Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do ta pasqyroni lavdinë e Perëndisë?

A do ta pasqyroni lavdinë e Perëndisë?

A do ta pasqyroni lavdinë e Perëndisë?

«Ne . . . pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait.»​—2 KORINTASVE 3:18.

1. Çfarë pa Moisiu dhe çfarë ndodhi më pas?

ISHTE një nga vegimet më madhështore që kishte marrë ndonjëherë një njeri. Ndërsa ishte i vetëm lart në malin Sinai, Moisiut iu plotësua një kërkesë e pazakontë. U lejua të shihte atë që asnjë njeri s’e kishte parë kurrë, pra lavdinë e Jehovait. Natyrisht, Moisiu nuk pa drejtpërdrejt Jehovain. Pamja e Perëndisë është kaq madhështore, saqë asnjë njeri s’mund ta shohë e të jetojë. Në fakt, Jehovai ia mbuloi fytyrën Moisiut «me dorën» e tij, për ta mbrojtur derisa Ai të kishte kaluar, me sa duket duke përdorur një engjëll si përfaqësues. Pastaj, Jehovai e lejoi Moisiun të shihte shkëlqimin që mbeti pas shfaqjes së lavdisë hyjnore. Veç kësaj, Jehovai foli me Moisiun me anë të një engjëlli. Bibla përshkruan çfarë ndodhi më pas: «Kur [Moisiu] zbriti nga mali i Sinait, . . . lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëllyese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin.»​—Eksodi (Dalja) 33:18–34:7, 29.

2. Çfarë shkroi apostulli Pavël për lavdinë që pasqyrojnë të krishterët?

2 Përfytyrojeni veten në atë mal, bashkë me Moisiun. Kushedi sa emocionuese duhet të jetë të shohësh shkëlqimin marramendës të të Plotfuqishmit dhe të dëgjosh fjalët e tij! Sa privilegj i madh të zbresësh nga mali Sinai përkrah Moisiut, ndërmjetësit të besëlidhjes së Ligjit! Por, a e dinit se, në disa drejtime, të krishterët e vërtetë e pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë në një mënyrë që ia tejkalon asaj se si e pasqyroi Moisiu? Këtë të vërtetë të thellë e gjejmë në një letër që shkroi apostulli Pavël. Ai shkroi se të krishterët e mirosur ‘pasqyrojnë si pasqyrë lavdinë e Jehovait’. (2 Korintasve 3:7, 8, 18) Në njëfarë kuptimi, edhe të krishterët me shpresë tokësore e pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë.

Si e pasqyrojnë të krishterët lavdinë e Perëndisë?

3. Si kemi arritur ta njohim Jehovain në mënyra që Moisiu s’kishte mundësi?

3 Po si ka mundësi që të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë? Ne as e kemi parë dhe as e kemi dëgjuar Jehovain siç pati privilegjin Moisiu. Por, gjithsesi, kemi arritur ta njohim Jehovain në mënyra që Moisiu s’kishte mundësi. Jezui u shfaq si Mesia rreth 1.500 vjet pasi kishte vdekur Moisiu. Rrjedhimisht, Moisiu nuk mund ta dinte se si do të përmbushej Ligji te Jezui, i cili vdiq për t’i shpenguar njerëzit nga tirania e rëndë e mëkatit dhe e vdekjes. (Romakëve 5:20, 21; Galatasve 3:19) Për më tepër, Moisiu mund ta kuptonte vetëm pjesërisht qëllimin madhështor të Jehovait, që lidhet ngushtësisht me Mbretërinë Mesianike dhe me parajsën tokësore që do të sjellë ajo. Pra, ne nuk e perceptojmë lavdinë e Jehovait me sytë fizikë, por me sytë e besimit, të bazuar në mësimet biblike. Për më tepër, e kemi dëgjuar zërin e Jehovait, jo nëpërmjet një engjëlli, por nëpërmjet Biblës, e sidomos Ungjijve, të cilët përshkruajnë kaq bukur mësimet dhe shërbimin e Jezuit.

