Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndihmon të gjesh gëzim

Bibla të ndihmon të gjesh gëzim

Bibla të ndihmon të gjesh gëzim

MEGJITHËSE nuk është një manual mjekësor, Bibla flet edhe për ndikimin pozitiv a negativ që mund të kenë emocionet, në gjendjen mendore ose fizike të njeriut. Ajo thotë: «Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.» Më tej thuhet: «Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e paktë.» (Fjalët e urta 17:22; 24:10) Shkurajimi na shteron energjitë, na bën të ndihemi të dobët e të pafuqishëm, pa dëshirën për të ndryshuar a për të kërkuar ndihmë.

Shkurajimi mund të ndikojë edhe në gjendjen tonë frymore. Ata që shpesh ndihen të pavlerë, mendojnë se nuk mund të kenë kurrë bekimin e Perëndisë dhe një marrëdhënie të mirë me të. Simona, për të cilën folëm në artikullin e mëparshëm, nuk mendonte se ishte «ai lloj personi që Perëndia miraton». Megjithatë, kur lexojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën, zbulojmë se Perëndia i sheh me sy të mirë ata që mundohen t’i pëlqejnë atij.

Perëndia kujdeset vërtet për ne

Bibla tregon se «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar». Perëndia nuk e përçmon «zemrën e thyer dhe të penduar», por premton se ai ‘ngjall frymën e të përulurve, ngjall frymën e të penduarve’.​—Psalmi 34:18; 51:17; Isaia 57:15.

Një herë, Biri i Perëndisë, Jezui, mendoi që ishte e nevojshme t’u bënte të qartë dishepujve se Perëndia sheh cilësitë e mira te shërbëtorët e Tij. Me anë të një ilustrimi, ai tregoi se Perëndia e vë re kur një harabel bie përtokë, gjë që njerëzit do ta konsideronin si të parëndësishme. Ai theksoi edhe se Perëndia i njeh njerëzit deri në hollësi, madje u di edhe numrin e fijeve të flokëve. Jezui e përfundoi ilustrimin me këto fjalë: «Prandaj, mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29-31) * Pavarësisht nga mendimi që kanë për veten, Jezui tregoi se, ata që besojnë te Perëndia, kanë vërtet vlerë në sytë e Tij. Apostulli Pjetër na kujton se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm».​—Veprat 10:34, 35.

Mbani një pikëpamje të ekuilibruar

Fjala e Perëndisë na nxit të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten. Apostulli Pavël nën frymëzim shkroi: «Nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar që m’u dha, i them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë sesa duhet të mendojë; por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë, secili sipas masës së besimit që Perëndia i ka ndarë.»​—Romakëve 12:3.

Sigurisht, as nuk duhet të mbahemi me të madh aq sa të bëhemi kryelartë, e as të kalojmë në ekstremin tjetër dhe të mendojmë që nuk vlejmë fare. Përkundrazi, duhet të synojmë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten, pikëpamje që merr parasysh si aftësitë, ashtu edhe kufizimet tona. Në lidhje me këtë, një e krishterë u shpreh: «Mishërimi i ligësisë nuk jam, por as vetë mirësia. Ashtu si gjithë të tjerët, kam edhe cilësi të mira, edhe të këqija.»

Sigurisht, është e lehtë ta thuash, por ta arrish një pikëpamje të tillë të ekuilibruar, nuk është dhe aq e lehtë. Kërkohen përpjekje të mëdha për të eliminuar mendimet tepër negative për veten, të cilat mund t’i kemi krijuar gjatë viteve. Por, me ndihmën e Perëndisë, mund të ndryshojmë si personalitetin, ashtu edhe pikëpamjen për veten. Në të vërtetë, ja çfarë na nxit Fjala e Perëndisë: ‘Flakni tej personalitetin e vjetër që është në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj dhe që është korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese; dhe rinohuni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj e vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.’​—Efesianëve 4:22-24.

Nëse përpiqemi ta transformojmë ‘forcën që vë në veprim mendjen tonë’, domethënë prirjen që mbizotëron në mendjen tonë, mund ta ndryshojmë personalitetin nga tepër negativ, në pozitiv. Lena, e cila u përmend në artikullin e mëparshëm, e kuptoi se, po të mos hiqte nga koka mendimin se askush nuk mund ta donte dhe ta ndihmonte, asgjë nuk do t’ia ndryshonte pikëpamjen që kishte për veten. Cilat këshilla praktike të Biblës e ndihmuan Lenën, Simonën dhe të tjerët që të ndryshonin?

