«Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!»
«Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!»
ATA vijnë të shumtë si karkalecat e i kthejnë arat pjellore në tokë të shkretë. Kjo ndodh në epokën kur në Izrael sundojnë gjykatësit, dhe izraelitët janë të dëshpëruar. Shtatë vjet me radhë, sapo mugullojnë farat, hordhitë plaçkitëse me midianitë, amalekitë dhe popuj të lindjes, hipur nëpër deve, shkelin trojet e Izraelit. Kopetë e plaçkitësve turren gjithandej për të kërkuar kullota, e kështu përpijnë gjithçka të gjelbër. Mirëpo izraelitët nuk kanë as gomarë, as qe dhe as dhen. Kaq i rëndë është sundimi terrorizues i midianitëve, sa izraelitët e varfëruar tej mase, shfrytëzojnë depot e nëndheshme nëpër male, depot në shpella e në vende ku mezi shkohet.
Pse tërë ky mjerim? Sepse Izraeli apostat po u shërben perëndive të rreme. Si pasojë, Jehovai i ka lënë në duart e shtypësve. Kur bijtë e Izraelit arrijnë në pikën që s’mbajnë më, i thërrasin Jehovait për ndihmë. Por a i dëgjon ai? Dhe ç’mësojmë ne nga përvoja e izraelitëve?—Gjyqtarët 6:1-6.
Bujk i kujdesshëm apo «trim i fuqishëm»?
Zakonisht bujqit izraelitë e shijnë grurin me buall dhe lesë, në një vend të hapur ku fryn erë, që flladi ta ndajë bykun nga gruri, kur hidhet drithi në erë. Vetëm që, po ta shish grurin kështu, bie shumë në sy dhe rrezikon, ngaqë plaçkitësit janë të vendosur ta rrjepin vendin. Gideoni, që të mos u bjerë në sy midianitëve, e shin grurin në një shtypëse rrushi—ndoshta një vozë e madhe, me strehë, prej guri të gdhendur. (Gjyqtarët 6:11) Ndoshta, në këtë shtypëse, grurin e rreh me një shkop pak e nga pak. Në rrethanat e krijuara, Gideoni e ka shpikur vetë këtë metodë.
Merreni me mend sa befasohet ai kur i shfaqet engjëlli i Jehovait e i thotë: «Jehovai është me ty, o trim i fuqishëm!» (Gjykatësit 6:12, BR) Gideoni po shin grurin fshehurazi në një shtypëse rrushi, ndaj nuk i duket vetja aspak trim. Sidoqoftë, këto fjalë tregojnë se Perëndia ka besim që ai mund të jetë një udhëheqës trim në Izrael. Por përsëri, ai vetë ka nevojë të bindet për këtë.
Kur Jehovai i cakton misionin që ‘të shpëtojë Izraelin nga dora e Midianit’, Gideoni me modesti thotë: «O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim.» Gideoni i kujdesshëm kërkon një shenjë që t’i tregojë se Perëndia do të jetë me të kur të godasë midianitët, dhe Jehovai me kënaqësi ia plotëson këtë nevojë të arsyeshme për siguri. Kështu Gideoni nxjerr ca ushqime si dhuratë për engjëllin që ka ardhur tek ai, dhe nga një shkëmb ngrihet një zjarr që përpin blatimin. Pasi Jehovai ia ka larguar frikën Gideonit, ky ndërton një altar në atë vend.—Gjyqtarët 6:12-24.
‘Baali le të mbrohet vetë’
Problemi më i madh i izraelitëve nuk është se janë robër të midianitëve, por që janë bërë robër të adhurimit të Baalit. Jehovai është «një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij», prandaj askush nuk mund t’i shërbejë në mënyrë të pranueshme, në qoftë se nderon edhe perëndi të tjera. (Dalja 34:14, BR) Ja pse Jehovai e urdhëron Gideonin të shkatërrojë altarin e Baalit që ka babai i tij dhe të presë shtyllën e shenjtë. Gideoni nuk do që ta bëjë ditën këtë, pasi ka frikë nga i ati dhe nga të tjerët, prandaj vepron natën, me ndihmën e dhjetë shërbëtorëve.
Gjykatësit 6:25-32, BR.