4. (a) Si e pasqyrojnë të krishterët e mirosur lavdinë e Perëndisë? (b) Si mund ta pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë ata që kanë shpresën tokësore?

4 Vërtet që të krishterët nuk e pasqyrojnë lavdinë e Jehovait me fytyrën që u lëshon rreze, por ama fytyra u rrëzëllen kur u flasin të tjerëve për personalitetin e lavdishëm dhe për qëllimet e Jehovait. Për ditët tona, profeti Isaia paratha se shërbëtorët e Perëndisë «do të shpallin lavdinë [e Jehovait] ndër kombet». (Isaia 66:19) Gjithashtu, te 2 Korintasve 4:1, 2, lexojmë: «Meqë kemi këtë shërbim . . . , kemi hequr dorë nga gjërat që bëhen në fshehtësi, për të cilat të na vijë turp, duke mos ecur me dinakëri, as duke bastarduar fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, duke ia rekomanduar veten tonë çdo ndërgjegjeje njerëzore, në sy të Perëndisë.» Në mënyrë të veçantë Pavli po u drejtohej të krishterëve të mirosur, që janë «administrues të Fjalës së një besëlidhjeje të re». (2 Korintasve 3:6) Por shërbimi i tyre ka ndikuar te miliona veta, që kanë fituar shpresën e jetës së përhershme në tokë. Shërbimi i të dyja grupeve përfshin që ta pasqyrojnë lavdinë e Jehovait, jo vetëm me atë që u mësojnë të tjerëve, por edhe me mënyrën se si jetojnë. Është përgjegjësia dhe privilegji ynë të pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Perëndisë Më të Lartë!

5. Për çfarë jep prova begatia jonë frymore?

5 Sot, lajmi i mirë i lavdishëm për Mbretërinë e Perëndisë po predikohet në gjithë tokën e banuar, siç paratha Jezui. (Mateu 24:14) Individë nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët i janë përgjigjur me entuziazëm lajmit të mirë dhe kanë ndryshuar jetën e tyre, me qëllim që të bëjnë vullnetin e Perëndisë. (Romakëve 12:2; Zbulesa 7:9) Ashtu si të krishterët e hershëm, edhe ata nuk rrinë dot pa folur për gjërat që kanë parë e kanë dëgjuar. (Veprat 4:20) Mbi gjashtë milionë njerëz, më shumë se në çdo epokë tjetër të historisë njerëzore, po e pasqyrojnë sot lavdinë e Perëndisë. A je edhe ti ndër ta? Begatia frymore e popullit të Perëndisë është provë bindëse se ai po i bekon dhe po i mbron. Fakti që kemi frymën e Jehovait bëhet edhe më i qartë, po të kemi parasysh forcat e fuqishme që janë rreshtuar kundër nesh. Le të shohim pse është kështu.

Popullin e Perëndisë nuk do ta bëjnë dot të heshtë

6. Pse duhet besim dhe guxim për të marrë anën e Jehovait?

6 Ta zëmë se do të të thërritnin në një gjyq, që të dëshmoje kundër një krimineli të regjur. Ti e di që ai kriminel ka një bandë të organizuar dhe do të përdorë çdo mjet të mundshëm që të të pengojë të dëshmosh kundër tij. Për të dëshmuar kundër këtij krimineli, do të të duhej guxim, si edhe besim se autoritetet do të të mbrojnë. Ne jemi në një situatë të ngjashme. Kur flasim për Jehovain dhe për qëllimet e tij, po dëshmojmë kundër Satana Djallit, duke e demaskuar si një vrasës dhe një gënjeshtar që po mashtron gjithë tokën e banuar. (Gjoni 8:44; Zbulesa 12:9) Për të marrë anën e Jehovait dhe për të dalë kundër Djallit, kërkohet besim dhe guxim.

7. Çfarë pushteti ka Satanai dhe çfarë përpiqet të bëjë?

