Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»

Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»

Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»

«Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»​—HEBRENJVE 11:6.

1, 2. Pse disa shërbëtorë të Jehovait mund të luftojnë me ndjenjat negative?

«KAM rreth 30 vjet që jam Dëshmitare e Jehovait, por asnjëherë s’jam ndier e denjë të mbaj këtë emër»,​—rrëfen Barbara. * Ajo thotë: «Edhe pse kam qenë pioniere dhe kam pasur tërë ato privilegje të tjera, asnjëri s’më bind thellë-thellë se e meritoj këtë emër.» Edhe Kiti shpreh mendime të ngjashme. «Nganjëherë jam ndier i padenjë, sepse unë nuk isha i lumtur, kurse shërbëtorët e Jehovait kanë shumë arsye për të qenë të lumtur,​—thotë ai.​—Nga këto mendime ndihesha në faj, por kjo vetëm sa e keqësonte situatën.»

2 Shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait, në të kaluarën dhe sot, kanë luftuar me ndjenja të ngjashme. A ke edhe ti nganjëherë ndjenja të tilla? Ndoshta kalon njërin problem pas tjetrit, kurse bashkëbesimtarët e tu duket sikur e gëzojnë jetën, të lumtur e pa asnjë telash. Nga kjo, ndoshta të duket ose që s’ke miratimin e Jehovait, ose që nuk e meriton vëmendjen e tij. Por mos u nxito të nxjerrësh përfundimin se kështu duhet të jetë. Bibla na siguron: «[Jehovai] nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.» (Psalmi 22:24) Këto fjalë profetike, të thëna për Mesinë, tregojnë se Jehovai jo vetëm që i dëgjon shërbëtorët e tij besnikë, por edhe i shpërblen.

3. Pse nuk jemi të imunizuar nga presionet e këtij sistemi?

3 Askush nuk është i imunizuar nga presionet e këtij sistemi, as populli i Jehovait. Jetojmë në një botë ku sundon armiku më i madh i Jehovait, Satana Djalli. (2 Korintasve 4:4; 1 Gjonit 5:19) Jehovai nuk i mbron shërbëtorët e tij me anë të ndonjë mrekullie; përkundrazi, ata janë shënjestra kryesore e Satanait. (Jobi 1:7-12; Zbulesa 2:10) Prandaj, derisa të vijë koha e caktuar nga Perëndia, duhet ‘të qëndrojmë në shtrëngime’ dhe ‘të ngulmojmë në lutje’, të sigurt se Jehovai interesohet për ne. (Romakëve 12:12) Nuk duhet të lejojmë që presionet e kësaj bote të na bëjnë të mendojmë se Perëndia ynë, Jehovai, nuk na do!

Shembuj të lashtë qëndrueshmërie

4. Jepni shembuj për disa shërbëtorë besnikë të Jehovait që kaluan situata të vështira.

4 Shumë shërbëtorë të lashtë të Jehovait duruan situata vërtet të vështira. Për shembull, Hana ishte ‘e trishtuar në shpirt’ sepse s’kishte fëmijë. Ajo e konsideronte këtë njësoj sikur Perëndia ta kishte harruar. (1 Samuelit 1:9-11) Elija u frikësua kur mbretëresha Jezebelë po e ndiqte për ta vrarë, dhe iu lut Jehovait: «Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi.» (1 Mbretërve 19:4) Ndërsa apostulli Pavël duhet të jetë ndier i dërrmuar për shkak të papërsosmërisë së tij, kur pranoi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe është e pranishme tek unë.» Pastaj shtoi: «Ç’njeri i mjerë që jam!»​—Romakëve 7:21-24.

5. (a) Si u shpërblyen Hana, Elija dhe Pavli? (b) Çfarë ngushëllimi mund të gjejmë në Fjalën e Perëndisë, në qoftë se po luftojmë me ndjenjat negative?

