Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë»

«Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë»

«Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë»

«Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»​—2 KORINTASVE 13:5.

1, 2. (a) Si mund të ndikojë te ne pasiguria në lidhje me bindjet tona? (b) Cila situatë e kongregacionit të Korintit në shekullin e parë mund t’i ketë bërë të pasigurt disa për drejtimin që duhej të ndiqnin?

NJË udhëtar mbërrin në një pikë ku rruga ndahet në dy drejtime. Ngaqë s’është i sigurt se cilën rrugë duhet të marrë për të shkuar aty ku do, ai pyet disa kalimtarë, por këta i japin informacione të ndryshme. Kjo e ngatërron udhëtarin, që tani s’është në gjendje të vazhdojë rrugën. E njëjta gjë mund të na ndodhë edhe neve, nëse kemi dyshime për bindjet tona. Kjo pasiguri mund të na paralizojë aftësinë për të marrë vendime, duke bërë që të jemi në mëdyshje se cilën rrugë duhet të ndjekim.

2 Në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë në Korint, Greqi, lindi një situatë që mund të ketë pasur të njëjtat pasoja te disa pjesëtarë të tij. ‘Apostujt tejet të shquar’ po vinin në dyshim autoritetin e apostullit Pavël, duke thënë: «Letrat e tij janë me peshë e plot forcë, por prania e tij në trup është e dobët dhe fjalët e tij s’vlejnë një hiç.» (2 Korintasve 10:7-12; 11:5, 6) Kjo pikëpamje mund t’i ketë bërë të pasigurt disa në kongregacionin e Korintit, që tani s’dinin në ç’drejtim të ecnin.

3, 4. Pse duhet të na interesojë këshilla që u dha Pavli korintasve?

3 Pavli e themeloi kongregacionin e Korintit gjatë vizitës që bëri atje në vitin 50 të e.s. Ai qëndroi në Korint «një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë». Në fakt, «shumë nga korintasit që dëgjuan, filluan të besonin e të pagëzoheshin». (Veprat 18:5-11) Pavli ishte shumë i interesuar për mirëqenien frymore të bashkëbesimtarëve të tij në Korint. Për më tepër, korintasit i kishin shkruar atij, duke i kërkuar këshilla për disa çështje. (1 Korintasve 7:1) Prandaj, Pavli u dha disa këshilla vërtet të domosdoshme.

4 «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim,​—shkroi Pavli,​—vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Zbatimi i kësaj këshille do t’i kishte mbrojtur vëllezërit në Korint që të mos ishin të pasigurt për drejtimin që duhej të ndiqnin. Edhe neve sot, kjo këshillë mund të na mbrojë. Atëherë, si ta zbatojmë këshillën e Pavlit? Si ta vëmë në provë veten nëse jemi në besim? Ç’do të thotë të provojmë se çfarë jemi ne vetë?

«Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim»

5, 6. Cilin standard kemi për të vënë në provë veten nëse jemi në besim, dhe përse ky është standardi i përsosur?

5 Një provë zakonisht bëhet duke analizuar një subjekt ose një objekt, sipas një njësie matëse ose standardi. Në këtë rast, subjekti që merret në analizë nuk është besimi, domethënë tërësia e bindjeve që kemi përqafuar, por jemi ne si individë. Për të bërë këtë provë, kemi një standard të përsosur. Në një këngë që kompozoi psalmisti David thuhet: «Ligji i Jehovait është i përsosur, ai ta gjallëron shpirtin. Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim dhe e bëjnë të mençur njeriun e papërvojë. Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë.» (Psalmi 19:7, 8, BR) Bibla përmban ligjet e përsosura dhe urdhrat e drejtë të Jehovait, përkujtuesit e tij të denjë për besim dhe urdhërimet e tij të pastra. Prandaj, mesazhi që gjendet në të, është standardi i përsosur për të analizuar veten.