7 Sigurisht, Jehovai është Perëndia Suprem. Fuqia e tij është jashtëzakonisht më e madhe se e Satanait. Mund të jemi të sigurt se Jehovai jo vetëm që është në gjendje të na mbrojë, por është edhe i gatshëm ta bëjë këtë, ndërsa i shërbejmë me besnikëri. (2 Kronikave 16:9) Gjithsesi, Satanai sundon mbi demonët dhe mbi këtë botë që është larguar nga Perëndia. (Mateu 12:24, 26; Gjoni 14:30) Meqë është kufizuar në afërsi të tokës dhe ka një «zemërim të madh», Satanai u kundërvihet me ashpërsi shërbëtorëve të Jehovait dhe e përdor botën që ka nën kontroll, për të bërë çmos që t’u mbyllë gojën të gjithë atyre që predikojnë lajmin e mirë. (Zbulesa 12:7-9, 12, 17) Si e bën këtë? Të paktën në tri mënyra.

8, 9. Si e përdor Satanai dashurinë për gjërat e gabuara, e pse duhet t’i zgjedhim me kujdes shoqëritë?

8 Problemet e jetës janë një mënyrë se si përpiqet të na shpërqendrojë Satanai. Në këto ditë të fundit, njerëzit janë dashuruar pas parave, pas vetes dhe pas kënaqësive. Por nuk e duan Perëndinë. (2 Timoteut 3:1-4) Meqë janë të zhytur në punët e përditshme, njerëzit ‘nuk i kushtojnë vëmendje’ lajmit të mirë që u japim. Thjesht nuk janë të interesuar që të mësojnë të vërtetën e Biblës. (Mateu 24:37-39) Ky qëndrim mund të jetë ngjitës, duke na shkaktuar një gjendje përgjumjeje frymore. Nëse lejojmë që të na zhvillohet dëshira për gjërat materiale dhe për kënaqësitë e jetës, dashuria për Perëndinë do të na ftohet.​—Mateu 24:12.

9 Për këtë arsye, të krishterët i zgjedhin me kujdes shoqëritë e tyre. «Kush shkon [ecën, BR] me të urtët bëhet i urtë,​—shkroi mbreti Solomon,​—por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» (Fjalët e urta [Proverbat] 13:20) Le ‘të ecim’ me ata që pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë! Sa e këndshme është kjo gjë! Kur mblidhemi me vëllezërit e motrat në besim, gjatë mbledhjeve ose në raste të tjera, inkurajohemi nga dashuria, besimi, gëzimi dhe mençuria e tyre. Kjo shoqëri e shëndoshë na e forcon vendosmërinë për të ngulmuar në shërbim.

10. Si i ka përdorur Satanai talljet kundër atyre që pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë?

10 Talljet janë mënyra e dytë me anë të të cilave Satanai përpiqet t’i pengojë të krishterët që të pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë. Kjo taktikë nuk duhet të na habitë. Gjatë shërbimit këtu në tokë, edhe Jezu Krishtin e tallën, për shembull e qeshën, e shpotitën, e vunë në lojë, e fyen dhe madje e pështynë. (Marku 5:40; Luka 16:14; 18:32) Edhe të krishterët e hershëm u bënë objekt talljesh. (Veprat 2:13; 17:32) Këtë trajtim e hasin edhe shërbëtorët e sotëm të Jehovait. Sipas apostullit Pjetër, ata do t’i quanin madje ‘profetë të rremë’. «Në ditët e fundit,​—paratha Pjetri,​—do të vijnë tallës me talljet e tyre, që vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, duke thënë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar? Se ja, . . . të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’» (2 Pjetrit 3:3, 4) Shërbëtorët e Perëndisë i tallin dhe u thonë se nuk jetojnë me realitetin. Normat morale të Biblës konsiderohen si të vjetëruara. Për shumë veta, mesazhi që predikojmë është një marrëzi. (1 Korintasve 1:18, 19) Si të krishterë, mund të bëhemi objekt talljesh në shkollë, në punë e madje, disa herë, edhe në rrethin familjar. Por, pa u stepur, ne vazhdojmë të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë me anë të predikimit, duke e ditur, ashtu si Jezui, se Fjala e Perëndisë është e vërteta.​—Gjoni 17:17.