5 Natyrisht, ne e dimë se Hana, Elija dhe Pavli vazhduan t’i shërbenin Jehovait, dhe Ai i shpërbleu shumë. (1 Samuelit 1:20; 2:21; 1 Mbretërve 19:5-18; 2 Timoteut 4:8) Gjithsesi, luftuan me lloj-lloj ndjenjash, siç janë hidhërimi, dëshpërimi dhe frika. Prandaj, nuk duhet të habitemi nëse kemi nganjëherë ndjenja negative. Por, çfarë mund të bësh kur ankthet e jetës të bëjnë të dyshosh a të do me të vërtetë Jehovai, apo jo? Mund të gjesh ngushëllim në Fjalën e Perëndisë. Për shembull, në artikullin e kaluar shqyrtuam thënien e Jezuit se Jehovai i ka numëruar ‘fijet e flokëve të kokës sate’. (Mateu 10:30) Këto fjalë inkurajuese tregojnë se Jehovai interesohet thellësisht për secilin shërbëtor të tij. Kujto edhe ilustrimin e Jezuit me harabelat. Kur asnjëri nga këta zogj të vegjël nuk bie përtokë pa dijeninë e Jehovait, e pse duhet t’i mbyllë sytë ai para gjendjes sate të vështirë?

6. Si mund të jetë Bibla burim ngushëllimi për ata që luftojnë me ndjenjat negative?

6 A është vërtet e mundur që ne, njerëzit e papërsosur, të jemi të çmuar në sytë e Krijuesit të gjithëpushtetshëm, Perëndisë Jehova? Po! Në fakt, në Bibël ka shumë shkrime që na sigurojnë për këtë. Duke medituar thellë për këto shkrime, mund të themi edhe ne të njëjtat fjalë si psalmisti: «Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet [ngushëllimet, BR] e tua më jepnin zemër.» (Psalmi 94:19) Le të shqyrtojmë disa nga këto thënie ngushëlluese të Fjalës së Perëndisë, që do të na bëjnë të kuptojmë edhe më shumë se Perëndia na vlerëson dhe se do të na shpërblejë ndërsa vazhdojmë të bëjmë vullnetin e tij.

‘Thesari i veçantë’ i Jehovait

7. Cilën profeci inkurajuese i tha Jehovai, nëpërmjet Malakisë, kombit të korruptuar?

7 Gjatë shekullit të pestë p.e.s., judenjtë kishin rënë në një situatë të mjerueshme. Priftërinjtë pranonin kafshë të papërshtatshme dhe i paraqitnin si flijime në altarin e Jehovait. Gjykatësit tregoheshin të njëanshëm. Shtrigëria, mashtrimet dhe kurorëshkelja ishin përhapur shumë. (Malakia 1:8; 2:9; 3:5) Këtij kombi paturpësisht të korruptuar, Malakia i shpalli një profeci mahnitëse. Me kalimin e kohës, Jehovai do ta rikthente popullin e tij në një gjendje të miratuar. Lexojmë: «‘Ata do të jenë të mitë’,​—thotë Zoti i ushtrive,​—‘ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë dhe unë do t’i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.’»​—Malakia 3:17.

8. Pse Malakia 3:17 mund të zbatohet, në parim, edhe për shumicën e madhe?

8 Profecia e Malakisë ka një përmbushje moderne te të krishterët e mirosur nga fryma, të cilët përbëjnë një komb frymor me 144.000 veta. Ky komb është me të vërtetë për Jehovain ‘një thesar i veçantë’ ose një «popull për zotërim të veçantë». (1 Pjetrit 2:9) Profecia e Malakisë mund të jetë inkurajuese edhe për ‘shumicën e madhe’, që ‘qëndron para fronit dhe para Qengjit, veshur me petka të bardha të gjata’. (Zbulesa 7:4, 9) Këta bëhen një kope e vetme me të mirosurit, nën një Bari të vetëm, Jezu Krishtin.​—Gjoni 10:16.