Parime të Biblës që sjellin gëzim

«Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22, BR) Para së gjithash, lutja mund të na ndihmojë të gjejmë gëzim të vërtetë. Simona thotë: «Sa herë ndihesha e shkurajuar, i lutesha Jehovait dhe i kërkoja ndihmë. Në çdo rast kam ndier forcën dhe udhëheqjen e tij.» Kur psalmisti na nxit që ta hedhim barrën tonë mbi Jehovain, në të vërtetë ai po na kujton se Jehovai jo vetëm që interesohet për ne, por edhe na sheh si persona të denjë për të na ndihmuar dhe për të na mbështetur. Natën e Pashkës, në vitin 33 të e.s., dishepujt ishin të brengosur se Jezui u kishte thënë që së shpejti do të largohej. Pasi Jezui i porositi t’i luteshin Atit, ai shtoi: «Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të bëhet i plotë.»​—Gjoni 16:23, 24.

«Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Siç na mëson Jezui, dhënia është një nga faktorët kyç për të gjetur gëzimin e vërtetë në jetë. Kur zbatojmë këtë të vërtetë biblike, përqendrohemi më shumë te nevojat e të tjerëve, sesa te mangësitë tona. Kur ndihmojmë të tjerët dhe shohim se ata janë mirënjohës, ndihemi më të kënaqur me veten. Lena është e bindur se përhapja rregullisht e lajmit të mirë të Biblës, e ndihmon atë në dy drejtime. Ajo thotë: «Së pari, më jep atë lloj lumturie për të cilën foli Jezui. Së dyti, reagimi pozitiv i njerëzve më jep gëzim.» Nëse me bujari u japim të tjerëve nga vetja, do të shohim në jetën tonë vërtetësinë e Fjalëve të urta 11:25 ku thuhet: «Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.»

«Të gjitha ditët e të varfrit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.» (Fjalët e urta 15:15) Të gjithë kemi mundësinë të zgjedhim se si do ta konsiderojmë veten dhe se në ç’rrethana duam të jetojmë. Mund të jemi nga ata që e shohin gjithçka me syrin negativ dhe ndihen të mjerë, ose mund të zgjedhim të mendojmë pozitivisht, të kemi «një zemër të kënaqur» dhe të ndihemi të gëzuar, sikur të kishim festë. Simona thotë: «Përpiqem të jem sa më pozitive. Kaloj sa më shumë kohë duke studiuar dhe duke dalë në shërbim, dhe lutem vazhdimisht. Përpiqem të rri me njerëz pozitivë dhe të jem e gjindshme.» Një qëndrim i tillë sjell gëzim të vërtetë, prandaj edhe Bibla na nxit: «Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.»​—Psalmi 32:11.

«Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Fjalët e urta 17:17, BR) Kur i hapim zemrën një njeriu të dashur ose kur i kërkojmë këshilla dikujt, të cilit i besojmë, kjo na ndihmon të punojmë me ndjenjat negative dhe t’i largojmë para se të na vënë përposh. Kur flasim me të tjerët, i shohim gjërat nga një pikëpamje pozitive e ekuilibruar. «Të hapesh me të tjerët, të ndihmon shumë,​—pranon Simona.​—Ke nevojë t’i tregosh dikujt se si ndihesh. Shpesh lehtësohesh vetëm kur e nxjerr atë që ke përbrenda.» Duke vepruar kështu, do të provosh në jetën tënde plotësimin e proverbit që thotë: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.»​—Fjalët e urta 12:25.

Çfarë mund të bësh?

Këto ishin vetëm disa nga parimet e shumta të mrekullueshme dhe praktike të Biblës, që mund të na ndihmojnë t’i kapërcejmë ndjenjat negative dhe të gjejmë gëzimin e vërtetë. Nëse edhe ti po lufton me ndjenjat e pavlefshmërisë, të inkurajojmë t’i bësh një shqyrtim të hollësishëm Fjalës së Perëndisë, Biblës. Mëso si të kesh një pikëpamje realiste dhe të ekuilibruar për veten dhe për marrëdhënien tënde me Perëndinë. Shpresojmë me gjithë zemër se, duke ndjekur Fjalën e Perëndisë, do të mund të gjesh gëzim të vërtetë në çdo gjë që bën.

[Shënimi]

^ par. 6 Kjo pjesë nga shkrimet është shpjeguar më hollësisht në faqet 22 dhe 23.

[Figura në faqen 7]

Të jetosh sipas parimeve biblike, sjell gëzim