11. Si e ka përdorur Satanai përndjekjen për t’i bërë të krishterët që të heshtin?

11 Kundërshtimi ose përndjekja është taktika e tretë që përdor Djalli për të na bërë që të heshtim. Jezui u tha ithtarëve të tij: «Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin dhe do të jeni objekt urrejtjeje për të gjitha kombet, për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Dhe në fakt, si Dëshmitarë të Jehovait, ne kemi hasur përndjekje të egër në shumë vende. E kemi parasysh që Jehovai paratha shumë kohë më parë, se do të kishte urrejtje ose armiqësi midis atyre që i shërbejnë Atij dhe atyre që i shërbejnë Satana Djallit. (Zanafilla 3:15) E dimë edhe se, duke mbajtur integritetin në sprova, japim prova që sovraniteti universal i Jehovait është i drejtë dhe legjitim. Këto fakte mund të na bëjnë të fortë edhe në rrethanat më ekstreme. Nëse jemi të vendosur për të pasqyruar lavdinë e Perëndisë, s’ka përndjekje që të na bëjë të heshtim përgjithnjë.

12. Pse duhet të gëzojmë ndërsa mbetemi të besueshëm, pavarësisht nga kundërshtimi i Satanait?

12 A po i reziston joshjes së botës dhe a po tregohesh i besueshëm, pavarësisht nga talljet dhe kundërshtimi? Atëherë ke arsye për të gëzuar. Jezui i siguroi ata që do ta ndiqnin: «Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim. Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, pasi i madh është shpërblimi juaj në qiej; sepse në këtë mënyrë i persekutuan profetët që qenë përpara jush.» (Mateu 5:11, 12) Qëndrueshmëria jote tregon se ke frymën e shenjtë e të fuqishme të Jehovait, e cila të jep forcë për të pasqyruar lavdinë e tij.​—2 Korintasve 12:9.

Qëndrueshmëria vjen nga Jehovai

13. Cila është një arsye kryesore pse qëndrojmë të fortë në shërbimin e krishterë?

13 Një arsye kryesore pse qëndrojmë të fortë në shërbim është se e duam Jehovain dhe kënaqemi që pasqyrojmë lavdinë e tij. Njerëzit kanë prirjen t’i imitojnë ata që duan e që respektojnë, dhe askush nuk është më shumë i denjë për t’u imituar sesa Perëndia Jehova. Ngaqë na donte shumë, ai dërgoi në tokë Birin e tij që të jepte dëshmi për të vërtetën dhe të shpengonte njerëzimin e bindur. (Gjoni 3:16; 18:37) Ashtu si Perëndia, edhe ne dëshirojmë që njerëz të çdo lloji të arrijnë në pendim dhe të shpëtojnë, prandaj u predikojmë atyre. (2 Pjetrit 3:9) Kjo dëshirë, bashkë me vendosmërinë për të imituar Perëndinë, na nxit të ngulmojmë për të pasqyruar lavdinë e tij me anë të shërbimit.

14. Si na forcon Jehovai që të qëndrojmë në shërbim?

14 Por, gjithsesi, forca me të cilën qëndrojmë në shërbimin e krishterë vjen nga Jehovai. Ai na mbështet dhe na forcon me anë të frymës së tij, të organizatës dhe të Fjalës së tij, Biblës. Jehovai u «jep qëndrueshmëri» atyre që dëshirojnë të pasqyrojnë lavdinë e tij. U përgjigjet lutjeve tona dhe na jep mençurinë e duhur për të përballuar sprovat. (Romakëve 15:5; Jakovi 1:5) Për më tepër, Jehovai nuk lejon të na bjerë ndonjë sprovë që e kemi të pamundur ta mbajmë. Nëse kemi besim te Jehovai, ai do të na japë rrugëdaljen, me qëllim që të vazhdojmë të pasqyrojmë lavdinë e tij.​—1 Korintasve 10:13.

15. Çfarë na ndihmon të qëndrojmë të fortë?