Kujdesi i Gideonit është me vend, sepse, po ta zbulojnë «herezinë» e tij, adhuruesit e Baalit në atë vend do të kërkojnë t’i marrin jetën. Mirëpo, me një logjikë të pakundërshtueshme, babai i Gideonit, Joashi, arsyeton me njerëzit e thotë se, po të jetë Perëndi, Baali do të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Prandaj, Joashi e quan me të drejtë të birin Jerubaal, që do të thotë: «Baali le të mbrohet vetë.»—Perëndia gjithmonë i bekon shërbëtorët e tij, nëse përkrahin me guxim adhurimin e vërtetë. Kur midianitët dhe aleatët e tyre shkelin prapë në territorin izraelit, ‘fryma e Jehovait pushton Gideonin’. (Gjykatësit 6:34, BR) Nën ndikimin e frymës ose forcës vepruese të Perëndisë, Gideoni mobilizon trupa ushtarake nga fisi i Manaseut, Asherit, Zabulonit dhe i Neftalit.—Gjyqtarët 6:35.
Bëhet gati për të vepruar
Ndonëse Gideoni tani ka një ushtri me 32.000 veta, prapë i kërkon Perëndisë një shenjë. Nëse bashka ose gëzofi i lënë në lëmë laget me vesë dhe toka mbetet e thatë, kjo do të tregojë se Perëndia do ta shpëtojë Izraelin nëpërmjet tij. Jehovai e bën këtë mrekulli. Por Gideoni kërkon të sigurohet, dhe Jehovai e siguron, kur shenja ndodh në të kundërt—toka laget e bashka mbetet e thatë. Vallë Gideoni po tregon kujdes të tepruar? Me sa duket jo, sepse Jehovai ia plotëson këtë kërkesë për t’u ndier i sigurt. (Gjyqtarët 6:36-40) Ne sot nuk presim të ndodhin mrekulli të tilla. E megjithatë, mund të marrim drejtim dhe siguri nga Jehovai, nëpërmjet Fjalës së tij.
Perëndia tani thotë se ushtria e Gideonit është tejet e madhe. Ndoshta, me një forcë ushtarake kaq të madhe, izraelitët do të mburren se shpëtuan me forcat e tyre, po të fitojnë ndaj armiqve. Por, meritën për fitoren që do të korret, duhet ta marrë Jehovai. Si i bëhet atëherë? Gideoni duhet të zbatojë një masë të parashikuar në Ligjin e Moisiut, pra t’i ftojë të tërhiqen ata që kanë frikë. Kështu që 22.000 nga këta burra tërhiqen, e mbeten vetëm 10.000.—Ligji i përtërirë 20:8; Gjykatësit 7:2, 3.
Nga pikëpamja e Perëndisë, prapë ka shumë burra. Gideoni porositet që t’i çojë ata poshtë tek uji. Historiani jude, Jozefi, thotë se Perëndia e vuri Gideonin të marshonte me trupat e tij drejt lumit në zheg të ditës. Sido që të jetë puna, Gideoni shikon se si pinë ujë burrat. Vetëm 300 veta futin një dorë në ujë dhe pinë nga grushti, ndërkohë që vëzhgojnë se mos sulmon armiku. Vetëm këta 300 që janë vigjilentë, do të shkojnë me Gideonin. (Gjyqtarët 7:4-8) Mendoni sikur jeni ju në vend të tyre! Meqë armiqtë tuaj janë 135.000 veta, sigurisht që do të arrini në përfundimin se fitorja do të vijë vetëm falë forcës së Jehovait, e jo falë forcave tuaja!
Perëndia e fton Gideonin të marrë me vete një shërbëtor dhe të shkojë për të hetuar në kampin midianit. Kur ka arritur te kampi, Gideoni dëgjon një burrë tek i tregon një ëndërr shokut të tij, i cili pa ngurruar i shpjegon se ëndrra do të thotë që Perëndia ka vendosur ta japë Midianin në dorë të Gideonit. Gideoni ka Gjyqtarët 7:9-15.
nevojë të dëgjojë pikërisht këto fjalë! Tani është i sigurt se Perëndia do t’ia japë fitoren mbi midianitët atij dhe 300 burrave që janë me të.—Strategjia e betejës
Të 300 luftëtarët ndahen në tri grupe me nga 100 veta. Secili nga burrat merr një bri dhe një qyp të madh bosh. Në qyp është fshehur një pishtar. Gideoni së pari jep këtë urdhër: ‘Shikomëni mua dhe bëni edhe ju si të bëj unë. . . . Kur unë t’i bie bririt, bjeruni brirëve edhe ju dhe thërritni: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!»’—Gjykatësit 7:16-18, 20, BR.
