Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A tregon fjala «ndofta» te Sofonia 2:3, se shërbëtorët e Perëndisë s’mund të jenë të sigurt që do të marrin jetën e përjetshme?
Në këtë shkrim lexojmë: «Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.» Pse në këtë shkrim thuhet «ndofta»?
Për të kuptuar se si do të veprojë Jehovai në Harmagedon me shërbëtorët besimplotë, është dobiprurëse po të kujtojmë se ç’mëson Bibla rreth asaj që bën ai për ata që vdesin para kësaj kohe gjykimi. Disa ringjallen në jetën e pavdekshme si krijesa frymore në qiell, kurse të tjerë do të ringjallen në tokë, me shpresën që të jetojnë përgjithmonë në parajsë. (Gjoni 5:28, 29; 1 Korintasve 15:53, 54) Meqë Jehovai do t’i kujtojë e do t’i shpërblejë shërbëtorët besnikë që vdesin para Harmagedonit, patjetër do të veprojë njësoj edhe me ata shërbëtorë që do të jenë gjallë në ditën e zemërimit të tij.
Janë inkurajuese edhe fjalët e frymëzuara të apostullit Pjetër. Ai shkroi: «Noen, një predikues i drejtësisë, [Perëndia] e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë të paperëndishmish; dhe duke bërë hi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës i dënoi, . . . dhe çliroi Lotin e drejtë . . . Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me devocion hyjnor, por të ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen.» (2 Pjetrit 2:5-9) Në kohët e kaluara, ndonëse i shkatërroi të ligjtë, Jehovai mbrojti si Noenë, ashtu edhe Lotin, të cilët i kishin shërbyer me besim të plotë. Po kështu, Jehovai do të çlirojë njerëzit me përkushtim hyjnor edhe kur të sjellë shkatërrimin mbi të ligjtë në Harmagedon. «Një shumicë e madhe» me njerëz të drejtë do të mbijetojë.—Zbulesa 7:9, 14.
Pra, duket se, te Sofonia 2:3, fjala «ndofta» nuk është përdorur për të treguar ndonjë pasiguri për aftësinë e Perëndisë për t’i ruajtur ata që kanë miratimin e tij. Jo, kuptimi është që, kur një njeri fillon të kërkojë drejtësinë dhe përulësinë, shpëtimi i tij në ditën e zemërimit të Jehovait është vetëm një mundësi. Do të shpëtojë apo jo, kjo do të varet nëse do të vazhdojë ta kërkojë përulësinë dhe drejtësinë.—Sofonia 2:3.
[Figura në faqen 31]
«Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me devocion hyjnor»