Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i ka numëruar «fijet e flokëve të kokës suaj»

Jehovai i ka numëruar «fijet e flokëve të kokës suaj»

Jehovai i ka numëruar «fijet e flokëve të kokës suaj»

«Asnjë [harabel] nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Por vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara.»​—MATEU 10:29, 30.

1, 2. (a) Pse Jobi mendonte që Perëndia e kishte braktisur? (b) A nënkuptojnë fjalët e Jobit se ai ishte kthyer kundër Jehovait? Shpjegoni.

«NË NDIHMË të thërras e Ti s’më përgjigj, në këmbë qëndroj e Ti s’më shikon. Për mua Ti mizor u bëre, më përndjek me dorë të fuqishme.» Ai që i tha këto fjalë ishte vërtet i pikëlluar, e me të drejtë! Kishte humbur çdo mjet jetese, një stuhi e pazakontë ia kishte vrarë fëmijët dhe tani po e mundonte një sëmundje e padurueshme. Ky njeri quhej Job, dhe peripecitë e tij të mëdha janë dokumentuar në Bibël për dobinë tonë.​—Jobi 30:20, 21, Dom Simon Filipaj.

2 Nga fjalët që tha, mund të duket sikur Jobi ishte kthyer kundër Perëndisë, por nuk ishte kështu. Ai vetëm sa po shprehte hidhërimin që kishte thellë në shpirtin e dërrmuar. (Jobi 6:2, 3) Ai nuk e dinte që sprovat ia shkaktonte Satanai, prandaj, gabimisht mendoi se Perëndia e kishte braktisur. Madje, një herë Jobi i tha Jehovait: «Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?» *​—Jobi 13:24.

3. Cilat pyetje mund të na vijnë në mendje, kur vuajmë?

3 Sot, shumë shërbëtorë të Jehovait kanë vazhdimisht probleme për shkak të luftërave, konflikteve politike ose shoqërore, katastrofave natyrore, pleqërisë, sëmundjeve, varfërisë dhe të ndalimit nga qeveritë. Ndoshta edhe ti po kalon ndonjë sprovë. Ndonjëherë mund të të duket sikur Jehovai po e fsheh fytyrën prej teje. Ti i njeh mirë fjalët e Gjonit 3:16: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur.» Por megjithatë, kur je duke vuajtur dhe duket sikur s’ke lehtësim, ndoshta pyet veten: ‘A më do vërtet Perëndia mua? A e di ai se ç’po kaloj? A interesohet për mua si individ?’

4. Cilën situatë duhej të duronte Pavli, e si lidhet edhe me ne kjo situatë?

4 Shiko se çfarë i ndodhi apostullit Pavël. Ai shkroi: «Më është dhënë një gjemb në mish, një engjëll i Satanait, që të më bjerë vazhdimisht me shuplaka.» Pastaj shtoi: «Iu përgjërova tri herë Zotërisë që ta hiqte prej meje [këtë gjemb].» Jehovai i dëgjoi përgjërimet e Pavlit. Megjithatë, i bëri të qartë se nuk do të ndërhynte me ndonjë mrekulli, për t’ia zgjidhur problemin. Jo, Pavlit do t’i duhej të mbështetej te fuqia e Perëndisë për ta përballuar këtë «gjemb në mish». * (2 Korintasve 12:7-9) Ashtu si Pavli, ndoshta edhe ti ke një sprovë që po vazhdon prej kohësh. Mbase pyet veten: ‘Mos vallë Jehovai nuk është në dijeni të situatës sime apo nuk interesohet për mua, sepse duket sikur s’po bën asgjë për këtë sprovë që po kaloj?’ Absolutisht jo! Fjalët që u tha Jezui apostujve, pak kohë pasi i zgjodhi, zbulojnë se sa thellë interesohet Jehovai për secilin nga shërbëtorët e tij besnikë. Le të shohim se si mund të na japin zemër edhe neve fjalët e tij.