6 Për sa i përket këtij mesazhi të frymëzuar nga Perëndia, apostulli Pavël thotë: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Po, fjala e Perëndisë mund të na vërë në provë zemrën, domethënë çfarë jemi vërtet përbrenda. Si mund ta lejojmë këtë mesazh të fuqishëm e të mprehtë të veprojë te ne? Psalmisti nuk lë asnjë dyshim se çfarë duhet për të arritur këtë. Ai këndoi: «Lum njeriu . . . që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.» (Psalmi 1:1, 2) «Ligji» i Jehovait gjendet në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël. Pra, duhet të gjejmë kënaqësi duke lexuar Fjalën e Jehovait. Duhet të lëmë kohë për të menduar thellë për të. Ndërsa bëjmë këtë, duhet ta analizojmë veten, pra subjektin, sipas gjërave që janë shkruar në të.

7. Cila është mënyra kryesore për të vënë në provë veten nëse jemi në besim?

7 Pra, mënyra kryesore për të vënë në provë veten nëse jemi në besim, është kjo: ta lexojmë Fjalën e Perëndisë e të meditojmë rreth saj, dhe të analizojmë se sa përputhet sjellja jonë me atë që mësojmë. Mund të jemi të gëzuar që kemi shumë ndihmë për ta kuptuar Fjalën e Perëndisë.

8. Si na ndihmojnë botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ që të vëmë në provë veten nëse jemi në besim?

8 Jehovai ka siguruar mësime dhe udhëzime me anë të botimeve të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, në të cilat shpjegohen Shkrimet. (Mateu 24:45) Për shembull, të shqyrtojmë kutinë «Pyetje për meditim» që ndodhet në fund të shumë kapitujve të librit T’i afrohemi Jehovait. * Ky aspekt i librit na jep vërtet mundësi shumë të mira që të meditojmë personalisht. Ka edhe shumë artikuj të tjerë në revistat tona Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, të cilët po ashtu na ndihmojnë të vëmë në provë veten nëse jemi në besim. Në disa numra të fundit të Kullës së Rojës ka pasur artikuj që shpjegonin librin e Proverbave. Një e krishterë tha: «Më janë dukur shumë praktikë këta artikuj. Më ndihmojnë të analizoj sa përputhet të folurit, sjellja dhe qëndrimi im me normat e drejta të Jehovait.»

9, 10. Çfarë ka siguruar Jehovai për të na ndihmuar që të vëmë në provë veten nëse jemi në besim?

9 Udhëzime të shumta dhe një inkurajim të madh, marrim edhe në mbledhjet e kongregacionit, në asamble dhe në kongrese. Këto janë disa nga masat frymore që ka marrë Perëndia për ata individë, për të cilët Isaia profetizoi: «Në ditët e fundit do të vijë që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet. Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, . . . ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’» (Isaia 2:2, 3) Patjetër që është një bekim të kemi udhëzime të tilla për udhët e Jehovait.

10 Një masë tjetër janë edhe këshillat e atyre që kanë kualifikime frymore, ku përfshihen pleqtë e krishterë. Bibla thotë për ta: «Vëllezër, edhe sikur një njeri të hedhë ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të, ju që keni kualifikime frymore përpiquni ta ndreqni një njeri të tillë me një frymë butësie, ndërkohë që je vigjilent për veten, nga frika se mos tundohesh edhe ti.» (Galatasve 6:1) Sa mirënjohës duhet të jemi për këtë masë që ka marrë Perëndia për të na ndrequr!

11. Çfarë kërkohet për ta vënë në provë veten nëse jemi në besim?

11 Botimet tona, mbledhjet e krishtere, burrat e emëruar​—të gjitha këto janë masa të mrekullueshme që ka marrë Jehovai. Por kërkohet një vetëshqyrtim për ta vënë në provë veten nëse jemi në besim. Prandaj, kur lexojmë botimet tona ose kur dëgjojmë këshillat biblike, duhet të pyesim veten: ‘A jam unë kështu? A e bëj unë këtë? A po u qëndroj besnik të gjitha bindjeve të krishtere?’ Edhe qëndrimi ynë ndaj informacioneve që marrim me anë të këtyre masave, ndikon në gjendjen tonë frymore. «Një njeri fizik nuk i pranon gjërat e frymës së Perëndisë, sepse për të ato janë marrëzi»,​—thotë Bibla. «Gjithsesi, njeriu frymor shqyrton në të vërtetë çdo gjë.» (1 Korintasve 2:14, 15) A nuk duhet të përpiqemi të mbajmë një pikëpamje pozitive, frymore, për atë që lexojmë në libra, revista dhe në botimet tona të tjera, si edhe për atë që dëgjojmë në mbledhje e nga pleqtë?

«Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë»

12. Çfarë përfshin të provojmë se çfarë jemi ne vetë?

12 Që të provojmë se çfarë jemi, duhet të hetojmë me kujdes vetveten. Po, vërtet, mund të jemi në të vërtetën, por sa po jetojmë në përputhje me të? Të provojmë se çfarë jemi kërkon të japim prova pjekurie dhe vlerësimi të vërtetë për gjërat frymore.

13. Çfarë është një provë e pjekurisë sonë, sipas Hebrenjve 5:14?

13 Çfarë provash të pjekurisë së krishterë duhet të kërkojmë te vetja? Apostulli Pavël shkroi: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.» (Hebrenjve 5:14) Japim prova të pjekurisë duke i stërvitur aftësitë tona perceptuese. Ashtu si një sportist që, për të shkëlqyer në sportin e vet, duhet t’i stërvitë disa muskuj duke i përdorur vazhdimisht, edhe ne duhet t’i stërvitim aftësitë tona perceptuese duke i përdorur për të zbatuar parimet e Biblës.

14, 15. Pse duhet të bëjmë përpjekje të zellshme për të studiuar gjërat e thella të Fjalës së Perëndisë?

14 Mirëpo, më përpara se t’i stërvitim aftësitë perceptuese, duhet të fitojmë njohuri. Për këtë, është thelbësor studimi i zellshëm personal. Kur e bëjmë rregullisht studimin personal, sidomos për gjërat e thella të Fjalës së Perëndisë, i përmirësojmë aftësitë perceptuese. Gjatë viteve, në Kullën e Rojës janë trajtuar shumë argumente të thella. Si veprojmë kur në të ka artikuj që trajtojnë disa të vërteta të thella? A kemi prirjen t’i anashkalojmë, vetëm sepse kanë «disa gjëra të vështira për t’u kuptuar»? (2 Pjetrit 3:16) Jo, përkundrazi, ne bëjmë edhe më shumë përpjekje për të kuptuar çfarë po thuhet aty.​—Efesianëve 3:18.

15 Po sikur ta kemi të vështirë të bëjmë studimin personal? Është e domosdoshme të përpiqemi të fitojmë ose të zhvillojmë dëshirën për këtë studim. * (1 Pjetrit 2:2) Që të arrijmë pjekurinë, duhet të mësojmë të ushqehemi me ushqim të fortë, pra me të vërtetat e thella të Fjalës së Perëndisë. Përndryshe aftësitë tona perceptuese do të mbeten të kufizuara. Por, për të dhënë prova se jemi individë të pjekur, kërkohet më shumë sesa vetëm të fitojmë aftësi perceptuese. Duhet ta përdorim në jetën e përditshme njohurinë që marrim nga studimi i zellshëm personal.

16, 17. Çfarë këshille jep dishepulli Jakov se si të bëhemi «zbatues të fjalës»?

16 Provat se çfarë jemi, i shohim edhe në shprehjet tona të çmueshmërisë për të vërtetën, pra në veprat e besimit. Duke përdorur një ilustrim të goditur për të përshkruar këtë aspekt të analizimit të vetvetes, dishepulli Jakov thotë: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, duke gënjyer veten me arsyetime të rreme. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo zbatues, ky është si një njeri që shikon në pasqyrë fytyrën me të cilën ka lindur. Sepse ai shihet e ikën dhe harron menjëherë se ç’lloj njeriu është. Por ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që i përket lirisë dhe ngulmon në të, ky njeri, meqenëse është bërë jo dëgjues harraq, por bërës i veprës, duke e bërë atë do të jetë i lumtur.»​—Jakovi 1:22-25.