Të 300 luftëtarët izraelitë shkojnë vjedhurazi drejt skajeve të kampit armik. Është afërsisht ora dhjetë e darkës, pra sapo janë ndërruar rojat. Duket pikërisht çasti i duhur për të goditur, se do të duhet ca kohë para se rojave të reja t’u mësohen sytë me errësirën.
Çfarë tmerri përjetojnë tani midianitët! Befas, heshtja prishet nga oshtima e 300 qypave që thyhen, nga boria e 300 brirëve dhe nga britmat e 300 burrave. Edhe midianitët, të shtangur, sidomos nga thirrja: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!»,—zënë e ulërasin fort në mes të kësaj zallamahie. Në rrëmujë e sipër, ata e kanë të pamundur të dallojnë kë kanë mik e kë armik. Të 300 burrat rrinë pa lëvizur në pozicionet e caktuara, teksa Perëndia bën që armiqtë të vrasin njëri-tjetrin me shpatat e tyre. Kampi shpartallohet, u pritet rruga të gjithë atyre që ikin, që të mos shpëtojë këmbë armiku, dhe kështu zhduket përfundimisht rreziku midianit. Pushtimi i gjatë e gjakpirës ka marrë fund.—Gjyqtarët 7:19-25; 8:10-12, 28.
Por edhe pas kësaj fitoreje, Gideoni mbetet modest. Kur efraimitët, të cilët me sa duket ndihen të fyer ngaqë nuk i kanë thirrur për të luftuar, kërkojnë sherr me të, ai ua kthen me të butë. Përgjigjja e tij e butë ua largon tërbimin dhe ua fashit zemërimin efraimitëve.—Gjyqtarët 8:1-3; Fjalët e urta 15:1.
Tani që është vendosur paqja, izraelitët e nxitin Gideonin të bëhet mbreti i tyre. Sa tundim i fortë! Mirëpo Gideoni nuk pranon. Ai nuk ka harruar se kush e arriti fitoren mbi midianitët. U thotë: «Mbi ju nuk do të mbretëroj as unë e as im bir, por do të mbretërojë Jehovai.»—Gjykatësit 8:23, BR.
Por ja që edhe Gideoni është i papërsosur dhe nuk tregon gjithnjë gjykim të shëndoshë. Nuk e dimë se për ç’arsye ai bën një efod me plaçkat e luftës dhe e nxjerr para të gjithëve në qytetin e tij. Tregimi thotë se gjithë Izraeli fillon ‘të kurvërohet’ me efodin. E adhurojnë atë, dhe kjo bëhet një grackë madje edhe për Gideonin e për ata të shtëpisë së tij. Gjithsesi, ai nuk bëhet një idhujtar i flaktë, sepse Shkrimet e renditin mes atyre burrave që treguan besim te Jehovai.—Gjyqtarët 8:27; Hebrenjve 11:32-34.
Mësime për ne
Nga historia e Gideonit edhe nxjerrim mësime që na vlejnë si paralajmërim, edhe marrim zemër. Paralajmërimi është që, nëse Jehovai na e heq frymën dhe bekimin e tij për shkak të sjelljes sonë rebele, gjendja jonë frymore do të bëhet si ajo e banorëve të një vendi të pushtuar nga karkalecat dhe të pllakosur nga varfëria. Jetojmë në kohë kritike dhe kurrë nuk duhet të harrojmë se bekimi i Jehovait «pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje». (Fjalët e urta 10:22) Ne gëzojmë bekimin e Perëndisë, sepse i ‘shërbejmë me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë’. Përndryshe, ai do të na hidhte poshtë.—1 Kronikave 28:9.
Mund të marrim zemër nga tregimi për Gideonin, pasi ky tregim dëshmon se Jehovai mund ta çlirojë popullin e vet nga çdo rrezik, madje duke përdorur ata që duken të dobët ose të pazotë. Fakti që Gideoni dhe 300 burrat e tij arritën të mundnin 135.000 midianitë, dëshmon për fuqinë e pakufishme të Perëndisë. Ndoshta ndonjëherë edhe ne jemi në një gjendje të mjerueshme e na duket sikur nuk kemi përkrahje dhe armiku është ku e ku më i madh se ne. Por tregimi biblik që flet për Gideonin, na nxit të kemi besim te Jehovai, i cili do t’i bekojë dhe do t’i çlirojë të gjithë ata që tregojnë besim tek Ai.