«Mos kini frikë»​—Pse?

5, 6. (a) Si i ndihmoi Jezui apostujt që të mos kishin frikë për atë që do të ndodhte në të ardhmen? (b) Si tregoi Pavli se ishte i sigurt që Jehovai interesohej për të?

5 Jezui u dha apostujve fuqi të jashtëzakonshme, madje u dha edhe «autoritet mbi frymërat e ndyra, që t’i dëbonin ato dhe të shëronin çdo lloj lëngate e çdo lloj sëmundjeje». Megjithatë, kjo nuk do të thoshte se tani s’do të kishin më sprova dhe vështirësi. Përkundrazi, Jezui përshkroi me hollësi disa nga gjërat që do t’u ndodhnin. Gjithsesi, i nxiti: «Mos u frikësoni prej atyre që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin; por më tepër kini frikë prej atij që mund të shkatërrojë si shpirtin dhe trupin në Gehenë.»​—Mateu 10:1, 16-22, 28.

6 Që t’i ndihmonte apostujt të kuptonin pse s’duhej të kishin frikë, Jezui bëri dy ilustrime. Ai u tha: «A nuk shiten dy harabela për një monedhë me vlerë të vogël? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Por vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29-31) Siç e shohim, Jezui tha se nuk duhet të kemi frikë, pasi jemi të sigurt që Jehovai interesohet për secilin prej nesh. Apostulli Pavël, me sa duket, ishte i sigurt për këtë. Ai shkroi: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh? Ai që nuk kurseu as Birin e vet, por e dorëzoi për ne të gjithë, përse bashkë me atë të mos na japë me mirësi edhe të gjitha gjërat e tjera?» (Romakëve 8:31, 32) Pavarësisht nga vështirësitë që po has, edhe ti mund të jesh i sigurt se Jehovai interesohet për ty personalisht, për aq kohë sa i qëndron besnik atij. Do ta kuptosh edhe më shumë këtë ndërsa shqyrton më nga afër këshillën që u dha Jezui apostujve.

Sa vlerë kishte një harabel?

7, 8. (a) Si konsideroheshin harabelat në kohën e Jezuit? (b) Me sa duket, pse përdoret te Mateu 10:29 forma zvogëluese e fjalës greke për «harabela»?

7 Interesimi i Jehovait për secilin nga shërbëtorët e Tij, përshkruhet më së miri në ilustrimet e Jezuit. Le të shqyrtojmë fillimisht krahasimin me harabelat. Në kohën e Jezuit, mishi i harabelave përdorej si ushqim, por ngaqë rrezikonin të mbjellat, përgjithësisht i konsideronin të dëmshëm. Harabelat ishin kaq me bollëk dhe kaq lirë, sa dy të tillë mund t’i blije me më pak se 50 lekë të vjetra, me lekët tona. Me dyfishin e kësaj sasie lekësh do të blije, jo katër, por pesë harabela. I pesti jepej sikur të mos kishte vlerë fare.​—Luka 12:6.

8 Mendo edhe për përmasat e këtij zogu të zakonshëm. Në krahasim me shumë zogj të tjerë, edhe një harabel i rritur është goxha i vogël. Por, fjala greke e përkthyer «harabela» te Mateu 10:29, i referohet në mënyrë specifike harabelave të vegjël. Me sa duket, Jezui donte që apostujt të mendonin për një zog me vlerën më të vogël të imagjinueshme. Siç thotë një vepër referimi, «Jezui përmend një zog shumë të vogël, e madje përdor edhe një term zvogëlues për të».

9. Cilin mësim të rëndësishëm thekson Jezui në ilustrimin me harabelat?

9 Krahasimi që bën Jezui me harabelat, thekson diçka tepër të rëndësishme: ajo që për njerëzit duket pa vlerë, ka shumë rëndësi për Perëndinë Jehova. Këtë të vërtetë Jezui e theksoi më tej, duke shtuar se një harabel i vogël as ‘nuk bie përtokë’ pa e vënë re Jehovai. * Mësimi është i qartë: nëse Perëndia Jehova vëren edhe zogun më të vogël e më të papërfillshëm, aq më tepër do të interesohet për situatën e një njeriu që ka zgjedhur t’i shërbejë atij!