9. Pse janë ‘një thesar i veçantë’ për Jehovain shërbëtorët e tij?

9 Si i konsideron Jehovai ata që vendosin t’i shërbejnë atij? Siç e vumë re te Malakia 3:17, i konsideron ashtu siç e konsideron një baba i dashur birin e vet. Shikoni edhe me sa fjalë të ngrohta e përshkruan popullin e tij​—‘një thesar i veçantë’! Në disa versione të tjera, kjo shprehje është përkthyer: «të mitë», «prona ime më e çmuar» dhe «xhevahirët e mi». Po pse i konsideron Jehovai kaq të veçantë ata që i shërbejnë? Në radhë të parë, sepse është një Perëndi mirënjohës. (Hebrenjve 6:10) Ai u afrohet njerëzve që i shërbejnë nga zemra dhe i konsideron ata të veçantë.

10. Si u siguron mbrojtje Jehovai shërbëtorëve të tij?

10 Sill ndër mend një send me vlerë, që e konsideron si një pronë të veçantë. A nuk bën përpjekje për ta mbrojtur këtë send? Jehovai vepron njësoj me ‘thesarin e tij të veçantë’. Qartë, nuk e mbron popullin e tij nga të gjitha sprovat dhe ngjarjet tragjike të jetës. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11) Por Jehovai mund t’i mbrojë​—dhe do t’i mbrojë​—frymësisht shërbëtorët e tij besnikë. Ai u jep forcën që u duhet, për të duruar çdo lloj sprove. (1 Korintasve 10:13) Prandaj, Moisiu u tha izraelitëve, që ishin populli i lashtë i Perëndisë: «Tregohuni të fortë dhe trima. . . . Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur.» (Ligji i përtërirë 31:6) Jehovai i shpërblen shërbëtorët e tij. Ata janë ‘një thesar i veçantë’ për të.

Jehovai është «shpërblyesi»

11, 12. Si na ndihmon të luftojmë ndjenjat e dyshimit, kuptueshmëria për rolin e Jehovait si Shpërblyesi ynë?

11 Një provë tjetër se Jehovai i vlerëson shërbëtorët e tij, janë shpërblimet që u jep. Perëndia u tha izraelitëve: «‘Më vini në provë për këtë gjë’,​—thotë Zoti i ushtrive,​—‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.’» (Malakia 3:10) Sigurisht, në fund Jehovai do t’i shpërblejë shërbëtorët e tij me jetën e përhershme. (Gjoni 5:24; Zbulesa 21:4) Ky shpërblim i paçmuar zbulon sa e madhe është dashuria dhe bujaria e Jehovait. Gjithashtu, tregon se ai i vlerëson vërtet ata që vendosin t’i shërbejnë. Nëse mësojmë ta shohim Jehovain si një Shpërblyes bujar, kjo mund të na ndihmojë të luftojmë dyshimet për reputacionin që kemi para tij. Në fakt, Jehovai na nxit që ta shohim si një Shpërblyes. Pavli shkroi: «Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»​—Hebrenjve 11:6.

12 Natyrisht, ne i shërbejmë Jehovait sepse e duam, jo vetëm ngaqë premton se do të na shpërblejë. Gjithsesi, nuk është e gabuar ose egoiste të mbajmë të gjallë në zemër shpresën se do të shpërblehemi. (Kolosianëve 3:23, 24) Nga dashuria për ata që e kërkojnë me ngulm dhe ngaqë i vlerëson jashtë mase, Jehovai merr nismën dhe i shpërblen.

13. Pse shpërblesa është prova më e madhe që Jehovai na do?

13 Prova më e madhe e vlerës që mund të ketë njerëzimi në sytë e Jehovait, është shpërblesa që siguroi ai. Apostulli Gjon shkroi: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit e kundërshton idenë se s’kemi vlerë në sytë e Jehovait ose që ai s’na do. Nëse Jehovai pagoi një çmim kaq të lartë për ne​—duke dhënë Birin e tij të vetëmlindur​—me siguri që duhet të na dojë shumë!