15 Qëndrueshmëria në shërbim tregon se kemi frymën e Perëndisë. Le ta ilustrojmë: ta zëmë se dikush të kërkon që të shpërndash falas një lloj buke nëpër shtëpitë e njerëzve. Të kërkon ta bësh këtë me shpenzimet e tua dhe të harxhosh nga koha jote e lirë. Për më tepër, shumë shpejt merr vesh se pak njerëz e duan këtë bukë që po u çon, madje disa do të të kundërshtojnë, se nuk duan që ti të shkosh e të shpërndash bukë. A mendon se do ta vazhdoje këtë detyrë muaj pas muaji, vit pas viti? Ka shumë mundësi që jo. E megjithatë, ti mund të kesh vite, e madje dekada, që përpiqesh fort për të shpallur lajmin e mirë, duke harxhuar kohën tënde dhe me shpenzimet e tua. Përse e ke bërë këtë? A nuk e ke bërë sepse e do Jehovain dhe ai, me anë të frymës së tij, i ka bekuar përpjekjet e tua, duke të të ndihmuar të qëndrosh? Me siguri!

Një vepër që do të mbahet mend

16. Çfarë mund të arrijmë me qëndrueshmërinë në shërbim, për veten tonë dhe për ata që na dëgjojnë?

16 Shërbimi që lidhet me besëlidhjen e re është një dhuratë që s’ka të krahasuar. (2 Korintasve 4:7) Edhe shërbimi i krishterë që bëjnë delet e tjera në mbarë botën, është një thesar. Nëse tregon qëndrueshmëri në shërbim, mund «të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë», siç i shkroi Pavli Timoteut. (1 Timoteut 4:16) Mendo se çfarë do të thotë kjo! Lajmi i mirë që predikon, u jep të tjerëve mundësinë që të jetojnë përgjithmonë. Mund të lidhësh miqësi të forta me ata që i ndihmon në kuptimin frymor. Mendo se çfarë gëzimi do të jetë të jetosh përgjithmonë në Parajsë me ata që ke ndihmuar të mësojnë për Perëndinë! Sigurisht, ata s’kanë për t’i harruar kurrë përpjekjet e tua për t’i ndihmuar. Sa kënaqësi që të sjell ky mendim!

17. Pse periudha në të cilën jetojmë është e veçantë në historinë njerëzore?

17 Po jetojmë në një periudhë të pashoqe të historisë njerëzore. Lajmi i mirë nuk do të predikohet më kurrë në një botë të larguar nga Perëndia. Noeja jetonte në një botë si e jona dhe e pa që u zhduk. Sa duhet të jetë gëzuar kur ka marrë vesh se e kishte përmbushur me besnikëri vullnetin e Perëndisë duke ndërtuar arkën, e cila shpëtoi familjen e tij! (Hebrenjve 11:7) Edhe ti mund të kesh këtë gëzim. Përfytyro si do të ndihesh kur të jesh në botën e re dhe të mendosh për veprën që ke bërë në këto ditë të fundit, duke e ditur se bëre ç’të mundje për të çuar përpara interesat e Mbretërisë.

18. Çfarë sigurie dhe inkurajimi u jep Jehovai shërbëtorëve të tij?

18 Atëherë, le të vazhdojmë ta pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë! Kjo do të jetë diçka që s’kemi për ta harruar kurrë. Edhe Jehovai i mban mend veprat tona. Bibla na jep këtë inkurajim: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni. Por dëshirojmë që secili prej jush të tregojë të njëjtën papërtueshmëri, që ta ketë deri në fund sigurinë e plotë të shpresës, me qëllim që të mos bëheni të plogësht, por të jeni imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.»​—Hebrenjve 6:10-12.

A mund të shpjegoni?

• Si e pasqyrojnë të krishterët lavdinë e Perëndisë?

• Cilat janë disa taktika të Satanait që t’i bëjë të heshtin shërbëtorët e Perëndisë?

• Çfarë provash mund të japim se kemi frymën e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Fytyra e Moisiut pasqyronte lavdi

[Figurat në faqet 16, 17]

Ne e pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë në shërbimin tonë