10. Çfarë do të thotë shprehja «vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara»?

10 Përveç ilustrimit me harabelat, Jezui tha: «Vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara.» (Mateu 10:30) Ky pohim i shkurtër, por i thellë, thekson edhe më shumë mësimin që nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit me harabelat. Mendo që, në kokën e njeriut ka mesatarisht 100.000 fije floku. Në përgjithësi, fijet e flokut nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, dhe ne nuk e shqyrtojmë me hollësi çdonjërën prej tyre. E megjithatë, Perëndia Jehova i vëren dhe i numëron që të gjitha. Kur është kështu, a ka ndonjë hollësi të jetës sonë që Jehovai s’mund ta dijë? Patjetër që Jehovai e kupton përbërjen unike të secilit prej shërbëtorëve të tij. Po, ai «shikon zemrën».​—1 Samuelit 16:7.

11. Si e shprehu Davidi se ishte i sigurt që Jehovai interesohej për të personalisht?

11 Davidi, që kishte kaluar shumë vështirësi në jetë, ishte i sigurt se Jehovai e vinte re. «Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh,​—shkroi ai.​—Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.» (Psalmi 139:1, 2) Edhe ti mund të jesh i sigurt se Jehovai të njeh personalisht. (Jeremia 17:10) Mos nxirr menjëherë përfundimin se je aq i parëndësishëm, saqë sytë e Jehovait, që shohin gjithçka, nuk të vënë re!

«Vendosi lotët e mia në calikun tënd»

12. Si e dimë se Jehovai është plotësisht në dijeni të vështirësive që kalon populli i tij?

12 Jehovai jo vetëm që i njeh shërbëtorët e tij individualisht, por është në dijeni të plotë edhe të vështirësive që kalon secili prej tyre. Për shembull, kur izraelitët ishin nën skllavërinë shtypëse të egjiptianëve, Jehovai i tha Moisiut: «Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij.» (Eksodi [Dalja] 3:7) Sa ngushëlluese është të kuptojmë se, kur durojmë një sprovë, Jehovai e sheh se çfarë ndodh, dhe i dëgjon thirrjet tona për ndihmë! Sigurisht që ai s’është indiferent ndaj vuajtjeve që kalojmë.

13. Nga duket se Jehovai ndien dhembshuri për shërbëtorët e tij?

13 Interesimi i Jehovait për ata që kanë lidhur një marrëdhënie të ngushtë me të, kuptohet edhe nga ndjenjat e tij për izraelitët. Ndonëse shpesh ata vuanin për shkak të kokëfortësisë së tyre, Isaia shkroi për Jehovain: «Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua.» (Isaia 63:9) Prandaj, si shërbëtor besnik i Jehovait, mund të jesh i sigurt se, kur ti ndien dhembje, edhe Ai ndien dhembje. A nuk të nxit kjo të qëndrosh i palëkundur përballë vështirësive dhe të vazhdosh të bësh më të mirën në shërbim të tij?​—1 Pjetrit 5:6, 7.

14. Në cilat rrethana u kompozua Psalmi 56?

14 Bindja që kishte mbreti David, se Jehovai interesohej për të dhe e ndiente dhembjen e tij, shprehet qartë te Psalmi 56, të cilin Davidi e kompozoi ndërsa po ikte larg mbretit Saul, që donte ta vriste. Davidi arriti të shkonte në Gath, por u frikësua kur filistinët e njohën. Ai shkroi: «Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.» Për shkak të kësaj situate të rrezikshme, Davidi kërkoi strehë te Jehovai. «Ata i shtrembërojnë vazhdimisht fjalët e mia,​—tha ai,​—gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.»​—Psalmi 56:2, 5.