17 Me fjalë të tjera, Jakovi thotë: ‘Shikohu në pasqyrën e fjalës së Perëndisë dhe analizoje me kujdes vetveten. Ngulmo në këtë, hetoje veten sipas asaj që gjen në fjalën e Perëndisë. Pastaj, mos e harro menjëherë atë që sapo ke vërejtur te vetvetja. Bëj ndryshimet e duhura.’ Nganjëherë mund të jetë e vështirë të ndiqet kjo këshillë.

18. Pse është e vështirë të ndiqet këshilla e Jakovit?

18 Le të marrim, për shembull, kërkesën për të marrë pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë. Pavli shkroi: «Me zemër dikush ushtron besim për drejtësi, por me gojë deklaron publikisht për shpëtim.» (Romakëve 10:10) Ky veprim, pra që të deklarojmë publikisht për shpëtimin, kërkon një sërë ndryshimesh. Për shumicën prej nesh, nuk është e natyrshme të dalim në predikim. Dhe nëse duam të jemi të zellshëm në këtë vepër e t’i japim vendin që meriton në jetën tonë, kërkohen edhe më shumë ndryshime e sakrifica. (Mateu 6:33) Por, kur bëhemi zbatues të kësaj vepre që na ka caktuar Perëndia, jemi të lumtur, sepse e dimë që kjo i sjell lavdi Jehovait. Atëherë, a jemi lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë?

19. Çfarë duhet të përfshijnë veprat tona të besimit?

19 Çfarë duhet të përfshijnë këto vepra të besimit? Pavli thotë: «Gjërat që mësuat, si dhe ato që pranuat, dëgjuat dhe patë në lidhje me mua, këto praktikojini; dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.» (Filipianëve 4:9) Japim prova se çfarë jemi duke praktikuar atë mësuam, pranuam, dëgjuam dhe pamë, pra gjithçka që përfshin kushtimi dhe përgjegjësia si dishepuj të krishterë. «Kjo është rruga, ecni në të!»​—na mëson Jehovai nëpërmjet profetit Isaia.​—Isaia 30:21.

20. Cilët individë janë një bekim i madh për kongregacionin?

20 Burrat dhe gratë që e studiojnë me zell Fjalën e Perëndisë, që janë predikues të zellshëm të lajmit të mirë, që mbajnë integritetin në çdo gjë dhe që mbështetin me besnikëri Mbretërinë, janë një bekim i madh për kongregacionin. Prania e tyre ndihmon në qëndrueshmërinë e kongregacionit ku janë. Ata janë shumë të dobishëm, sidomos sepse ka një numër të madh të rinjsh në të vërtetën, që kanë nevojë për kujdes. Kur i vëmë veshin këshillës së Pavlit që ‘të vazhdojmë të vëmë në provë veten nëse jemi në besim, të vazhdojmë të provojmë se çfarë jemi’, edhe ne ndikojmë pozitivisht te të tjerët.

Gjeni kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë

21, 22. Si të gjejmë kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë?

21 Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, këndoi: «Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time.» (Psalmi 40:8) Davidi gëzohej dhe kënaqej duke bërë vullnetin e Perëndisë. Përse? Sepse e kishte në zemër ligjin e Jehovait. Davidi nuk ishte i pasigurt se në cilën rrugë duhej të ecte.

22 Kur e kemi thellë në zemër ligjin e Perëndisë, nuk jemi të pasigurt se në cilën rrugë duhet të ecim. Ne gjejmë kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë. Atëherë, ‘le të përpiqemi fuqimisht’ ndërkohë që i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër!​—Luka 13:24.

[Shënimet]

^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 15 Për disa sugjerime të dobishme se si të studioni, shih faqet 27-32 të librit Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Si ta vëmë në provë veten nëse jemi në besim?

• Çfarë përfshin të provojmë se çfarë jemi ne vetë?

• Si të japim prova të pjekurisë së krishterë?

• Si na ndihmojnë veprat e besimit që të hetojmë me kujdes vetveten?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

A e di cila është mënyra kryesore se si të vësh në provë veten nëse je në besim?

[Figura në faqen 24]

Japim prova të pjekurisë së krishterë duke përdorur aftësitë tona perceptuese

[Figurat në faqen 25]

Provojmë se çfarë jemi ne vetë, duke u bërë ‘zbatues të fjalës, jo dëgjues harraqë’