[Shënimi]

^ par. 4 Shih faqet 30, 31 të Kullës së Rojës, 1 qershor 1988, anglisht.