14. Si e konsideronte Pavli shpërblesën dhe nga e kuptojmë këtë?

14 Prandaj, po të të lindin ndjenja negative, medito rreth shpërblesës. Po, konsideroje atë si një dhuratë që Jehovai ta ka bërë ty personalisht. Kështu e konsideroi apostulli Pavël. Sjellim ndër mend që ai tha: «Ç’njeri i mjerë që jam!» Por pastaj vazhdoi: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë», që «më deshi dhe e dorëzoi veten për mua». (Romakëve 7:24, 25; Galatasve 2:20) Pavli nuk po tregohej egoist kur tha këtë. Thjesht, ai ishte i sigurt se Jehovai e vlerësonte si individ. Ashtu si Pavli, edhe ti duhet të mësosh ta konsiderosh shpërblesën si një dhuratë që Perëndia ta ka bërë ty si individ. Jehovai është jo vetëm një Shpëtimtar i fuqishëm, por edhe një Shpërblyes i dashur.

Ruhu nga ‘intrigat’ e Satanait!

15-17. (a) Si i shfrytëzon Djalli ndjenjat negative? (b) Çfarë inkurajimi mund të marrim nga përvoja e Jobit?

15 Prapëseprapë, ndoshta e ke të vështirë të besosh se ngushëllimet që gjenden në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, vlejnë për ty si individ. Ndoshta mendon se të tjerët kanë mundësinë ta marrin shpërblimin me jetë të përhershme në botën e re të Perëndisë, kurse ti nuk je i denjë për të. Ç’mund të bësh, nëse vërtet ndihesh kështu?

16 Me siguri, ti e di këshillën që u dha Pavli efesianëve: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.» (Efesianëve 6:11) Kur mendojmë për taktikat e Satanait, ndoshta menjëherë na vijnë në mendje gjëra të tilla si materializmi dhe imoraliteti, dhe me të drejtë. Këto tundime kanë qenë një grackë për shumë shërbëtorë të Perëndisë, si në të kaluarën, edhe tani. Megjithatë, nuk duhet të nënvlerësojmë një tjetër intrigë ose kurth të Satanait, domethënë përpjekjen e tij për t’i bindur njerëzit se Perëndia Jehova nuk i do.

17 Djalli është mjeshtër për të shfrytëzuar këto ndjenja, në orvatjet e tij për t’i larguar njerëzit nga Perëndia. Kujto fjalët që i tha Bildadi Jobit: «Si mund të jetë, pra, njeriu i drejtë përpara Perëndisë, ose si mund të jetë i pastër një i lindur nga një grua? Dhe nëse edhe hëna nuk shkëlqen dhe yjet nuk janë të pastër në sytë e tij, aq më pak njeriu, që është një vemje, biri i njeriut që është një krimb!» (Jobi 25:4-6; Gjoni 8:44) E përfytyron dot sa demoralizuese duhet të kenë qenë këto fjalë? Prandaj, mos e lër Satanain të të shkurajojë. Por, gjithashtu, mbaji parasysh taktikat e Satanait, që të kesh guximin dhe forcën e duhur për të luftuar edhe më shumë që të bësh të drejtën. (2 Korintasve 2:11) Sa për Jobin, edhe pse kishte nevojë për ndreqje, Jehovai e shpërbleu qëndrueshmërinë e tij duke i rikthyer dyfishin e gjithçkaje që kishte humbur.​—Jobi 42:10.

Jehovai «është më i madh se zemra jonë»

18, 19. Si është Perëndia «më i madh se zemra jonë» dhe në ç’kuptim «di gjithçka»?