15. (a) Ç’donte të thoshte Davidi kur i kërkoi Jehovait që t’ia vinte lotët në një calik ose në një libër? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt, ndërsa durojmë një situatë që na sprovon besimin?

15 Pastaj, në Psalmin 56:8, lexojmë këto shprehje interesante të Davidit: «Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?» Sa të prekin këto fjalë, që përshkruajnë dhembshurinë e butë të Jehovait! Kur jemi të stresuar, mund t’i përgjërohemi Jehovait me lot në sy. Këtë e bëri edhe Jezui, që ishte një njeri i përsosur këtu në tokë. (Hebrenjve 5:7) Davidi ishte i bindur se Jehovai e vinte re dhe do ta kujtonte agoninë e tij, sikur t’i kishte ruajtur lotët në një calik ose t’i kishte shkruar në ndonjë libër. * Ndoshta ti mendon se lotët që ke derdhur, do të mbushnin një pjesë të mirë të atij caliku ose shumë faqe të atij libri. Nëse është kështu, mund të ngushëllohesh nga fjalët që thotë Bibla: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»​—Psalmi 34:18.

Të bëhesh mik i ngushtë me Perëndinë

16, 17. (a) Si e dimë se Jehovai nuk është indiferent ndaj problemeve që has populli i tij? (b) Çfarë bën Jehovai, me qëllim që populli i tij të ketë miqësi të ngushtë me të?

16 Fakti që Jehovai na ka numëruar ‘fijet e flokëve të kokës’, na tregon në njëfarë mase se çfarë Perëndie të vëmendshëm dhe të dashur kemi privilegjin të adhurojmë. Ndonëse duhet të presim derisa të vijë bota e re, që të na zhduken të gjitha dhembjet dhe vuajtjet, Jehovai që tani po bën diçka të mrekullueshme për popullin e tij. Davidi shkroi: «Ata që i frikësohen Jehovait, gëzojnë një miqësi të ngushtë me të, dhe besëlidhja e tij është për ta, me qëllim që ta njohin.»​—Psalmi 25:14, BR.

17 ‘Miqësi të ngushtë me Jehovain!’ Edhe vetëm ideja, njerëzve të papërsosur mund t’u duket e pabesueshme. Megjithatë, Jehovai i fton ata që i frikësohen, të jenë mysafirë në tendën e tij. (Psalmi 15:1-5) Dhe çfarë bën Jehovai për mysafirët e tij? Sipas asaj që thotë Davidi, u bën të njohur besëlidhjen e tij. Jehovai u beson atyre, duke ua zbuluar «sekretet» e tij nëpërmjet profetëve, kështu që t’i dinë qëllimet e tij dhe se çfarë duhet të bëjnë për të jetuar në përputhje me to.​—Amosi 3:7.

18. Si e dimë që Jehovai dëshiron të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të?

18 Na ngrohet zemra kur kuptojmë se ne, njerëzit e papërsosur, mund të bëhemi miq të ngushtë me Më të Lartin, Perëndinë Jehova. Në fakt, ai na nxit që të bëjmë pikërisht kështu. «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet»,​—thotë Bibla. (Jakovi 4:8) Jehovai do që ne të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të. Madje, tashmë ka marrë hapa për ta bërë të mundur një gjë të tillë. Flijimi shpërblyes i Jezuit na ka hapur rrugën për të pasur këtë miqësi me Perëndinë e Plotfuqishëm. Bibla thotë: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse ai na deshi i pari.»​—1 Gjonit 4:19.

19. Si e forcon qëndrueshmëria marrëdhënien tonë me Jehovain?

19 Kjo marrëdhënie e ngushtë forcohet edhe më shumë kur qëndrojmë të fortë në rrethana të vështira. Dishepulli Jakov shkroi: «Qëndrueshmëria le ta kryejë plotësisht punën e saj, që ju të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, duke mos ju munguar asgjë.» (Jakovi 1:4) Çfarë ‘pune’ kryen qëndrueshmëria që tregojmë në vështirësi? Sill ndër mend ‘gjembin në mish’ që kishte Pavli. Ç’vlerë pati qëndrueshmëria në rastin e tij? Ja se ç’tha Pavli për sprovat e veta: «Me gëzim të madh do të mburrem më mirë për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë mbi mua si një tendë. Prandaj, gjej ëndje në dobësi, në fyerje, në raste nevoje, në persekutime dhe vështirësi për Krishtin. Sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (2 Korintasve 12:9, 10) Pavli e dinte mirë se Jehovai do t’i jepte fuqi​—madje, ‘fuqi përtej normales’, po të ishte e nevojshme​—që ai të qëndronte i fortë. Kjo e afroi më shumë atë me Krishtin dhe me Perëndinë Jehova.​—2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:11-13.

20. Si mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështetë dhe do të na ngushëllojë kur të hasim vështirësi?

20 Ndoshta, Jehovai ka lejuar që sprovat e tua të vazhdojnë. Nëse është kështu, mbaj në mendje premtimin që u bën ai atyre që i frikësohen: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5) Edhe ti mund të marrësh këtë mbështetje e ngushëllim. Jehovai i ka numëruar ‘fijet e flokëve të kokës sate’. Ai e sheh qëndrueshmërinë tënde. E ndien dhembjen që ndien ti. Interesohet vërtet për ty dhe kurrë ‘nuk do ta harrojë veprën tënde dhe dashurinë që tregove për emrin e tij’!​—Hebrenjve 6:10.

[Shënimet]

^ par. 2 Fjalë të ngjashme shprehu edhe Davidi i drejtë dhe bijtë besnikë të Korahut.​—Psalmi 10:1; 44:24.

^ par. 4 Bibla nuk thotë se çfarë ishte ky «gjemb në mish». Ndoshta ishte një problem fizik, si shikimi i dobët. Ose shprehja «gjemb në mish» mund t’u referohet apostujve të rremë dhe të tjerëve që vinin në dyshim autoritetin e Pavlit si apostull dhe shërbimin e tij.​—2 Korintasve 11:6, 13-15; Galatasve 4:15; 6:11.

^ par. 9 Disa studiues mendojnë se rënia përtokë e zogut nënkupton më shumë sesa thjesht që ai ngordh. Ata thonë se, në gjuhën origjinale, shprehja mund t’i referohet uljes së zogut në tokë për të gjetur ushqim. Nëse është kështu, do të thotë se Perëndia vëren dhe interesohet për zogun në gjërat e përditshme që bën, jo vetëm kur ngordh.​—Mateu 6:26.

^ par. 15 Në kohët e lashta, calikët bëheshin me lëkurë të regjur qengji, keci ose bagëtie të trashë. Enë të tilla përdoreshin për të mbajtur qumësht, gjalpë, djathë ose ujë. Ato që liheshin për t’u regjur edhe më shumë, mund të mbanin vaj ose verë.

A ju kujtohet?

• Çfarë mund ta bëjë një njeri të mendojë se Perëndia e ka braktisur?

• Ç’mësime nxjerrim nga ilustrimet e Jezuit me harabelat dhe me numërimin e fijeve të flokëve?

• Ç’do të thotë që Jehovai na i vendos lotët ‘në calikun’ ose ‘në librin’ e tij?

• Si mund të kemi ‘miqësi të ngushtë me Jehovain’?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 22]

Pse Jehovai nuk ia hoqi Pavlit ‘gjembin në mish’?

[Figura në faqen 23]

Ç’mund të mësojmë nga ilustrimi i Jezuit me harabelat?

[Burimi]

© J. Heidecker/VIREO

[Figura në faqen 25]

Duke e lexuar rregullisht Biblën, mund të jemi të sigurt se Perëndia interesohet për ne personalisht