18 E pranojmë se mund të jetë e vështirë të largojmë ndjenjat e shkurajimit, nëse janë të rrënjosura thellë. Gjithsesi, fryma e Jehovait mund të të ndihmojë që dalëngadalë të përmbysësh «gjëra të fortifikuara mirë . . . që [janë] ngritur kundër njohurisë së Perëndisë». (2 Korintasve 10:4, 5) Kur ka rrezik të të mbytin ndjenjat negative, medito për fjalët e apostullit Gjon: «Nga kjo do të dimë se vijmë nga e vërteta dhe do të sigurojmë zemrën tonë përpara tij, lidhur me gjithçka për të cilën zemra jonë mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.»​—1 Gjonit 3:19, 20.

19 Çfarë do të thotë fraza «Perëndia është më i madh se zemra jonë»? Nganjëherë zemra mund të na dënojë, sidomos kur bëhemi të vetëdijshëm për papërsosmërinë dhe mangësitë tona. Ose ndoshta, për shkak të mënyrës si jemi rritur, kemi një prirje të paarsyeshme për të menduar negativisht për veten, sikur asgjë që bëjmë nuk mund të jetë e pranueshme për Jehovain. Fjalët e apostullit Gjon na sigurojnë se Jehovai është më i madh se këto ndjenja! Ai sheh përtej gabimeve tona dhe kupton potencialin e vërtetë që kemi. Gjithashtu, i di motivet dhe synimet tona. Davidi shkroi: «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» (Psalmi 103:14) Po, Jehovai na njeh më mirë se ç’e njohim ne veten.

«Një kurorë e shkëlqyer» dhe «një çallmë mbretërore»

20. Çfarë zbulon profecia e rivendosjes që tha Isaia, për pikëpamjen që ka Jehovai për shërbëtorët e tij?

20 Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai i dha popullit të tij të lashtë shpresën për një rivendosje. Kur të ishin robër në Babiloni, ky ngushëllim dhe kjo shpresë do t’u nevojitej pikërisht atyre që ishin të dëshpëruar! Duke folur për kohën kur do të ktheheshin në atdheun e tyre, Jehovai tha: «Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë [çallmë, BR] mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.» (Isaia 62:3) Me këto fjalë, Jehovai i dha dinjitet e madhështi popullit të tij. Të njëjtën gjë ka bërë me kombin e Izraelit frymor sot. Është sikur t’i mbajë lart, me qëllim që t’i admirojnë të gjithë.

21. Si mund të fitosh sigurinë që Jehovai do ta shpërblejë qëndrueshmërinë tënde besnike?

21 Edhe pse kjo profeci përmbushet kryesisht te të mirosurit, ajo ilustron dinjitetin që u jep Jehovai të gjithë atyre që i shërbejnë. Prandaj, kur të lindin ndjenja dyshimi, mos harro se, ndonëse je i papërsosur, për Jehovain mund të jesh po aq i vlefshëm sa «një kurorë e shkëlqyer» dhe «një çallmë mbretërore». Prandaj, vazhdo t’ia gëzosh zemrën, duke u përpjekur me zell të bësh vullnetin e tij. (Fjalët e urta 27:11) Nëse vepron kështu, mund të jesh i sigurt se Jehovai do ta shpërblejë qëndrueshmërinë tënde besnike.

[Shënimi]

^ par. 1 Disa emra janë ndryshuar.

A ju kujtohet?

• Si jemi ‘një thesar i veçantë’ për Jehovain?

• Pse është e rëndësishme ta konsiderojmë Jehovain si Shpërblyes?

• Nga cilat ‘intriga’ të Satanait duhet të ruhemi?

• Në ç’kuptim Perëndia është «më i madh se zemra jonë»?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Pavli

[Figura në faqen 26]

Elija

[Figura në faqen 26]

Hana

[Figura në faqen 28]

Në Fjalën e Perëndisë ka me bollëk mendime ngushëlluese